Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë
Lajmi i funditopinion

Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë

Published: June 28, 2026
Shpërndaje

Dr. Erkjad Kajo*

Ekziston një video nga ajo pasdite e parë që askush prej nesh nuk do ta harrojë. Është filmuar në mes të ditës, pa dramën e errësirës që do të mund ta zbukuronte: një grusht qytetarësh të vendosur qëndronin aty ku dikur shtrihesh gardhi i shëmtuar me tela me gjemba që ndante parkun tonë kombëtar të Zvërnecit, i cili për breza me radhë nuk i përkiste askujt dhe, pikërisht për këtë arsye, i përkiste të gjithëve. Pas gardhit, qëndronin burra të maskuar me jelekë të zinj. Po aty gjendeshin edhe disa policë që vështronin të hutuar dhe nuk bënin asgjë ndërsa “burra” të maskuar tërhiqnin me forcë një protestues në mes të ditës para hundës të uniformave blu. Gardhi me tela me gjemba nuk preu vetëm lagunën por edhe atë që kishte mbetur nga historia që i tregonim vetes për atë se kush jemi dhe se si qeverisemi.

Kemi filluar ta quajmë atë që pasoi Revolucioni i Flamingos, sipas zogjve që ecin në ato ujëra të kontestuara me këmbë aq të holla sa duket se sfidojnë ligjet e fizikës, duke ruajtur ekuilibrin mbi njërën kur pushojnë. Është një emër i butë për një çast të zemëruar, dhe pikërisht kjo butësi është vetë thelbi. Të rinjtë që mbushën sheshet tona nuk janë nihilistë. Ata e duan këtë vend. Pikërisht për këtë arsye nuk pranojnë më modelin e shtetit që u është dorëzuar.

- Publicitet -

Askush jashtë vendit, dhe askush në pushtet, të mos bëjë gabimin komod duke menduar se kjo gjeneratë është në gjumë. Zjarri i patriotizmit ka ndezur flakën brenda brenda zemrave të tyre, hapur dhe pa kërkuar ndjesë, ai është përhapur shumë largë duke tejkaluar kufijve tanë. Në kryeqytetet, nga Athina në Berlin, Bruksel, Londër, Stokholm e gjetkë, ku shqiptarët janë shpërndarë për të studiuar dhe punuar, flamuri ynë është shfaqur në sheshe që nuk janë tonat; diaspora e ka shndërruar mallin për atdheun në organizim, ndërsa mediat më të mëdha të botës kanë drejtuar kamerat e tyre drejt nesh dhe, për një herë të vetme, e kanë treguar historinë tonë me simpati dhe jo me përçmim. Një vend i vogël është bërë, për një çast, një parabolë që po lexohet nga e gjithë bota. Kjo nuk është arritje e vogël. Është një rezervuar legjitimiteti dhe vëmendjeje që asnjë lëvizje nuk mund t’i ndodhë dy herë, dhe kjo duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht se çfarë synojmë të bëjmë me të.

Le të jemi të sinqertë për atë që ndezi fitilin, sepse rrëfimet zyrtare kanë qenë një ushtrim i vazhdueshëm shmangiesh. Një park i mbrojtur po i kalonte në heshtje një kompanie të kontrolluar nga dhëndri i një udhëheqësi të fuqishëm të huaj, pa asnjë tender publik që dikush të mund ta gjente, pa asnjë vlerësim mjedisor që dikush të mund ta lexonte, pa asnjë përgjigje për pyetjen më të thjeshtë që një qytetar mund të bëjë: me ç’të drejtë? Kur njerëzit u mblodhën për ta bërë këtë pyetje, një forcë mercenare e kontraktuar iu përgjigj me dhunë, nën sytë e oficerëve të shtetit që zgjodhën të bëheshin spektatorë. Një burrë që qëndronte në anën publike të gardhit u rrëmbye dhe u dhunua në mes të ditës. Kjo është sekuenca kronologjike e ngjarjeve. Gjithçka që ka ndodhur më pas ka qenë një përpjekje për të na bërë ta harrojmë.

Edhe reagimi i Kryeministrit meriton të mbahet mend, sepse ndoqi skenarin e konsumuar të çdo qeverie që i kanë mbaruar argumentet. Fillimisht protestat u paraqitën si vepër e duarve të huaja, sikur ankesat tona të ishin shumë të vogla për të qenë të vërteta, sikur ne të mos mund të jemi të aftë të zemëroheshim për llogarinë tonë. Pastaj, kur kjo nuk funksionoi, linja ndryshoi: nuk ka asnjë projekt, nuk është nënshkruar asgjë, ju po marshoni kundër një fantazme. Na kërkohet të besojmë njëkohësisht se trazirat janë pjesë e një komploti të huaj tepër të sofistikuar dhe se njekohesisht kanë të bëjnë me diçka që nuk ekziston. Një qeveri nuk mund t’i ketë të dyja, dhe kjo e jona, duke u përpjekur ta bëjë këtë, tregoi se sa pak beson se ne po i kushtojmë vëmendje. Duke e parë Kryeministrin këto javë, dikush ka ndjesinë shqetësuese se po vështron një burrë që po humbet kontrollin mbi vendin që qeveris; që i ngatërron votuesit e vet me armiq, qytetarët e vet me agjitatorë, dhe që i mban leksione një kombi që ka pushuar së dëgjuari sepse ai vetë pushoi së dëgjuari i pari. Nuk ka mënyrë më të sigurt për ta armiqësuar një popull të tërë sesa të këmbëngulësh, ne kundershtim me faktet dhe llogjikën, se ajo që pa nuk ka ndodhur.

Por ja çfarë duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë, përfshirë edhe ne që shkruajmë me simpati për ata që ndodhen në sheshet tona. Thelbi i këtij momenti nuk është gardhi që rrethoi lagunën, as manjati i huaj, as mohimet e ngathta të Kryeministrit. Është se besimi në institucionet tona përfaqësuese është shembur, dhe jo vetëm në rradhët e protestuesve. Pyetni tregtarin, infermieren, mësuesin në pension, policin jashtë shërbimit. Pyetni edhe vetë deputetët në një moment kur nuk vëzhgohen nga kamerat. Pothuajse askush nuk beson se institucionet funksionojnë ashtu siç duhet të funksionojnë. Kjo është ajo që kanë prodhuar më shumë se tridhjetë e pesë vjet “tranzicion”. Ne përmbysëm një diktaturë në dhjetorin e vitit 1990 nën peshën e një lëvizjeje studentore dhe më pas u vendosëm në një purgator të përhershëm: një vend që me demek është duke u bërë, por kurrë nuk po bëhet plotësisht; i qeverisur nga një gardë e vjetër që mësoi ta menaxhonte (dhe pse jo të përfitonte nëpërmjet) tranzicionin, në vend që ta përfundonte atë. Parulla nëpër sheshe, “Shqipëri e Re,” nuk është kërkesë për një politikë të re mbi parqet. Është një kërkesë e një populli të vetëdijësuar për të mbërritur më në fund diku.

Duhet ta themi hapur se çfarë na ka kushtuar kjo mosmbërritje, sepse njeriu që përfitoi më shumë nga ai revolucion i parë sot qëndron në krye të opozitës. Në vitin 1990 studentët hapën një derë dhe përmes saj hyri një figurë që u pagëzua demokrat brenda natës, që kishte qenë diçka krejt tjetër vetëm një javë më parë dhe që e shndërroi një kryengritje të vërtetë në një trashëgimi personale. Nata e pafund e tranzicionit është monumenti i doktorit nga Vicidoli. Nën hijen e tij u mirëpritën dhe u ngritën skemat piramidale‚ ato fantazi Ponzi që përpinë kursimet e prindërve dhe gjyshërve tanë dhe lanë një brez më të varfër sesa kishte qenë nën diktaturën Hoxhiste. Dhe kur ajo shtëpi letrash u shemb, vendi u drejtua drejt luftës civile të vitit 1997, një plagë që nuk e kemi shqyrtuar kurrë me ndershmëri por e kemi fshehur nën tapet.

Ky është paralajmërimi pë rrezikun më të madh që vajzat e djemtë të Revolucionit të Flamingos duhet ta mbajnë gjithmonë para syve. Një revolucion nuk dështon vetëm kur shtypet. Ai dështon, më shpesh dhe më qetësisht, kur rrëmbehet‚ kur energjia e tij morale korret nga dikush që ka pritur në prapaskenë, gati për ta shndërruar idealizmin e turmës në autoritetin e vet.

Prandaj dua t’i them diçka lëvizjes së re që e ndërtoi këtë, dhe dua ta them si mik e jo si kritik, sepse tundimi me të cilin përballet është njëkohësisht më i kuptueshmi dhe më i rrezikshmi. Tundimi është të mbetet përtej politikës. Të mbetet e pastër. Të këmbëngulë se lëvizja është një ndjenjë, një ndërgjegje, një refuzim, dhe se organizimi në një parti apo forcë të strukturuar politike do të ishte tradhti ndaj vetë spontanitetit që i jep fuqi. E kuptoj plotësisht këtë instinkt. Çdo parti që kemi njohur na ka zhgënjyer; pse do të dëshironim të bëheshim njëra prej tyre? Asambleja horizontale, turma pa udhëheqës, qartësia morale e të qenit thjesht në rrugë, të gjitha këto duken më të pastra se makineria e pistë e koalicioneve, platformave dhe listave të kandidatëve.
Dëgjojeni thirrjen që ngrihet tani nëpër sheshe: se si Kryeministri ashtu edhe kreu i opozitës e kanë vendin në qeli. Si aktakuzë ndaj gjithë gardës së vjetër, ajo është tronditëse dhe ndoshta edhe e drejtë; këta janë njerëz që kanë mbikëqyrur tragjedinë që sapo përshkrova, dhe askush nuk meriton imunitet, qoftë edhe moral, për këtë. Por një slogan nuk është një plan, dhe kërkesa për dy karrige bosh nuk është një qeveri.

Nëse dëshira e turmës do të plotësohej nesër në mëngjes, pyetja më e ndershme në Shqipëri do të ishte ajo së cilës askush në shesh ende nuk mund t’i përgjigjet: po pastaj kush? Në duart e kujt kalon vendi? Një vakum nuk mbetet kurrë bosh për shumë kohë. Ai është mundësia më e sigurt që u është ofruar ndonjëherë të duruarve dhe të paskrupulltve, dhe ne e kemi parë tashmë një herë se kush hyn nga një derë e hapur kur askush i organizuar nuk është përgatitur të hyjë i pari. Të duash rendin e vjetër në burg dhe të mos duash një rend të ri gati për të qeverisur, do të thotë të përsërisësh vitin 1990, pra ku 19tën dhe 90tën e kemi zëvendësuar me 20tën dhe 26tën.

Por një lëvizje që refuzon të bëhet organizatë nuk mbetet e pastër. Ajo mbetet e përkohshme. Turmat shpërndahen, ky është cikli natyror i tyre. Energjia që nuk derdhet në një enë avullon, dhe ata që përfitojnë më shumë nga ky avullim janë pikërisht gardat e vjetra, të cilat kanë gjithë kohën e botës dhe një strukturë të disiplinuar që nuk shkon në shtëpi kur bie shi.

“Përtej politikës” është një vend i mrekullueshëm për të filluar dhe një vend i pamundur për të jetuar. Nuk mund ta mbash pushtetin përgjegjës nga jashtë dhomave ku ushtrohet pushteti, jo për shumë kohë dhe jo në një mënyrë që i mbijeton ciklit të lajmeve. Nëse Revolucioni i Flamingos dëshiron të jetë më shumë sesa një kujtim i bukur që shqiptarët e moshuar do t’ua tregojnë nipërve të mërzitur netëve të dimrit, ai duhet të pranojë barrën jo magjepsëse të formës: një parti, një federatë, një lëvizje me emra konkretë, me vendime konkrete dhe me aftësinë për të humbur zgjedhje e për t’u rikthyer përsëri. Zgjedhja nuk është mes pastërtisë dhe korrupsionit. Është mes organizimit dhe harresës.

Kjo është gjysma më e vështirë e argumentit, sepse flet për përgjegjësi dhe jo për romantizëm. Një kontratë e re shoqërore, (dhe kjo është ajo që na duhet në të vërtetë, më shumë sesa një dorëheqje apo anulimi i një marrëveshjeje të vetme,) nuk mund të shkruhet nga një turmë, sado e madhe qoftë ajo. Ajo duhet të negociohet, të hartohet, të kundërshtohet dhe të ratifikohet nga njerëz që janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi për të. Një kontratë shoqërore është një premtim midis qytetarëve dhe pushtetit të cilit ata i japin pëlqimin, dhe ajo kërkon palë të marrëveshjes në të dy anët. Rruga mund ta imponojë negociatën. Por ajo nuk mund të jetë palë nënshkruese. Dikush duhet të ulet në tavolinë dhe të qëndrojë aty me dinjitet, përgjegjësi dhe vendosmëri.

Çfarë do të përmbante një kontratë e tillë? Të paktën gjërat që ky skandal zbuloi si mungesa: garancinë që toka publike nuk mund të tjetërsohet në errësirë; që forcat e sigurisë, të çfarëdo lloji qofshin, i përgjigjen ligjit dhe jo oligarkëve; që policia mbron qytetarët në vend që t’i braktisi në duart e mercenarëve të X apo Y oligarku apo pushtetari; dhe që tranzicioni i gjatë të shpallet i përfunduar përmes ndërtimit të institucioneve të denja për besim dhe jo përmes justifikimeve të pafundme për dështimet e tyre. Asgjë nga këto nuk është utopike. Të gjitha janë të zakonshme në vendet që, në një moment të caktuar, vendosën të ndalonin së qeni në tranzicion dhe të fillonin të ishin shtete e shoqëri normale.

Nën këto klauzola qëndron një parim i vetëm dhe ia vlen të thuhet pa asnjë ndrojtje: kjo tokë u përket njerëzve që jetojnë mbi të. Jo oligarkëve. Dhe le të jemi të saktë, sepse Kryeministri me shumë dëshirë do të donte ta kthente këtë në një grindje mbi etninë apo fenë e investitorëve duke akuzuar Shqiptarët për fashizëm. Neve nuk na intereson nëse njeriu pas gardhit është i huaj apo njëri prej nesh. Një oligark vendas që rrethon pronën tonë të përbashkët nuk është më shumë vëllai ynë sesa një i huaj; ajo që ne refuzojmë është vetë parimi se një vend mund të ndahet në copa për këdo që ka para dhe lidhje, ndërsa qytetarët e tij reduktohen në qiramarrës ose punëtor krahu në vendin ku janë varrosur gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Ne jemi pronarët këtu, ose përndryshe fjala “qytetar” nuk do të thotë asgjë.

Mundësi si kjo nuk vijnë dy herë në jetë. Një popull rrallëherë e gjen veten njëkohësisht të zgjuar, të vëzhguar, të dëgjuar me simpati dhe të zemëruar për arsyet e duhura. Ajo që duhet të kërkojmë nga ky moment nuk është thjesht anulimi i një marrëveshjeje të korruptuar, por një shtet normal dhe funksional, (ëndrra e thjeshtë e çdo populli që ka pushuar së vuajturi,) një shtet që i jep bijve të vet mundësi të barabarta për t’u ngritur dhe për të shkëlqyer falë aftësive të tyre dhe jo falë njohjeve që kanë. Për shumë gjatë të rinjtë tanë janë përballur me një zgjedhje mizore: të emigrojnë ose të qëndrojnë në tokën e të parëve të tyre dhe të poshtërohen. Një kontratë e re shoqërore, e denjë për këtë emër, do ta shfuqizonte këtë zgjedhje. Ajo do t’i lejonte një shqiptari të jetonte në Shqipëri me nder dhe krenari, në shtëpinë e vet në kuptimin më të plotë të fjalës dhe jo si mysafir në vendin e vet, jo si mërgimtar, por si pronar i tokës për të cilën breza të tërë shqiptarësh janë flijuar duke mos kursyer as gjakun e vet.

Flamingoja, kur pushon, qëndron në një këmbë, por vetëm për të pushuar. Kur duhet të lëvizë, e vendos edhe këmbën tjetër në tokë. Lëvizja jonë ka qëndruar bukur mbi këmbën e vetme të refuzimit moral dhe ka fituar simpatine e botës duke bërë pikërisht këtë. Pyetja tani është nëse është e gatshme të vendosë edhe këmbën e dytë në tokë: të organizohet, të hyjë në garë, të marrë përsipër rrezikun që të gjykohet jo nga zemërimi i saj, por nga propozimet e saj. Ky hap do të duket si humbje e pafajësisë. Në të vërtetë, është e vetmja mënyrë për t’u rritur pa u përthithur.

Një Shqipëri e Re nuk do të shpallet në një shesh. Ajo do të ndërtohet, ngadalë dhe me debate, nga njerëz që vendosën se ta duash vendin tënd do të thotë të jesh i gatshëm ta qeverisësh atë.

*Universiteti Aix-Marseille, Francë. Botuar në DITA

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
3 Comments
  • Gani USA says:
    June 28, 2026 at 6:46 pm

    Shkrim i mire
    Analize e sakte dhe e dobishme
    Dita ka qendrimet me atdhetare dhe parimore ne median shqiptare

    Reply
  • Phoenix says:
    June 28, 2026 at 6:50 pm

    Po nuk qendron dot ne nje kembe, I thoni Flamingos qe te nderroje kembe qe te mos lodhet. Te dyja kembe Flamingosh jane.

    Reply
    • Vlora 97 says:
      June 28, 2026 at 7:35 pm

      Kollaj te besh gallat si batutaxhiu Shurrelit

      Zgjidhje ke?

      Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë
  • Kush janë biznesmenët e huaj që paguajnë udhëtimet me avion privat të kryeministrit shqiptar?
  • Mirësevini në “shtëpi”!
  • Fundi i tranzicionit është i mundshëm
  • Henry shpjegon pse Messi shënon gjithmonë duke u nisur nga e njëjta zonë në Botëror: Është Zona 14

Komentet e Fundit

  1. Vlora 97 on Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë
  2. K R on Kush janë biznesmenët e huaj që paguajnë udhëtimet me avion privat të kryeministrit shqiptar?
  3. Phoenix on Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë
  4. Gani USA on Flamingoja nuk mund të qëndrojë përgjithmonë mbi një këmbë
  5. Ethem Lalaj on Kush janë biznesmenët e huaj që paguajnë udhëtimet me avion privat të kryeministrit shqiptar?

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?