Jovan Bizhyti
Shënime për librin me publicistikë të zgjedhur “nga janari në dhjetor” të Xhevdet Shehut
Një libër me shumë faqe, që s’të le t’a heqësh nga dora, deri në faqen e fundit. Nuk është nga ato libra rozë, që shiten kryesisht në muajt e verës, për t’u lexuar nën çadër në vapën përvëlonjëse të korrikut e gushtit. Jo, është një libër publicistik i titulluar, “NGA JANARI NE DHJETOR” i gazetarit të mirënjohur Xhevdet Shehu, që trajton kryesisht tema politike të demokracisë shqiptare dhe të luftës Antifashiste Nac.Çl., nëpërmjet analizave, intervistave dhe ballafaqimeve për situatat politike që ka kaluar Shqipëria në këto vite të ndryshimeve demokratike.
Nëpërmjet këtij stili letraro-gazetaresk, japin mendimet e tyre shumë nga intelektualët më në zë të vendit si: shkrimtari i shquar Ismail Kadare, Dritero Agolli, Prof. Nasho Jorgaqi, gjuhëtari i mirënjohur, Prof. Xhevat Lloshi, akademiku Prof. Rexhep Qosja, analistët, Prof. Servet Pëllumbi, Prof. Alfred Uçi, Dr. Alfred Moisiu, historianët e mirënjohur, Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Paskal Milo, Alekrandër Meksi, si dhe veteranët, Ymer Minxhozi, Zenel Hekali, Rustem Peçi e tjerë.
Në këto intervista e analiza, këta personalitete të shquara të kulturës, politikës dhe historisë, analizojnë situatat e ngjarjet që ka kaluar vendi ynë në këto 30 vite të tranzocionit, nën drejtimin e disa prej liderëve politikë, të cilët krahas arritjeve, kanë lënë pas dhe shumë nga bëmat e tyre, që i kanë kushtuar shtrenjtë popullit dhe demokracisë shqiptare. Libri përqendrohet në dy shtylla kryesore, demokracia dhe lufta Antifashiste Nac.Çl., për të cilat populli i ynë ka dhënë kontributin e sakrificat e tij sublime dhe që politika jo kurdoherë ka mbajtur qëndrime e vlerësime të drejta, duke shkelur shpesh dhe mbi dinjitetin e gjakun e të rënëve për liri, çlirim kombëtar e demokraci.
Libri ka një titull sinjifikativ, “Nga janari në dhjetor”, që shpreh fillimin dhe fundin e këtij cikli të ndryshimeve politike në Shqipëri, e cila nuk ka kaluar lehtë, por e shoqëruar nga një tranzicion i gjatë e problematik. Dhe ja së fundi, u çel një rreze drite e shumëpritur, “Hapja e negociatave për antarësimin e Shqipërisë si kandidate për në BE”. Dhe autori, duke cituar poetin gjerman Johan Volfgang Gëte shkruan, “Më shumë dritë, më shumë dituri, më shumë realitet”, që do të thotë, “Dritë mbi të kaluarën, për të mbrojtur të ardhmen nga errësira e së shkuarës”. Dhe ja, u çel ajo dritë e mirëpritur në fundin e këtij tuneli të gjatë, për të cilën populli shqiptar ka dëshiruar dhe aderuar prej kohësh.
Që në faqet e para, libri nis me intervistat e dy njerëzve të shquar të kulturës sonë kombëtare, shkrimtarin Ismail Kadare dhe gjuhëtarin, Prof. Xhevat Lloshi. Bashkimi i këtyre dy korifejve të kulturës shqiptare, nuk është i rastësishëm, autori i ka bashkuar në ditëlindjen e tyre në 28 janar në vite të ndryshme, jo shumë të largëta. Përtej ditëlindjes, ata i bashkon dhe vepra e tyre, e cila i ka vënë “vulën” prej kohësh historisë së kulturës dhe letërsisë shqipe. Po kështu, këta kolosë të kulturës, i bashkon dhe lëvrimi i gjuhës shqipe, për të cilën kanë meritën se me kontributin e tyre e kanë pasuruar, zbukuruar dhe mbrojtur me aq dashuri në veprat e tyre.
Autori citon gjuhëtarin Xhevat Lloshi, i cili në krijimtarinë e Ismail Kadaresë, vlerëson kontributin e këtij shkrimtari të madh, krahas të tjerave dhe për gjuhën shqipe. Ai thekson se: “Kadareja, jo vetëm e ka pasuruar shqipen, por ai e ka bërë atë edhe më të bukur, më artistike, më të zhdërvjellët, më shprehëse, më intriguese, më tronditëse. Shqipja sot, është një gjuhë botërore e letërsisë artistike. Këtë e bëri Ismaili”. Ndërsa për vetë gjuhëtarin, Prof. Xhevat Lloshin, gazetari Xhevdet Shehu bënë përkufizimin: “Eshtë një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës shqiptare, me kontribute të jashtëzakonëshme jo vetëm në gjuhësi, por edhe në filologji, historiografi, studime letrare, pedagogji, është hartues fjalorësh dhe përkthyes i disa veprave të kulturës botërore”.
Roli i intelektualëve dhe i krijuesve për mbrojtjen dhe pasurimin e kulturës dhe të gjuhës sonë kaq të dashur e të bukur, përbën preludin e hyrjes së këtij libri, për të kaluar më pas në rrugëtimin shqiptar të viteve të demokracisë, e cila përbën një kalvar të mundimshëm arritjesh, por dhe dështimesh e devijimesh, duke e emërtuar shpesh dhe si, “Berishizëm”, “Rilindje”, apo dhe “Republika e re”, e shpallur nga Basha, ish lideri i opozitës në “Çadrën opozitare”, ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, karshi Kryeministrisë. Sinonimi i demokracisë nëpërmjet “Berishizmit”, na kujton ngjarjet tronditëse të “Piramidave”, që paralajmëruan 97-tën e mbrapshtë të trazirave, që e çuan vendin në prag të një “lufte civile” dhe të një “grushti shteti” të dështuar.
Prof. Servet Pëllumbi, në një analizë që i bënë kësaj situate në intervistën e tij dhënë gazetarit Xhevdet Shehu, midis të tjerave thekson se, Ngjarja e 97-tës, më kujton shprehjen e famshme të Bertold Brehtit tek drama “Arturo Ui”, kur klithte se: “Barku që polli (nazizmin), ende nuk është shterpëzuar”. Dhe kjo mund të përshtatet dhe për ne: “Barku që polli 97-tën, ende nuk është shterpëzuar”! Dhe në mbyllje Prof. Serveti thekson se, “Ka plot mistere politika shqiptare. Sa ishte gjallë Ramiz Alia, në një pritje në hotel Sheraton, e takova dhe i thashë si me shaka, në prezencë edhe të nderuarit, President Alfred Moisiu: Shoku Ramiz, mosha bën të vetën, ndriçoi disa enigma, tregona, si i zgjodhe në krye të dy partive të mëdha, Nanon dhe Berishën? Trego dhe për letrën e Gorbaçovit për Katovicën!? Ai në vend të përgjigjej, siç e kishte zakon, qeshi në formë mohuese dhe e hodhi bisedën diku tjetër”.
Ndërsa ish deputeti socialist, Spartak Braho, në një intervistë dhënë gazetës “Dita” para dy vitesh, parashikon një dëshmi për politikanin, Sali Berisha: “Eshtë në Shqipëri dikush më i rrezikshëm se koronavirusi. Ky virus një ditë do largohet, sikurse kanë ikur dhe epidemi të tjera. Por Saliun këtu do ta kemi, peshqesh dhe të gatshëm për të gatuar luftra të tjera, grushte të rinj shteti dhe protesta të dhunshme”. Dhe sikur e parandjeu, që pas dy vitesh, vërtetë Saliu iu rikthye sërish politikës aktive, këtë radhë sërish në krye të opozitës, por i veshur me kostumin e “Non Gratës”, me motivacionin për bëmat që ka bërë dhe pasojat që po e ndjekin pas. Gazetari Xhevdet Shehu i bënë dhe vet analizën ngjarjeve të 97-tës, ku midis të tjerave thekson: “Ishte një ngjarje e paparë dhe një tragjedi e pa shembullt, pasi, si asnjëherë ne u ndodhëm në buzë të greminës si shtet. Një rrebelim i tillë nuk kish ndodhur edhe në Europë, që nga viti 1920. Kur kujtojmë ato ngjarje, na jehojnë në vesh krismat e armëve, na dalin parasysh skena makabre, që dhe të duam t’i harrojmë, nuk i harrojmë dot. Për më tepër, fajësia për atë hata që ngjau, tashmë është bërë qyrk, që nuk e vesh kurrkush”.
Partia Demokratike vazhdon të flasë me të madhe dhe për dekomunistizimin e politikës shqiptare, megjithëse komunizmi u përmbys që 30 vite më parë dhe partitë politike që dolën nga partia e punës, në këto 30 vite tranzicion, në programet e tyre i janë larguar kryekëput partisë mëmë. Megjithatë, ende i ndjek fantazma e komunizmit! Gazetari Xhevdet Shehu, shtron pyetjen: “Dekomunistizim apo fashistizim?” Po citoj tekstualisht autorin për zbërthimin e kësaj pyetje të rëndësishme:
“Që duhej dekomunistizuar shoqëria shqiptare, kjo nuk mund të vihet në dyshim as atëherë dhe as më vonë. Partitë e shumta politike shqiptare, që lindën dhe mbinë si këpurdhat pas shiut, të gjitha flisnin me parrulla për ndërtimin e demokracisë pas diktaturës së egër komuniste. Kreu i PD, Sali Berisha, një ish komunist i thekur dhe ish sekretar i PP-së, në fillimet e demokracisë përsëriste pambarimisht disa shprehje paqëtuese si, “bashkëvuajtës dhe bashkëpërgjegjës” e tjera. Dhe duartrokitej! E kemi provuar dy herë në pushtet PD-në me në krye Sali Berishën, gati gjysmën e këtyre viteve pas 90-tës. Pa asnjë mëdyshje them se në qeverisjen e saj edhe në opozitë, biografinë e kësaj partie dhe të simotrave të saj, e ka përshkruar pambarimisht një frymë fashistoide, që vazhdon sot e gjithë ditën. Pasi kemi përjetuar vitin e zi të 1997-ës, pasi kemi përjetuar shtatorin e 1998-ës me grushtin e shtetit, pasi kemi përjetuar vrasjet e Gërdecit dhe të 21 janarit, besoj se nuk ka nevojë të sillen fakte të tjera. I kemi përsëritur shpesh këto krime në analizat tona, por dhe që i përsërisim edhe sot e kësaj dite, nuk bëjmë keq”.
Lexoni këtë shprehje të Sali Berishës, thënë në një ekran disa kohë më parë:
“Unë do bëja gjithçka t’i çoja patkonjtë Edi Ramës, qoftë dhe me mjetet që ju kundërshtoni. Në kushtet e grushtit të shtetit, mjetet janë të gjitha. Armik më të egër pas Enver Hoxhës nuk ka. Edi Rama nuk pranon kurrsesi votën e lirë. Ai duhet nxjerrë prej leckash nga zyra”! A mund t’a duartrokasim këtë deklaratë të një demokrati? Ku është sjellja demokratike në këto shprehje? A është demokratike sjellja e kësaj opozite që pengon reformën në drejtësi dhe të gjitha reformat e tjera, që në vijmësi bënë thirrje për mos çeljen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE? A duhet konsideruar e sinqertë pas afro tri dekadash, thirrja e kësaj opozite për dekomunistizimin, kur siç thamë bëjnë të kundërtën? Ndaj dhe aktualisht, kemi të bëjmë me dekomunistizim, apo me fashistizim të shoqërisë shqiptare? Kjo është çështja”.
Dikur, pas viteve 90-të, Edi Rama në rolin e gazetarit, e kontestonte rreptësisht regjimin e Sali Berishës, bëmat e tij, anarkinë, dhunimin e zgjedhjeve të lira, despotizmin, vjedhjet, korrupsionin, dhunimin e shtypit të lirë, pushtetin e pakufizuar dhe përçarjen e popullit Veri-Jug deri në armiqësi e tjera. Dhe një ditë ai u ngjit shpejtë në pushtet, Ministër Kulture, Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe vite më pas Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër. Gazeta Dita dhe jo vetëm kjo, gjithmonë ka qenë kritike për mangësitë ndaj çdo qeverisjeje, si atë të Berishës edhe të Ramës. Shpesh gazeta Dita, thekson në një analizë gazetari Xhevdet Shehu, ka kritikuar mënyrën infantile dhe të qeverisjes Rama, ngritjen e një administrate me diletantë dhe mënjanimin e personaliteteve me kulturë, me kontribute dhe me aftësi të spikatura në fusha të ndryshme. Jo në pak raste ka kritikuar dhe korrupsionin galopant dhe praktikën korruptive nëpërmjet parneritetit publik-privat (PPP-ve), mbështetjen e qeverisjes tek “oligarkët”, deri dhe qëndrimin e qeverisë, e në veçanti të Kryeministrit ndaj Luftës Antifashiste Nac.Çl. dhe prirjet për rehabilitimin e kolaboracionistëve e të tjera.
Mirëpo Kryeministri shpesh deklaron, se nuk i lexon gazetat dhe nuk pyet as këshilltarët e vet! Autori i referohet një figure të hershme patriotike, që dhe Edi Rama e ka për zemër, Faik Konica, i cili thotë: “Ekspertët janë në vend të tyre, më të patundur se Dajti, më të fortë se Tomorri”. Pra, ata që e rrethojnë Edi Ramën, janë po ata tipa që Faik Konica në fund të viteve 20-të të shekullit të kaluar, i quante “ekspertë”, njerëz të racës prej tutkalli. Pra, njerëz që nuk e kundërshtojnë kurr shefin, vetëm e shtyjnë të bëjë përpara. Dikur qarkullonte fjala, se Mao Ce Duni nuk lexonte as gazetën e partisë së vet. Kurse Enver Hoxha, deklaronte se e fillonte ditën e punës me leximin e shtypit. Atëherë, pyet gazetari, kujt kërkon t’i shëmbëllejë Edi Rama?
Duke iu referuar Makiavelit tek “Princi”, i cili thotë: “Për të njohur mirë natyrën e popujve, është e domosdoshme të jesh princ, ndërsa për të njohur mirë princërit, duhet të jesh popull”. Autori thekson se, “Gazetari ka privilegjin të ndodhet midis princit dhe popullit. i barazlarguar nga të dy palët dhe midis të dy palëve njëherësh. Atij, si askush tjetër, i jepet mundësia të njoh mirë princërit (pushtetarët dhe politikanët) dhe nga ana tjetër popullin, mes të cilit ai jeton për ditë si pjesë e pandarë e tij. Por për një gjë duhet të jetë i sigurt Kryeministri: Nëse ai vërtetë nuk lexon shtypin, këtë nuk mund t’ia imponojë masës së popullit. Njerëzit lexojnë dhe ata janë votuesit. Duke lexuar, e duke u ballafaquar me faktet dhe dokumentet, ata binden, krijojnë opinionin e tyre dhe pastaj vendosin se cilin duhet të votojnë”.
Sali Berishës, në kulmin e pushtetit, iu rrit aq shumë mendja, sa që nisi të sulmonte dhe një nga gazetat më prestigjioze e më të fuqishme të botës, Nju Jork Tajmsin, duke e quajtur “letër hygjenike”. Ishte koha kur ndodhi tragjedia e Gërdecit dhe gazeta amerikane investigoi dhe drejtoi gishtin te disa nga emrat kryesorë si shkaktarë të tragjedisë. Sali Berisha i quante “paçavure” të gjitha gazetat që e kritikonin. Lexonte vetëm RD-në dhe 55-ën, ku më së shumti lexonte shkrimet e tij në to. Por dihet se sa i kanë kushtuar atij këto qëndrime nepotike. Ndërsa gazeta lomdineze “The Indipendent” me autor Endrju Gambell, në pranverën e vitit 1997 shkruante: “Regjimi i Tiranës është një regjim gangsterësh”!
Pra, le të kthehemi tek pyetja që gazetari Xhevdet Shehu shtroi në fillim se, “A i lexon gazetat Edi Rama?” Dhe sintezën e përgjigjes le t’a mari në dy vargje të poetit, Kiço Thoma Spirit:
Në qoftëse po,
Ohoho!
Në qoftëse jo,
Obobo!
Ndërsa ish Presidenti Alfred Moisiu, në përgjigje të një pyetjeje që gazetari Xhevdet Shehu i drejtoi për krizat politike dhe për paaftësitë e politikanëve tanë, ai pasi u mendua pak, u përgjigj: “Nuk ka idealistë sot midis atyre që kanë në duar fatet e vendit. Dallimi është ky, në qoftë se Rilindasit tanë të mëdhenj, shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, politikanët tanë të sotëm, po shkrijnë Shqipërinë për të bërë pasuri për vete dhe për familjet e tyre”.
Një vend të rëndësishëm në libër, zë dhe lavdia e Luftës Antifashiste Nac.Çl. Veterani dhe publicisti i njohur Ymer Minxhozi në vlerësimet e tij thekson: “Ata që ngrihen kundër luftës Nac.Çl. dhe 29 Nëntorit duke e quajtur fitoren “pushtim”, ishin të humbur dje, janë të humbur sot, të humbur do jenë dhe nesër e përgjithmonë”. Në 75 vjetorin e çlirimit të Atdheut, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u ekspozuan 100 heronj dhe dëshmorë të luftës Antifashiste Nac.Çl. Të gjithë të rinj, të bukur dhe ëndërrimtarë si ata. Midis vlerave të luftës dhe heroizmave të dëshmorëve, gazetari Xhevdet Shehu na sjellë dhe një detaj kuptimplotë të një veterani të luftës, i cili ecte në Bulevard duke nderuar shokët e rënë. Xhevdet Shehu e ndjek pas në tregimin e tij: “Një burrë i moshuar ecte ngadalë mbështetur në bastunin e tij në Bulevard dhe shikonte me kujdes një e nga një portretet e dëshmorëve. Lexonte me zë emrat e tyre dhe ngrinte grushtin duke thirrur me zë të lartë, “Lavdi”! E kishte një merak, ndaj e ndoqa thuajse gjatë gjithë rrugëtimit të tij në Bulevard. Sepse kishte një merak që sa vinte dhe shtohej. Aty nga fundi i Bulevardit, kur ishte duke mbaruar gjerdani i fotografive, ai shfryu: “Jazëk! Jazëk u qoftë”! Iu afrova dhe i thashë me kujdes:
-Çfarë ke?
-Po kërkoj Komandantin, duhej të ishte në ballë të shokëve. Unë kam qenë në Brigadën e 5-të dhe i pashë e u çmalla. Por Komandantin nuk e pashë.
-Shefqet Peçin, për atë e ke fjalën? Mos e kërko, se nuk është këtu,- i thashë.
-Edhe Komandant Shefqeti, duhet të ishte këtu. Por e kisha llafin për Komandantin e madh, Enverin. Por edhe për Mehmet Shehun, për Hysni Kapon, Myslim Pezën, Spiro Moisiun. Ku janë gjithë këta? Ku është Haxhi Lleshi, e gjithë ata që na udhëhoqën në luftë?
-Mos u lodh, se nuk i gjenë dot, nuk janë këtu.
-Atëhere qenkan tallur me ne, Nderojnë luftën, pa emrat e atyre që na drejtuan?! Ktheu krahët dhe iku tutje duke turfulluar. Nuk ma tha emrin. E ç’u duhet emri im, më tha. Dhe ngriti shkopin e më tregoi portretet. Lavdia u takon atyre, ata janë të pavdekshëm. Turpi na mbuloftë ne të gjallëve, po nuk ditëm t’i respektojmë”.
Gazetari Xhevdet Shehu na sjell në memorje dhe veteranin Zenel Hekali, antizogistin e Kryengritjes së Fierit në 1935 dhe komandantin e luftës Antifashiste të qarkut të Mallakastrës, që nuk u bë kurr komunist. Ai pasi kthehet nga emigrimi, në dhjetor 1941, ka patur një takim me Enver Hoxhën, i cili i kërkonte të bashkëpunonte me Partinë Komuniste, që sapo ishte krijuar. Zeneli pasi njihet me programin, pranon të bashkëpunojë vetëm në dy pika: në luftën kundër okupatorit fashist dhe kundër rikthimit të monarkisë në vend. Dhe nga ajo kohë, ai u bë bashkëluftëtar me drejtuesit e luftës Nac.Çl. të Mallakastrës, me Mehmet Shehun, Dino Kalenjën, Dervish Hekalin, Bilbil Klosin e tjerë.
Në vitet 60, Zeneli jetonte në Tiranë. Kur shkoi një herë në Mallakastër dhe në Fier, takohet përballë me Sejfulla Maleshovën, shokun e bashkëluftëtarin e tij të dikurshëm të një ideali që në emigrim dhe gjatë viteve të luftës Nac.Çl. Pas çlirimit, Sejfullai ishte internuar në Fier, i dënuar nga regjimi komunist si oportunist. Përshëndeten, shtrëngojnë duart miqësisht dhe pyesin njeri-tjetrin për shëndetin. Pinë dhe një kafe. Të nesërmen kur kthehet në Tiranë, lajmi kish shkuar më përpara deri dhe tek Mehmet Shehu. Mehmeti dërgon dikë për ta thirrur në zyrë. Zeneli pasi u takua me Mehmetin, e pyet:
-Perse më ke kërkuar?
-More çalash, pse takohesh me Sejfulla Maleshovën?- i thotë Mehmeti.
-E kam shok,- përgjigjet Zeneli. Unë shokët nuk i harroj, kemi bërë gjithë atë luftë së bashku.
-Ai është armik, e nuk duhet t’a takosh,- i thotë Mehmeti, si për t’i thënë bëj kujdes se rrezikon.
-Po të ishte armik,- i thotë Zeneli,- ju do t’a fusnit në burg, ose do t’a pushkatonit. Dhe t’a dish, sa herë të më dalë përpara Sejfullai, unë do t’a takoj. Ky ishte Zenel Hekali, patrioti dhe veterani i luftës Nac.Çl.
Xhevdet Shehu, në përmbyllje të debateve për vlerat e padiskutueshme të luftës Antifashiste Nac.Çl. thekson: “Kontestuesit thonë se atë histori të kohës së luftës, e shtrëmbëruan ata që e fituan atë luftë. Po kush do t’a bënte atë histori? Të mundurit? Ballistët?! E kemi lexuar dhe versionin e tyre dhe na duket e pabesueshme! Nëse ajo histori ka nevojë për t’u pasuruar, apo për të thënë ca të vërteta më troç, hajde t’a bëjmë. Por nuk do të na i fali askush për t’a përmbysur atë histori. Unë personalisht jam në krahun e asaj lufte, jam në krahun e historianëve seriozë dhe të njerëzve me mend në kokë, që mendojnë se ajo luftë e shpëtoi Shqipërinë. Fitimtarët e bëjnë historinë”.
Letërsia dhe historia e jonë kanë nevojë dhe për libra të tillë publicistikë, që pasqyrojnë realitetin e jetës dhe orientojnë opinionin me mendime të avancuara filozofike e shkencore nga njerëz të shquar të fushave të ndryshme, ku njeri prej tyre në gazetari, është dhe gazetari dhe publicisti i shquar, Xhevdet Shehu.
Një shkrim i merituar, për një gazetar të merituar.
Xhevdet Shehu, të paktën në 20 vitet e fundit, është ndër pak penat e spikatura që kemi.
Përgëzime!
Nje liber qe vlen per tu lexuar. Urime Xhevdet. Mos te rreshte asnjehere deshira per te thene te verteta nga dje e nga sot, qe i sherbejne lexuesve, mision qe ju po perpiqeni ta kryeni me ndergjegje te paster e me aftesi per tu marre shembull.
Me Pano Hallkon sa Albertin Komentues jam, sa falenderoj te rrallin pene atdhetare- Xhevdet Shehu… Me atdheun per Atdheun; -Dhimbie e madhe POPULL!
Komandanti juaj nuk ishte luftetar,por sharlatan,.Topi bam,,ay 200 km tutje.
Komandanti juaj luftonte ne paqe,me duarlidhurit.
Lufta juaj ishte lufte per Serbine.