Shënim i redaksisë
“Adem Jashari ka ardhur me grupin e dytë të kursantëve… Kur bëmë qitjen e parë me artileri dhe Ademi pa se si fluturoi objekti prej hekuri që kishim si shenjë, më thotë: “Komandant, këto duam ne! A ka shumë ushtria shqiptare si këto?”.
“Do ta shohësh vetë ndonjë ditë se çfarë kemi”, i them. Kështu, një ditë e mora Ademin dhe e futa në një nga depot e mëdha nëntokësorë të Malit të Dajtit. Kur pa tunelin e pafundmë dhe armët e municionin e vendosur aty, Ademi u çudit. “Për ju janë”, i thashë. Ademi më përqafoi dhe më tha: “Do ta çlirojmë Kosovën, vëlla…”
Kjo është vetëm një pjesë nga kjo intervistë e rrallë me oficerin shqiptar me origjinë nga Vlora, Ylli Mici.
Kjo intervistë i është dhënë gazetarit Naim Zoto dhe botohet në përvjetorin e sulmit të Prekazit që ndodhi në 5,6 dhe 7 mars të 1998, ku ra dëshmor Adem Jashari.
Intervista është realizuar dhe publikuar menjëherë pas çlirimit të Kosovës, qershor 1999.
Prej atëherë copa të saj kanë qarkulluar në media, por ajo rivjen sot e plotë në DITA, ku është dërguar nga vetë autori.
Intervistoi Naim Zoto:
Zoti Ylli, kemi mësuar se keni stërvitur një grup luftëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, midis tyre edhe heroin e saj, Adem Jasharin. Si ndodhi kjo?
Po, kjo është shumë e vërtetë. Ka ndodhur vite më parë, në vitin 1991, kur në ish-Jugosllavi shpërthyen luftërat etnike dhe Kosova rrezikohej të sulmohej dhe të zhdukej nga shovinizmi serbomadh. Më saktë ka qenë fundi i vitit 1991, në muajt tetor-dhjetor, kur ne, një grup oficerësh të përzgjedhur, na u caktua një detyrë e veçantë: të stërvitnim dhe të përgatisnim në kurse speciale ushtarake grupe të rinjsh kosovarë për të përballuar genocidin serb dhe për të çliruar Kosovën. Unë vetë pata rastin të kontribuoj në këtë mision patriotik sepse në atë kohë isha jo vetëm pedagog, por kryeja edhe detyrën e shefit të Katedrës së Përgatitjes së Zjarrit në Akademinë Ushtarake ”Skënderbe”. U thirrëm në komandë dhe pak a shumë na u tha: duhet përkushtim i jashtëzakonshëm, kujdes dhe asnjë fjalë. Ju jeni zgjedhur si profesionistët më të mirë për ta realizuar këtë.
Si do të bëhej kjo stërvitje; çfarë synonte?
Në fakt bëhej fjalë për stërvitje që ne e quajmë speciale, me programe të veçanta dhe intensive. Do të stërviteshin grupe të vogla për zbulim, përgatitje fizike, njohje dhe ushtrime në armë të ndryshme që nga pistoleta, deri te mortajat dhe armët kundërtanke. Ne hartuam programe të veçanta, morëm kontakt me grupet që do të stërvitnim dhe nisëm nga puna. Ishin të rinj kosovarë, një pjesë e madhe të ardhur nga emigracioni, të programuar për stërvitje. Po kishte edhe të ardhur direkt nga Kosova, sidomos ata që ndiqeshin nga policia dhe sigurimi serb atje. Çdo ditë bënim 6 orë mësim dhe ushtrim në terren. Pothuaj çdo ditë bënim qitje dhe kishim detyrë t’i perfeksiononim në të gjithë armët e këmbësorisë; nga arma personale, pistoleta, siç e thashë, pastaj granatahedhësit, mortajat, armët kundërtanke të këmbësorisë, mitralozat e lehtë, mitralozat e rëndë; në çfarëdo arme që dispononte atëherë ushtria shqiptare për këmbësorinë.
Ngarkesa ishte e madhe, por fakti që po i shërbenim një detyre të lartë bënte të mos e ndjenim lodhjen, madje të ndjeheshim krenarë dhe të privilegjuar. Nuk e di ç’mendojnë të tjerët sot, por, atëherë, vetë fjala Kosovë shkaktonte emocion të fortë te ne ushtarakët. Ne ishim një grup i vogël ushtarakësh që stërvitnim kosovarët, 5-6 vetë, secili sipas specialitetit. Nuk dua të mburrem por grupi i oficerëve të caktuar për këtë qëllim ishin më të mirët. Kemi punuar shumë ato muaj.
Përse përgatiteshin këta të rinj konkretisht?
Shiko, ne jemi ushtarakë dhe i kemi kufijtë të përcaktuar. Ne duhet t’i stërvitnim ata; t’i bënim të shkëlqenin. Kaq. Se çfarë do të bënin ata, kur, si, këtë nuk e dinim. Dinim që gjithçka bëhej për lirinë e Kosovës. Kaq mjaftonte për të na motivuar në shkallën maksimale.
Si dhe kush i kishte rekrutuar ata?
Unë di që shumica e tyre ishin emigrantë që vinin nga Zvicra, Gjermania, SHBA. Të gjithë dukej që ishin vullnetarë. Ne i prisnim në Durrës; vinin me traget. Aty i priste dhe na i kalonin neve disa përfaqësues të Qeverisë së Kosovës që kishin ardhur aty. Nuk di të them, nëse grupet e këtyre kosovarëve që vinin për stërvitje vinin spontanisht deri këtu apo kishte një para-organizim diku tjetër. Punë e tyre…
Por unë nuk mund të harroj takimin me grupin e parë të këtyre kosovarëve. Na kishte kapur një lloj akthi dhe mallëngjimi: “Do të stërvitnim kosovarët!” Lufta për shpërbërjen e Jugosllavisë kishte nisur. Ne, ushtarakët, e dinim se kjo do të vinte edhe në Kosovë. A do të bëhej luftë edhe aty? Kosovarët nuk kishin as armë, as ushtri. Por, ja, rasti e solli që ne do të përgatitnim ata djem që do të mbronin popullin kosovar nga egërsia serbe. Kush ishin këta? Djem të rinj që nuk kishin frikë nga lufta dhe vdekja!
I admironim këta djem që zbrisnin nga autobusi të veshur thjesht, shumica me kostume sportive dhe me ndonjë çantë të hedhur në sup. Më vonë do të merrja vesh se familjet e këtyre djemve, por edhe disa që ishin familjarë, nuk kishin dijeni, as adresë për të afërmit e tyre, qoftë në Kosovë, qoftë në Perëndim. Ishte një veprimtari ilegale; dekonspirimi nga shërbimet serbe paguhej me kokë ose me burgosje dhe vrasje të familjes, siç pati disa raste më vonë.
Në bisedat e para kishte një lloj vështirësie, qoftë edhe në komunikim, sidomos për terminologjinë ushtarake. Për shembull, kur unë iu flisja “për qitjet me breshëri”, ata në fillim nuk më kuptonin sepse ata e quanin ”rafall”, unë iu thosha ”vër armën në siguresë”, ndërkohë që ata i thoshin ”kyçe, ç’kyçe” etj. Por këto ishin dy -tre ditët e para.
Ku i bënit stërvitjet?
Kishim ambientet tona, por kryesisht prapa Dajtit, në Surrel, ku kishim edhe poligonet. Kishin një pasion dhe dëshirë të madhe për të mësuar përdorimin e armëve dhe artin e të luftuarit. Kur bënim qitje donin të rrinin gjithë ditën aty. Megjithëse shumica e kursantëve ishin djem të rinj, kishte edhe mosha më të rritura, deri edhe 45-50 vjeç, kishte edhe 16-17-vjeçarë. Pra, kishim mosha dhe përvoja të ndryshme me armët; kishte që kishin bërë ushtrinë, por kishte që nuk kishin parë kurrë armë me sy. Me secilin duhej bërë punë e veçantë.
Kemi bërë qitje me të gjitha llojet e armëve. Stërvitja bëhej duke imituar luftën e vërtetë. Janë harxhuar miliona fishekë, mijëra predha, granata të të gjitha llojeve. Unë i bëja sytë katër, se nuk është e lehtë stërvitja me armë; kur të duash ndodhin aksidente, mjafton një pakujdesi e vogël. Ne u mësonim këtyre jo thjesht si përdoreshin armët, por si të bënin luftën. Por fakt është që nuk na ndodhi asnjë aksident, as edhe një plagosje.
Çfarë bisedonin në kohë të lirë?
Po, kur u miqësuam bënim biseda të ndryshme. Edhe për politikën. Aty kishte njerëz me pikëpamje të ndryshme politike. Si të gjithë shqiptarët. Diskutohej shumë se si mund të çlirohej Kosova. Kishte që mbronin rrugën e Rugovës, me LDK, kishte që ishin kundër dhe për një qëndrim më radikal. Ku i mbaj mend, kanë kaluar tetë vjet.
Si e njohe për herë të parë Adem Jasharin?
Adem Jashari ka ardhur me grupin e dytë të kursantëve. Shiko, disa prej këtyre unë i kam njohur jo vetëm për shkak të bashkëpunimit ato muaj, por më shumë se me disa prej tyre unë lidha miqësi më vonë, pas kursit. Ata, sa herë vinin në Shqipëri, do të vinin në shtëpinë time ose do më telefononin. Njëri, për shembull, që e kishte familjen në Shkup, u stërvit këtu, u kthye në shtëpi. Më vonë, më merr në telefon dhe më thotë se ka fituar lotarinë amerikane. Shkon në Amerikë, punon dy vjet atje dhe me të nisur lufta në Kosovë, vjen me batalionin “Atlantiku” të UÇK-së. Ky quhej Fatmir, mbiemrin nuk dua ta dekonspiroj. Ishin djem trima, siç themi ne vlonjatët, djem me zemër, me kurajo të jashtëzakonshme.
Një ndër ta, më i veçanti, ishte Adem Jashari. Adem Jashari dallohej mbi të tjerët sa e shihje për disa cilësi, por ajo që të binte në sy përnjëherësh ishte fiziku dhe padyshim mustaqet e tij si shtëllunga, që nisnin nga buza e sipërme deri tek veshët.
Ishte një trup i fuqishëm, me kraharor, mjekër dhe ballë të gjerë. Kur e pashë për herë të parë, m’u kujtuan përfytyrimet e mia për Kosovën dhe kosovarët, përfytyrime që lidheshin me librat dhe tregimet për luftërat e Kosovës. Ademi ngjante sikur vinte nga legjendat, nga eposi i kreshnikëve. “Ky është një kosovar tipik”, thoshim midis nesh. Adem Jashari më kujtonte pikturat e Abdurrahim Buzës. Në organizimet e stërvitjes që kishim bërë Ademin e kishim caktuar komandant toge, kështu që na binte shpesh të komunikonim me të. Ishte fjalëpak nga natyra; nuk përzihej në muhabetet politike që bënim ndonjëherë. Por qe natyrë e çiltër; natyrë e qeshur dhe kurrë nuk përtonte për të bërë diçka.
Në stërvitje, pasi unë demonstroja ushtrimin, i pari që do ta përsëriste ishte Ademi, sigurisht ishte edhe komandant toge. Kur kapte armën, në duart e tij ajo dukej si lodër. Ishte i saktë në qitje dhe i donte shumë armët.
Kur bëmë qitjen e parë me artileri dhe Ademi pa se si fluturoi objekti prej hekuri që kishim si shenjë, më thotë: “Komandant, këto duam ne! A ka shumë ushtria shqiptare si këto?”. “Do ta shohësh vetë ndonjë ditë se çfarë kemi”, i them.
Kështu, një ditë e mora Ademin dhe e futa në një nga depot e mëdha nëntokësorë të Malit të Dajtit. Kur pa tunelin e pafundmë dhe armët e municionin e vendosur aty, Ademi u çudit. “Për ju janë”, i thashë. Ademi më përqafoi dhe më tha: “Do ta çlirojmë Kosovën, vëlla. Kemi Shqipërinë garancë për këtë”. Më kanë mbetur në mendje këto fjalë të thëna në vitin 1991, shtatë vjet më parë se UÇK të niste luftën e armatosur me policinë dhe ushtrinë serbe. Por të gjitha ata djem trima, disa prej të cilëve do të vriteshin në front më vonë, një fjalë kishin kur i pyesje: “Do shkojmë të luftojmë për çlirimin e Kosovës!”.
Ndonjë kujtim tjetër nga Adem Jashari?
Po, shiko, Ademi për mua atëherë ishte njëri nga kursantët, që më bënte përshtypje për fizikun e tij. Aq e vërtetë është kjo sa që kur qëllonte që në poligon shkëmbeheshin grupi i kursantëve kosovarë me studentët tanë të rregullt, kishte studentë që më pyesnin. Unë iu thosha që janë kurse pasuniversitare, çfarë t’iu thosha. Mirëpo njëri prej studentëve më tregon me dorë nga Ademi e më thotë: “Çfarë pasuniversitari është ky, profesor!”.
Ademi kishte marrë me vete edhe dy Jasharaj të tjerë; nuk e di saktë, ishin djemtë apo kushërinjtë e tij. Ja, këtu në fletoren time, në regjistër kam të shkruar emrat. Në fillim është emri i Ademit. Me numrin 21 është Sait Jashari’, kurse numri 27 është Murat Jashari. Njëri prej tyre mund të ketë qenë djali se ishte fare i ri, 16-17 vjeç, me trup te imët. Ademi duhet të ishte 40-45 vjeç. Megjithatë, mbaj mend që kur bëmë darkën e lamtumirës, në fund të kursit, duhet të ketë qenë dhjetor, Ademi më thotë: “Komandant Ylli, do të dërgoj në kursin e ri dy djemtë e mi t’i stërvitësh, t’i kesh kujdes”. Pra, ai i kishte dy njerëzit e vet, po donte që të dërgonte edhe dy të tjerë të përgatiteshin për luftë.
Ke pasur kontakte të tjera me Adem Jasharin?
Ne u njohëm dhe kështu nuk mund të shkëputeshin lidhjet aq lehtë me shumicën e tyre. Ne pedagogëve që bëmë kursin; mua, Hysenit, Agronit, Kastriotit, shpesh na lajmëronin se dikush iu kërkon tek dera. Dilnim dhe gjenim kursantët që ose ishin kthyer në Shqipëri ose na dërgonin të fala me ndonjërin. Ose qëllonin të më vinin në shtëpi, sidomos ata që ishin kthyer në Kosovë dhe ishin vënë në shënjestër të policisë serbe. Kështu një ditë, ndoshta një vit më vonë, më vjen një kursant nga Skënderaj në shtëpi. Adem Derguti quhej, një djalë 23-24 vjeç. Duke u llafosur e pyes: “More, ç’bëhet ai Adem Jashari?”. Më tregoi se shtëpia e tij në Drenicë ishte sulmuar nga policia, por Ademi kishte çarë rrethimin dhe kishte shpëtuar pas një lufte disaorëshe.
Kaluan ca kohë kur një natë dëgjoj të trokitura në derë. Hap derën kur shikoj Ademin, Adem Jasharin. Kishte veshur një xhakavento lëkure dhe një palë pantallona bluxhins. U përqafuam dhe e futa në shtëpi. Bëmë goxha muhabet, treguam historira, kujtuam muajt e kursit, shokët. Ademi më tregoi si kishte luftuar me serbët, si kishte qëndruar një vit në male dhe si kishte ardhur në Shqipëri duke kapërcyer ilegalisht kufirin. Ademi kishte marrë një shtëpi me qira këtu në Tiranë. Takoheshim pothuaj çdo të diel, vinte për darkë ose drekë. U bëmë miq, u njoh me njerëzit e mi.
Një ditë më thotë Ademi: “Si ta bëjmë për ca fishekë, o Ylli?”. Nuk kisha si t’i përgjigjesha. Unë kisha dy vjet që isha pushuar nga puna nga ”reforma Zhulali”. Jo armë që nuk mund të mbaja, por edhe ca fishekë pistolete i flaka në banjë sepse nisën kontrollet e shtëpive të oficerëve të liruar si puna ime. Po të gjenin ndonjë fishek, të arrestonte policia ”për fishekë-mbajtje pa leje”. Nejse, këto ishin puna të politikës. I them Ademit se nuk mund ta ndihmoj dot për fishekë. “‘Unë që isha në mes të fishekëve, tani nuk kam një kokërr për veten time”, i them. I vinte çudi si më kishin hequr mua dhe shokët e mi nga ushtria. Nuk e kuptonte çfarë kishte ndodhur në Shqipëri pas vitit 1992. Mua më kishin pushuar nga puna që në verë të vitit 1992, fill pas ndërrimit të pushtetit. Të njëjtin fat pësuan edhe shumë oficerë të tjerë, nga më të përgatiturit e ushtrisë shqiptare. “Gjynah, gjynah”, thoshte i pezmatuar Ademi: ”Gjynah që po e prishni ushtrinë!”.
Një të diel Ademi nuk erdhi të më takonte dhe unë e mora vesh që ishte larguar nga Shqipëria. Që nga ajo ditë, për gati pesë vjet, nuk pata më lajme për Adem Jasharin.
Si e morët vesh vrasjen e Adem Jasharit?
Nga TVSH dhe gazetat. Sa dëgjova lajmin bëra disa telefonata për t’u siguruar nëse ishte e vërtetë apo jo. Hapa edhe një herë bllokun e shënimeve. I them nënës time se “më duket se është vrarë ai kosovari me mustaqe që vinte tek ne para ca vjetësh”. Nënës time i erdhi keq dhe filloi të qante. Por unë nuk besoja se do të ishte e vërtetë. Nuk mund të vritej gjithë ai burrë. Do ti, pas një ose dy ditë, vetë TVSH thotë që nuk është i vërtetë lajmi mbi vrasjen e Adem Jasharit. Marr një mikun tim në Shkup dhe e pyes si qëndron e vërteta. Nuk po marr vesh, më thotë. Marr një shok tjetër në Zvicër. Më thotë që as nuk di gjë fare; kam disa vjet që nuk merrem me këto punë, i kam shkëputë lidhjet. Por pas ca ditësh më merr ai miku nga Shkupi dhe më thotë: “Adem Jashari është vrarë vërtet nga serbët!”.
Kaq, kjo është historia ime me Adem Jasharin. Më vjen keq që u vra, por më vjen mirë që u bë një simbol për çlirimin e Kosovës. Unë ruaj si kujtim këtë fletore të thjeshtë të stërvitjes, ku në krye gjendet emri Adem Jashari.
Çfarë mund të na thoni ndonjë gjë tjetër?
Në rastin më të parë, dua të shkoj në Kosovë, të shkoj në Drenicë dhe të vendos një tufë me lule në varrin e mikut tim që u vra për liri, Adem Jasharit.
Botuar në DITA me lejen e autorit. Publikuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës”, qershor 1999