Franca po përgatitet të evakuojë qytetarët e saj nga Nigeri për shkak të ndjesisë anti-franceze që ka përfshirë vendin e Afrikës Perëndimore pas grushtit të shtetit të javës së kaluar.
Parisi zyrtar ka deklaruar se do të ndihmojë edhe shtetas të tjerë evropianë të largohen.
Puçi ushtarak ka nxitur protesta masive kundër ish-fuqisë koloniale, me ambasadën e saj që është ndodhur nën sulm.
Njoftimi i qeverisë franceze vjen teksa regjimet në Burkina Faso dhe Mali paralajmëruan më herët se çdo përpjekje me forcë për të rivendosur në pushtet presidentin e rrëzuar do të konsiderohet një deklaratë lufte.
Edhe dy vendet në fjalë, gjithashtu ish-koloni franceze, janë shkëputur nga ndikimi i Parisit dhe janë zhvendosur nga Rusia, pasi organizuan grushtet e tyre të shtetit në vitet e fundit.
Paralajmërimi i tyre shënon një ndryshim të madh që mund të përshkallëzojë situatën e paqëndrueshme në një rajon që po lufton rebelimin e militantëve islamikë.
Nigeri, që është i pasur me uranium, ka qenë një aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër ekstremizmit xhihadist në Sahel dhe si Franca edhe Shtetet e Bashkuara kanë baza ushtarake atje.
Pasi liderët ushtarakë të Malit vendosën të bënin partneritet me mercenarët rusë të “Wagner” në 2021, Franca e zhvendosi qendrën e saj operacionale kundër terrorizmit në Niger.
Të dielën, protestuesit u mblodhën jashtë selisë së ambasadës franceze në kryeqytetin Niamej, duke brohoritur “Jetë të gjatë Rusisë”, “Jetë të gjatë Putin” dhe “Poshtë Franca”. Gjithashtu, manifestuesit i vunë zjarrin mureve të kompleksit diplomatik.
