Nga Shaban Murati
Botuar në DITA
Nuk është i qartë inati i madh turk i Austrisë, e cila nuk dihet pse ka bërë prioritet të politikës së saj të jashtëme bllokimin dhe ndalimin e BE për të anëtarësuar Turqinë. Në datën 11 shtator 2023 kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ndërmori një hap të ri publik duke i propozuar BE-së që të ndërpresë fare bisedimet e pranimit të BE me Turqinë.
Në një intervistë me “Die Welt” kancelari austriak deklaroi: “Anëtarësimi i plotë i Turqisë në BE nuk është i mundur. Duhet ndërprerje zyrtare e bisedimeve për hyrjen në BE, të cilat janë të ngrira prej shumë vitesh, dhe përpunimi i një koncepti të ri të bashkëpunimit fqinjësor”.
Kancelari austriak e paraqiti propozimin e tij jo rastësisht në prag të sesionit plenar të Parlamentit Europian të 11-14 shtatorit, i cili në rend të ditës kishte një raport të komitetit të politikës së jashtëme të parlamentit lidhur me çeshtjen e pranimit të Turqisë në BE.
Kemi një qendrim të habitshëm të kancelarit austriak, të papërshtatshëm për rolin dhe interesat gjeopolitike të vetë Austrisë, të BE dhe të Perëndimit.
Kryesorja: kemi një qendrim gjeopolitik, i cili nuk përputhet aspak me rrethanat aktuale gjeopolitike në kontinentin euroian dhe as me situatën e konfliktit gjeopolitik aktual të BE dhe të NATO-s me Rusinë. Sepse, siç shkruante një dokument i shërbimit diplomatik të BE, i botuar nga “politiko.eu” në 7 shtator “lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur peshën gjeopolitike të Turqisë”.
Nuk mund të kuptohet në planin gjeopolitik se çfarë interesi ka vetë Austria në përjashtimin e Turqisë nga anëtarësimi në BE.
Së pari duhet thënë se Austria ka zhvilluar gjithmonë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe ka marrëdhënie diplomatike shumëshekullore me Turqinë dhe Austria ka patur përfaqësi të përherëshme diplomatike në Stamboll qysh në mesin e shekullit 16. Austria dhe Turqia kanë qenë aleate dhe ushtritë e tyre kanë luftuar sëbashku në një llogore në Luftën e Parë Botërore.
Turqia ka qenë kundër prishjes së perandorisë austriake. Në vitin 1924 Austria dhe Turqia kanë nënshkruar midis tyre “Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit”.
Në një disonancë gjeopolitike të kësaj natyre, kur Austria synon të bllokojë një prioritet strategjik të politikës së jashtëme turke, siç është përcaktuar nga Ankaraja anëtarësimi në BE, gjëja e parë që bëhet është ballafaqimi i rolit dhe peshës gjeopolitike të njerit dhe tjetrit shtet. Rezulton një shpërpjesëtim, që bie në sy menjëherë në këtë ballafaqim, sepse krahasimi midis peshës gjeopolitike të Austrisë me atë të Turqisë dhe i efekteve të dy palëve te njeri-tjetri, të çon te mospërfillja e goditjes gjeopolitike austriake.
Austria natyrisht ka të drejtën e votës dhe vetos në BE për anëtarësimet e reja, por ajo ka përmasa dhe rol modest në Europë dhe është shumë larg dhomës vendimarrëse të aeropagut franko-gjerman dhe madje larg rreshtit të aktorëve të dorës së parë në BE. Nga ky realitet diplomatik dilet në përfundimin që Austria me këtë protagonizëm gjeopolitik po kërkon rol politik brenda në BE, duke luajtur rolin e dashit gjeopolitik franko-gjerman në perçimin e interesave gjeopolitike, që janë përtej asaj vetë.
Nuk ka shenja se ky rol do t’i sjellë Austrisë ndonjë përfitim gjeopolitik apo strategjik në këtë sipërmarrje gjeopolitike larg peshës reale të saj. Ndaj besohet se Austria po bën lojën gjeopolitike të faktorëve kryesorë vendimmarrës në BE, Francës dhe Gjermanisë, me propozimin për të përjashtuar zyrtarisht Turqinë nga anëtarësimi në BE.
Dyarkia vendimmarrëse e BE vlerëson se nuk ka interes politik, diplomatik dhe strategjik të pranojë Turqinë anëtare në BE, dhe gjatë 60 viteve ka bërë me Turqinë vetëm lojën dinake “bëj sikur prano dhe mos prano”.
Në fakt BE po bën një lojë gjeopolitike të dëmshme me refuzimin e anëtarësimit të Turqisë. Kjo bie në sy veçanërisht tani, nëse merr parasysh situatën aktuale gjeopolitike europiane, ku Rusia ka sulmuar dhe ka pushtuar një shtet europian dhe i ka aneksuar atij me dhunë pesë territore. BE nuk ka qenë e zonja të pengojë Rusinë dhe as nuk do të jetë e zonja të ndalojë Rusinë në avancimin e saj ushtarak dhe gjeopolitik, nëse vazhdon të qendrojë e ngurosur në izolacionizmin e saj dhe të mos anëtarësojë shtete me fuqi të madhe rajonale si Turqia.
Nuk duhet harruar se përplasja e parë gjeopolitike midis BE dhe Rusisë u bë për Ukrainën në vitin 2014 dhe u kurorëzua me fitoren e Rusisë dhe pushtimin rus të Krimesë dhe pushtimin defacto rus të Donbasit. Kurse përplasja e tanishme gjeopolitike me agresionin e dytë ushtarak rus kundër Ukrainës dhe me aneksimin zyrtar të katër rajoneve të reja ukrainase, është përplasje gjeopolitike midis Rusisë dhe NATO-s. Kjo e dyta zbuloi edhe me shumë dobësinë gjeopolitike të BE, e cila nuk po arrin të sigurojë një rol qendror gjeopolitik në kontinentin e vet.
Në këtë situate të komplikuar gjeopolitike, BE në vend që të ecë në rrugën e forcimit me shtete dhe instrumente të reja force gjeopolitike dhe ushtarake në shkallë europiane dhe ndërkombëtare, siç do të ishte anëtarësimi i Turqisë në BE, shkon në drejtim të kundërt.
Një nga dëshmitë kryesore është edhe gabimi i saj gjeopolitik me Turqinë dhe refuzimi saj në forma dhe pretekste të panatyrëshme diplomatike, juridike dhe morale, lidhur me anëtarësimin e Turqisë. Është e njohur se Turqia i ka plotësuar me kohë shumicën e kushteve, kritereve dhe standarteve, që i ka kërkuar BE në rrugën e integrimit europian. Por vullneti politik i shteteve vendimarrëse të BE për pranimin e Turqisë ka munguar.
Në 12 shtator u mbushën 60 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Asocimit të Turqisë me BE. Turqia qysh në vitin 1999 ka marrë statusin e shtetit kandidat të BE dhe në vitin 2005 ka hapur bisedimet e pranimit në BE. Gjatë kësaj kohe në BE hynë të gjitha shtetet ish-komuniste të Europës Lindore, përfshirë edhe dy shtete të ish-Jugosllavisë, ku është zhvilluar lufta më e përgjakëshme në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Turqia u la gjithmonë prapa derës me qëllimin e qartë për të mos ia hapur derën e pranimit. Në 2018 BE i ngriu bisedimet e pranimit me Turqinë dhe shkallëzoi qendrimin e saj refuzues me kërkesat e tipit ekstremist të kancelarit austriak për ndërprerjen e zyrtare dhe përfundimtare të pranimit të Turqisë në BE.
Përballë bizantinizmit diplomatik të BE, që zgjat prej më tepër se gjysëm shekulli, durimi diplomatik i çdo shteti tejkalon kufijtë e pranueshëm. Ndaj dhe presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan në 10 korrik 2023 deklaroi: ”Turqia po pret në dyert e BE prej mbi 50 vjet. Unë po i drejtoj një thirrje atyre vendeve, që e kanë lënë Turqinë të presë në dyert e BE për më tepër se 50 vjet: Hapni rrugën për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe ne do të hapim rrugën për Suedinë në NATO, siç bëmë për Finlandën”.
Propozimi i ri i presidentit turk shkaktoi tronditje në Bruksel, ku duket kanë harruar se Turqia është shtet i madh me peshë të madhe dhe se më shumë ka nevojë BE për Turqinë se sa Turqia për BE.
Kemi një zgjedhje dhe kurs të gabuar gjeopolitik të BE ndaj Turqisë, të cilin nuk e mbulojnë dot sofizmat e tipit “të partneritetit të posaçëm” në vend të anëtarësimit apo projektet ajrore franceze të tipit të “Komunitetit Politik Europian” në vend të anëtarësimit në BE, etj. Gabimi gjeopolitik i BE me Turqinë jo vetëm nuk e forcon, por e dobëson më shumë BE përballë Rusisë dhe agresivitetit rus në rritje në Europë. Jo rastësisht Kremlini e ka pritur me shumë kënaqësi refuzimin e BE për të mos anëtarësuar Turqinë dhe këtë e shpreh hapur Dmitri Peskov, sekretari i shtypit i presidentit rus Putin, me deklaratën se “askush nga vendet europine nuk e don Turqinë në BE”.
Një logjikë e gabuar gjeopolitike po ndiqet nga BE, e cila e pësoi një goditje të madhe gjeopolitike dhe fuqie me largimin e Britanisë së Madhe nga rradhët e saj. Nëse largimi i Britanisë së Madhe nga BE ishte një vendim britanik dhe jo i BE, me Turqinë po e bën autogoditjen vetë BE, që refuzon ta anëtarësojë.
Ka të drejtë ministri i jashtëm turk Hakan Fidan, i cili pas propozimit antiturk të kancelarit austriak deklaroi në 12 shtator: “Ne duam të theksojmë se BE nuk mund të jetë lojtar i vërtetë global pa Turqinë”. Qysh kur mbaroi lufta e ftohtë e deri tani asnjë shtet i ri i pranuar në BE nuk ka fituar peshën gjeopolitike dhe ndërkombëtare, që ka Turqia sot. Turqia është faktor i rëndësishëm rajonal dhe përtej rajonal në skemat ndërkombëtare të fuqisë në detin Mesdhe, në detin e Zi, në Lindjen e Mesme, në Kaukazin Qendror, në Ballkan, në Afrikën e Veriut, etj.
Nuk është vështirë të kuptohet se sa fiton roli gjeopolitik dhe pesha ndërkombëtare e BE, nëse do të kishte Turqinë në rradhët e saj.
Përballë realiteteve të tilla gjeopolitike nuk mund të mos shtrosh pyetjen hamletiane se cilët janë ato arsye dhe motive, që e shtyjnë BE drejt llogarive dhe vendimeve të gabuara gjeopolitike në raport me Turqinë, sa që është gati të pranojë pozitën e dobësuar në garat gjeopolitike ndërkombëtare të fuqisë.
Paraprakisht duhet bërë një qartësim lidhur me diferencat në qendrimet gjeopolitike brenda vetë BE. Nëse dy shtetet vendimmarrëse në BE, Franca dhe Gjermania, janë vendosmërisht kundër anëtarësimit të Turqisë, Italia dhe Spanja kanë qenë gjithmonë në favor të hyrjes së Turqisë në BE. Kuptohet se ka një vendim strategjik të të dy shteteve vendimmarrëse që BE t’i përmbahet qendrimit refuzues për anëtarësimin e Turqisë në BE.
Atëhere duhet ndalur në arsyet e vërteta përse Franca dhe Gjermania janë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, qoftë edhe me çmimin e dobësimit të rolit dhe fuqisë së tyre gjeopolitike në kontinentin europian. Qysh në vitin 2004 kam analizuar mëdyshjet gjeopolitike në BE lidhur me “Pikëyetjet turke të BE: nga feja te demografia”.(“Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, fq.37).
Dy shtetet kryesore vendimmarrëse të BE nuk duan që Turqia të jetë anëtare, sepse e shohin si rivale të fuqisë dhe të monopolit drejtues të tyre në BE, sepse Turqia duke qenë shteti më i madh se çdo shtet tjetër në BE, një shtet nga më të rëndësishmit e NATO-s dhe të arkiteturës atlantike të sigurisë, anëtar i “G20” të shteteve më të fuqishme ekonomike, mund të krijonte probleme për ndarjen dhe rindarjen e pushteteve brenda BE.
Një Turqi anëtare e BE do të krijonte një raport të ri forcash në drejtimin legjislativ dhe ekzekutiv të BE, që do të vinte në diskutim dyarkinë e tanishme drejtuese të BE, Francës dhe Gjermanisë.
Një arsye tjetër, që e shtyn BE në gabimin e saj gjeopolitik, është qendrimi racist fetar në filozofinë dhe në ideologjinë europeiste të BE si një klub kristian, madje vetëm katolik dhe protestan.
Pikërisht këtë theksonte revista prestigjioze britanike “Economist”, e cila shkruante se në BE “nuk e duan një vend të madh mysliman në klubin e tyre, edhe nëse ai bëhet më shumë demokratik”. Kjo revistë pat paralajmëruar qysh në vitin 2004 se nga ky paragjykim fetar i BE mund të vuajë edhe Shqipëria me Bosnje-Hercegovinën, që e kanë myslimane shumicën dërrmuese të popullsisë.
Është e njohur përpjekja e ish-presidentit francez Zhiskar D’Esten si kryetar i komisionit të hartimit të Kushtetutës së BE, i cili këmbëngulte që në kushtetutë BE të përcaktohej si klub kristian. Aq i thellë është themeli fondamentalist fetar në BE, sa që në prag të hyrjes së Bullgarisë në BE, kryeministri i saj S.Stanishev në tetor 2006 bëri deklaratën bombë se “ka patur shumë skepticizëm nga ana e istitucioneve europiane, ku është theksuar për ne se jemi ortodoksë dhe jo katolikë ose protestantë”.
Alogjika e qendrimit gjeopolitik të BE me Turqinë bën edhe më shumë kontrast, kur shikon që BE po nxiton të fusë në rradhët e saj shtete si Ukraina, Serbia, Gjeorgjia dhe Moldavia. Ukraina është e pushtuar nga Rusia dhe atje po zhvillohet një agresion ushtarak rus, që po vë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit ukrainas, dhe drejtuesit e BE vendosën në qershor 2022 në kulmin e luftës atje që t’i japin aforfe statusin e shtetit kandidat dhe të ndjekin procedura të përshpejtuara anëtarësimi sapo të marrë fund lufta me Rusinë.
BE po kërkon të anëtarësojë Gjeorgjinë dhe Moldavinë, që kanë pjesë të territorit të pushtuara nga Rusia dhe trupa ruse brenda tyre. Është vështirë të kuptohet logjika gjeopolitike e BE, që synon të anëtarësojë shtete, që i hapin probleme të papërballueshme me Rusinë, e cila siç u provua në Ukrainë është gati të bëjë luftëra për të mos lejuar shtetet ish-sovjetike të shkojnë në sferën e influencës së BE.
Kulmi i deviacionit gjeopolitik të BE është që po nxiton të anëtarësojë edhe Serbinë, aleate strategjike e ushtarake e Rusisë, armike zyrtare e NATO-s, dhe e cila që nga viti 2014 i agresionit të parë rus në Ukrainë dhe deri tani në ditët e agresionit të dytë rus e ka sfiduar BE-në, duke refuzuar të bashkohet me sanksionet antiruse.
Serbia është bërë anëtare e “Unionit Ekonomik Euroaziatik” të drejtuar nga Rusia dhe shtet vëzhgues në organizatën ushtarake “CSTO” të drejtuar nga Rusia. Serbia u bë tani në 4 shtator shteti i vetëm europian anëtar i organizatës aziatike “ASEAN” dhe në 29 gusht 2023 në parlamentin serb partia e kabinetit qeveritar, e cila udhëhiqet nga drejtori i shërbimit sekret serb Vulin, paraqiti propozimin për anëtarësimin e Serbisë në BRICS, aleanca antiperëndimore e krijuar nga Rusia dhe Kina.
Gabimi gjeopolitik i BE me Turqinë zbulon sëmundjen e vjetër të konservatorizmit, të sektarizmit dhe të mentaliteteve fondamentaliste brenda BE, të cilat e pengojnë dhe as po e lejojnë atë që të realizojë rolin global të faktorit botëror, që e aspiron prej 70 vjetësh. Tani që organizata BRICS në gusht 2023 zgjerua me gjashtë shtete anëtare nga kontinente të ndryshme, BE u zgjua dhe mori një vendim t; ri zgjerimi dhe shpalli se deri në vitin 2030 do të pranojë të gjitha shtetet kandidate. Por as presidenti i BE Mishel në 28 gusht dhe as ministri i jashtëm i BE Borrell në 31 gusht nuk e përmendën Turqinë në listën e zgjerimit të BE deri në 2030, megjithëse futën në listë anëtarë utopikë si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.
Natyrisht prirjet, rrymat, përplasjet, oshilacionet, kurba e fuqisë në gjeopolitikën europiane dhe ndërkombëtare po komplikohen çdo ditë me skema, rreshtime, produkte dhe rezultate të reja. Agresioni rus në Ukrainë i ka çoroditur së tepërmi skemat gjeopolitike dhe lojrat e fuqisë në kontinentin europian. Është e qartë se NATO dhe BE kanë interes në kohezionin brenda tyre dhe me njera-tjetrën dhe për forcim sa më të madh të kapaciteteve të tyre gjeopolitike në Europë dhe në botë.
Nëse BE shkon në drejtimin e kundërt, duke ndjekur një gjeopolitikë sektariste, plot paragjykime dhe izolacioniste, kjo nuk është rruga e duhur e fuqisë as për BE, as për NATO-n, dhe as për shtetet anëtare të tyre, përfshirë Shqipërinë.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.