Deri në katër është numri i degëve që do të mund të zgjedhin të gjithë studentët që do të garojnë për pranimet e reja në programet e ciklit të dytë “Master” në Fakultetin Ekonomik pjesë e Universitetit të Tiranës. Edhe për pranimet e vitit të ri akademik 2022-2023 konkurrimi në këtë cikël studimesh do të zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve të përcaktuara. Gara e konkurrimeve do të zhvillohet për 1215 kuota, prej të cilave 595 janë të drejta studimi për degët “Master profesional”, si dhe 620 janë kuotat e miratuara për fituesit në programet e “Masterit shkencor”. Dorëzimi i aplikimeve për këtë cikël studimi ka nisur.
“Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë “Master i shkencave” dhe “Master profesional” mund të kryhen çdo ditë ndërmjet orarit 09:00-14:00, në zyrën e procesit mësimor, pranë sallës A201. Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit, studenti rendit 4 preferencat për studimin në master duke nisur nga dega e parë më e preferuar, e deri tek e katërta që është më pak e preferuara”, bëjnë me dije autoritetet e Fakultetit Ekonomik.
Dosja e dokumenteve që duhen për aplikim duhet të përfshijë formularin e aplikimit të plotësuar sipas formatit të përcaktuar, diplomën dhe listën e notave të studimeve të kryera të ciklit të parë, e cila duhet të jetë e njësuar me origjinalin (e noterizuar), kopjet e noterizuara të diplomës dhe certifikatës së notave të studimeve të shkollës së mesme, fotografi sipas formtait të caktuar, kopjet e mjetit të identifikimit, si dhe mandatin e tarifës së aplikimit për këtë cikël. Në rastin e aplikimeve për programet Master shkencor në dosjen e aplikimit duhet që të përfshini edhe certifikatën e mbrojtjes së gjuhës së huaj sipas testeve ndërkombëtare të licencuara nga dikasteri i arsimit. Konkretisht, për aplikimet në programet e nivelit shkencor çdo aplikues duhet të zotërojë të paktën në nivelin B 1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) një nga gjuhët e huaja të vendeve të Bashkimit Europian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht)”.
Me plotësimin e formularit të aplikimit, nga ku do të zgjedhë deri në katër preferenca konkurrimi, kandidati duhet që të konfirmojë edhe faktin se nuk ndjek asnjë program tjetër studimi, si dhe vërtetësinë e të dhënave në dokumentet e dorëzuara. “Deklaroj se nuk po ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë, dhe se nuk do të ndjek njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e programit të studimit ku po aplikoj. Po ashtu deklaroj vërtetësinë e të dhënave dhe dokumenteve të paraqitur. Jam i vetëdijshëm se, në rast deklarimi të të dhënave të pavërteta apo të paraqitjes së dokumenteve të falsifikuara apo me të dhëna jo të vërteta, jam subjekt i masave të parashikuara në Kodin Penal dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi. Në rast dyshimi për vërtetësinë e informacionit të deklaruar, Ministria e Arsimit dhe Sportit, ose Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe universiteti do të nisin procedurën e kontrollit të tyre duke ia përcjellë këto të dhëna eventualisht edhe organeve kompetente”, përcaktohet në deklaratën që duhet të plotësojë kandidati aplikues.
Sa i takon programeve për të cilat do të garohet gjatë këtij viti, autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë sqarojnë se studimet e nivelit “Master profesional” që realizohen me 120 kredite do të zhvillohen në shtatë programe të ndryshme që janë: “Menaxhim Turizmi, Marketing, Administrim publik, Administrim biznes, Sisteme informacioni në ekonomi, Kontabilitet dhe Financë, ndërsa në programet “Master profesional” me 90 kredite gara do të zhvillohet për dy degë që janë: Teknologjia e informacionit në manaxhimin e proceseve të biznesit, si dhe në degën Financë, Kontabilitet dhe auditim. Për kuotat e nivelit të dytë “Master shkencor” gara do të zhvillohet në 11 programe që janë: Ekonomiks, Menaxhim Turizmi, Marketing, Administrim Publik, Administrim Biznes, Sisteme Informacioni në Ekonomi, Siguria e Informacionit, Statistikat Zyrtare, Kontabilitet auditim, Financë si dhe Menaxhim Risku. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara edhe kuotat e miratuara për secilin program studimi të ciklit “Master shkencor” dhe “Master profesional” për vitin e ri akademik 2022-2023.
Më herët janë përcaktuar edhe kriteret që do të zbatohen në shpalljen e fituesve të rinj sipas kuotave të mirtuara për sceilin program studimi. Sipas eksperëtve të Fakultetit Ekonomik, tre janë prioritet e përcaktuara mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të mund të vijojnë studimet e ciklit të dytë në këto degë. Prioritet në përzgjedhje do të kenë fillimisht kandidatët që kanë kryer studimet e larta të ciklit të parë në degët e këtij fakulteti, të cilët garojnë edhe për vijimin e studimeve të ciklit të dytë. Ndërkohë që më pas nëse do të ketë sërish kuota të lira, përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë mbaruar studimet e larta po në degë të njëjta, por në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat vendas dhe të huaj. “Do të pranohen diplomat “Bachelor” të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatës”, sqarojnë autoritet e këtij fakulteti. Më tej, nëse do të ketë sërish kuota të lira, përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë mbaruar studimet në degë të përafërta me degët ku do të vijojnë studimet e ciklit të dytë. Studentët fitues në secilën degë do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë (Bachelor) dhe tre preferencave të deklaruara më lart.
Në ligjin për arsimin e lartë saktësohet se programet e studimit “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 90 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMET “MASTER PROFESIONAL” (120 KREDITE) NË:
Programi i studimit Kuotat
- Menaxhim Turizmi (MPMTU) 25
- Marketing o (MPMR) 70
- Administrim Publik (MPAP) 25
- Administrim Biznes o (MPAB) 55
- Sisteme Informacioni në Ekonomi (MPSIE) 50
- Kontabilitet dhe Auditim (MPKA) 110
- Financë (MPF) 180
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMET “MASTER PROFESIONAL” (90 KREDITE) NË:
- Teknologjia e Informacionit e Manaxhimin e Biznesit 30
- Financë, Kontabilitet dhe Auditim 50
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMET E NIVELIT “MASTER SHKENCOR”
- Ekonomiks (MSHE) 35
- Menaxhim Turizmi (MSHTU) 25
- Marketing (MSHMR) 70
- Administrim Publik (MSHAP) 40
- Administrim Biznes (MSHAB) 50
- Sisteme Informacioni në Ekonomi (MSHSIE) 60
- Siguria e Informacionit (MSHSI) 60
- Statistikat Zyrtare (MSHSZ) 30
- Kontabilitet dhe Auditim (MSHKA) 100
- Financë (MSHF) 120
- Menaxhim Risku (MSHMRI) 30
Dosja e dokumenteve që duhen për aplikim duhet të ketë:
- Formularin e aplikimit të plotësuar sipas formatit të përcaktuar, të cilin mund ta shkarkoni online në faqen zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë publik.
- Diplomë dhe listë notash të ciklit të parë, të njehsuar me origjinalin (e noterizuar).
- Dëftesë pjekurie ose Diplomë dhe Certifikatë notash e shkollës së mesme, të njehsuar me origjinalin (e noterizuar).
- 2 fotografi standarde personale.
- Fotokopje të mjetit të identifikimit (ID).
- Certifikata e mbrojtjes së gjuhës së huaj për aplikantët në “Master i Shkencave” (e noterizuar).
- Mandati i tarifës së aplikimit për programet e ciklit të dytë.
