Gazetari Adriatik Doçi ka shkruar mbi ngjarjen e bujshme të vizitës së fshehtë të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, natën e 30 tetorit në burgun e Fierit për t’u takuar me Erion Veliajn. Ndërsa shumë versione në studio flasin për një mesazh mafioz të dërguar nga vetë kryeministri Edi Rama për të trembur apo kontrolluar “birin e tij politik”, autori parashtron një hipotezë alternative po aq intriguese: vizita mund të jetë një manovër personale e vetë Toni Gogut. Sipas këtij këndvështrimi, Gogu ka ndërmarrë një mision të vetëshpallur për të bindur Veliajn të dorëzojë Bashkinë e Tiranës – një “qeveri e dytë” me buxhet 400 milionë euro – në këmbim të mbështetjes së Ramës për kandidaturën e tij në krye të bashkisë, duke shfrytëzuar miqësinë e vjetër, por pa pasur miratimin e plotë për metodat shantazhuese që përdori.
Nga Adriatik Doçi
Një kryeministër, i cili konsiderohet edhe ‘lider global’, befas shndërrohet në gardian i ‘birit të tij politik’. I çon edhe ministrin e Drejtësisë (ish prift), Toni Gogu alias Oltion Gogu, natën vonë dhe gjysmë të maskuar, si korrier Malavite, duke i kumtuar një mesazh me naryrë mafioze, përmbajtja e të cilit e vizaton Ramën si të ishte Mao Ce Duni me SPAK-un në dorë si mjet ndëshkues për armiqtë.
E gjithë fabula (një kosto e rëndë, rrënuese dhe e panevojshme) mbart një tis dyshimi. Jo se takimi nuk ka ndodhur. Takimi pranohet nga të dy palët. Edhe mesazhi mafioz, ndonëse pretendohet vetëm nga Veliaj, besohet se është artikuluar nga Toni Gogu. Rama dhe Veliaj ishin gjithashtu në një ‘luftë të ftohtë’, me ‘thika nën mëngë’, prej muajsh. Por, e vërteta mund të jetë ndryshe nga tagjia e servirur në studiot televizive.
Vizita ilegale, natën e 30 tetorit, në burgun e Fierit mund të jetë një angazhim personal i ministrit të Drejtësisë Toni Gogu alia Oltion Gogu në funksion të jetësimit të ambicies së tij (jo aq sekrete) për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.
Sipas këtij versioni, Toni Gogu, duke përdorur si kartë miqësinë e hershme me Veliajn, ka rrahur gjoksin para Edi Ramës se do t’ja mbyllte ai frontin me Erion Veliajn, duke e bindur këtë të fundit të dorëzonte Bashkinë e Tiranës, e cila mund të rezultojë përcakuese për fituesin e zgjedhjeve të ardhshme. (Bashkia e Tiranës, me rreth 9 mijë punonjës dhe buxhet rreth 400 milionë euro në vit, konsiderohet si qeveria e dytë).
Në këmbim, Toni Gogu besohet se i ka kërkuar Ramës që ta propozojë atë si kandidat për Bashkinë e Tiranës, me premtimin se do të kishte edhe përlqimin e mikut të tij Veliaj, por duke e siguruar se do të punonte dhe vepronte në hyqmin e Ramës.
Për modalitetet e Toni Gogut për të bindur Veliaj të dorëzonte Bashkinë e Tiranës, Rama mund t’i ketë lënë dorën e lirë, që nga emërimi i ndrikullës së burgjeve deri tek transferimi ‘internues’, por vështirë të besohet dijenia dhe miratimi nga ana e tij i përdorimit nga Gogu i shantazhit mafioz, aq më tepër duke futur në lojë edhe SPAK si të ishte shkop gardiani dhe sidomos duke i faturuar Veliajt ‘puçin’ kundër ‘pushtetit popullor’, duke i hequr meritën Antifa, Iranit dhe Rusisë.
