Nga Stephen Collinson
Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit është një nga refuzimet më dërrmuese që votuesit amerikanë i kanë bërë një presidenti në detyrë në historinë moderne. Trump përballet me humbjen e kontrollit mbi Kongresin, hetime të shumta dhe një krizë të trashëgimisë politike brenda vetë kampit republikan.
Ekziston vetëm një mënyrë për ta parë triumfin e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit: ai përbën një nga ndëshkimet më të rënda elektorale që një president në detyrë ka marrë në historinë moderne.
Votuesit e shprehën gjykimin e tyre mbi përpjekjet e Trumpit për të zgjeruar pushtetin presidencial përtej kufijve kushtetues, për luftën jopopullore në Iran, për dështimin e tij në uljen e kostos së lartë të jetesës, për kaosin e administratës, për akuzat për korrupsion, për agjentët e maskuar që ndalojnë dhe rrëmbejnë pa gjyq emigrantët.
Përgjigjja e tyre ishte shkatërrimi i monopolit MAGA në Uashington. Demokratët morën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, duke rikthyer sistemin kushtetues të kontrolleve dhe ekuilibrave të pushteteve. Një valë e pazakontë blu përfshiu edhe bastionet tradicionale republikane.
Fitorja e demokratëve ishte aq e thellë dhe aq e shpejtë, saqë nuk i la hapësirë as prirjes së Trumpit për ta cilësuar të manipuluar si bën me çdo zgjedhje që humbet.
Operacioni i frikshëm i administratës për të kundërshtuar rezultatin nuk u materializua kurrë. Nuk do të ketë një përsëritje të turpit të vitit 2020, sepse fitorja demokrate ishte tepër e madhe për t’u kontestuar përmes marifetit të manipulimit.
Demokracia amerikane, e vënë në provë deri në limitet e saj gjatë dy mandateve të Trumpit, tani duket se ka gjasa t’i mbijetojë presidencës së tij.
Edhe vetë Trumpi u shfaq i përulur, me një ton të zbutur dhe pothuajse të panjohshëm, kur telefonoi disa media pas publikimit të përmasave të katastrofës republikane. Vetëm një ditë pasi e kishte quajtur veten “Zoti Veto”, presidenti premtoi madje se do të kërkonte pika të përbashkëta me partinë që deri pak kohë më parë e kishte shpallur kërcënim ekzistencial për Amerikën.
“Epo, ne do të punojmë me demokratët për t’u siguruar që gjërat të shkojnë mirë për vendin tonë. Kjo është shumë e rëndësishme”, i tha ai transmetimit të drejtpërdrejtë të Politico-s në natën e zgjedhjeve.
Trump u përpoq të argumentonte se kandidatët republikanë e kishin marrë vetë veten në qafë veten, kryesisht sepse nuk kishte qenë emri i tij në fletën e votimit. Por realiteti ishte i pamundur për t’u shmangur. Ai e kishte kthyer fushatën në një referendum për veten, pavarësisht kuotave të tij katastrofike të mbështetjes dhe lidhjes së qartë mes vendimit për të nisur luftën me Iranin këtë vit dhe rritjes së çmimeve që rënduan miliona familje amerikane.
Vetëkënaqësia e tij rezultoi një llogaritje e gabuar kolosale. Mburrjet se vendi duhej ta falënderonte për “epokën e artë” që po jetonte ishin një akt vetëgënjimi, në kundërshtim të hapur me realitetin e përditshëm të qytetarëve.
Edhe përpjekjet e presidentit për të arnuar hartën elektorale në favor të republikanëve, përmes ridizenjimit partiak të zonave zgjedhore me synimin për të nxjerrë jashtë loje demokratët, dështuan në pjesën më të madhe. Në fund, ishte pikërisht jopopullariteti i tij i jashtëzakonshëm që rrëzoi kandidatët republikanë. Nuk ka asnjë dyshim se kush e mban përgjegjësinë.
Në vitin 2024, Trump realizoi një nga rikthimet më të jashtëzakonshme në historinë politike amerikane, duke siguruar një mandat të dytë presidencial, jo të njëpasnjëshëm. Dy vjet më vonë, shpartallimi i Partisë Republikane, të cilën ai e kishte transformuar sipas imazhit të vet, duhet të renditet ndër dështimet më spektakolare politike.
Ndërsa nata e së martës përparonte, shenjat e një rikonfigurimi të madh politik u shfaqën fillimisht ngadalë. Më pas, ato shpërthyen në një lumë rezultatesh të pabesueshme: demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve, siguruan fitore tronditëse në Senat në shtete ku kjo dukej e pamundur, si Karolina e Jugut dhe Teksasi, dhe morën gjithashtu një numër të konsiderueshëm postesh guvernatorësh.
Shumica e kandidatëve që Trumpi kishte imponuar në garat kryesore pësuan disfata katastrofike. Mes tyre ishin prokurori i përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, dhe senatorja e Karolinës së Jugut, Darline Graham, e cila humbi vendin që kishte mbajtur vëllai i saj i ndjerë.
Sikur ekipi i Trumpit të mos i kishte shtyrë drejt largimit nga politika senatorët Joni Ernst dhe Thom Tillis, për shkak të qëndrimeve që konsideroheshin herezi brenda lëvizjes MAGA, republikanët mund të kishin ruajtur kontrollin mbi Ajovën dhe Karolinën e Veriut.
Të dhënat e sondazheve të CNN treguan se shumica të qarta të amerikanëve kundërshtojnë luftën e Trumpit, politikat e tij ekonomike, goditjen ndaj emigracionit dhe mënyrën se si ai po drejton vendin.
Për një kohë të gjatë, ekipi politik i Trumpit e ka paraqitur atë si një yll politik të një brezi, me një aftësi pothuajse të mbinatyrshme për të kuptuar bazën elektorale republikane dhe për të siguruar fitore që një politikan tradicional republikan nuk do të mund t’i arrinte kurrë. Në këtë pretendim ka një pjesë të së vërtetës. Por, dhjetë vjet pas fitores së tij të parë të papritur presidenciale, këto aftësi e braktisën Trumpin të martën, pas një muaji të lodhshëm përpjekjesh për të shpëtuar republikanët edhe në bastionet më konservatore të vendit.
Askund nuk u mishëruan më qartë përmasat e disfatës dhe refuzimi i Trumpit sesa në Teksas. Atje, James Talarico siguroi për demokratët një vend në Senat, për herë të parë pas gati katër dekadash. Edhe guvernatori Greg Abbott, një nga shtyllat e fuqishme të republikanëve, pësoi një humbje të jashtëzakonshme në përpjekjen për të marrë një mandat të katërt, duke u mundur nga avokatja demokrate Gina Hinojosa.
Shumë kritikë të Trumpit e kanë parë karrierën e tij politike si një reagim kundër presidencës së parë me ngjyrë në historinë amerikane, asaj të Barack Obamës. Ata janë tronditur nga retorika e tij e ashpër racore, referencat kulturore të supremacisë së të bardhëve dhe sulmet ndaj grave nga pakicat etnike dhe myslimanëve.
Por elasticiteti i politikës amerikane është shfaqur sërish. Një reagim kundër reagimit ka sjellë rezultate historike. Gina Hinojosa do të jetë guvernatorja e parë latine e Teksasit. Xhorxhia do të ketë guvernatoren e parë grua me ngjyrë, jo vetëm në historinë e shtetit, por edhe të vendit: Keisha Lance Bottoms. Abdul El-Sayed do të bëhet myslimani i parë i zgjedhur në Senat, pasi përballoi gjatë fushatës paragjykimet fetare të Trumpit. Ndërsa kreu i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, është në rrugën për t’u bërë kryetari i parë me ngjyrë i kësaj dhome.
Trumpi nuk është presidenti i parë që pëson një goditje të rëndë në zgjedhjet e mesmandatit. Barack Obama përjetoi atë që u quajt “masakër” në vitin 2010; George W. Bush mori një “goditje të fortë” në vitin 2006; ndërsa jopopullariteti i Bill Clintonit nxiti revolucionin republikan të vitit 1994.
Por zgjedhjet e vitit 2026 duken veçanërisht personale. E gjithë identiteti politik i presidentit dhe justifikimi i ekzistencës së tij politike u ndërtuan mbi bindjen se ai është një nga fituesit më të mëdhenj në botë. E megjithatë, sapo ka pësuar një nga humbjet më poshtëruese të karrierës së tij.
“Nuk isha në fletën e votimit dhe, po të kisha qenë, do të kishim fituar ME NJË FITORE DËRRMUESE! Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje. Presidenti DONALD J. TRUMP”, shkroi presidenti në rrjetin e tij Truth Social.
Por fjalët e tij tingëllonin boshe. Vetëm dy ditë më parë, në një tubim në Ajova, ai u kishte thënë të pranishmëve: “Bëni sikur jam unë në fletën e votimit, sepse, në thelb, jam unë ai që po votohet”.
Çfarë ndodh tani?
Kongresi i ri demokrat do t’ua bëjë jetën të vështirë të gjithë njerëzve në orbitën e Trumpit gjatë vitit të ardhshëm, përmes hetimeve të pandërprera mbi administratën, luftën në Iran, akuzat për korrupsion në Shtëpinë e Bardhë dhe, potencialisht, edhe mbi sipërmarrjet e biznesit që kanë shtuar pasurinë personale të presidentit gjatë dy viteve në pushtet.
Pas marrjes së kontrollit të Senatit, demokratët do të kenë mundësinë të bllokojnë çdo vend vakant në Gjykatën e Lartë që mund të krijohet gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Trumpit. Ata do të mund të pengojnë gjithashtu konfirmimin e çdo sekretari të ri të kabinetit që nuk gëzon mbështetjen e tyre.
Tashmë pritet një periudhë e përplasjes së ashpër mes dy kampeve politike.
Trumpi mund të jetë tronditur nga ndëshkimi që mori nga votuesit të martën dhe, praktikisht, do të jetë një president në fund të mandatit, pa perspektivë për një mandat tjetër. Por presidenti më përçarës i brezave të fundit nuk ka gjasa të sillet më si deri tani.
Përplasjet për buxhetin dhe luftën në Iran duken të pashmangshme, nëse Trumpi nuk arrin t’i japë fund kësaj të fundit përpara se Kongresi i ri të nisë punën në janar. Trumpi mund të bëhet edhe më i paparashikueshëm dhe agresiv në politikën e jashtme, në përpjekje për të kompensuar kufizimin e pushtetit të tij brenda vendit.
Përmasat e katastrofës republikane të së martës, kur demokratët fituan pothuajse gjithçka që mund të kishin shpresuar në skenarët e tyre më optimistë, dhe madje edhe më shumë, ngrenë pikëpyetje serioze për ata që po mendojnë garën presidenciale republikane të vitit 2028.
Zëvendëspresidenti JD Vance tani përballet me një problem të madh. Ai është parë si trashëgimtari politik i Trumpit, por mund të detyrohet të nisë procesin delikat të distancimit nga shefi i tij.
A mund të jetë sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njeriu që do të krijojë një koalicion të ri post-MAGA, duke bashkuar mbetjet e Partisë së vjetër Republikane, ku dikur ai vetë ishte një nga figurat kryesore? Apo kandidatë të tjerë, si guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, do të arrijnë në përfundimin se një pretendent jashtë administratës së diskredituar ka më shumë shanse të fitojë nominimin dhe të rikthejë besueshmërinë e markës politike republikane?
Edhe demokratët do të kenë problemet e tyre, pasi të përfundojë festa e fitores. Ata do të kenë një pjesë të pushtetit, por nuk do të zotërojnë të gjitha instrumentet për të realizuar ndryshimet që kërkojnë votuesit, për shkak të të drejtës së vetos që ka Trumpi.
Nëse nuk arrijnë të japin rezultate konkrete për uljen e kostos së jetesës, një çështje ku kanë dështuar si Joe Biden, ashtu edhe Trumpi, ata mund ta gjejnë veten në anën e humbësve në një tjetër goditje të rëndë elektorale, vetëm pas dy vjetësh.
Nga kjo periudhë e trazuar ka mësime themelore që duhet t’i nxjerrin të gjithë.
Asnjë fitore politike nuk është e përjetshme dhe asnjë shumicë nuk është e përhershme. Por mësimi më i rëndësishëm është ky: asnjë president, sado të fuqishëm që mund ta konsiderojë veten, nuk është i pamposhtshëm.
Përshtati DITA nga CNN
