Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026 vë në dukje se vendi ka shënuar përparim në procesin e integrimit europian, duke hapur grupkapitullin e fundit të negociatave, përmbushur standardet e ndërmjetme për grupkapitullin e parë dhe mbyllur përkohësisht katër kapituj.
Megjithatë, Komisioni thekson se përmbushja e objektivit për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027 kërkon reforma të shpejta dhe cilësore.
Raporti evidenton gjithashtu protestat e gjera qytetare kundër projektit të resortit turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, realizimin e vetëm 33 nga 66 masat e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes deri në dhjetor 2025, si dhe nevojën urgjente për reformë zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke qenë se disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të pazbatuara.
Më tej, thuhet se Kuvendi vijon të ketë probleme në ushtrimin e funksioneve të tij, veçanërisht në procesin e hartimit të ligjeve. Sipas Komisionit Europian, kjo vjen si pasojë e mungesës së dialogut politik, përplasjeve të vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe refuzimit të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Kritika ka edhe për ndikimin politik në emërimet në institucionet e pavarura dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Si një zhvillim pozitiv, vlerësohet miratimi me konsensus i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit.
KE thekson se vendi ynë duhet të përmirësojë bashkëpunimin mes institucioneve dhe të rrisë përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit. Gjithashtu, organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato që angazhohen për të drejtat e grave dhe komunitetit LGBTIQ+, vijojnë të përballen me vështirësi.
Për administratën publike, Shqipëria vlerësohet si mesatarisht e përgatitur.
Sa i përket drejtësisë dhe të drejtave themelore, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim, veçanërisht me përfundimin e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe zgjedhjen transparente të drejtuesit të ri të SPAK-ut.
Raporti vlerëson punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), të cilët kanë përmirësuar procedurat për emërimin, promovimin dhe transferimin e gjyqtarëve e prokurorëve. Komisioni kërkon gjithashtu më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga të dy këshillat, si dhe shtim të burimeve njerëzore për të përshpejtuar vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Megjithatë, raporti rreshton disa probleme që vijojnë të pengojnë funksionimin e drejtësisë:
– Mungesa e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, që ndikon në cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimeve.
– Ndërhyrjet dhe presionet politike ndaj sistemit të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet publike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
– Vonesat në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe problemet me infrastrukturën dhe sigurinë në gjykata.
– Vonesat në krijimin e një sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore.
Komisioni kërkon që Shqipëria të forcojë pavarësinë e drejtësisë nga ndikimi politik, të plotësojë vendet vakante në sistem dhe të përmirësojë funksionimin e gjykatave. Një tjetër prioritet është përshpejtimi i proceseve gjyqësore dhe ulja e numrit të çështjeve të prapambetura përmes digjitalizimit të sistemit të drejtësisë.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, thuhet se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, veçanërisht në punën e SPAK-ut, i cili ka vijuar të tregojë pavarësi dhe rezultate në hetimin e korrupsionit në nivele të larta.
Megjithatë, Komisioni thekson nevojën për më shumë dënime përfundimtare në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, konfiskimin e pasurive të përfituara nga korrupsioni dhe forcimin e kontrolleve mbi deklarimin e pasurive të zyrtarëve.
Kërkohet gjithashtu rritja e integritetit dhe llogaridhënies në Policinë e Shtetit.
Sa i përket lirisë së shprehjes dhe medias, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka shënuar disa përparime në përafrimin e legjislacionit me standardet europiane, por mbetet ende larg garantimit të plotë të lirisë dhe pavarësisë së medias.
Specifikohet si problem kryesor ndikimin politik dhe ekonomik mbi mediat, përqendrimin e pronësisë në pak grupe biznesi, mungesën e transparencës së financimit, si dhe presionet, kërcënimet dhe fushatat denigruese ndaj gazetarëve.
Shqetësim mbeten edhe kushtet e pasigurta të punës për ta.
Komisioni kërkon më shumë transparencë mbi pronësinë dhe financimin e mediave, garantimin e pavarësisë së tyre editoriale, mbrojtjen e gazetarëve nga presionet dhe kërcënimet, si dhe përmirësimin e kushteve të tyre të punës.
Lufta kundër krimit të organizuar: Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim, veçanërisht në hetimin e grupeve kriminale, luftën kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme. Vlerësohet gjithashtu bashkëpunimi i SPAK-ut me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me vendet e BE-së, si dhe forcimi i kapaciteteve në luftën kundër krimit kibernetik.
Megjithatë, Komisioni kërkon më shumë rezultate konkrete në hetimin dhe dënimin përfundimtar të grupeve kriminale, sidomos për trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Një tjetër prioritet mbetet forcimi i strukturave të hetimit në nivel vendor dhe përmirësimi i sekuestrimit dhe administrimit të pasurive kriminale.
Në fushën e ekonomisë, Shqipëria vlerësohet si e përgatitur për të funksionuar si ekonomi tregu dhe ka shënuar përparim. Rritja ekonomike gjatë vitit 2025 u mbështet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe turizmi, ndërsa borxhi publik vijoi të ulet dhe inflacioni mbeti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Sfida mbeten emigracioni dhe vështirësitë e bizneseve të vogla dhe të mesme për të siguruar financim.
KE vëren probleme në sistemin arsimor, mospërputhjen e aftësive të të rinjve me kërkesat e tregut të punës dhe mungesën e infrastrukturës së nevojshme. Ndërsa turizmi vijon të rritet, industria dhe bujqësia mbeten sektorë me produktivitet të ulët, ku eksportet e prodhimit kanë rënë për të tretin vit radhazi.
Komisioni kërkon përmirësimin e arsimit profesional, rritjen e investimeve në kërkim dhe inovacion, si dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore.
Po ashtu, rekomandon forcimin e INSTAT-it me burime njerëzore dhe teknologjike, si dhe realizimin e censit të bujqësisë sipas standardeve europiane.
Lidhur me lëvizjen e lirë të mallrave, thuhet se Shqipëria mbetet ende në një nivel të ulët deri mesatar përgatitjeje. Komisioni kërkon përmirësimin e standardeve të cilësisë së produkteve dhe forcimin e kontrolleve për sigurinë e tyre në treg.
Në kapitullin për të drejtën e shoqërive tregtare, Shqipëria vlerësohet gjithashtu mirë e përgatitur.
Progres është shënuar me miratimin e ligjeve që përafrojnë rregullat për funksionimin e bizneseve me legjislacionin europian, veçanërisht në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe transparencës.
Në sektorin e shërbimeve financiare, Shqipëria vlerësohet mirë e përgatitur dhe ka shënuar përparim në përafrimin e legjislacionit bankar me atë të BE-së. Megjithatë, mbetet e nevojshme forcimi i mbikëqyrjes së institucioneve financiare dhe përafrimi i mëtejshëm i rregullave për bankat, sigurimet, pensionet private dhe tregjet e kapitalit.
Në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit publik, vendi mbetet në një fazë të hershme deri në nivel të kufizuar përgatitjeje. Komisioni kërkon miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe përafrimin e rregullave për barnat, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore në sistemin shëndetësor.
Sipas raportit, duhet të përmirësohet veçanërisht kujdesi shëndetësor parësor dhe të garantohet akses i barabartë në shërbime cilësore për grupet më të cenueshme, veçanërisht personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe vajzat.
Sa i takon transformimit digjital dhe medias, thuhet se ka përparim, veçanërisht në forcimin e sigurisë kibernetike, Komisioni vlerëson miratimin e ligjit për sigurinë kibernetike dhe strategjisë kombëtare 2025–2030, në përputhje me standardet e BE-së.
Për arsimin, raporti përshëndet ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, por nënvizon se cilësia dhe përfshirja e barabartë në arsim mbeten sfida. Nevojiten më shumë fonde për shkollat dhe universitetet, përgatitje më e mirë e mësuesve dhe zgjerim i aftësive digjitale.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe arsimit profesional, i cili duhet të përshtatet më mirë me kërkesat e tregut të punës.
Energji dhe transport sipas standardeve të BE-së
Për politikat e transportit, Shqipëria vlerësohet mesatarisht e përgatitur dhe ka shënuar disa përparime, veçanërisht në monitorimin e trafikut rrugor dhe përafrimin e legjislacionit me standardet europiane. Një tjetër zhvillim pozitiv është anëtarësimi i plotë në memorandumin mesdhetar për kontrollin e sigurisë së anijeve në porte.
Megjithatë, Komisioni kërkon miratimin e Strategjisë së re Kombëtare të Transportit dhe zbatimin e masave për rritjen e sigurisë rrugore. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mirëmbajtjes së rrugëve dhe urave, përmes reformimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe reformës së sektorit hekurudhor.
Një nga prioritetet mbetet gjetja e një operatori për linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas, e cila kërkon edhe sigurimin e mjeteve të nevojshme për transportin e pasagjerëve.
Komisioni kërkon vijimin e investimeve në korridoret europiane të transportit, veçanërisht në Korridorin e Transportit Ballkani Perëndimor–Mesdheu Lindor, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e projekteve infrastrukturore.
Për sektorin e energjisë, Shqipëria vlerësohet mirë e përgatitur dhe ka shënuar përparim, veçanërisht në tregun e energjisë elektrike dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme. Komisioni vlerëson miratimin e ligjit për sektorin e energjisë elektrike, në përputhje me rregullat e BE-së.
Megjithatë, kërkon zbatimin e planit kombëtar për energjinë dhe klimën, forcimin e institucioneve përgjegjëse për eficiencën energjetike dhe përafrimin e plotë të tregut shqiptar të energjisë elektrike me atë europian.
Zonat e mbrojtura në fokus të Brukselit
Për mbrojtjen e mjedisit dhe klimën, Shqipëria vlerësohet në një nivel të kufizuar përgatitjeje dhe ka shënuar përparim të pakët. Komisioni Europian ngre shqetësime për dobësitë në mbrojtjen e natyrës dhe zonave të mbrojtura, duke përmendur edhe ndryshimet ligjore të viteve të fundit për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike. Këto problematika kanë nxitur edhe protestat qytetare që nisën në maj 2026.
Si zhvillime pozitive përmenden miratimi i disa rregullave për menaxhimin e mbetjeve dhe ndryshimet në legjislacionin për klimën. Shqipëria ka miratuar gjithashtu planin kombëtar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Gjithsesi, zbatimi i ligjeve mjedisore mbetet një problem i madh.
Komisioni kërkon kontroll më të fortë mbi ndërtimet dhe investimet turistike në zonat e mbrojtura, luftë më efektive kundër krimeve mjedisore dhe mbrojtje më të mirë të pyjeve, ujërave dhe biodiversitetit.
Gjithashtu, kërkohet që projektet infrastrukturore dhe turistike të respektojnë standardet mjedisore dhe të garantojnë përfshirjen e publikut në vendimmarrje.
Çfarë po ndryshon në marrëdhëniet me jashtë?
Në raport me partnerët ndërkombëtarë, Shqipëria paraqitet mirë e përgatitur, ndërsa gjatë këtij viti ka bërë hapa përpara në përshtatjen e rregullave për investimet e huaja dhe mallrat me përdorim të dyfishtë me legjislacionin europian.
Vlerësim pozitiv merr edhe zbatimi i protokolleve të marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA.
Si sfida për periudhën në vijim mbeten harmonizimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me kuadrin ligjor të BE-së, si dhe forcimi i mekanizmave shtetërorë për kontrollin e investimeve të huaja dhe mbikëqyrjen e tregtisë së mallrave që mund të përdoren për qëllime civile ose ushtarake.
Vlerësim pozitiv merr edhe bashkëpunimi me BE-në në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në misionet europiane për menaxhimin e krizave. Në prill 2026 u zhvillua në Bruksel edhe takimi i dytë i dialogut BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen.
Për periudhën në vijim, Komisioni kërkon ruajtjen e këtij përafrimi me politikën e jashtme europiane, rritjen e angazhimit në misionet e BE-së dhe zbatimin e strategjisë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.
Borxhi publik, PPP-të dhe detyrimet e prapambetura
Lidhur me reformat buxhetore, Shqipëria ka shënuar përparim, veçanërisht me përfshirjen e objektivave për klimën dhe buxhetimin e ndjeshëm gjinor. Është përmirësuar gjithashtu lidhja mes prioriteteve strategjike të qeverisë dhe fondeve të parashikuara në buxhet.
Një tjetër zhvillim pozitiv është miratimi, në dhjetor 2025, i ligjit të rishikuar për koncesionet dhe partneritetet publike-private (PPP), që synon të përfshijë më qartë këto projekte në planifikimin e investimeve publike.
Komisioni vlerëson edhe përmirësimin e monitorimit të rreziqeve financiare dhe miratimin e strategjisë së re të borxhit publik, me synim uljen e tij në raport me PBB-në dhe kufizimin e kostove të huamarrjes.
Megjithatë, mbeten problematike detyrimet e prapambetura ndaj bizneseve, kontrolli financiar i ndërmarrjeve shtetërore dhe projekteve PPP, si dhe transparenca në publikimin e të dhënave financiare të institucioneve publike.
Prona mbetet ‘plagë e hapur’
Për të drejtat e pronësisë, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në digjitalizimin e dokumentacionit kadastral, por problemet me pronësinë dhe kufijtë e pasurive vijojnë të pengojnë garantimin e plotë të këtyre të drejtave. Shqetësim mbetet edhe korrupsioni në këtë sektor.
Një zhvillim pozitiv është përfundimi i digjitalizimit të të gjithë titujve të pronësisë dhe dokumenteve referuese deri në qershor 2026. Gjithashtu, regjistrimi fillestar i pronave ka arritur në 95.4% të zonave kadastrale. Megjithatë, një pjesë e madhe e të dhënave kërkon ende verifikim dhe korrigjim.
Probleme mbeten edhe me legalizimin e ndërtimeve informale, proces që vijon me ritme të ngadalta, si dhe me kompensimin e ish-pronarëve. Nga mbi 20 mijë vendime për njohjen e pronësisë dhe kompensimin, vetëm 968 janë ekzekutuar me pagesë. Komisioni vë në dukje se kompensimi mbetet i kufizuar në vetëm 10% të vlerës së pronës, ndërsa përllogaritja bazohet ende në hartën e vlerësimit të vitit 2016, shpesh shumë më e ulët se çmimet aktuale të tregut.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka ruajtur marrëdhënie të mira me vendet e rajonit dhe ka qenë aktive në nismat e bashkëpunimit rajonal. Gjatë vitit 2026, vendi mori kryesimin e CEFTA-s, duke organizuar edhe takime të nivelit të lartë në Tiranë. Gjithashtu, Shqipëria vijoi angazhimin në Procesin e Berlinit dhe në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër zhvillim është përparimi drejt integrimit më të madh ekonomik dhe lehtësimit të lëvizjes në rajon. Në këtë kuadër, ka nisur zbatimi i udhërrëfyesit për heqjen e tarifave roaming mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Në marrëdhëniet dypalëshe, Shqipëria ka ruajtur raporte përgjithësisht të mira me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Bashkëpunimi me Kosovën është forcuar edhe në fushën e mbrojtjes, ndërsa me Maqedoninë e Veriut ka nisur ndërtimi i një linje të re të tensionit të lartë për shkëmbimin e energjisë elektrike. Megjithatë, Tirana vijon të shprehë shqetësime për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Raporti vlerëson gjithashtu marrëdhëniet shumë të afërta me Turqinë dhe bashkëpunimin e zgjeruar me Ukrainën, për të cilën Shqipëria ka vijuar të mbështesë integrimin europian dhe të ofrojë ndihmë.
Me Greqinë dhe Italinë, marrëdhëniet kanë shënuar zhvillime pozitive. Me Greqinë ka vijuar dialogu politik dhe është arritur një marrëveshje për importin e gazit të lëngshëm, ndërsa me Italinë janë nënshkruar 15 marrëveshje bashkëpunimi në fusha si mbrojtja, shëndetësia, energjia dhe siguria kibernetike.
Megjithatë, çështjet që lidhen me të drejtat e minoritetit grek dhe funksionimin e qendrave italiane për emigrantët në Shqipëri vijojnë të jenë pjesë e diskutimeve mes palëve.
Këto ishin disa nga gjetjet dhe pikat kryesore të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026, një dokument i detajuar me më shumë se 110 faqe, që pasqyron arritjet, problematikat dhe sfidat që vendi duhet të kapërcejë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
j.l./ dita
