Gjykata Kushtetuese ka dalë sot me një tjetër njoftim për të sqaruar vendimin e marrë ditën e djeshme për Berishën. Një njoftim thuhet se vendimi i referohet masave të sigurisë“detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, dhe jo shqyrtimit të masës “arrest në shtëpi”.
Gjykata thotë se kërkesa për masën e sigurisë “arrest në burg” është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024, dhe do të jetë objekti një shqyrtimi tjetër gjyqësor sipas afateteve dhe rregullave të parashikuara në ligj.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Duke marrë shkas nga lajmet dhe opinionet në media dhe portale, në lidhje me vendimarrjen e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, sqarojmë se vendimi i referohet masave të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, dhe jo shqyrtimit të masës “arrest në shtëpi”.
Sikurse u deklarua dhe në Konferencën për shtyp të Kryetares Zaçaj, ju sqaroj se për sa i takon vlerësimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, kërkesa në lidhje me këtë masë është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024, dhe do të jetë objekti një shqyrtimi tjetër gjyqësor sipas afateteve dhe rregullave të parashikuara në ligj.
Gjykata Kushtetuese interpretoi të enjten se masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi, duke rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha se SPAK kishte shkelur Kushtetutën.
“Për rrjedhojë, gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit,” thuhet në njoftim.
Gjykata arsyetoi se mbrojtja nga imuniteti nuk shtrihej mbi këto dy masa të parashikuara.
“Për pasojë, kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm,” thuhet në njoftim.
Gjykata Kushtetuese e interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve. Sipas vendimit, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë.
Kushtetuesja po ashtu rrëzoi pretendimet e ngritura nga Berisha për anësinë e Gjykatës së Posaçme në vendimet e masës së sigurisë. Megjithatë, ajo pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se në rastin e Berishës, masa “detyrim paraqitje” ishte e mjaftueshme.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj shpjegoi se gjykatës i kishte mbërritur pak ditë më parë një kërkesë për vlerësimin e masës “arrest shtëpie” ndaj Berishës, po kjo nuk ishte shqyrtuar në këtë vendimmarrje. Zaçaj shpjegoi se mbledhja zgjati 7 orë dhe se pjesë të vendimit janë unanime e pjesë të tjera me shumicë.
Berisha ka kërkuar në Gjykatë Kushtetuese të shqyrtohet procedura e ndjekur në vendosjen e masës së sigurimit ndaj tij, prej Gjykatës së Posaçme pa marrë miratim nga Kuvendi. Masa e sigurisë është lënë në fuqi në të tre shkallët e gjyqësorit.
Berisha ndodhet në hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv, kohë kur u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte”. Masa e tij u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës.
j.l./ dita
Gjykatësit e Kushtetutës janë juristë dhe jo opinionistë që të sqarojnë publikun!!! Në se ligji jep një dënim, nuk ka vënd për interpretim, sikurse po veprohet. Bindjet e kam që Kushtetuesja do të mbajë anën e Berishës dhe jo të ligjit, sepse janë juristë të vendosur në ato vënde nga Meta kur ishte President dhe do të bëjnë lëshime, duke anash kaluar ligjet. Kjo është arsyeja që Berishistët u gëzuan me zgjedhjet në amerikë, sepse e lidhën me fatin e tyre për të anash kaluar ligjet! Pa një drejtësi të saktë ku ligjet të jenë njësoj për të gjithë, vështirë që Shqipëria të ecë përpara. Janë dy breza shqiptarësh që emri i Berishës nuk po i shqitet dhe që këtu fillojne problemet.