Vladimir Duraj
4 Tetor 1972! Ditë e martë, ora 09 e 10 minuta. Në kodrën e Belshit shpërthen në ajër avioni 4 – 01 që pilotohej nga më i miri, më i ndrituri pilot dhe njeri, Azbi Serani. Ai ishte vetëm 32 vjeç kur ndodhi hataja, dhe ai në moshë të re shkoi pranë zotit. Azbiu ishte i tillë në çdo aspekt, ishte pilot i shkëlqyer, ishte fisnik, si i bërë me dorë, por jo me dorë njeriu… Ai ishte bërë me duar perëndie. Nuk ekziston vlerë apo virtyt që nuk ishte pjesë e tij, nuk kishte vend tek Ai asgjë e papërkryer… dhe këtë e dinin të gjithë, shokë e miq të tij në punë, pallat, lagje, qytet, kudo ku Ai shkelte, shkëlqente.
Ndaj atë 4 Tetor të 72-shit dhembën shumë zemra, u derdh shumë lot, bashkë me njerëzit qan edhe gurët. Q.Stalin, pjesë e të cilit ishte që nga viti 1960, i gjithi doli dhe e përcolli për Tiranë, atje ku trupi i tij do të prehej përjetësisht. Trupi, se shpirti shkoj të ndriçonte parajsën, një yll të këtillë ajo rrallë herë e shihte në gjirin e saj. Në të njëjtën linjë me këtë pohim timin është edhe Kujtimi, vëllai i Azbi heroit, teksa thotë si më poshtë :
“- Atë 4 Tetor, duke u gdhirë, shoh një ëndërr në gjumë. Një avion në fluturim, rrëzë malit të Dajtit merr flakë dhe piloti hidhet me katapultë. E çuditshme ishte se piloti në vend që të ulej drejt tokës po ngrihej lart, në qiell, aq lart sa nuk po dukej më. Ku ta dija unë i shkreti se ai piloti ishte Azbiu ? Rreth ores 13 mbrrij në shtëpi bashkë me një motër. Mbas disa minutash bie zilja e derës. E hapa atë dhe shoh një grup ushtarakësh, Edip Ohrin – Komandanti i Aviacionit Shqiptar, Duro Shehun – Sekretar i Komitetit të Partisë në Aviacion e të tjerë, të cilët na japin lajmin e kobshëm. Ato momente kanë qënë të tmerrshme për prindërit, motrat dhe në veçanti për mua. Kur u larguan Edipi me Duron morën me vete edhe babanë me motrën për t’i çuar në Q.Stalin. Ata u gdhinë atë natë atje dhe të nesërmen rreth orës 8 në mëngjes zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në Tiranë përpara Shtëpisë së Oficerave, ku kishte shumë qytetarë dhe ushtarakë të Aviacionit. Arkivolin e prunë në shtëpi për nja dy orë. Ato momente binte një shi me rrebesh, si të qante edhe koha për humbjen e madhe. Çuditërisht shiu pushoi në momentin e nisjes së kortezhit drejt varrezave të Sharrês, për t’ia lënë vendin një dielli vezëllues. Me dhjetra ushtarakë, pilotë e teknikë nga te gjitha repartet e Aviacionit dhe të Artilerisë Kundërajrore ishin pjesë e kortezhit, të cilin e nderuan edhe puntorët e Kombinatit Tekstileve që ndërprenë punën kur ky i fundit kaloi aty pranë.
Mbas disa ditësh vjen Mehmet Shehu me të shoqen për ngushëllim dhe në bisedë e sipër i thotë Fiqretes : “Azbiu nuk e gëzoj detyrën e re. Nuk u mor vesh se për çfarë detyre bëhej fjalë.”
Azbi Serani ishte vet përsosmëria, atë nuk mund ta vriste asgjë tjetër në fluturim përveç “tradhtisë” së vet avionit. Azbi Seranin e vranë predhat difektoze, të cilat e shndërruan atë gjigand fluturues ne copa hekurishte të karbonizuara.
Nderim i madh iu bë Azbi Seranit ditën e nisjes për Parajsë, por shumë më shumë se kaq ai u çmua, u nderua dhe u shndërrua në idhull sa ishte gjallë. Nuk mund të gjenden, nuk janë shpikur ende terminologji ekuivalente me madhështinë e Tij, në mënyrë që dikush, qoftë edhe pena më brilante, të përshkruaj besnikërisht atë që Azbiu ishte realisht, për t’i dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit.
***
Azbiu lindi më 1 Mars të 1940-ës, lindi ditën e parë të pranverës jo rastësisht… Lindi në këtë datë e ditë për të lajmëruar gjithkend se jeta e Tij do të ishte një pranverë e bukur, e artë dhe e zjarrtë, pranverë që nuk do të njihte mbarim. Garanci për këtë ishte geni i Tij, gen patriotësh dhe atdhetarësh të spikatur, gen trimash mallakastriot ose më saktë, çorrushiotë. Babai i Azbiut përqafoi lëvizjen për liri e çlirim, duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe pas çlirimit duke shërbyer si Oficer.
Në vitin 1946 familja e Azbiut u stacionua te një repart xhenjoje te Plepat në Durrës dhe prej andej në Elbasan, Librazhd dhe Tiranë. Në Librazhd, në vitin 1950 babai i Azbiut takon Hysni Kapon dhe i kërkon që Azbiu të vazhdonte shkollën ushtarake, “Skënderbej”. Kështu, ekselenti 10 vjeçar, i projektuar nga perëndia për të qenë mbi të gjithë e në gjithçka, veshi uniformën ushtarake qysh fëmijë, në klasën e katërt fillore. E përfundoi këtë shkollë ne vitin 1954 me medalje ari ngaqë nuk kishte vlerësim më të lartë se kaq, për të vijuar më tej në Shkollën e Bashkuar, dega Ekonomi. Pasi kreu dy vite studim në këtë shkollë, Azbiu me një grup djemsh si vet Ai, përzgjidhen për t’u përgatitur si pilotë në ish BRSS. Nisja për në ish Bashkimi Sovjetik pati një incident të “këndshëm”, i cili detyroi Azbiun të shpaloste gjenialitetin e tij në intelekt, kurajo, pa komplekse, dinjitoz, artikulues brilant. Ja si e tregon Kujtimi këtë incident :
“Momentin e nisjes për në ish BS, studentëve kandidatë u lexohen emrat në aeroportin e Laprakës, mes të cilëve emri i Azbiut nuk u lexua. Kur Azbiu kërkoi shpjegime te përfaqësuesi i Ministrisë për sa më sipër, ky i fundit iu përgjigj: “Ju nuk i plotësoni kushtet për këtë udhëtim, për familjen tuaj ka ardhur një letër anonime për qëndrimin e familjes suaj.”
I përcolli shokët me zemër të vrarë dhe pa humbur kohë, Azbiu shkoi në Komitetin Qendror për të takuar të madhin fare, Enver Hoxhën. Nuk qe i lehtë një takim me të, dikush tjetër në vend të Azbiut edhe mund të thyhej, të tërhiqej e ti nënshtrohej fatit. Por jo ai. Ai ishte shkëmb i fortë, ishte mal i lartë që nuk tundej nga stuhitë. Arriti ta takojë Enver Hoxhën dhe t’i thoshte se : Im at ka qenë partizan, komunist i 1942-shit. Ndërsa unë kam mbaruar shkollën me “Medalje Ari”. Pasi e dëgjoi dhe verifikoi ç’i tha Azbiu, Enveri urdhëroi nisjen e Azbiut sa më shpejt për te shokët, në Shkollë Aviacioni në ish BS.”
Azbiu bëri një fotografi në vaporin me të cilin udhëtoj për në ish BS, foto që nga pas mban datën 17 Gusht 1957. Edhe në ish BS Azbiu mbeti ekselent, e përfundoi shkollën me notë maksimale, të gjitha pesa. Në nëntor të 1959-s titullohet Oficer, Pilot Gjuajtës Bombardues me gradën Toger. Në vitin 1960 Azbiu emërohet në Regjimentin e Aviacionit në ish Q. Stalin dhe shërbeu si askush tjetër deri më atë 4 Tetor të mbrapsht. Shërbeu në pozicione të ndryshme, deri në zv/komisar.
Mbase duken të tepërta etiketimet me superlativa për Azbiun, por na besoni ju që nuk e keni njohur… ishte i rrallë, i veçantë, i vetmi që duhej dhe vlerësohej nga 100% e aviacionistëve. Pēr këdo tjetër do të gjendej dikush që do të shprehte një pakënaqësi apo mendim kritik për cilindo, po për Azbi Seranin jo… vlerësimi për të ishte unanim. Nuk ishte pa domethënie lamtumira që i dhanë trupit të heroit ish qytetstalinasit në grup, pa asnjë mungesë, Ai për ta ishte një engjëll. Nuk është pa domethënie fakti që gjithkush nuk neglizhon prononcimin superlativ për zgalemin Azbi sa herë bie fjala për Të.
“- Azbiu kishte disa cilësi njerëzore të pa krahasuara me cilësitë që kishim ne të tjerët. Të shikonte i qeshur, të këshillonte, të vlerësonte, të bënte me sjelljen dhe komunikimin e Tij të kishe respekt për Të. Ishte i veçantë për fisin tonë, ku kishim shumë intelektualë, por ky ishte i veçantë. Në Mars të vitit 1972 Azbiu ishte caktuar për të shkuar në Kinë me një grup pilotësh, ku do të ishte edhe përgjegjës grupi. Diku aty nga Janari i lind e shoqja një vajzë, por rron shumë pak ditë. Bashkëshortja sëmuret dhe shtrohet në spital prej afro 2 muaj. Azbiut po i vinte dita për tu nisur. Ne i thamë të gjithë si familje që të shkonte, por ai nuk pranonte. Tre ditë para se të shkonte vajti te ministri Beqir Balluku dhe i kërkoi të mos shkonte në Kinë për arsyen e mësipërme. Beqiri hezitoi njē moment, por më në fund u bind, pranoi propozimin e Azbiut që në vend të tij të shkonte Qirjako Dhima. Të kishte shkuar do të ishte gjallë edhe sot” – tregon Kujtimi.
Për Azbi Seranin është shkruar shumë, është nderuar e vlerësuar si pak të tjerë.
Bashkia Kuçovë, ajo Mallakastër dhe Komuna Kutë i kanë akorduar Azbi Seranit titullin “Qytetar Nderi”, ndërkohë që një rrugë në zonën e Misto Mames mban emrin “Azbi Serani”.
Kam patur fatin fa njoh ne gusht 1971,kur regni enti i kucoves gente qitje bombardim ne Divjake. Une Isha student ne UT, por ne qitje erdhi Edip Ohri ftoi Tim ate te shihnin qitjet. HASBIU, ishte ne drejtim, jo pilot i thjeshte, por komisar i regjimentit. E verrete, komunikues, i sinqertei respektueshem. Komunikimi me pilotet ne fluturim shume I ngrohte. Me la shume pershtypje te mira ai njeri. Pas nje viti mesova nga I’m ate renien ne krye te detyres.