Nga Artan Xh. Duka
Botuar në DITA
– Firmës që i doli boja me kohën
Sikurse dilema Rambuje dikur, edhe çështja e asocionit sot në Kosovë ka pështjelluar opinionin publik dhe politik shqiptar në rajon.
Bie në sy fakti se trysni për të nuk po ushtron vetëm Sërbia e BE por edhe SHBA, aleati historik i shqiptarëve por kjo e fundit e ka bërë të qartë se është për një asocion pa fuqi ekzekutive në respekt të Kushtetutës e sovranititet shtetëror. Njëlloj si në Rambuje, optika e SHBA sheh përtej ngërçit të ditës dhe sot ajo sërisht po hipotekon vetveten duke merituar respekt e besim.
Përtej debatit rreth përmbajtjes së tij, trysnia rreth asocionit bazohet edhe tek fakti se për të palët kanë rënë dakort dikur. Se si ndodhi kjo, se si i shpëtoi “filtrit” shqiptar e partnerëve tanë e zuri vënd në tavolinën e bisedimeve një çështje “apendesit” për Kushtetutën liberale e perëndimore të Kosovës, koha do e tregojë, por e rëndësishme sot është shmangja e një “autogoli” tjetër e “litarëve” pas.
Firma e hedhur dikur në parim duhet respektuar por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kontekstit aktual në rajon, çështja e asocionit duhet rishikuar, njëlloj sikurse ndodhi edhe me marrëveshjen e shumëpërfolur të detit mes nesh e Greqisë.
Asocioni nuk ka epërsi ndaj Kushtetutës e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe nëse duhet të “katandiset kokoshi një thelë”, duhet të jetë asocioni dhe jo shteti kosovar.
Sa i përket kontekstit, firmosja dikur në mirëbesim presupozonte një emancipim demokratik në rritje në rajon por mjerisht Serbia ende nuk reflekton ndaj së shkuarës. Ajo ende mban Kosovën në Kushtetutë, shpall vija të kuqe rreth saj, veçohet nga BE në qëndrimin ndaj Rusisë etj, duke vënë në pikëpyetje vullnetin e mirë dhe synimet reale pas asocionit në fjalë.
– Asocioni si iso e të shkuarës
Nëse Serbia insiston në asocionin mini-shtet, atëhere le ta bëjë e para këtë gjë me pakicat e saj. Fundja, sido që t’i vejë filli asocionit, ai do të jetë shëmbull për të tjerë në rajon. Mes respektimit real të pakicave dhe “gozhdës së Nastradinit” në murin e tjetrit ka një dallim thelbësor dhe për rajonin me një këmbë në BE është jetik lënia pas e imazhit historik të fuçisë së barutit.
Nëse Sërbia e ka seriozisht integrimin në BE, ka shansin që me asocionin të dëshmojë mentalitet perëndimor. Në mos të braktisë asocionin “neo-vorioepiriot” që bie ndesh edhe me projektin e tyre të reklamuar Open Balkan dhe vetë frymën e BE, atëhere të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe të bjerë dakort me asocionin pa fuqi ekzekutive duke e shoqëruar me reciprocitet në Luginë. Dhe mbi të gjitha duke reflektuar mbi të shkuarën e artikuluar ndjesë për të. Ndryshe, një asocion që shpie ujë në mullirin rus nuk do të ishte shtysë për paqe e harmoni por hapje e kutisë së Pandorës për tensione në rajon.
Asocioni ekspozon keqas qëndrimin me dy standarte të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. Nuk e njeh zyrtarisht atë por ndërkohë merr të mirëqënë firmën e hedhur vite më parë apo atë të rradhës për vënien në jetë të tij!
Asocioni nuk mund të firmoset nga një shtet “fantazëm” dhe sa kohë me alibinë e mosnjohjes Serbia refuzon reciprocitetin me Luginën e gjetiu, asgjë nuk e pengon Shqipërinë të ngrejë zërin për të.
Paradoksi historik në marrëdhëniet shqiptaro-greke me shpërpjestimin në qëndrimin ndaj pakicave, viktimizimin e rrejshëm, arkaizmat si vorioepiri, tabuja e çështjes çame, shpërfillja e elementit shtetformues shqiptar në Greqi etj, nuk duhet të lejohet të stiset si avaz në raportin e së ardhmes tashmë mes Kosovës dhe Sërbisë.
Për një shtet me mbi 90% shqiptarë por që sërisht pagëzohet multietnik, asocioni mini-shtet që krijon enklava etnike duhet të jetë po aq vijë e kuqe për politikën shqiptare, sa dhe teza vorio-epirote e ekstremizmit arkaik grek.
Ndaj Kushtetutës nuk ka dy standarte dhe nëse ajo shpërfillet për asocionin, atëhere bie edhe pengesa për referendum për bashkim kombëtar shqiptar.
– Asocioni si problem mbarëshqiptar
Politika nuk është matematikë ku një minus i dytë bën plus të parin. Një gabim i dytë me asocionin nuk zbut apo zhbën të parin por përkeqëson situatën më tej.
Zgjidhja nuk është as asociono-fobia (përsa kohë ka reciprocitet), as shpluhurosja e tezës së shkëmbimit të territoreve (që janë të dyja troje shqiptare) por kohezioni e bashkëjetesa demokratike mes qytetarëve në Ballkanin pa kufinj. Jeta dhe dinjiteti i një shqiptari në Luginë vlen po aq sa dhe ajo e një sërbi në Kosovë dhe fjala kyç mbetet reciprociteti.
Pozicionimi i KFOR në urën e Ibrit duhej të ishte në funksion të unifikimit të territorit dhe jo enklavizimit të tij. Asocioni mini-shtet përveçse njësh dhe koherent me politikat sërbomadhe në rajon, është karshillëk jo vetëm ndaj shtetit të Kosovës por dhe vetë KFOR në misionin e tij të garantimit të paqes e lirisë për këdo në Kosovë. Dhe përpara se dikush në BE t’a gjejë të arsyeshëm asocionin mini-shtet, të pohojë më së pari se KFOR ka dështuar në Kosovë!
Asocioni i hap “oreksin” më tej Sërbisë që nuk ndahet nga e shkuara dhe ndonse bën “delen e zezë” ndaj luftës në Ukrainë dhe izolimin ndërkombëtar të Rusisë, sërisht gjen shesh e bën përshesh në BE.
Me asocionin mini-shtet zyrtarizohet intimidimi ndaj shtetit të Kosovës dhe e ardhmja mbetet e paqartë duke zgjatur krizën pafundësisht.
Me asocionin në “xhep” Serbia nuk ka më ngut për asgjë. As për integrimin në BE sepse e di që BE përdëllohet për të me kosto zvarritjen edhe të integrimit të vëndeve të tjera në rajon por dhe se nga dyzimi mes lindjes e perëndimit, Serbia veç fiton më shumë.
I kujtdo forme, asocioni gjithmonë do të jetë sfidë për sovranitetin në Kosovë. Sovraniteti nuk duhet të mbetet në letra dhe e vetmi mekanizëm që e garanton atë do të ishte përshpejtimi i futjes së Kosovës në NATO për t’i dalë para çdo shndërrimi eventual të kufirit mes Kosovës e Sërbisë në kufi mes perëndimit e Rusisë.
Nëse nuk hiqet dorë prej asocionit, atëhere ai duhet rishikuar me njohjen e ndërsjelltë si parakusht, reciprocitetin e kushte të tjera si paketë shoqëruese deri “hollimin” e tij me krijimin e asocioneve gjithandej (veri, jug, lindje e perëndim) me kompetenca bashkish.
Asocioni nuk është thjesht problem kosovar por shqiptar. Politika, historianët, intelektualët, shoqatat qytetare etj kudo në hapësirat shqiptare duhet të çmontojnë më tej mitet shoviniste në rajon. Kosova nuk është djep i Sërbisë por “dosje” e stërmadhe e padrejtësisë ndaj shqiptarëve autoktonë. Krishtërimin në ato vise nuk e sollën sërbët por e gjetën aty sikurse gëzuan gjatë edhe pasuritë e shumta natyrore për të cilat ka aq shumë nevojë sot shteti më i ri në Europë.
Sot është dita për unifikim të qëndrimit shqiptar në rajon në harmoni me partnerët tanë historikë. Jo “krehje” e lojra opozitash në bulevard që si gjithmonë përkojnë “rastësisht” me krizat në Kosovë, sjellje bedeli e justifikim i mungesës së Sërbisë ndaj saksioneve ndaj Rusisë apo dhe vijimin me Ballkanin e Hapur fryma e të cilit bie ndesh me asocionin mini-shtet.
“Gozhda” e huaj në murin e Kosovës është gozhdë në shtëpinë mbarëshqiptare dhe po aq sa i rëndësishëm është raporti mes shqiptarëve dhe sërbëve për të ardhmen e rajonit, po aq rëndësi ka që të fillohet me këmbën e mbarë.