Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Muajt e fundit të vitit 1944 ishin të dritëshme, shpresë dhënëse, diçka mes ëndrrës dhe kthimit të saj në përditshmëri dhe, në të njëjtën kohë të turbullta, të rrezikshme dhe të frikshme.
Të parët ndjeheshin fitimtarë. Për to , gëzimi i Shqipërisë kishte qenë fluror, brenda vetes dukej se do të kishte një plotësi, ëndërr, ekstazë fitoreje, ditë që mendohej se nuk do të harroheshin kurrë, kohë që përzë një kohë tjetër dhe hap një të ardhshme, këngë, partizanë që mbajnë pushkët në supë dhe ngatërrojnë hapat, ndoshta nga që kanë ardhur nga malet, këngë të padëgjuara dhe, në fund, enigmën e mbrëmjeve kur rrugët mbylleshin më shpejt se gjithherë.
Për të dytët ishte ndryshe. Heshtimi i Shqipërisë kishte qenë i çuditshëm, diçka mes shpresës dhe ankthit, duke shtuar idenë e humbjes.
Për disa, fillimisht këto ishin më të shumtët, atdheu kishte dalë nga e zeza dhe kishte shpresën e Ringjalljes. Për to, drita e pamëshirshme e lavdisë së luftës kishte qenë e mjaftueshme për t’u ndjerë zotë të gjithçka je, edhe të jetës së të mundurve. Ata ishin në ekstazën e një mëngjesi që nuk pritej të bëhej ditë. Nëna, të veshur me të zeza edhe ato, ngadalë, si në përhumbjen e kohës, drejtoheshin në varrezat e reja të qyteteve ku po preheshin të shtrenjtët e tyre, të rënë në luftë.
Në luftë, apo në pasluftë, kur djemtë vriten, nënat vdesin.
“Lavdia është e meritueshme, madje, meritojnë madhështinë e së ardhmes”, kështu ishte thënë dhe njerëzit fillimisht e kishin pranuar. Pasi kishin bërë gjithçka të mundshme për të pasur pushtetin, ata do të ndërtonin themelin e tij : fillimisht me gjakun e të rënëve në luftë, dhe kishin qenë njerëz ëndërrimtarë, të qëndrueshëm në bindjet e tyre, të pasionuar pas idesë së lirisë, të bindur ,në shumicën e tyre, se po ndërtonin një botë të re, dhe, pastaj, kur varrezat e dëshmorëve ishin ngritur, do të kërkonin shpagimin përmes gjakut të kundërshtarëve të djeshëm. Në fund, do e kërkonin brenda vetes, te njëri tjetri. Nëse lufta kishte qenë e madhërishme, pas lufta do të ishte tragjike.
Për të tjerë, atdheu po futej në të zezën e ditëve të tij. Koha, që kishte qenë deri asaj dite, lënda e jetës së tij, po shterohej, po bëhej e heshtur si një hije e stërmadhe dhe , mbi të gjitha nuk kishte një dritë që mund të ngjallte besimin. Shumë prej tyre, megjithëse kishin pasur një jetë të begatë politike, nuk kuptuan atë që po ndodhte : kohën e një brezi tjetër, që, pesëmbëdhjetë të mungesës së tyre, kur kishin qenë emigrantë, të dëbuar nga Zogu, tani kërkonin jo më një pjesë të pushtetit, por vetë pushtetin.
Lufta është gjithmonë më shumë se çfarë duket. Ka anën e vet të ndritshme, ka edhe anën vet të territ, ashtu si hëna. Prej saj mund të ndriçohesh një çast dhe mund të fundosesh në çastin tjetër. Pavdekësinë nuk ta jep çasti i luftës, breshëria, gjaku i derdhur, netët në lëvizje. As vetmia e fisme, rruga e dhimbshme, ringjallja, nata e fundit e zërave që shkëlqejnë. As rrebeshi i errët i plumbave, ku vdekja mund të jetë edhe lavdia.
Pavdekësinë ta jep paslufta, ashtu si e lehtë mund të jetë vdekja e secilit në pasluftë.
Shqipëria po ndahej, kësaj here tragjikisht.
*****
Në ditë natën e 12 nëntorit 1944, krejt befas, në shtëpinë e bukur të Kokalarëve, gjirokastritëve të mençur, që thuhej se kishin një lidhje fisnore, qoftë edhe të largët, me Enver Hoxhën, do të arrestoheshin dy vëllezër dhe, një ditë më pas, motra e tyre, Musine. Është gjithçka e papritur, e ashpër, që pas pak do të shkojë në mizori.
Nuk kanë bërë asgjë kundër çlirimtarëve që përgatiten të futen në Tiranë. Kanë pasur lidhje të shkëputura dhe , jo shumë kohë më parë, ajo ishte takuar me një të njohur të vjetër të saj, bashkë nxënëse në institutin “ Nëna Mbretëreshë”. Quhej Nexhmije Xhuglini dhe shumë shpejt do të njihej si Nexhmije Hoxha. Ajo, Musine, e di se vajza që ka afër vetes, në atë dhomë të vogël ku do të takohen, është e lidhur me njeriun që e kishte njohur prej vitesh, Enverin, dhe, po ashtu, e di se nuk ka ardhur pa pasur mendimin e tij. Me Enverin, si ndodh mes banorëve të një qyteti, aq më tepër kushërinj, rrugët , më shpesh u ishin ndarë, se sa u ishin bashkuar. Shoqja e saj e vjetër ka ndryshuar shumë pak, për më tepër, duket se i shkon ilegaliteti.
Të ulura përballë njëra tjetrës. Kanë pasur çaste të përbashkëta, nuk e dinë se si do të kenë të ardhmen. Musine e di se e dërguara, shoqja e vjetër e saj, që në institut e thërrisnin “Delikatja”, ajo do të mbajë edhe më vonë këtë pas emër, mund të jetë si një lajmëse e Uliksit, që , pas udhëtimeve të tij të gjata sjell mesazhe nga Hadi. Ndryshe nga shumë të tjerë, miq të saj, nacionalistë apo mos kokë çarës, ajo e njeh si legjitime fitoren e Nacional Çlirimtares, nuk është në hasmëri me të, e di se komunizmi është mbretëria e hijeve dhe e flakës, por realiste në gjithçka, ajo e pranon humbjen.
“Të kam kërkuar, i thotë shoqja e vjetër. Kam dashur prej kohe të takoj. Të kam lexuar edhe librin e fundit, “ Rreth vatrës”.
Ndalon një çast dhe shikon reagimin e shkrimtares së parë shqiptare. Edhe ajo, ilegalja e tanishme ka pasur botën e saj. Diçka mes letërsisë dhe revoltës. Një ditë i shkruan një shkrimtari të njohur, që më pas do të dënohej me vdekje nga mbreti, dënim për të cilin proteston bota e qytetëruar e kontinentit të vjetër. “ Ne do të luftojmë ndryshe”, lexon Stërmilli në letrën e kësaj vajze që do të nënshkruajë “Delikatja”.
Musine hesht. Si duket, në shpirtin e “Delikates” nuk është thyer çdo gjë. Nuk e di pse i ngjan me qenien e gjendjeve të panjohura mes jetës dhe vdekjes.
“Edhe unë të kam kërkuar. Do të kisha dashur të takohemi më herët”.
“Gjithë sesi nuk është vonë, ndoshta sot mund të shkurtojmë vonesat. Ti e di, në çaste rreziku njerëzit ndjehen më afër”.
Tani zëri i shoqes së saj i duket më i sigurte, ndoshta nga që fitorja është krejt afër.
“Rreziku duhet të kthehet në mirësi, e, edhe njeriu fiton vetëm madhësi të reja nga mirësia”.
Për të, gëzimi dhe dhimbja, pikat ekstreme të sentimentit, kanë kuptimin e një diversiteti që duhet të jetë i pranishëm, dhe, për më tepër, i pranueshëm.
“Musine, është e favorshme të jesh pjesë e Frontit Nacional Çlirimtar”, do i thoshte e njohura e saj e dikurshme. Këto ditë do të bëjmë Kongresin e Gruas Antifashiste. Duam të jesh me ne, pjesë e jona. Të jesh në Frontin Antifashist. Ne mendojmë se ka ardhur koha të lësh pas çfarë ishte dhe të ndjekësh çfarë do të jetë. E pse të mos jesh në ekipin drejtues të gruas shqiptare antifashiste?
Është një propozim i papritur, në dukje joshës, si ato kalimet e buta nga një gjendje në tjetrën.
Tjetra e shikoi me vëmendje.
E dinte se ajo, poete dhe eseiste e pazakontë, ëndërrimtare, gjithë pasion për të bukurën dhe mirësinë, e bukur, e qetë, ka në shikimin e saj jetën e së ardhmes; e re, me bukurinë klasike të mishëruar në qenien e saj, më shumë realiste se poetët e zakonshëm, i kishte thënë Mit’hat Frashërit, se:
“As unë nuk jam komuniste dhe as e kuptoj atë… Po një gjë është e qartë, ata luftojnë dhe organizohen. Japin prova dhe sakrifikohen… Ata e fitojnë duke luftuar, s’ua ndaloni dot. Ju i rrihni çështjet dhe qëndroni në vend. Ata organizohen dhe vrasin italianët”.
Frashëri i vjetër nuk i pranon fjalët e saj. I thotë se duhet të bëjë përpjekje të pamasë për t’i shfarosur brenda vetes këto sytha gëlues dhe të rrezikshëm, në kërkim të harmonisë së të pamundurës, se ideja e saj, ëndrra e saj më e madhe për të sheshuar kontrastet, për të ftohur gjakun dhe për të vendosur drejt peshimin e gjërave, nuk është reale, për më tepër, do të jetë shpagues.
Ajo është mahnitur gjithnjë pas Frashërllinjve të mëdhenj.
Ajo nuk është orakull, as nuk e mendon këtë, megjithatë, nisur, nisur nga bota e saj, sidomos rinia përvëluese, e di më mirë se të tjerët se, në librat e vjetër është thënë gjithçka për paralajmërimin dhe ndaljen e fatkeqësive, dhe, ata që nuk kanë mundur ta bëjnë, sepse nuk u kanë besuar, apo, u kanë besuar kur koha ka qenë e pamjaftueshme, rrjedhën e gjërave nuk kanë mundur ta ndryshojnë më.
Frashëri i thotë se komunizmi është e keqja e botës. Ai do të shuajë botën, për të krijuar një tjetër, të re, që nuk do të jetë asgjë dhe “ askushi” do të jetë mbi mendjen.
Musine e do Frashërin, por është më tej se ai. Ajo nuk ka kërkuar kurrë konstatimin, por gjendjen. E di se në botë komunizmi është ende në agun e tij dhe shpërthimet që mund të vijnë në një ditë të ardhshme, duan apo nuk duan, mund të jenë të pa zakonta, për të mos thënë të llahtarshme.
“Asnjë pasion apo mendim i mbrapshtë, asgjë e turbullt dhe e rrezikshme rrebesh apo katastrofë, nuk është e mundur të mos dërgojë më parë kumtin e tij. Kumti i komunizmit ka ardhur dhe, bashkë me të, fatkeqësia e Shqipërisë. Është detyra juaj, si lideri i nacionalistëve, jo vetëm të saktësoni, por të ndaloni të keqen, gjë që nuk bëhet kështu si sot…Ata, komunistët luftojnë, atyre nuk u duhen elitat, ata po marrin me vete një brez që nuk humb asgjë. Si duket, do të fitojnë, por më pas do të bëjnë një luftë ndryshe. Kundër lirisë”.
Profecia e saj do të jetë e saktë.
Musine nuk do të gjykojë veten, as të ndryshojë nuk mundet, ajo qëndron në mesoren e artë, kundër së ligës.
Është një dialog të diturish, që në fund të fundit janë dy breza.
Çuditërisht, edhe më pas, eksponentë të “anës tjetër”, të kundërt me kumtin që kishte ardhur të sjellë e njohura e saj, do i thoshin se “juve ju kanë nxitur komunistët të shkaktoni përçarje në radhët e Ballit…”
Ajo që të bën përshtypje te Kokalari janë sytë. Përmes tyre mund të depërtosh në thellësitë më të mëdha të shpirtit. Në të fshehtën më intime. Asnjë gjurmë të urrejtës nuk do të gjesh tek ato. Jo vetëm tani, por edhe më vonë. E ndjen veten qytetare e lirë në perceptimin e botës, por këtë mund ta bëjë duke u nisur nga kombi i saj. Ajo që e tërheq pas është tradita, mund të ishte kudo, është me dëshirë në vendin e përrallave të vendlindjes. Ka pas vetes traditën, por njeh edhe modernen. Ndoshta është gruaja më e veçantë e brezit të saj, dhe shoqja e dikurshme që ka përballë vetes, e di këtë. Edhe ajo e ka dashur, e ka adhuruar, e ka ndjekur. Ka qenë ëndërr e prekshme dhe, në të njëjtën kohë, fluide.
“Si thua?, e pyet edhe një herë Nexhmije Hoxha.
“Të jem vetëm unë? Një zë? Një frymë? Një mendim? A nuk është pak? Një njeri i vetëm gjithçka e ka të kufizuar, edhe ditën, edhe natën, edhe të vërtetën; në mendjen e tij mund të futesh, por të mos mësosh. Liria nuk mund të jetë e cunguar, vetëm për disa.
“Ti duhet të jesh me ne”, ngul këmbë e njohura e saj e vjetër. Të jesh me ne do të thotë të jesh me fitoren”.
Zëri i së njohurës është i butë, disi ndjellës. Musine nuk mund të përfytyrojë atë të shpërfytyruar.
E pa druajtur në të vërtetën e saj, ajo i thotë gruas së ardhshme të shefit të qeverisë se, duhet të ketë mendim të lirë politik në vetë Frontin Demokratik, se ata mund të ishin pjesë aty , si një grup demokratësh, ose më mirë si Parti Social – Demokrate, të përfaqësonte rrugën e mesme që të lidhte me të forcat e pa kristalizuara, duke u radhitur në aleancë me Partinë Komuniste në gjirin e Frontit Demokratik.
“Duhet të ketë gjithnjë një opozitë brenda fituesve, që nuk është armike e saj. Ka shumë njerëz që nuk duan të hyjnë në realitet, duan ta kapërcejnë atë që në fillim, në kërkim të pafundësisë. Fati për ta nuk ka kuptim të jashtëm , por vetëm të brendshëm. Ata duan ta ndjejnë veten dhe jetën. Një forcë e tillë, brenda Frontit, në aleancë me ju, ndoshta do të ishte rruga më e mirë.
Është një dialog ku, heshtja, që thyen botën, është nga njëra anë dhe mendimi , që sheh një botë ndryshe, nga ana tjetër.
*****
Tani ndodhet në një bodrum të errët, nga jashtë dëgjohen krisma, ajo nuk e di fatin e të vëllezërve, dy të arrestuar një natë përpara e së bashku me të dhe, tjetri, i sëmurë me tifo në shtëpi. Pret se dikush do e thërrasë, të tregojë më në fund përse janë këtu, por, krejt befas, kur ende është e trullosur dhe e mbyllur në botën e saj, dëgjon krisma, fare afër, si të ishin në bodrumin pranë . Aty janë të vëllezërit. Janë disa të njohur, të cilët nuk do i shohë më.
Të nesërmen, kur ende enigma është në pikëpyetjet e saj, e marrin në pyetje. Asgjë nuk është e rastësishme. Në të gjithë intelektualët “kundër”, ajo kishte qenë më pranë “pro”–së të bashkëpunimit, por jo si vetmitare, zë i humbur, nuk donte të bashkonte zërin e saj me ata, të ishte zë i tyre. Dinjiteti nuk ndahet, ai , zakonisht, është i vetë vetishëm.
“Je social – demokrate?, Je e afërt me eksponentët e Ballit? Ke prurë përçarje? Nuk ke bërë luftë? Çfarë të lidhte ty me Frashërin, me Skender Muçon?
Janë 17 ditët e burgosjes së parë. Nuk e di vazhdimin. Më shumë se luftëtare, deri asaj dite, ajo do të jetë vajzë poetike,
Gjithçka është e frikshme rreth saj, por ajo nuk e ndjen frikën. Është një ndërgjegje e qetë. Gjithë jetën ka qenë kështu. Fillimisht e zhytur në botën e përrallave, më shumë se në të vërtetën e jetës. Kishte botuar librin e saj të parë kur ende nuk ishte 21 vjet. “Kështu më tha Nënoja plakë”, kaq kishte qenë fillesa.
Njeriu, që më pas do të ishte hetuesi i madh, me sytë gjysmë të mbyllur dhe letrën që i kishin vënë para vetes, e ndjen se kjo vajzë ka diçka që nuk thyhet.
“Nuk kam bërë luftë, dëgjon zërin e saj, çuditërisht i qetë, pa asnjë dhimbje brenda vetes dhe, çuditërisht, asnjë frikë. Nuk kam bërë luftë, se nuk na latë ju… vërtet kam shkruar libra… Lufta është bërë dhe bëhet me pendë dhe me armë. Ti e bëre me armë, por me pendë nuk i je zoti ta bësh”.
Më pas, në gjyq, përballë saj është një njeri i lexuar, nga një familje e njohur, Nosi, e ndarë, edhe ajo, në dy drejtime. Njëri me regjencën. Ish ministër i qeverisë së parë të Ismail bej Vlorës. Tjetri , në shtabin e përgjithshëm të Nacional Çlirimtares.
“Ju kërkuat të përmbysni pushtetin?”
“Ne nuk kërkuam të përmbysnim pushtetin…. ne kërkuam shtytjen e zgjedhjeve. Unë as kisha grumbulluar njerëz, ishim vetëm dy veta. Ne do të përmbysnim pushtetin? Nëse një pushtet dënon dy njerëz se kërkuan zgjedhje demokratike, atëherë ai nuk është pushtet, është regjim. Nëse një pushtet dënon një grup intelektualësh, që nuk luftuan kundër tij me armë, por bënë një peticion dhe e dërguan tek Aleatët, atëherë ky pushtet kthehet në klikë. Luftën ju nuk mund të bënit pa aleatët. Ju e bëtë me armët e tyre, floririn e tyre, njerëzit e tyre. Ne kërkuam më pak se kaq : të bëhen zgjedhjet me ndihmën e tyre. Vërtet ju bëtë luftën, por edhe ne, në mos me armë, me mënyra të tjera nuk bashkëpunuam me okupatorin… Ju do të më dënoni jo se kam bërë faj , por se ju, komunistët nuk lejoni parti të tjera. Unë nuk jam fajtore, nuk jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj. Unë nuk jam fashiste. Kam kulturë demokratike, jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Komuniste s’jam dhe as e kuptoj”.
“A e pranon aktakuzën?”
“Në bazë të pikëpamjeve tuaja politike, po. Në bazë të pikëpamjeve të mia, jo”.
Frederik Nosi ka njërën nga ditët më të vështira të jetës së tij. E njeh krejt mirë të akuzuarën. Rrugëve të kryeqytetit e kishte parë shpesh, në ecjen e saj të qetë, plot dinjitet, nganjëherë drejt së madhërishmes; flokët e lëshuar dhe buzagazin e vetvetishëm, përherë në duar kishte një libër, gjymtyra e saj e natyrshme, nganjëherë në fluturimet e saj poetike i është dukur si naive, e thyeshme që në goditjen e parë, mirëpo, në këtë sallë gjyqi, ku të akuzuarit do të kishin qenë të aftë të ndërtonin një qeveri, ajo është tjetër. Dinjiteti i buron nga brenda, burim i nëndheshëm, dëshira e saj për jetë shndërrohet në betejë. Nuk lyp as lumturi, as vuajtje.
Nëse deri atëherë pyetjet e tij janë si ide krejtësisht të ftohta, përgjigjet e saj janë ndryshe. Ajo është ende e zjarrtë.
Kur prokurori kishte dhënë pretencën e tij, Musine Kokalari e dinte se kishte nisur kalvari i pafund i jetës së saj. Prokurori i saj do të jetë Haznedari.
Më vonë do të shkruajë në Ditar , “Dy vrasje të pafajshme në shtëpi; më gjeti çlirimi me pasigurinë e rrojtjes. Filloi tragjedia. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e mospërfillje”.
20 vite burg për njeriun që liderët e rinj e donin pranë vetes. Po për ata që i kishin pasur gjithnjë “kundër”?
Vetmia e saj do të jetë tragjike, në kufijtë e pabesuar. Vetëm nëna, edhe ajo në zezonën e saj, do të rrijë me të, në një dhomë gjithë lagështirë në një qytezë të panjohur për gjirokastritët e famshëm, dhe vetëm në dy vitet e para të daljes nga burgu, dhe, më pas, zemër këputur, do të vdesë. Përsëri do të jetë në vetminë tragjike të saj.
Musine ka po ashtu, një foto të njohur. Para gjyqit, viti 1946. Flokët e lëshuar mbi supet e brishtë. Më shumë ka heshtje rreth vetes. Një sallë gjithë njerëz, por në boshllëkun e mendimit të tyre.
Shikimi është i qetë. Pa droje. Ka në pamjen e saj më shumë nga martirët e Kishës, se sa nga të gjallët e vrarë. Duket e ka ditur se ka filluar martirizimi i saj. E ditur, si asnjëri nga ata që janë përballë , ka qetësinë e njeriut që ka bërë detyrën e tij. E veshur me të zeza është krejt tjetër nga pamja e njohur, me flokët e ndarë në mes, karficën e argjendtë vendosur në të djathtë, flokët e lëshuar, kordelen e bardhë femërore, vendosur në kopsën e sipërme, e menduar, por e qetë, ëndërrimtare, e dalë nga përrallat e nënokes së saj, e ardhme e pa kuptuar. Përballë gjyqit është një vajzë tjetër. E zeza në trupin e saj është e pikëllimtë, jo nga frika, nga dinjiteti. Sfondi pas saj është po ashtu, i zi. Flokët i janë shpërndarë mbi supe, ka tragjizëm në qëndrimin e saj.
“Cili është avokati juaj”?, e pyet drejtuesi i seancës.
“Nuk kam avokat. Do të mbrohem vetë. Askush më mirë se unë nuk e njeh jetën dhe të vërtetën time”.
Në një seancë gjyqi, ndërsa zëra nga salla thërrisnin se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte se çfarë kërkonte populli, Musine, duke e ditur se cilët ishin dhe përse ishin aty, e qetë, e përmbajtur, me të folurën e ngadaltë, njëjtë sikur të ishin dy të barabartë, i përgjigjet:
“Nesër këtë do të thonë edhe për ju. Ju e dini nga vijnë dhe përse janë këtu”.
Nuk është më shkrimtarja e botës së ndjenjave. Në atë foto personaliteti i saj është gdhendur deri në hollësinë më të vogël, por në çastin më tragjik të jetës së saj. Gjithçka është në dy tablo: realiteti i burgosjes dhe personaliteti i krijuar në shumë breza. Shikimi i saj është një përpikëri e pashembullt e asaj që po ndodh, është e dhënë e pagabueshme.
Nuk është më vështrimi i poetes, ëndërrimtares që sillet në botën e saj të bukur, çdo gjë është shembur, tashmë shikimi i saj është elegjiak dhe i ngrysur, jo i butë, por i papërkulshëm, është çasti kur poetja shndërrohet në vizionare dhe këtë ia thotë trupës gjykuese, në një marramendje të pabesueshme, si orakulli i së ardhmes.
“Ju nuk e kuptoni se lufta që i bëhet një mendimi tjetër nga i juaji është luftë kundër një vije politike, kompromisi ose koncepti shoqëror feudal, dhe, në vend që t’i afroj, i largon pa e ditur as ai vetë, duke menduar se luftohen ose nuk i duan. Ne, tre grupet, kemi vetëm një gjë të përbashkët, një notë drejtuar aleatëve, që të merrnim pjesë në zgjedhje. Ne ju drejtuam atyre, ashtu si u jeni drejtuar ju. Askush nuk i ka shpallur aleatët armiq apo të përjashtuar. Nëse do të vijë kjo ditë, Shqipëria do të futet në terrin e saj. Ne jemi për një unitet moral të një pakice me shumicën, për ekuilibrin e ideve dhe divergjencave. Shumica nuk pse të trembet nga pakica. Ne nuk jemi për përmbysjen e Pushtetit, por për zgjedhje demokratike”.
Ia ndërpresin fjalën. Nuk ka më të drejtë të vetë mbrohet. Është në sallë, por e përjashtuar. Mund të dëgjojë, mund të dënohet, por nuk mund të flasë.
Thuajse me vetëdije, në muajt e fundit, ajo i është shmangur jetës reale, si nga ndonjë parandjenjë e frikshme se mos takimi i dy botëve, ajo e saj me atë tjetrën, që po vinte rrëmujshëm, do të ishte e dhimbshme. Jeta e saj do të bëhej , po aq tragjike, sa edhe tragjeditë e lashta. Në fakt, do të bëhej prej tyre, e papërkulshme.
Prokurori hetues është Haznedari. I njëjti, si në rastin e gruas në të zeza. I pa qetë në egërsinë e tij. I mbrujtur me të keqen. I lig, jo se ka shkak, por nga se është i tillë. Nëse do të ishte një pushtet tjetër, ai do të ishte i nënshtruar. Sepse nënshtrimi është elementi i tij. Pushteti i ka dhënë fuqinë të dëshmojë egërsinë. Njëjtë si kopesë së ujqërve kur i hedhin para grigjat e pambrojtura.
I ulur para një makinë të vjetër shkrimi, që edhe germat i nxirrte njëra mbi tjetrën, me gishtat e trashë dhe ende të pamësuar, gëzimin e egër brenda vetes, ai ka ditë që përgatit dosjen e prokurorisë, e cila do i drejtohej Gjykatës Ushtarake.
Nuk e ka njohur Musine Kokalarin. As tani nuk i intereson të dijë për botën e saj. Ajo është preja. Kurrë një gjahtar nuk ka menduar si ai për prenë e tij. Sidoqoftë Gjykatës Ushtarake duhet t’i dorëzojë akt – akuzën, së bashku me të gjitha dosjen hetimore. Disa nga të rreshtuarit e tjerë ndodhen në qelitë e tyre, të rraskapitur. Nuk përdorej ende fjala “arrestim”, përdorej “rreshtim”. Edhe në aktakuzën e Musine ishte pikërisht kjo fjalë. “ I pandehuri Musine Kokalari, e bija e Reshatit, dhe Anushes, vjeç 28, nga Tirana, me profesion libra – shitëse, e rreshtuar më datën 23 janar 1946”.
Si dukej, përdorej kjo fjalë, “rreshtim”, nga që të arrestuarit i vendosnin mes dy rreshtave të ushtarëve të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit.
Haznedari kishte vetinë e të vërejturit. Pas pyetjeve intensive, ditë e natë, goditjeve, deri në lodhje, kishte vërejtur se të burgosurit e këtij grupi, mes tyre edhe deputetë, profesorë, njerëz të shkencës, kishin filluar të dobësohen gjithnjë e më shumë , fytyra po i nxihej, lëkura po i rrudhej, sytë i futeshin gjithnjë e më thellë në gropëza, deri sa dukeshin si dy vrima të vogla. Në vetminë e tyre, thellësisht vetmitarë, të palarë prej javëve, me rrobat e grisura dhe ankthin e përhershëm, të ndrojtur nga e papritura dhe hetimet e gjata, të llangosur, ata po shkonin drejt humbjes dhe veniteshin, dhe ky ishte çasti kur mund të thyheshin dhe të pranonin gjithçka.
Musine nuk kishte pranuar asgjë.
Në njërën nga netët e 16 viteve të burgut të saj, ashtu e lodhur nga gjithë çfarë ndodh përreth, mungesat e mëdha, pagjumësinë dhe mendimin tek ata që kishte jashtë burgut, nënonë dhe vëllain , pa pritur më asgjë dhe në vetminë e pa zakontë të saj, befas zgjohet e trembur. Ndjen se ka më shumë ankth se zakonisht rreth vetes. Është terrinë. Mundohet të sjellë në mendje ditë të shkuara, çastet kur ka qenë e lumtur, por, si duket, kanë filluar të shuhen. Përfytyron të ëmën, jashtë rrethimit të burgut, me torbat e vogla në duar, duke pritur padurueshëm çastin kur mund të takohen disa minuta, të shkëmbejnë disa fjalë të shpejta, gjithnjë nën vëzhgimin e rojeve, që as nuk e kuptojnë të folurën e tyre gjirokastrite, fjalët përkëdhelëse, që vetëm ata mund të ia thonë njëra tjetrës; pastaj përpiqet të harrojë ditët e këqija, që po bëhen gjithnjë e më të shumta, pafund të shumta. Nuk ka libra rreth vetes, pra, nuk ka botën e saj. Mes ushqimeve të pakta – nuk lejojnë më shumë- janë dy a tre libra, dhe ata kishin pasur në shtëpinë e tyre një bibliotekë të pa zakontë, pastaj librarinë , ku edhe ajo kishte punuar e ishte takuar me miqtë e saj. Sa larg ishin këto ditë e net, pasiononte kishte qenë gjithnjë, kishte pasur çastet e saj të shpërthimit, ishte gëzuar e hidhëruar për hiç gjë, tani ata po largohen, si ikin dallëndyshet pa kthim.
Kur mendon se po qetësohet dhe kthehet në një ditë të zakonshme burgu, krejt befas, për herë të parë, i brof mendimi: “Çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte pranuar propozimin e Nexhmije Hoxhës, të ishte bërë pjesë e lëvizjes dhe, në fund të fundit, një zë i tyre? Të kishte qenë njëra nga ata? Do të kishte pasur fat ndryshe? Vëllezërit e saj do të ishin ende në jetë?”
Asgjë nuk mund të dinte. Megjithëse ishte e bindur se të vëllezërit do i kishte humbur përsëri. Do i kishte humbur që në çastin kur do të pranonte të ishte “zë i tyre”. Nuk e dinte ende se kush i kishte treguar fatin e një mike të saj, gjirokastrite, shkencëtare, Sabiha Kasimati, nga dera e njohur e Kasimatëve, pushkatuar pa gjyq një natë shkurti, si mund të kishte ndodhur edhe me vetë atë.
Kompromiset e përkohshme sjellin humbje të përhershme.
Ishte mbledhur shuk rreth vetes, në atë shtrat të ngushtë, të fortë, e mbyllur në atë truall të ngushtë, ku, dalëngadalë, do i vyshkej jeta.
“Çfarë faji kemi bërë , o Zot!”, i tha vetes, u shtri në krahun tjetër, por nuk fjeti dot.
Angushtimi i saj nuk u përsërit në asnjë natë tjetër.
Në burgun e Shkodrës do të takohet kalimthi me Beqir Ballukun. E kishte njohur prej shumë kohëve.
“Si vete social-demokrate?”, e pyet ai, dhe nuk dihet nëse në zërin e tij ka ironi, apo është thjeshtë e shkuara që e ndjek pas.
“Atë që e keni dënuar me ligj, nuk ju takon ta pyesni”!
Cilin ligj?
Në rrugët e qytetit të Rubikut, në fakt është vetëm një rrugë kryesore, gjithë pluhur dhe disa degëzime anësore që të çojnë drejt lumit apo në fillimin e shpatit, nisi të dukej edhe një grua e heshtur, ecte e menduar dhe me hapa të zakonshëm. Nuk shpejtoi asnjëherë. Ishte e qetë në ecjen e saj. Të gjithë e njohin. Është krijuar mes tyre ajo ngushtica që vjen së jashtmi dhe afërsia e brendshme. Ende e hajthme, pas 16 viteve burg, shpesh herë e vetme, krejt fillikat, në një dhomë, po ashtu të vetme, ku duhet të gatuajë, të lexojë, të flejë, të mendojë, të zgjohet, të bëhet gati për punë, të pastrojë rrobat e saj si punëtore ndërtimi, të gjejë kohë për të sjellë ndër mend vite të tjera, të krihet bukur, të shkojë në bibliotekë, i vetmi vend i prehjes së saj.
Në vitet e fundit do të jetë së bashku me një zonjë plakë, që , çuditërisht nuk ka humbur asnjë nga krenaria e saj. Është nëna. Ka pritur gjatë të bijën dhe, kur mendon se mund të jetë edhe më shumë pranë saj, vdes.
Ka lënë pas vetes një shall pis të zi, të punuar me kujdes, që netëve, kur ecte me Musinenë, i mbulonte shpatullat e ngrëna nga koha, mundimet dhe mungesa e djemve.
Kur nëna i ikën nga jeta do të shkruajë në Ditarin e saj:
“ ….nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë se mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di se çfarë është familja. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë…”
Që në fëmijëri kishte kërkuar gëzimin e jetës, tani kërkonte të kundërtën e saj.
Larg, shumë larg prej saj, gruaja e veshur me të zeza, me të njëjtin fat, do të rrinte e ngurosur në pritje të së keqes që mund të kishte ndodhur, apo që, në mos një ditë, një tjetër, mund të ndodhte…
