Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Historia e një ‘qeni të vetmuar’
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Historia e një ‘qeni të vetmuar’
KultureLajmi i fundit

Historia e një ‘qeni të vetmuar’

Published: December 30, 2023
Shpërndaje

Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë e pabesueshme që t’i marrin elementët e tyre më radikalë e më të patrajtueshëm dhe t’i transformojnë në eunukë të butë. Zakonisht procesi nis menjëherë pas vdekjes.

Mark Twain kujtohet gjithmonë si një tip me batutën e mprehtë në udhëtim të përjetshëm në perëndim në lumin Mississippi, ndërsa askush nuk lexon dhe kujton sot polemikat e tij të shkruara lidhur me natyrën e dhunshme të perandorisë amerikane.

Martin Luther King kujtohet për vizionin e tij poetik të fëmijëve që qëndrojnë dorë për dore në një kodrinë të Alabama, por pak kujtojnë se ai thoshte se qeveria amerikane ishte “furnizuesi më i madh i dhunës në botën e sotme”.

- Publicitet -

Por më e madhja e tredhjeve historike përfaqësohet ndoshta nga Jack London.

Jack London është socialisti revolucionar më i lexuar në të gjithë historinë e Amerikës, propagandonte përmbysjen e dhunshme të shtetit dhe vrasjen e liderëve politikë.

Sot kujtohet pse ka shkruar një histori të bukur për një qen. Është njëlloj sikur Panterat e Zeza të kujtohen pas një shekulli pse kanë një tis rozë te bishtalecat.

Nëse qeni i krijuar prej tij e shkelmon përjetësisht në pafundësi Jack London-in nga kujtesa jonë historike, ajo që humbasim është një prej figurave më intriguese dhe më të çuditshme të historisë, një figurë njëherazi eksituese dhe përçmuese.

Gjatë 40 viteve të jetës së tij, djali “bastard” i një spiritualisti me tendenca vetëvrasëse që jetonte në një bidonvil, ishte një i mitur në punë të rënda, një pirat, një lypës, një socialist revolucionar, një racist që pëlqente genocidin, një kërkues ari, një korrespondent lufte, një milioner, një i depresuar me mani vetëvrasëse dhe, për disa kohë, shkrimtari më popullor i Amerikës.

Tek “Wolf: The Lives of Jack London”, biografi i fundit i tij, James L. Haley, e quan Londonin “figurën më të pakuptuar të kanunit letrar amerikan”, ndoshta sepse në fund të fundit është e pamundur ta kuptosh.

London për pak nuk vdiq i vetëvrarë më parë akoma se të lindte. E ëma e tij, Flora Chaney, ishte një histerike e mbushur me urrejtje, që kur zihej me dikë reagonte duke ulëritur sa që dukej se do t’i binte ndonjë infarkt dhe më pas plandosej përdhe. Ishte lindur dhe rritur në një shtëpi të madhe me 17 dhoma, por kur arriti në adoleshencë u largua nga familja dhe shkoi për t’ju bashkuar një sekti fetar që besonte se kishte aftësinë për të hyrë në komunikim me të vdekurit.

Pati një histori me liderin e sektit, William Henry Chaney, i cili kur ajo mbeti shtatzënë e rrahu dhe e urdhëroi të abortonte. Ajo mori një dozë të madhe laudanumi dhe e qëlloi veten në kokë me një pistoletë, e cila – fatmirësisht – nuk shkrepi. Kur shtypi përhapi lajmin, turma e sektit kërcënoi ta varte Chaney-n dhe ajo u zhduk përgjithmonë nga California.

Kur në vitin 1876 lindi Jack në një bidonvil të San Francisco, Flora e quajti “shenja ime e turpit” dhe nuk deshi të kishte të bënte me të. Ia dha një dadoje (dhe skllave të liruar) të quajtur Virginia Prentiss.

Virginia bëri të mundur që Jack London ta kalonte pjesën më të madhe të fëmijërisë së vet duke shkuar e duke ardhur nga shtëpia e saj. E quante “zezaku im i bardhë” dhe “bohçe pambuku”, kurse ai i thërriste “mami”, edhe pse ajo i thoshte gjithmonë që nuk e pëlqente.

“Unë jetova poshtë në bodrumet e shoqërisë, në thellësitë nëntokësore të mjerimit, për të cilin nuk është as e bukur, as e përshtatshme të flasësh”, shkroi ai vite më pas.

Menjëherë pasi kreu shkollën fillore u dërgua të punojë në një fabrikë konservash ushqimore, duke mbushur kavanoza me uthull nga mëngjesi në mbrëmje, të gjitha ditët, për një grusht qindarkash.

E jetoi pjesën tjetër të jetës së tij me terrorin e një bote krejtësisht të mekanizuar, në të cilën qeniet njerëzore janë shërbëtorë të Makinës. Narrativa e tij përshkohet nga uturima e makinës që nxit qeniet njerëzore t’i shërbejnë dëshirave të saj.

Nuk e njohu furçën e dhëmbëve deri në 19 vjeç dhe në këtë pikë dhëmbët tashmë i qenë prishur. London u rrit gjatë depresionit të parë amerikan, duke kaluar nga një punë e padurueshme tek tjetra.

Punonte me lopatë në qymyr derisa trupi i paralizohej nga ngërçet. Tentoi që të vetëvritej një herë të parë me mbytje, por u shpëtua nga një peshkatar. Nisi të vërejë legjionet e njerëzve pa dhëmbë e pa shtëpi që sorollateshin nëpër rrugë, të copëtuar nga puna brutale dhe të braktisur tek vdekja në moshën 40 apo 50 vjeçare.

Fillimisht reagimi i tij qe një individualizëm i ftohtë niçean: do ta gjente një rrugëdalje, këmbëngulte, me forcat dhe me kurajën vetjake të tij. Por në dëshpërimin e Depresionit, në Amerikë po shfaqeshin ide të reja. London thoshte se këto ide ju futën në kokë “me goditje” kundër vullnetit të tij:

“Asnjë shpjegim i ndritshëm i logjikës dhe i pashmangshmërisë së socializmit nuk ka arritur të më influencojë në mënyrë kaq të thellë e bindëse si ditën që kam parë për herë të parë muret e Varrezës Sociale të ngritur rreth meje, kur kam ndjerë se si po rrëshqisja poshtë e më poshtë, deri në shkatërrimin që qëndron në fund”.

Kur në vitin 1894 vagabondët organizuan një marshim në të gjithë Amerikën për të kërkuar punë, London marshoi bashkë me ta dhe u arrestua në Niagara Falls për “vagabondazh”. Kur kërkoi avokat, policia i qeshi në fytyrë. Kur kërkoi të shpallej i pafajshëm, gjykatësi i tha që “të mbyllte gojën”. U vu në pranga dhe u burgos për 1 muaj.

London e kishte ditur gjithmonë se sistemi ekonomik ishte i manipuluar kundër tij, por tani e kuptoi se edhe ligji ishte manipuluar.

Kur në 1894, në moshën 18 vjeçare, u lirua, nisi të organizojë mitingje pasionante nëpër cepat e rrugëve dhe shumë shpejt përfundoi në faqet e para e gazetave të San Françiskos si i “riu socialist” që nxiste punëtorët të rebeloheshin dhe ta hiqnin vendin nga duart e baronëve.

Dikush i ofroi mundësinë që të frekuentonte një shkollë private të nivelit të lartë dhe për një çast u duk e mundshme një rrugëdalje. Por shpejt ju desh që të largohej, pas protestave të prindërve të disa nxënësve, që ankoheshin për influencën dukshëm shkatërruese që kishte ndaj fëmijëve të tyre.

U regjistrua në një shkollë tjetër, por u përjashtua pse kish kompletuar kurrikulumin prej 2 vitesh në 4 muaj, duke lënë prapa, në mënyrë flagrante, fëmijë të tjerë të bardhë.

London ndjehej i poshtëruar dhe i zemëruar. Menjëherë më pas u nis drejt arktikut kanadez, në të cilin thuhej se kishte  flori. Pa kërkuesit e floririt të grupit të tij të vdisnin nga mbytja, i ftohëti dhe skorbuti. Në moshën 22 vjeçare u betua se, po të mbijetonte, do të bëhej shkrimtar, me çdo kusht.

Veprat e para të tij – si “Ujku i detërave” (1904), një roman që flet për një të mbijetuar të shpëtuar nga kapiteni i një anijeje, që më pas skllavërohet dhe torturohet në mënyrë maniakale dhe homoerotike prej tij – injektuan në letërsinë amerikanë një stil zhargoni të vrazhdë e të ashpër që dukej se donte të bënte copa copa Edith Wharton-in e më pas t’ua hidhte ujqërve.

Ishte një stil joharmonik dhe brutal, si makinat me të cilat London kishte pasur të bënte, i ashpër si trojet e betejave të tij. Lexuesit qenë befasuar nga mizoria, nga rreptësia, por edhe nga energjia e ndodhur në shkrimet e tij. I griste manierizmat dhe i zëvendësonte me manitë e tij: personazhet e tij qenë të dhunshëm, arrogantë dhe realë.

Duke lexuar sot veprat e tij shikohet sesi fara letrare e tij është përhapur në të gjithë shekullin amerikan, është e dukshme në veprat e shkrimtarëve më të rëndësishëm amerikane dhe të vendeve të tjera. Ernest Hemingway dhe John Steinbeck ju bashkangjitën vrazhdësisë së tij, duke e imituar. Beat Generation e ndoqi në rrugën e një stili xhazi dhe të improvizuar. George Orwell e ndoqi midis vagabondëve dhe qe distopia londoniane “Thundra e hekur” që ka frymëzuar “1984”.

Të gjithë, nga Upton Sinclair tek Philip Roth, theksojnë se janë influencuar prej tij. Por gjurmët e London gjenden edhe tjetërkund. Mjafton të shikosh figurën e tij joshëse dhe imponuese që të sheh, xhupin prej lëkure dhe sheh Marlon Brando dhe James Dean dekada përpara se të vinte momenti i tyre.

Dora dorës që London u bë më i pasur, idetë e tij politike u bënë më radikale. Shpejt arriti që të apelojë vrasjen e liderëve politikë dhe të thotë se socializmi pashmangshmërisht do të zbarkonte në Amerikë.

Theksonte gjithmonë se ishte një lloj Robin Hood, edhe pse në shtëpi mbante një çetë shërbëtorësh që i vinte në shërbim të vagabondëve dhe të sindikalistëve mysafirë në rezidencën e tij.

Por ka një plagë të mahisur që përshkon konceptimet e tij politike dhe që është e vështirë të injorohet. “Para së gjithash, unë jam një mashkull i bardhë dhe vetëm më pas jam socialist”, thoshte plot bindje. Socializmi i tij ndiqte një politikë aparteidi të ngushtë: ishte i rezervuar ndaj grupit të tij pigmentor.

Të gjithë grupet e tjera etnike, theksonte ai, do të duhet të nënshtrohen… Ose shfarosen:

“Historia e qytetërimit është historia e një ecejakeje; e një ecejakeje me shpatë në dorë, gjeneratash të forta, për të “pastruar” rrugën dhe krasitur të dobëtit dhe më pak të përshtatshmit”.

Kjo ishte një e mirë, pasi sipas tij “ata janë të paaftë që të mbështesin përqëndrimin dhe përpjekjen e gjatë që janë tipari karakteristik i racave të përshtatura më mirë që të jetojnë në këtë botë”.

Po ata që nuk janë “më mirë të përshtatur” për të jetuar në këtë botë?

Në tregimin e tij të vitit 1910, të titulluar “The Uparalleled Invasion”, Shtetet e Bashkuara – me miratimin e qartë të autorit – shpërthejnë një luftë biologjike kundër Kinës dhe shfarosin popullsinë e saj. Pastaj SHBA e pushton Kinën dhe e vë nën zotërim. “Është, – thotë autori, – zgjidhja e vetme e mundshme e problemit kinez”.

Haley, në një biografi që në shumë aspekte është solide dhe kompetente, shfaqet ekstremisht e matur kur flet për racizmin e London. Aty thuhet, se sipas tij, racat duhet “të mbaheshin të ndara”. Në fakt nuk është kështu. Mendimi i shpeshtë i tij ishte se të bardhët duhej t’i vrisnin të gjithë të tjerët.

Si arriti të katandisej në këtë pikë? Nëna e tij ishte një raciste psikotike. E mbërthyer nga paniku prej humbjes së statusit të saj, e gjente përjetësisht poshtëruese të jetuarin përkrah zezakëve.

Edhe London duket se e ndjente impulsin e fortë e identifikimit me njerëzit e “ngecur në abis”. E gjente poshtëruese dhe për këtë kishte nevojë për një klasë me Untermenschen (njerëz inferiorë, shënimi im) akoma më poshtë.

Por në origjinën e tij ishte edhe Virginia Prentiss, që praktikisht e rriti. Nuk mendonte për të kur i krahasonte zezakët me majmunët? Nganjëherë, në një çast të trazuar, një njeri aq elokuent në dhembshurinë e tij ndaj një viktimave të pafajshme, do dukej ta kuptonte se po thoshte diçka të poshtër.

Në një moment, London thotë se forca e socializmit është në aftësinë e tij për të “shkuar përtej paragjykimeve raciale”; por pastaj këto paragjykime kthehen, bile me të njëjtën mizori të mëpasme.

Gjatë vizitës në Ishujt Havai shfaqet i preokupuar për kulturën autoktone, por më pas dëahiron që Shtetet e Bashkuara gjithsesi t’i pushtojnë ato.

Dehjet thuajse konstante me uiski i bëjnë mendimet e tij akoma më pak koherente dhe logjike. Çdo ditë ishte sikur po kërkonte të përfundonte tentativën e vrasjes të së ëmës. Shkroi: “Isha aq i obsesionuar nga dëshira për të vdekur sa që kisha frikë se mos e kryeja aktin gjatë gjumit dhe u detyrova që t’ia dorëzoja revolen time dikujt tjetër me detyrën që ta vinte në një vend ku dora e nënvetëdijes time të mos arrinte ta gjente”.

Largonte depresionin e thellë e të errët me dehjen, punën (shkruante 1000 fjalë çdo ditë) dhe socializmin. Kjo ishte kauza transhendentale e tij. Tregonte se si nisej për në takimet politike nën efektet e dëshpërimit, “për t’u kthyer më pas në shtëpi i rigjallëruar, i lumtur dhe i kënaqur”.

Ishte i kënaqur që shkruante edhe vepra relaksuese, por nuk i konsideronte ato si objektivin drejtues të tij. London do të mrekullohej po të zbulonte se sot kujtohet, pothuajse vetëm, për “Kushtrimin e të parëve” (1903), një roman që flet për një qen.

Një qen subjekt kujdesi i të gjithë shtëpisë ku jetonte, por që rrëmbehet dhe detyrohet të shërbejë si qen slite në Alaskë. Në fund arratiset dhe shkon të jetojë me ujqërit.

Si pothuaj gjithë heronjtë e London, qeni është i shtrënguar të jetojë në një mjedis të vështirë e të urryer, i detyruar që të luftojë për të mos ngordhur.

Historia përmban një mesazh proto – ambientalist: nuk mund t’i shpëtojmë natyrës që, pavarësisht si dhe sa dukemi të civilizuar, herët a vonë do të na thërrasë të gjithëve.

Por e shkruara i erdhi duke u përkeqësuar paralel me veshkat e tij. Sa më shumë qëndronte larg nga realitet brutal, aq më shumë stili i tij zbehej dhe bëhej një stil manierist: pikërisht atë stil që ai do të donte ta shpartallonte me grushte.

Pikërish në kohën kur “Kushtrimi i të parëve” po bëhej një bestseller i letërsisë amerikane, editorialistët filluan të pyesin nëse London ishte rrasur tashmë në burg apo ishte syrgjynosur.

Në moshën 40 vjeçare kishte mbaruar. Merrte morfinë për të qetësuar dhimbjet e mëlçisë dhe veshkat që i digjnin nga pija. Teksa vetëvritej më uiski, rritej tek London zemërata se Shtetet e Bashkuara nuk po bëheshin ajo republikë socialiste që ai kishte profetizuar. “Nganjëherë arrij të urrej masat dhe të tallem me këto ëndrra reforme”, i shkroi një shoku.

U dorëhoq nga Partia Socialiste duke thënë se ishte tejet e moderuar e reformiste dhe se  duhej të ndërmerrte veprime të forta të drejtpërdrejta; por vetë ai nuk ndërmori as edhe një.

I përzënë tashmë edhe nga kauza e tij shpëtimtare, vdiq një vit më vonë. Shërbëtori e tij e gjeti duke dhënë shpirt. Përkrah tij, një copë letër me llogaritjen e sasisë së nevojshme të morfinës që duhej marrë për të vdekur.

Pas 40 vjetësh, plumbi i Flora Chaney kishte qëlluar në shenjë. Tani, a nuk meriton kjo histori që të kujtohet, si diçka më shumë se historia e një qeni vetmitar?

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Shqipëria e bukur është në shesh
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese
  • “E keni kokën e mbushur plot me gënjeshtra”, Rama përplaset me gazetaren nga Rumania
  • MPJ e Iranit këshillon Ramën “të qetësohet”: Trego respekt për popullin tënd, mos na përdor ne si kokë turku
  • Zbardhet zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, u mor peng dhe dyshohet se është ekzekutuar

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  2. nastradini on Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  3. Shko mër debil on Shqipëria e bukur është në shesh
  4. Bruno on Rama i përgjigjet Iranit: Ju nuk mund ta falni Shqipërinë për atë që bëmë
  5. Toni on Rama kapet sërish me influenceret: Nxisin racizëm ndaj emigrantëve filipinezë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?