Nga Johana Lubonja
Në vijim po botojmë një bisedë të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke me profesor Fatos Tarifën, një nga zërat më të njohur të mendimit kritik në jetën publike shqiptare.
Në këtë intervistë, Tarifa shpreh gjykime personale, të forta dhe të argumentuara mbi figurat kryesore të politikës shqiptare dhe ndërkombëtare, duke vënë në raport postin me njeriun dhe pushtetin me përgjegjësinë morale.
Lexuesi do të ndeshet me analiza që nuk synojnë konsensusin, por nxitjen e reflektimit mbi gjendjen e demokracisë, përfaqësimit politik dhe lidershipit, në një kohë kur pyetjet për legjitimitetin dhe integritetin e pushtetit janë më aktuale se kurrë.
Profesor, dëshiroj të marr mendimin tuaj, këtë herë për disa personalitete politike të vendit dhe të huaja. Ju njiheni për kurajën qytetare dhe intelektuale dhe unë besoj se pikëpamjet tuaja mund të jenë me interes për lexuesit e kësaj gazete.
Dakord, por dua të sqaroj se gjykimet që unë shpreh janë të miat dhe mbështeten në ato çfarë unë kam dëgjuar e dëgjoj nga këta individë në publik dhe në ato që unë shoh se ata bëjnë dhe si sillen. Me fjalë të tjera, i pandikuar nga gjykimet dhe vlerësimet e të tjerëve.
Sigurisht. Ta nisim me Presidentin e vendit.
Mban funksionin zyrtar më të lartë të Repulikës, si Kreu i Shtetit, por unë mendoj se i mungojnë aftësitë për ta kryer me dinjitet atë funksion, në të cilin është zgjedhur rastësisht, pa meritë. Nuk shoh asgjë presidenciale në personin e tij, çka sugjeron një mospërputhje mes pritshmërive simbolike të postit dhe individit që e mban atë.
Kryeministri?
Duket se ka zënë rrënjë në zyrën që mban dhe nuk shkulet nëse ato rrënjë s’i priten. Në punën që bën, formën pak gjë e lidh me përmbajtjen. Persona e tij publike, në kuptimin jungian të fjalës, karakterizohet nga narcizmi dhe arroganca e tejskajshme. Pushteti i tij politik është pushtet numerik, por jo demokratik. Legjitimiteti i tij është vënë në pikëpyetje. Pasiguria dhe frika e bëjnë të mos e lëshojë pushtetin po aq sa edhe dëshira e pangopur për të.
Kryetari i Kuvendit?
Askush nuk e di se nga doli, edhe pse ka mbajtur poste shumë të larta në qeveri. Nese doni të dini se ç’fytyrë ka mediokriteti në politikë, këtë e gjeni tek ai.
Deputeti (si emër i përgjithshëm)?
Paradoksi më i madh i demokracisë sonë të brishtë. Nuk përfaqëson vullnetin dhe interesat e qytetarëve, por thjesht ato të kryetarit të partisë së vet. Shumica e deputetëve nuk dinë të mendojnë; një pjesë e madhe nuk dinë të flasin, shumë prej tyre nuk dinë as të lexojnë ato ç’kanë shkruar vetë, ose ç’ju kanë shkruar të tjerët. Përgjegjësitë e tyre si ligjvenës janë shumë të mëdha dhe mund të maten vetëm me dëmin kolosal që i bëjnë vendit dhe interesit publik me paditurinë dhe paaftësinë e tyre. Privilegjet që kanë? Të shumta. Më i madhi është pensioni që do të marrin (qofte edhe per 1 mandat të vetëm), i cili është shume më i madh sesa pensioni i qindra mijë shqiptarëve që i kanë kontribuar këtij vendi për dyzet vite me radhë. Reputacioni i tyre shoqëror? Për një pjesë të madhe thuajse zero.
Ministri (si emër i përgjithshëm)?
Një individ i emëruar nga kryeministri. Kaq. Shumica e tyre tërësisht të paprovuar për kontribute në parti dhe krej të panjohur në publik. Të paktë janë ata që, deri më sot, kanë marrë ndonjë nismë produktive apo kanë lënë ndonjë gjurmë në qeverisje. Një ndër arsyet është mandati i tyre i kufizuar në krye të dikastreve që drejtojnë, sepse kreu i vërtete i çdo dikasteri është jo ministri, por vetë kryeministri. Shumë prej tyre kanë qenë e janë lehtësisht të korruptueshëm.
Kreu i opozites politike në vend?
Një individ që nuk ka me vend në politikën e sotme shqiptare. Prania e tij e pengon organizimin e një opozite të vërtetë.
Donald Trump?
Unë i dua Amerikën dhe popullin e saj. Kam jetuar e punuar për shumë vite në atë vend dhe kam shumë miq atje. I dua arsimin e larte, shkencen dhe kulturën e atij vendi. Kam fituar gradat MA dhe PhD dhe kam dhënë mësim në universitete të atij vendi. I çmoj ç’ka bërë Amerika për Europën pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, per Shqipërinë dhe shqiptarët, por DJT në krye të adiministratës së sotme amerikane është një fatkeqësi për Amerikën dhe popullin e saj dhe një rrezik për fatet e globit.
Kryeministri i Shtetit të Israelit?
I akuzuar si kriminel lufte. I padëshiruar thuajse në çdo vend europian, ku rrezikon të arrestohet, përveç Hungarisë së Orbanit. Jam kurioz nëse kryeministri ynë do ketë kurajën ta ftojë homologun e tij israelit të vizitojë Tiranën për ti dëshmuar mikpritjen e shqiptarëve, këtë virtyt të çmuar të popullit tonë, për të cilin u mbajti një leksion të gjatë antropopolitik anëtarëve të parlamentit të Israelit.
