Kozara Kati, një emër i njohur i shoqërisë civile në Shqipëri është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të 10 tetorit.
Në një intervistë të dhënë në 2012 Kozara ka folur për jetën e saj që njohu dy ekstremet. Kur ishte fëmijë dhe shëtiste botën kapur pas dorës së të atit, ish-ministrit Vasil Kati, me siguri mendonte se për të, jeta do të ishte e buzëqeshur gjithmonë. Do kryente studimet, do zinte një punë, do krijonte familje, pra do ndiqte me përpikëri ritualin që të ofronte jeta e viteve ’70.
Por gjithçka u përmbys nga arrestimi i të atit. Kozara Kati bashkë me nënën, motrën, vëllain dhe djalin dyvjeçar pas martesës së ndërprerë, u internuan. Jetuan në internim për 15 vite gjatë të cilave babain e takonin vetëm në burg.
Intervista e mëposhtme është marrë ndërsa Kozara vizitonte ish-të persekutuarit politikë në grevën e tyre të urisë në nëntor 2012.
Kozara ishte një eksperte e trajnuar për viktimat e torturës dhe rehabilitimit te tyre. E pyetur asokohe për ish-të persekutuarit dhe atë që erdhi pas ’90, ajo tha:
“Çdonjeri e përjeton dhe e vuan në mënyrën e vet. Kam diskutuar me njerëz të ndryshëm qe vijnë nga shtresa e persekutuar, të vuajtur, të torturuar, te stresuar, te traumatizuar, te aftë e të paaftë.
Pa përjashtim, të gjithë janë viktima te torturës dhe duhen ndihmuar. Jeta është e shkurtër, por nuk është kurrë shumë vonë. Kjo është dhe lidhja ime me grevën e urisë. Eshtë një lidhje vuajtjesh, solidariteti, respekti, besimi dhe përgjegjësie.
Jam dhe do vazhdoj te jem kudo ku protestohet për të drejtat e njeriut“.
Më poshtë, pjesë nga kjo intervistë:
Për shkak të pozitave të babait, fëmijëria juaj ka qenë e lakmuar nga shumë bashkëmoshatarët tuaj. Na tregoni për të…
Në atë moshë, sigurisht që nuk e kupton këtë gjë, pavarësisht që jeton ndryshe nga të tjerët. Fëmijëria ime ka kaluar duke shëtitur nga një vend në tjetrin. Shkollën pas fillores e kam kryer në Moskë, sepse babai u emërua atje si përfaqësues i Shqipërisë në Këshillin Ekonomik të Vendeve të Lindjes. Atje isha shoqe klase me Svjetllana Vasilvjena Stalin, mbesën e Stalinit. Edhe apartamentet i kishim në të njëjtin kat.
Pra, kishit edhe hyrje-dalje në shtëpi. Ç’kujtoni nga ajo shtëpi?
Për gjyshin, Stalinin, ajo nuk fliste shumë, as edhe familja e saj. Kujtoj vetëm që na tregonin për dhuratat që u kishte bërë. Mbaj mend një piano të vogël, kristale, disa orendi me vlerë si një bufe me dru trëndafili. Vonë mësova që të atin Svjetllana e kishte në burg, por sa ishim atje, nuk e zunë kurrë në gojë. Edhe pas largimit nga Moska vazhdova korrespondencën me të derisa për shkakun tim u ndërpre, erdhi koha që nuk mund t’i çoja më letra. Pas viteve ’90 kam mësuar që familja e tyre ishte shuar tragjikisht.
Sa kohë qëndruat në Moskë?
Për shkak të prishjes së marrëdhënieve më ’61-shin, u larguam. Shkuam në Pekin, ku im atë u emërua sërish si përfaqësues i tregtisë së jashtme.
Në Kinë keni qenë më ë madhe në moshë, mund të përftonit e shijonit më shumë prej atij vendi të largët…
Edhe pse në Moskë isha më e vogël, arrita të shoh e të njoh shumë, jam njohur atje me veprat e klasikëve të mëdhenj, kam ndjekur jetën artistike të qytetit, muzikën, baletin, galeritë. Kam qenë me klasën në Sheshin e Kuq pasi u kthye Juri Gagarin nga kozmosi. Ishin gjëra që i shihja për herë të parë dhe kujtimet ngelen të skalitura përgjithnjë.
Në Kinë na futën së pari në një shkollë ruse, për shkak të gjuhës. Pastaj u hap aty brenda komunitetit një shkollë shqiptare. Një mbresë e asaj kohe është që i kam dhënë dorën perandorit të fundit, kam parë Mao ce Dunin, kam bërë një tur nëpër qytetet më të bukura të Kinës. Kujtoj një drekë ku për shkak të traditës duhet të hanim 30 lloje ushqimesh e kur, pas këtyre 30-tëve, na vjen dhe ëmbëlsira aspak e shijshme, e morëm me vete dhe bëmë sikur e harruam në tren. Na e sollën përsëri në hotel të nesërmen në mëngjes.
Por nga Kina nuk kam vetëm kujtime të bukura. Në kohën që ishim atje, ndodhi një ngjarje mjaft e rëndë për Shqipërinë. Një avion i nisur për Tiranë u dogj ne Aeroportin e Irkutskut, me 7 shqiptarë brenda. Ishte në të Felek Malile bashkë me dy fëmijët, Miranda dhe Besniku, poeti i madh Drago Siliqi, Xhafer Bakllamaja me gruan Nadire dhe djalin e tyre të vogël, Gimin. Ime më i pati përcjellë kur u nisën e kur mësuam lajmin, përjetimi ishte shumë i dhimbshëm. Jetonim të gjithë bashkë atje. Ka qenë i tmerrshëm momenti kur i kanë sjellë në Pekin.
Kaluam menjëherë te jetesa jashtë, pa folur për familjen…
Unë kam lindur këtu në Tiranë, im atë nga Labova e Kryqit të Gjirokastrës, ndërsa mamaja nga Korça. Babai ka qenë pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, komisar batalioni, e në ’45-n komisar politik në qarkun e Vlorës. Më vonë erdhi në Tiranë ku u emërua në poste drejtuese si ministër Ekonomie, zv/ministër, ministër i Tregtisë.
Kur u rikthyem në Tiranë në 1964 unë shkova në gjimnazin “Petro Nini”. Ka qenë kohë shumë e bukur, sepse ishim klasë kompakte, kishim njëkohësisht tensionin e studimeve, por edhe kohën e humorit e argëtimit. Kanë qenë në atë klasë shumë emra, që janë bërë të njohur në fusha të ndryshme: Mariglen Spiro, Svjetllana Dume, Skënder Gjinushi, Pal Xhumari, Maks Mema, Ilir Hoxha, Gux Bekteshi, Pavli Zëri, Shpresa Shamblli, Iskra Qafzezi e shumë të tjerë.
Domosdo që do ishit klasë e mirë, mes jush ka qenë djali i Enver Hoxhës, ku duhet t’i kenë pasur të gjithë sytë asokohe
Në fakt, mes nesh kjo gjë nuk është ndier. Unë nuk kam vënë re ndonjëherë që Iliri të demonstronte shenja superioriteti. Ishte nxënës si gjithë të tjerët, mesatar në rezultate, nuk mund të them që ndriste, edhe pse nuk shquhej për ndonjë ambicie.
Po që “ndrisnin” ka pasur, përderisa disa emra kanë qenë të dëgjuar në gjithë këto vite…?
Po ka qenë një absolut, Skënder Gjinushi. Ishte gjeniu i matematikës që zgjidhte në mënyrë ekzemplare të gjitha ushtrimet pa ia hedhur sytë teorisë. Atëherë thuhej, kur ishim në vit të parë, që zgjidhte edhe ushtrimet e motrave të tij që ishin në vit të katërt. Mblidheshim përpara provimeve e zgjidhte ushtrimet për të gjithë. Merret me mend që gjeni të tillë ishin të ndarë në kategori, ai i përkiste vetëm matematikës, sepse në degët e tjera merrte 4-ra, por përsëri buzëqeshte.
Ç’ndodhi me ju pas gjimnazit?
Shkova në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku u diplomova për Gjuhë Shqipe dhe Angleze, ashtu ishte diploma e atëhershme. Ndryshe nga gjimnazi, shoqëria e kësaj periudhe nuk mund të ishte më e njëjtë, megjithatë ishte koha e formimit akademik. Falë pedagogëve të asaj kohe unë u ndjeva e zonja më pas, kur u bëra vetë mësuese te Shkolla e gjuhëve të huaja. Ka qenë një punë që e kam gjetur veten shumë mirë.
Por në ’75-n u përmbys gjithçka kishim ndërtuar gjatë gjithë jetës. Im atë u arrestua me grupin ekonomik bashkë me Kiço Ngjelën e Avdyl Këllezin si poliagjent që dëmtoi vendin. Asnjë nga këto akuza nuk u vërtetua ndonjëherë, por dënimi u dha sidoqoftë, u dënua me 15 vite burg. E nisi nga Ballshi, Zejmeni e përfundoi në Qafë-Bari.
Pas burgosjes së tij do të merreshin masa edhe për familjen patjetër. Na çuan në fshatin Ndërnënas të Fierit ku vdiq edhe ime gjyshe, sepse nuk erdhi askush ta kuronte për sëmundjen që kishte e mandej na çuan në Kotë të Vlorës, më pas akoma në Sheqës të Beratit.
Si jetonit?
Jetonim në një dhomë të vogël, aty flinim të gjithë. Hanim bukë misri, një herë në kaq kohë mund të merrnim edhe 1 kg qumësht dhe për Vit të Ri ndoshta një gjel deti, që dukej i bukur, por brenda ishte krejt i zi. Kemi bërë vajin vetë me këmbë nëpër govata, jemi lagur në shi sepse hynte brenda uji, kemi pasur probleme shëndetësore dhe asnjë mjek të na shihte, kemi punuar në kanale, në prashitje e kudo ku na vinin. Megjithatë, këto gjëra janë të sikletshme për t’u kujtuar.
Babain shkonit ta takonit?
Shkonim patjetër, duhet të punonim edhe për të mbajtur atë. Të gjitha bisedat ishin krejt familjare, sepse merret me mend që ishim të vëzhguar në çdo kohë e nuk mund të flisnim qoftë edhe për të mësuar arsyen e gjithë asaj që na ndodhi. Babai na shkruante shpesh letra, për raste ditëlindjesh apo festa të tjera. Kur ai u burgos, mësuam edhe prirjen e tij për të shkruar poezi apo fragmente të shkurtra që na gëzonin domosdo. Kur doli nga burgu, me gjithë ato letra ai realizoi një libër të vogël.
Babai pati fatin që të jetonte ende për disa vite me ju pasi doli nga burgu. Në këtë kohë nuk ju ka treguar për gjithë pikëpyetjet që kishit pasur?
Së pari, babai kishte ndryshuar mjaft pas daljes nga burgu. Distanca kishte bërë të sajën. Ai zotëri i gjatë e i fortë që kujtonim tashmë ishte kërrusur, ishte zbardhur e kishte rënë në peshë. Ai kurrë nuk na tregoi, nuk donte të tregonte, për 2 vitet e torturave në hetuesi për të mos na mbushur me ndjenjën e hakmarrjes, të urrejtjes.
Askush nuk do mjaftohej me këtë qëllim të tijin, edhe pse mund të jetë e drejtë…
Patjetër, as ne nuk e bëmë. Na kanë treguar mjaft miq të tij, me të cilët babai fliste më shumë për torturat çnjerëzore që i bënin ekipet drejtuese të hetuesisë për të pranuar akuzat. Kujtoj njëherë na sollën me time motër në burgun e Tiranës dhe na thanë të prisnim se do vinte dikush të na takonte. Pas dy orësh erdhën e thanë se takimi nuk do te bëhej. Kur doli, e pyetëm rreth situatës dhe na tha se ishte duke na parë nga kati i tretë i shoqëruar nga hetuesit që i thoshin se ja ku i ke vajzat, nëse nuk pranon, nuk do t’i kesh më. Pasi ka kaluar e ka jetuar me këtë frikë, asgjë nuk i janë dukur të tjerat.
Në fakt, ju, a u ndjetë ndonjëherë të kërcënuar?
Disa herë, por sot nuk dua të flas për këtë.
Ç ‘ndodhi me ju kur u gjendët sërish të lirë?
Pas daljes nga burgu të tim eti, gjëja e parë që bëmë ishte të çonim time gjyshe në Labovë, ku kishte lënë amanet ta varrosnim. Në burg, babai kishte mësuar për vdekjen e saj përmes letrave, na kërkonte që ajo t’i shkruante qofte edhe një fjalë e ne u detyruam t’i tregonim. Në ’91-shin u gjendëm të gjithë pa punë, pa të ardhura, pa shtëpi e me familjen për të mbajtur. Në këtë kohë unë u angazhova me motrat e Nënë Terezës dhe e konsideroj nder që kam mundur ta takoj e të qëndroj me të. Më thoshte se do më merrte në Kalkuta dhe kujtoj se sa mirë ndihesha nga këto fjalë.
Ndërkaq ju u bëtë edhe pjesë e një organizate, krijuar nga ish-të burgosurit politikë
Po. Në momentin që ishin të lirë, ish-të burgosurit kuptuan nevojën e një bashkimi, sepse i lidhte kalvari i vuajtjeve dhe interesi për t’u rimëkëmbur. U krijua kështu një shoqatë që përfshinte këtë shtresë që kërkonte rehabilitim moral, mendor e material. Shoqata u ngrit e nisi kështu edhe sensibilizimi i opinionit kombëtar e ndërkombëtar derisa, vit pas viti, u degëzua në shumë shoqata të vogla. Në këtë kohë unë u largova e nisa të merrem me punën që bëj ende edhe sot.
Në një takim me Këshillin e Europës, lidhur me rehabilitimin e viktimave te torturës, kam takuar një zonjë norvegjeze, Berit Backer, njohëse shumë e mirë e problemeve të Shqipërisë në diktaturë, si dhe e shqipes. Ajo donte të ndihmonte këtë shtresë dhe për këtë do kishte projekte që lehtësonin jetën e tyre. Ishte ajo që më propozoi të punoja me të e të nisja kështu një punë të mirëfilltë, sepse aty nisa të mësoj gjëra krejt të reja.
Sot, një rrugë në Tiranë mban emrin e asaj zonje, e cila mbeti e vrarë vetëm pak kohë më pas, më 7 mars 1993. Berit kishte adoptuar edhe një fëmijë, Besmirën nga Vlora, që sot është 22 vjeç e jeton në Norvegji. I ndihem borxhlije jo vetëm për mundësinë që më dha, por edhe kontributin që i ka dhënë si Shqipërisë, ashtu edhe Kosovës.
Lufta e Kosovës ka qenë një tjetër ngjarje që e keni ndjekur nga afër, apo jo?
Nga më të dhimbshmet. Është një rast që shpresoj të mos përsëritet më kurrë e që askush nuk e mendonte t’i ndodhte kaq afër. Asnjëherë nuk e kemi marrë vesh se sa njerëz erdhën gjatë asaj kohe në Shqipëri, nuk dimë sa ishte numri i saktë.
Kam parë me sy vuajtjet dhe pasojat e asaj ngjarjeje dhe ne kemi kontribuar në rehabilitimin psiko-social dhe shëndetësor të tyre. Aty kam parë se si funksionon rrjeti mafioz i organizatave ndërkombëtare që me të mbaruar lufta u larguan dhe u instaluan në Kosovë. Ditët e para të çlirimit të Kosovës kam parë fushat e rrethuara që paralajmëronin zonat e minuara, thasët e zinj me trupa të vdekur që ende, kur shoh këta lloj thasësh, rrëqethem. Qytete në flakë, pamje që s’besoja se do i shihja ndonjëherë.
—–
Biseda është bërë në nëntor 2012. Ribotohet në DITA pas ndarjes nga jeta të së ndjerës