Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Kamala Harris si Common Sense – Zgjedhjet në Amerikë, një luftë politike e kulturore
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Kamala Harris si Common Sense – Zgjedhjet në Amerikë, një luftë politike e kulturore
AnalizaLajmi i funditopinion

Kamala Harris si Common Sense – Zgjedhjet në Amerikë, një luftë politike e kulturore

Published: July 26, 2024
Shpërndaje

Nga Fatos TARIFA

Botuar në Dita

Zgjedhjet në më shumë se 60 vende të botës që janë zhvilluar, ose do të zhvillohen gjatë vitit 2024 kanë ndikuar e do të ndikojnë shumë jo vetëm në zhvillimet e brendshme të atyre vendeve, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare e në politikën globale. Sidoqoftë, zgjedhjet e asnjë vendi, as ato për Parlamentin Europian në qershorin që shkoi, nuk kanë pasur e s’mund të kenë atë rëndësi dhe atë efekt mbi zhvillimet e ardhshme në planetin tonë se sa zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që do të mbahen në 5 nëntor të këtij viti. Pse? Përgjigjja është e thjeshtë: Për atë që Amerika është dhe atë që ajo përfaqëson.

- Publicitet -

Për këto zgjedhje shkruaj sot. Dhe shkruaj nga një perspektivë e ndryshme nga ajo që shoh e dëgjoj të shkruajnë e të flasin një pjesë e mirë e “analistëve”, e “opinionistëve”, e “panelistëve” dhe nuk e di se cilët “istë” të tjerë në disa organe shtypi dhe në disa prej studiove televizioneve.

Pasi i shpjeguan me kompetencë të plotë rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, ato në Britaninë e Madhe dhe në Francë, efektet e tyre për të ardhmen e BE-së, të vetë këtyre vendeve dhe të aleancës transatlantike, tani sytë, vëmendjen dhe spekulimet e tyre shumë nga këta analistë i kanë kthyer nga Amerika, nga përplasja mes ish-presidentit Trump dhe presidentit Biden deri pak ditë më parë dhe, nga dita e djelë e këtej, nga gara që sapo ka nisur mes z. Trump dhe znj. Kamala Harris, zëvendëspresidente dhe kandidatja demokrate për kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Një pjesë e mirë e komenteve dhe e analizave që lexojmë ose dëgjojmë për zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara—dhe këto nuk janë zgjedhje vetëm për postin e presidentit, por edhe zgjedhje për guvernatorë në 11 shtete dhe në 2 territore të atij vendi, për 33 vende në Senatin amerikan dhe për të gjitha (435) vendet e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit—si dhe parashikimet për shanset e kandidatëve në garë, janë shumë herë të painformuara dhe, në disa raste, tejet irracionale.

Për shumë nga ata që janë të mirinformuar, që i ndjekin nga afër e seriozisht zhvillimet politike në atë vend si pjesë e punës që bëjnë dhe e profesionit që kanë—studjues të marrëdhënieve ndërkombëtare, apo të shoqërisë e të politikës amerikane, ushqej respekt; për disa nuk kam ndonjë vlerësim, shumë të tjerë nuk i kam njohur e nuk i njoh. Një pjesë e tyre janë “prurje” të reja, jo thjesht nga mosha, për të mos thënë “talente të reja”, siç thuhet për ndonjë poet, prozator apo historian që kujtohet të shkruajë e të botojë librin e parë në moshë të thyer.

A schoolboy knows better

Ndër këta të fundit bën pjesë edhe ndonjë ish-diplomat. Një të tillë e kemi parë shpesh kohët e fundit të shfaqet thuajse në çdo studio televizive e të prezantohet herë si ish-ambasador, herë si ekspert i marrëdhënieve nbdërkombëtare, herë si ekspert i politikës së jashtme dhe herë të tjera si të gjitha këto kualitete së bashku, pa qenë asnjëri, as tjetri prej tyre.

Dje, siç më thanë—sepse unë vetë nuk kam as kurizotet, as durim ta dëgjoj se ç’thotë—nga studioja e nje televizioni ky ish-diplomat/ekspert i shpjegonte publikut shqiptar se të gjitha çështjet ligjore për të cilat është akuzuar dhe akuzohet z. Trump në Shtetet e Bashkuara janë “sajesa të demokratëve” dhe se akuzat e tyre ndaj tij kanë dalë “bllof”.

Ky “ekspert” i çdo gjëje politike dhe amerikane e siguronte publikun tonë se z. Trump e ka të sigurt fitoren në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit përballë kandidates demokrate Kamala Harris. Këtë të fundit, ky “ish-diplomat/ekspert” e konsideron “të kufizuar”, “me nivel të diskutueshëm” e të tjera gjëpora si këto.

Mbi të gjitha, me siguri gati të plotë, ky “ekspert” dha “sihariqin” se nëse në nëntor fiton z. Trump, sekretari i Shtetit që do të zëvendëzojë z. Antony Blinken në atë post do ia heqë Sali Berishës statusin e personait non grata.
Sa i mençur ky ekspert! Si e ka mësuar paraprakisht se do të ndodhë kështu! Even a schoolboy knows better.

Edhe një herë për shqiptarët “pro-Trump”

Por le t’i lemë për një çast analistët dhe ekspertët e këtij lloji. Ata ushqehen me thashethemet e kafeneve dhe jetojnë në botën e iluzioneve tyre. Unë nuk arrij ta kuptoj se si disa prej tyre, qytetarë shqiptarë, e “duan” z. Trump, përsëri në Shtëpinë e Bardhë, edhe pasi ai humbi në zgjedhjet e katër viteve më parë. Për më tepër sot, kur mbi të rëndojnë akuza të rënda për ngjarje që kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Shteteve të Bashkuara dhe kur një juri në Manhattan e shpalli atë fajtor për 34 shkelje të ligjit.

Shqiptarë si këta janë jo të paktë. Ata i gjen në radhët e mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë, por gjen shumë prej tyre edhe brenda vendit, madje edhe në ndonjë studio televizive. “Unë jam republikane”, më shkruante dje një shqiptare që vetëm pak kohë më parë është vendosur në New York, “dhe nuk ndryshoj. Nuk mund ta mbështes këtë kandidate [Kamala Harris] për arsyet e mia”.

Sa e çuditshme! Vetëm pak kohë si emigrante në Shtetet e Bashkuara dhe kjo shqiptare u bë një “republikane” amerikane! Dhe ka “arsyet e veta” të mos e pëlqejë znj. Harris! Për më tepër, një republikane që “nuk ndryshon”, a thua se ka qenë tërë jetën republikane dhe ky tipar politik identitar është bërë pjesë a AND-së së saj! Sa keq për të.

Aftësia për të ndryshuar dëshmon shkallën e inteligjencës së një njeriu, thoshte Ajnshtajni. Unë gjithnjë e kam ditur—dhe shumë studime empirike kanë provuar—se sjellja elektorale e njerëzve është jo vetëm një zgjedhje racionale e tyre, por edhe një zgjedhje emocionale, në ndonjë rast, si në rastin në fjalë, më shumë kjo e fundit.

Edhe më parë kam thënë se unë nuk arrij të kuptoj se si shumë shqiptarë, këtej dhe përtej Atlantikut, mundet të preferojnë emocionalisht një kandidat si z. Trump. Çfarë emocionesh pozitive mund t’u ngjallë ky njeri shqiptarëve si një individ, ose si një politikan, nëse ideologjia dhe retorika raciste e supremaciste e tij, e kamufluar si patriotizëm me slogani “Make America Great Again”, nuk u kanë errësuar sytë e nuk u kanë shplarë trutë!

“Racionalisht”? Ka prej tyre, siç kam dëgjuar të shprehen disa, që preferojnë dhe mbështesin z. Trump sepse janë “antikomunistë” dhe kundër së Majtës këtu në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara! Por se ç’lidhje ka Donald Trump, një pragmatist i paprinciptë, deri dje një liberal i majtë dhe një mbështetës i znj. Hillary Clinton në vitin 2008, kur ajo ishte në garë për t’u nominuar si kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të atij viti këtë nuk dinë ta thonë. Ata thjesht janë antikomunistë dhe, by default, trumpistë.

Edhe më absurde është identifikimi prej tyre i së Majtës amerikane me të Majtën shqiptare, socialistët e sotëm, dhe shenja e barazimit që venë mes së Djathtës në Amerikë (edhe asaj më ekstreme, përfshirë supremacizmin e bardhë të krishterë të evangjelistëve) dhe të Djathtës në Shqipëri, për të cilën pak njerëz dinë të na thonë se çështë dhe ç’përfaqëson.

Nën peshën empocionale të një konfuzionin të tillë ideologjik—dhe shumë prej tyre krejt të painformuar (për të mos thënë injorantë) sa i përket traditës historike dhe realiteteve politike, ekonomike, demografike e ideologjike në Shtetet e Bashkuara)—shumë analistë dhe emigrantë “pro-Trump”, “me shumë zell, por me pak arsye”, siç do të thoshte Shekspsiri, përpiqen të na mbushin mendjen se këtë vit, demokratët nuk kanë “asnjë shans” të fitojnë, ndërsa është “e sigurt” se Trump do të ngjisë sërish shkallët e Shtëpise së Bardhë. Zoti mos e dhëntë!

Mendjengushtësia, padituria, miopia politike dhe konfuzioni ideologjik i prengon shumë prej tyre të shohin e të vlerësojnë qartë realitetin e gjërave. Më poshtë dëshiroj të ndalem në disa çështje që kanë të bëjnë me rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe me vetë të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.

Projekti i demokratëve

Me pak fjalë, projekti i demokratëve në këto zgjedhje është ai i një Amerike që do të vazhdojë të mbetet Amerika që kemi njohur deri më sot—fuqia ekonomike e ushtarake më e madhe e planetit, një demokraci vibrante që ngrihet mbi parimet e shtetit ligjor që projektuan themeluesit e atij vendi, një aktor vendimtar në zgjidhjen e çështjeve më të mëdha të globit dhe lider i botës së lirë, një partner i domosdoshëm në aleancën që mbron e garanton sigurinë dhe paqen në Europë, në rajonin e Atlantikut, në Paqësor dhe në Oqeanin Indian.

Pa rolin e një Amerike të tillë, e cila, sigurisht, edhe për interesat e veta kombëtare, përballon kostot njerëzore e materiale më të mëdha për një sërë të mirash publike globale (global public goods), të mira nga të cilat përfitojnë jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe kombet e tjerë. Të mira të tilla globale janë, fjala vjen, siguria dhe liria e rrugëve detare nderkombetare që garantohen nga flota amerikane.

Këto janë të mira që u shërbejnë të gjitha vendeve të globit pa qenë të detyruara që këto vende të paguajnë për to. Siç shprehet Josef Joffe, Shtetet e Bashkuara i shndërrojnë “interesat [e tyre] kombëtare në të mira publike ndërkombëtare”, të cilat nuk janë në gjendje t’i ofrojnë asnjë grup shtetesh dhe asnjë organizatë ndërkombëtare.
Sa i përket politikës së brendshme, siç u shpreh dje Kamala Harris në Indianapolis, demokratët synojnë të mbrojnë me vendosmëri parimet e shtetit ligjor që i trajton të gjithë shtetasit si të barabartë para ligjit, të mbrojnë të pacenuara liritë dhe të drejtat njerëzore për të gjithë qytetarët amerikanë, sidomos të drejtat riprodhuese për gratë, të përmirësojnë gjendjen ekonomike të shtresave më në nevojë dhe shërbimet për kujdesin shëndetsor të të gjitha kategorive, veçanërisht fmijëve e të moshuarve etj.

Trump: 21 gënjeshtra çdo ditë

Jam i sigurt se pjesa më e madhe e shqiptarëve “pro-Trump” këtu apo në radhët e emigrantëve shqiptarë në Amerikë që e mbështesin atë ose kanë votuar e do të votojnë për të, dinë pak, ose aspak për programin politik nga udhëhiqet fushata elektorale e z. Trump, program që do të përcaktojë tërë veprimtarinë e administratës së dytë të tij nëse ai zgjidhet president.

Ky program tashmë ka një emër: “Project 2025”. Edhe pse z. Trump thotë se ai vetë nuk di shumë për këtë projekt, ky dokument prej 900 faqesh, i hartuar dhe publikuar nga Heritage Foundation, një organizatë konservatore think tank në Washington, D.C., ai është një blueprint për tranformimin e qeverisë federale në SHBA në rast se Trump zgjidhet president. Titulli me të cilin është publikuar ky projekt është dometh ënës: Mandate for Leadership: The Conservative Promise 25.

A mund të besohet se z. Trump nuk di asgjë për këtë dokument, i cili është hartuar si “projekti për tranzicionin e presidencës më 2025” nga disa prej njerëzëve më të afërt të tij e që kanë punuar për të?! A mund t’i besohet një njeriu si Donald Trump, i cili, gjatë katër viteve si president i Shteteve të Bashkuara e ka gënjyer publikun amerikan plot 30,573 herë, ose mesatarisht 21 herë çdo ditë?! (dokumentuar dhe publikuar nga The Washington Post).

Ndoshta nuk është për t’u çuditur kaq shumë sa çuditemi unë dhe shumë nga ju, lexuar të nderuar që gjykoni si unë. Nëse ka shqiptarë që, në vendin e tyre i besojnë çdo gënjeshtre që del nga goja e idhullit të tyre Sali Berishës, pse të mos ketë shqiptarë, në Amerikë (por edhe këtu), që i besojnë çdo gënjeshtre të idhullit të tyre të ri në “atdheun” e tyre të ri? Idhujt kanë qenë gjithmonë afeksioni ynë dhe rendja verbërisht pas tyre një sport popullor, të paktën në këta 100 vitet e fundit, nga Lufta e Parë Botërore e këtej.

“Shpif! Shpif! Diçka gjithnjë diçka do të mbetet”, shkruante Francis Bacon në esenë e tij të njohur “Mbi Ateizmin, më 1597. Nuk ka pse çuditemi që katër shekuj më vonë shpifjet dhe gënjeshtrat e z. Trump i besojnë disa dhjetra milionë amerikanë që votojnë për të dhe disa mijëra shqiptarë që, në një mënyrë krejt irracionale, me shumë emocion, e adhurojnë atë.

Le ta shqyrtojmë nga afër përmbajtjen e projektit politik të z. Trump për presidencën e tij të dytë (nëse do të ndodhë). Për ata lexues të Ditës që nuk kanë dëgjuar, ose nuk janë të mirinformuar për këtë projekt politik, shpjegoj më poshtë, në vija të përgjithshme, përmbajtjen e kësaj nisme, e cila, nëse vihet në jetë nga republikanët, do të ndryshonte (për keq) shumëçka në Amerikën që kemi njohur deri më sot.

Në vija të përgjithshme, ky projekt synon promovimin e një sërë politikash ekstremisht të djathta për të ndryshuar formën e organizimit dhe parimet e qeverisjes federale në Shtetet e Bashkuara duke konsoliduar pushtetin ekzekutiv të Presidentit, nëse Trump zgjidhet të drejtojë administratën amerikane.

Projekti synon zëvendësimin pothuajse të të gjithë punonjësve civilë të administratës së Shteteve të Bashkuara në nivel federal me njerëz të emëruar politikisht, luajalë ndaj z. Trump dhe politikave të tij, njerëz nga radhët e nacionalistëve të krishterë.
“Project 2025” synon shpërbërjen e Departamentit të Arsimit, ndërprerjen e buxheteve për FBI-në, për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (Homeland Security) dhe për agjenci të tilla të pavarura regullatore si FDA (Food and Drug Administration), EPA (Environmental Protection Agency) apo NOAA (National Oceanic and Atmospheric Administration).

Projekti i z. Trump synon përdorimin e ushtrisë për të shtypur protestat e qytetarëve amerikanë, dhënien fund të së drejtës së shtetësisë për fëmijët e emigrantëve të lindur në territorin e Shteteve të Bashkuara, një e drejte kushtetuese kjo e sanksionuar në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane qysh në vitin 1868, fill pas Luftës Civile në atë vend.

Më tej ky projekt antidemokratik synon ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, emërime të reja në Gjykatën Supreme dhe në gjykata të niveleve më të ulta të gjyqtarëve nga radhët e ekstremit të djathtë, shkurtime në buxhetet e sigurimeve shoqërore dhe të shërbimeve mjeksore, rritjen e çmimeve të barnave mjeksore për të përfituar pronarët e mëdhenj të industrisë farmaceutike, rritjen e moshës së pensionit, taksa më të larta për shtresën e gjerë të punonjësve dhe taksa më të ulta për korporatat e mëdha, si dhe eliminimin e unioneve profesionale.

Në dëm të interesave të qytetarëve amerikanë dhe të interesit publik, projekti që synon të realizojë z. Trump, nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit, parashikon ndalimin e aborteve për çdo lloj arsyeje dhe të kontraceptivëve, përdorimin e fondeve publike nga taksapaguesit amerikanë për financimin e shkollave private fetare, mësimin në shkollat publike të fees së krishterë, dhënien fund të shumë të drejtave civile, ndalimin e studimeve afro-amerikane dhe atyre gjinore në të gjitha nivelet e shkollave, si dhe ndalimin e librave e të kurrikulave shkollore që bëjnë fjalë për skllavërinë në Shtetet e Bashkuara. E imagjinoni dot?

Ndërsa demokratët duan të ndalojnë shitjen e lirë dhe mbajtjen e armëve, republikanët duan të ndalojnë librat që flasin për periudhën e skllavërisë në historinë kombëtare të Amerikës!
Veç këtyre, “Project 2025” synon t’u japë fund politikave për mbrojtjen e mjedisit, të promovojë e të përshpejtojë dënimet me vdekjes, të promovojë “familjen tradicionale” dhe ndëshkimin e familjve me një prind (single mother families), deportimin në masë të emigrantëve dhe burgosjen e tyre në “kampe”.

Ëndrra amerikane dhe Trump si “varrmihës” i saj

Nëse politikave të tilla do u hapet rrugë të vihen në jetë me rikthimin e z. Trump në Shtëpinë e Bardhë, Amerika që kemi njohur deri më sot nuk do të jetë më e njëjta. Ai vend nuk do të jetë më Amerika që ideuan dhe themeluan etërit dhe presidentët e parë të atij vendi, George Washington, John Adams, Thomas Jefferson, James Madison etj.
Amerika nuk do të ishte më Republika për të cilën fliste Benjamin Franklin; nuk do të ishte më “shpresa e fundit më e mirë për njeriun mbi tokë”, siç e cilësonte këtë vend Abraham Linkoln; nuk do të ishte më ajo “Republikë e Madhe” për të cilën fliste Winston Churchill; nuk do të ishte më “qyteti i shndritshëm mbi kodër…i populluar nga njerëz të të gjitha llojeve, që jetojnë në harmoni e në paqe me njëri-tjetrin, një qytet me porte të lirë e të gjallëruar nga tregtia dhe kreativiteti”, portat e të cilit do të ishin “të hapura për këdo që do të kishte vullnetin dhe dëshirën” të shkonte në atë vend, siç e përfytyronte dhe e donte Ronald Reagan Amerikën.

Retorika politike e z. Trump dhe politikat për të cilat flitet në “Projektin 2025” synojnë ta kthejnë Amerikën nga një “vend i ëndrrave” për të gjithë, në një vend i cili vështirë se do të ishte më një ëndërr (dhe nga i cili, ndoshta, do të donin të largoheshin shumë nga ata emigrantë shqiptarë që kanë gjetur në Amerikë “atdheun” e tyre të dytë).
Shumë prej tyre, siç kam dëgjuar, u besojnë premtimeve elektorale të z. Trump se do të rrisë të ardhurat e familjeve amerikane me rreth 2,500 USD dhe do të ulë taksat, por pak kanë mundur të kuptojnë se masa të tilla do të shoqërohen nga ulja e vlerës së dollarit, vendosja e tarifave të larta mbi mallrat e importuara (që do të thotë ngritje çmimesh për këto mallra) dhe reduktim i fuqisë punëtore.

Politika si këto, për të cilat flitet në “Project 2025”, synojnë ta kthejnë Amerikën dekada pas, duke rrezikuar, ose asgjësuar shumë nga ato liri dhe të drejta njerëzore që të rinjtë, gratë dhe popullsia afro-amerikane e atij vendi kanë fituar nga vitet 1960 e këtej.
Me z. Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe me gjyqtarë të ekstremit të djathtë që ai do të emërojë, Amerika nuk do të jetë më ajo republikë demokratike që është sot, por një monarki, si ajo së cilës i trembej Benjamin Franklin kur, më 1787, në Philadelphia, ndërsa po dilte nga salla ku u mbajt Konventa Kushtetuese që diskutoi parimet bazë të kushtetutës amerikane dhe strukturën shtetërore e republikës së re, një gruaje të moshuar që e pyeti nëse do kishin “një republikë apo një monarki”, Franklin i dha këtë përgjigje, që është bërë proverbiale: “Një republikë, nëse do të mundeni ta ruani atë” (A republic if you can keep it).

Zgjedhjet e nëntorit këtë viti duket se janë, qysh nga periudha e Luftës Civile në atë vend rreth 160 vite më parë, testi më i rëndësishëm për ata 245 milionë amerikanë që do të votojnë për presidentin dhe kongresin e tyre.
Në dallim nga ata analistë dhe emigrantë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara që pëlqejnë dhe mbështesin kandidatin Donald Trump, arsyeja dhe përvoja historike më thonë se qytetarët amerikanë do të dinë ta ruajnë Republikën e tyre.
Ndryshe nga ata shqiptarë “pro-Trump” që fitoren e tij e shohim si “të pashmangshme” dhe e dëshirojnë, unë besoj se Trump dhe shumica e politikanëve “trumpistë” që do të garojnë për të dyja dhomat e Kongresit amerikan do të jenë humbësit e mëdhenj në zgjedhjet e këtij viti. Projekti i tyre 2025 është një “invitation to disaster”; mbështetësit e z. Trump nuk po shtohen; kauza e tij dhe platforma e fushatës së tij përçajnë, nuk bashkojnë; paratë e fushatës së tij po shterojnë.

Ndërsa rivalja e tij në këtë fushatë, znj. Kamala Harris, ishte në gjendje që brenda 48 orëve të siguronte mbështettjen e partisë së saj dhe të delegatëve demokratë dhe po në kaq kohë të siguronte rreth 230 milionë dollarë për fushatën e saj, z. Trump mund të jetë i detyruar që, në shtator të këtij viti, të paguajë rreth 350 milionë dollarë si gjoba në çështjet e hapura ligjore që ai ka në New York, gjoba që, nëse nuk shlyhen në kohë, mund të rriten me 112,000 dollarë çdo ditë.

La démographie, c’est le destin
Por le t’i lemë për një çast të gjitha këto dhe të flasim për një faktor shumë të rëndësishëm—ndoshta më i rëndësishmi—në këto zgjedhje, të cilin analistët, opinionistët dhe panelistët tanë, nga sa kam dëgjuar deri më sot, nuk e marin aspak në konsideratë, për të mos thënë se ka mes tyre ndër ata të cilëve u mungon çdo imagjinatë sociologjike. Ky faktor është demografia.
“La démographie, c’est le destin”, thoshte August Comte—demografia është përcaktuese. Ja se si hyn në lojë faktori demografik në këto zgjedhje në Shtetet e Bashkuara.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 Joe Biden fitoi ndaj kandidatit republican Donald Trump në mënyrë shumë bindëse. Ai mori 306 vota të kolegjit elektoral përkundrejt 232 votave që mori Trump. Shtatë milionë amerikanë më shumë votuan për kandidatin demokrat Joe Biden në ato zgjedhje se sa për republikanin Donald Trump. Tani, pak vëmendje, ju lutem. (Të dhënat e mëposhtme janë marë nga The Washington Post).
Çdo vit, rreth 4 milionë amerikanë mbushin moshën 18 vjeç dhe fitojnë të drejtën e votës. Në 8 vitet e fundit, nga zgjedhjet e vitit 2016, kur fitoi për të parën dhe të vetmen herë z. Trump, deri në nëtor të këtij viti, numri i votuesve të rinj amerikanë do të shtohet me 32 milionë (rreth 16 milionë vetëm në këto katër vitet e fundit).
Po kështu, çdo vit, në Shtetet e Bashkuara vdesin rreth 2.5 milionë amerikanë, që do të thotë se, qysh nga viti 2016 deri në nëntor të këtij viti, nuri i votuesve amerikanë do të jetë zvogëluar me rreth 20 milionë. Kjo nënkupton që, nëse zbresim numrin e votuesve që nuk jetojnë më, në zgjedhjet e këtij viti, në krahasim me ato të vitit 2016, numri i votuesve amerikanë të rinj në moshë—gjenerata Z dhe ata nën 30 vjeç—do të jetë rritur me 52 milionë. Kjo shifër përbën mbi 20 për qind të numrit të shtetasve amerikanë me të drejtë vote.
Nga ana tjetër, ndryshe nga brezat e mëparshëm, të rinjtë e sotëm amerikanë—ata që u përkasin moshave 18 deri 30 vjeç—sipas statistikave zyrtare amerikane, regjistrohen si votues në një masë 7 për qind më të lartë sesa kategoritë e moshave më të rritura dhe marrin pjesë në votime në një masë 25 përqind më shumë se sa votuesit e moshave më të rritura.
Këto ndryshime të ndjeshme në demografinë e Shteteve të Bashkuara janë një ogur i mirë për demokratët, sidomos tani që kandidate e tyre për garën presidenciale është znj. Harris. Me këtë realitet të ri demografik të elektoratit amerikan shanset e saj për fitore—statistikisht dhe logjikisht—duket se janë më shumë në favor të saj dhe të kandidatëve demokratë për të dyja dhomat e Kongresit dhe në ata shtete që do të zgjedhin guvernatorë të rinj, se sa në favor të z. Trump, madje edhe më të mëdha se sa shanset që ky i fundit kishte për të rifituar Shtëpinë e Bardhë katër vite më parë, por humbi.
Unë nuk shoh asnjë arsye mjaftueshmërish të besueshme që pjesa më e madhe e amerikanëve të rinj, dhjetra milionë amerikanë të brezit “Gen Z” që i janë shtuar elektoratit të Shteteve të Bashkuara në tetë dhe në kater vitet e fundit, të votojnë për z. Trump, një i moshuar pranë të 80-ve, mbështetësit e të cilit janë kryesisht evangjelistët dhe e djathta ekstreme, një njeri që vuri në rrezik rendin kushtetues dhe parimet e demokratike nga të cilat është udhëhequr Amerika për 235 vite me radhë, një biznesmen i falimentuar gjashtë herë, një i dënuar nga një juri në New York që e ka shpallur fajtor për 34 shkelje të ligjit dhe kundër të cilit 36 gra kanë dëshmuar se janë ngacmuar prej tij seksualisht, ose janë përdhunuar.
Thoni ç’të doni, por ky është Donald Trump. Vërtet fitoi, me 3 milionë vota më pak, ndaj znj. Clinton më 2016, por humbi më 2020 ndaj z. Biden me 7 ÿmilionë vota më pak. Donald Trump nuk është sot më i mirë, nuk ofron dhe nuk frymëzon më shumë se sa katër vite më parë kur humbi.

Ç’arsye mund ta shtyjë dikë të mendojë se ai do të fitojë këtë vit, sidomos tani, kur në garë, përballë tij, nuk ka më një burrë pak më të moshuar se sa si, por një grua rreth 20 vite më të re si ai. Dhe një grua jo do si do.

Kamala Harris si vizion dhe shpresë
Në vetëm katër ditë, kjo zonjë, zëvendësja e presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, e ka ndryshuar tërësisht dinamikën e këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe e ka vënë në panik z. Trump dhe shtabin e fushatës së tij.
Rezutatet e sondazheve të opinionit publik dëshmuan menjëherë ndryshimin që pritej me hyrjen e saj në garën për president, duke e thelluar differencën mes demokratëve dhe republikanëve (në favor të demokratëve) në radhët e votuesve të mundshëm të moshave 18-34 vjeç, në radhët e vajzave e të grave, si dhe në radhët e popullsisë afro-amerikane dhe minoriteteve të tjera etnike.

Kamala Harris është 60, por ajo është një gjeneratë më e re se Donald Trump dhe një pjesë e madhe e ligjvenësve amerikanë në Senatin dhe në Dhomën e Përfaqësuesve (Charlie Grassley 90, Mitch McConnell dhe Bernie Sanders 82, Ben Cardin 80, Dick Durbin 79, Richard Blumenthal 78, Peter Welch dhe Mitt Romney 77 etj). Harris është më e re se sa mosha mesatare (64 vjeç) e anëtarëve të Senatit amerikan, në fakt më e re se sa shumica e anëtarëve të atij senati, pjesë e të cilit ajo ishte deri katër vite më parë.

Mosha më e re e znj. Harris krahasuar me atë të z. Trump nuk është i vetmi avantazh i saj, madje as më kryesori. Përballë një individi si Donald Trump, me një histori biznesi dhe një profil moral të dyshimtë e të diskredituar dhe pa asnjë përvojë politike veç katër viteve të tij në Shtëpnë e Bardhë, Kamala Harris përfaqëson një tjetër gjë. Dhe është kjo “tjetër gjë” që e duket se e ka sjellë një momentum të ri në fushatën elektorale në Amerikë, duke krijuar shpresë jo vetëm në radhët e demokratëve, por, sidomos, në radhët e amerikanëve të rinj dhe të komuniteteve të deprivuar e të rrezikuar më shumë nga një kthim eventual i z. Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Nuk duhet harruar se zgjedhjet në Amerikë nuk janë vetëm një luftë politike mes demokratëve dhe republikanëve, por edhe një luftë kulturore mes së vjetrës dhe të resë, mes mendësive konservatore dhe atyre liberale. Edhe pse krahasimi mund të mos qendrojë, pasi ndryshimet shoqërore ndodhin gjithnjë në një kontekst politik, ekonomik e social të dhënë, nuk gaboj shumë nëse them se, ethosi i kësaj çka po ndodh këto ditë në Amerikë ngjan disi me The Sixties, me atë dekadë të jashtëzakonshme në historinë e Shteteve të Bashkuara që e ndryshoi atë vend—bashkë me të edhe mbarë botën—në një mënyrë të panjohur më parë.

Kamala Harris ngjall Shpresë.

Shpresa krijon Besim. Besimi krijon Energji. Energjia motivon Organizim.
Organizimi prodhon Mobilizim. Këta të fundit nxisin dhe rrisin Pjesëmarrjen në lëvizje dhe një lëvizje masive, e inspiruar nga ide progresiste dhe nga një figurë frymëzuese mundësojnë suksesin.

Kësaj dialektike duket se i janë trembur e i tremben Donald Trump dhe falangat e tij MAGA-iste, të cilët pa humbur kohë kanë nisur ta sulmojnë rivalen e tyre me armët që ata njohin më mirë: gënjeshtrat dhe shpifjet. Por, mos harroni, Trump ka gënjyer 21 herë çdo ditë gjatë kater viteve kur ishte president. Ai gënjen e mund të gënjejë më shumë se kaq tani që s’është president dhe do të gënjejë edhe më shumë nëse zgjidhet sërish president.

Me sa shtjellova dhe arguementova më sipër unë nuk e shpall paraprakisht znj. Harris fituese në zgjedhjet e këtij viti. Në këto rreth 100 ditë që na ndajnë nga zgjedhjet e nëntorit me siguri do të ketë ngjarje e zhvillime që mund ta bëjnë më të vështirë parashikimin e rezultateve në to, si për postin e presidentit, ashtu dhe për Senatin, për Dhomën e

Përfaqësuesve dhe për guvernatorët e atyre shteteve që kanë zgjedhje këtë vit.

Optimizmi si bast
Unë jam optimist se në zgjedhjet e nëntorit fitues do të jenë Kamala Harris, demokratët në kongres dhe Amerika që kemi njohur deri më sot, jo Donald Trump dhe Amerika iliberale që ai kërkon. Nëse dikush këtë e quan bast, ashtu qoftë. Në fund të fundit, optimizmi nuk është domosdo një bast i keq.

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Gjashtë dekada ëndrra dhe kujtime: Klasa e vitit 1966 bashkohet sërish, atje ku nisi gjithçka
  • Ditë-Nata e Edit dhe këshilla e Arta Dades për gjermanishten
  • FOTO: Dita 20 e protestës
  • Fati i Protestës
  • SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun e Ersekës dhe 11 zyrtarë: Kanë abuzuar me tenderat

Komentet e Fundit

  1. K R on VIDEO / Eurodeputetja: Rama po thotë të kundërtën e asaj që votuam, stop modelit që privilegjon një grusht të pasurish
  2. K R on Dosja e drogës Koçeku-Shehu-Hamzai: Dalin fotot e ‘samiteve’ në Aruba dhe Antwerp
  3. K R on Padia ndaj Dados, Veliaj: Më ka pezulluar nga detyra prej 500 ditësh një noter me pesa, kush i pastron plehrat në Tiranë?
  4. K R on VIDEO / Eurodeputetja: Rama po thotë të kundërtën e asaj që votuam, stop modelit që privilegjon një grusht të pasurish
  5. K R on Leksione morali me Aruba në sfond

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?