Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka komentuar për herë të parë publikisht raportin e saj me Ergys Agasi dhe hetimet që lidhen me çështjen e AKSHI-t. E ftuar në emisionin në “Top Story”, Karçanaj deklaroi se kontaktet institucionale nuk mund të interpretohen automatikisht si përgjegjësi penale.
Ish-drejtoresha e AKSHI-t u shpreh, se nuk i takon asaj të përcaktojë nëse Agasi ka apo jo përgjegjësi penale, duke theksuar se kjo është detyrë e akuzës dhe e procesit hetimor. Lidhur me rolin e saj në institucion, Karçanaj theksoi, se drejtimi i AKSHI-t ka qenë i orientuar drejt zbatimit të ligjit dhe respektimit të procedurave.
“Në funksione publike është e domosdoshme të kesh kontakte, sepse në të kundërt nuk bëhet puna. Por kontaktet nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi penale. Mund të ketë faj, nuk më takon mua ta them këtë. I takon akuzës të hetojë duke analizuar provat dhe dokumentat dhe më pas të dalë në përfundime.
Ajo që mund të them për veten është se mënyra si e kam drejtuar institucionin ka qenë qartësisht e orientuar që të zbatohet ligji, të mos shkelet asnjë procedurë dhe gjithçka të jetë konform ligjit. Sa i takon prokurimeve, kam zgjedhur të mos merrem me të përditshmen. Madje kam deleguar rolin e titullarit të prokurimeve. Nuk i kam ndjekur prokurimet”, deklaroi ajo.
Karçanaj ka folur për jetën personale, pasuritë dhe sekuestrimet ndaj saj. Karçanaj deklaroi, se gjithçka që ka ndërtuar është rezultat i punës së saj ndër vite dhe se çdo pasuri është e deklaruar sipas ligjit. Ish-drejtoresha e AKSHI-t foli edhe me fjalët e Kryeministrit Edi Rama, duke thënë se aktualisht jeton në një apartament me qira, të cilin e ka zgjedhur pranë vendit të punës pasi vetë ajo nuk drejton mjet.
Sa i përket pasurive të sekuestruarave, Karçanaj theksoi se sekuestrimi nuk do të thotë automatikisht që një pasuri është e paligjshme. Karçanaj foli ndër të tjera edhe periudhën e emigrimit në Kanada, duke thënë se dilte nga shtëpia në 7 të mëngjesit dhe kthehej në 8 të darkës.
“Jetoj në një shtëpi me qira. Deri në vitin 2024 kam jetuar në apartamentin ku kam lindur. Apartamentin ku jetoj me qira e kam marrë me kontratë dhe e kam zgjedhur afër punës, sepse nuk drejtoj makinë dhe nuk kam makinë. Një pasuri e sekuestruar nuk është e paligjshme. Por dua të shtoj se nuk mund të provoj ndjesi më të keqe se kriminalizimi i jetës sime. Ato janë orenditë dhe muret e ndërtuara me dinjitet. Kam 30 vjet që punoj. Kam emigruar në Kanada, kam dalë nga shtëpia në 7 të mëngjesit dhe kthehesha në 8 të darkës”, deklaroi ish-drejtoresha e AKSHI-t.
j.l./ dita
