Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Edhe shumë prej atyre që mund të jenë ngazëllyer nga sulmi mbi Sali Berishën më 6 dhjetor, nuk kanë dashur që ajo ngjarje të ndodhte.
Sepse dhuna, në një shoqëri, e cila, në pjesën më të madhe të historisë së saj, është zhvilluar (ose ka mbetur e pazhvilluar) përmes dhunës në çdo formë të saj, ka një aftësi inherente te përsëritet, të shndërrohet në një rreth vicioz, nga i cili ne, shqiptarët, kemi treguar se e kemi pasur dhe e kemi të vështirë të dalim. E kaluara e dhunëshme na ka ndjekur e vazhdon të na ndjekë pas si një atavizëm historik e kulturor dhe pasojat e këtij atavizmi i ndiejmë të gjithë, si shoqëri dhe si vend.
Nuk do te kisha dashur në asnjë mënyrë që ai sulm ndaj Sali Berishës të kishte ndodhur dhe e dënoj atë veprim, edhe pse, mbi familjen time, regjimi që instaloi Berisha në fillim të viteve 1990 ka ushtruar mjaftueshëm dhunë policore.
Njëlloj do të dënoja çdo akt dhune fizike, verbale apo psikologjike — në familje, ne rrugë a në sheshe, në protesta apo në sallën e Parlamentit. Besoj se kështu mendojnë — dhe këtë do të thonin e do të dëshironin — pjesa dërrmuese e qytetarëve të këtij vendi.
Por ngjarja ndodhi. U pa nga të gjithë. Për të u fol dhe flitet thuajse kudo. Madje, lajmi mbi sulmin ndaj Berishës eklipsoi thuajse çdo ngjarje tjetër ne Shqipëri këto dy ditë. Edhe vetë samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Tiranë po atë ditë, më 6 dhjetor.
Habinë më të madhe për atë që ndodhi me Berishën, sidoqoftë, nuk ma shkaktoi vetë ngjarja. Ngjarje të dhunëshme, edhe pse i dënojmë dhe nuk i duam të ndodhin, kemi parë e do vazhdojmë të shohim në një shoqëri që ende nuk ka mundur të krijojë një marrëdhënie të emancipuar me të shkuarën e vet dhe që Tjetrin, kundërshtarin politik, e sheh si armik.
Më mirë se kudo gjetkë këtë e kemi vënë re ne Parlamentin e vendit, në atë institucion themeltar të Republikës ku hartohen dhe miratohen ligjet që do të duhej të garantonin sigurinë e qytetarëve dhe rritjen e mirëqenies së tyre. Për më tepër, mbi Berishën është synuar dhunë edhe më parë. Edhe Berluskoni, si kryeministër i Italisë, edhe presidenti Macron të Francës, janë goditur në publik. Por kjo nuk justifikon asgjë.
Habinë më tē madhe për këtë ngjarje tek unë e krijuan shpjegimet që nxituan të japin shumë politikanë dhe analistë, në radhë të parë disa prej eksponentëve kryesorë të PD-së dhe vetë Berisha. Për ta, grushti që goditi në fytyrë Sali Berishën ishte vepër e Edi Ramës. Autori i atij veprimi kriminal është vetë Edi Rama. Sa dritshkurtësi!
Nëse ka një individ, që më shumë se kushdo tjetër nuk do e kishte dëshiruar atë sulm ndaj Sali Berishës më 6 dhjetor, ky është Edi Rama. Për tri arsye krejt të thjeshta për mendjen e kujtdo që nuk është shplarë nga politika.
Arsyeja e parë: Rama u bë menjëherë i akuzuari kryesor, madje i vetmi person i akuzuar për atë ngjarje dhe ai nuk do të kishte dashur në asnjë mënyrë që mbi të të binte një akuzë e rëndë si kjo, sado e pabazuar, e pavërtetë dhe, për autorin e këtyre radhëve, e palogjikshme.
Arsyeja e dytë: Me atë çfarë i ndodhi, Berisha arriti t’ia vidhte show-n Edi Ramës. I gjithë ai samit europian u la nën hijen e një episodi të dhunshëm nga një individ i vetëm në mes të bulevardit. Mediat, thuajse të gjitha, i kushtuan shumë më tepër vend dhe kohë në rubrikat e tyre të lajmeve plagosjes në fytyrë të Sali Berishës sesa samitit qe mblodhi në Tiranë të gjithë krerët e shteteve apo të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian.
Arsyeja e tretë: Nje miting i vogël, me vetëm disa qindra pjesëmarrës, që do të harrohej vetëm disa orë pasi pjesëmarrësit në të të ishin shpërndarë, u shndërrua në një ngjarje politike të rëndësishme dhe kjo nuk ka se si të ishte dhe të jetë në dobi të kryeministrit Rama.
Por, a është vetë Berisha ai që përfitoi nga plagosja e vet? Arsyeja nuk më jep asnjë argument që mund ta mbështesë këtë supozim. Po vetë Partia Demokratike në prag të fushatës zgjedhore për pushtetin vendor? Nuk shoh se si kjo ngjarje do të mund te ndryshonte pëlqimet dhe mendjet e qytetarëve. Ilir Meta? Si?
Ngjarja e 6 dhjetorit nuk ka të fituar. Ajo i bën të gjithë humbës. Na bën të gjithëve humbës.
—–
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016