Përcaktohen datat në të cilat maturantët do t’u nënshtrohen testeve praktike nëse konkurrojnë për të vijuar studimet e larta në degët e Sporteve.
Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë publik bëjnë me dije se, konkurset e pranimit për të gjithë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta në për vitin e ri akademik do të zhvillohen ndërmjet datave 16-22 gusht sipas detajimeve të bëra për secilin program studimi.
Vendimi më i fundit i Rektoratit të Sporteve përcakton afatet dhe procedurat që duhet të ndjekin maturantët dhe kandidatët e tjerë për të hyrë në konkurrim për kuotat e reja të pranimeve në programet e ciklit të parë të studimeve “Bachelor”. Gara do të zhvillohet për programet e studimit në dy fakultete, atë të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, si dhe në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, ku në secilën prej tyre do të pranohen 180 fitues, ndërsa në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit do të përzgjidhen si fitues 90 kandidatë.
Afatet e regjistrimit për konkurset
Për të qenë pjesë e garës për kuotat e pranimeve të reja të 2023 në këtë institucion të arsimit të lartë publik, maturantët duhet të përmbushin dy kushte, që janë: fillimisht përzgjedhja e degëve të Sporteve gjatë plotësimit të Formularit A2, si dhe më pas regjistrimi në afatet e përcaktuara për të qenë pjesë e konkurseve që do të zhvillohen në muajin gusht sipas datave të përcaktuara. Sipas afateve të përcaktuara, datat e regjistrimit të kandidatëve për konkurset e pranimit në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, si dhe Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit janë 12-19 gusht nga ora 09:00 deri në orën 15:30.
Procedura e regjistrimit do të jetë e njëjtë sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara. Maturantët duhet të paraqiten pranë sekretarive përkatëse të fakultetit në datat e përcaktuara për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të regjistrimit. Konkretisht në këtë dosje duhet të përfshini: 2 fotografi, kopjen e kartës së identitetit, mandatin e pagesës së tarifës së konkurrimit, si dhe kartelën mjekësore. Kjo kartelë duhet të ketë në përmbajtje të konfirmuara nëpërmjet vulave përkatëse kontrollet mjekësore që kandidati duhet të ketë kryer tek mjeku kardiolog, ai okulist, tek radiologu, ORL, grupin e analizave të kërkuara, si dhe vlerësimin final që tregon se maturanti është i aftë për të vijuar konkurimin dhe studimet në degët e Universitetit të Sporteve. Para se të bëjnë pagesën për aplikim kandidatët duhet që të verifikojnë me kujdes listat e shpallura nga Universiteti i Sporteve. Kandidatët që nuk janë pjesë e kësaj liste nuk do të mund të vijojnë më tej procedurat e regjistrimit dhe hyrjes në konkurset e pranimit.
Datat e konkurseve të pranimit
Për kuotat e këtij viti, konkurset e pranimit do të zhvillohen të veçuara për secilin fakultet. Konkretisht, maturantët do t’u nënshtrohen testeve praktike për pranimet e reja në datat 16-19 gusht në rastet kur aplikojnë për programin e studimit në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes.
Ndërsa për kuotat e pranimeve të reja në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, konkurset do të zhvillohen në datat 20-22 gusht.
Gjatë zhvillimit të konkursit, maturantët duhet të kalojnë dy teste praktike që kanë të bëjnë me kërcim për së gjati, ku kandidatit i lejohet që të kryejë dy prova dhe nga këto dy prova mund të zgjedhë rezultatin më të mirë. Ndërsa testi i llojit të dytë është testi cirkuit, ku kandidatit i lejohet të kryejë vetëm një provë, çka do të thotë se është pa të drejtë përsëritjeje. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve me fazën përgatitore, autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se të dhënat për rregulloren e konkursit, testeve praktike, kartelës mjekësore dhe fatura e tarifës konkurrimit tashmë gjenden të detajuara online në faqen zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë publik.
Kriteret për përzgjedhjen e fituesve të rinj
Mesatarja e Maturës Shtetërore, si dhe pikët që secili kandidat do të fitojë gjatë konkursit praktik që do të zhvillohet në datat e përcaktuara për secilin fakultet, janë dy kriteret vendimtare mbi bazën e të cilave do të bëhet plotësimi i kuotave të reja të pranimit për fituesit e rinj që do të mund të vijojnë studimet e nivelit të parë “Bachelor” në fakultetet e Universitetit të Sporteve për vitin akademik 2023-2024. Sipas skemës së përcaktuar mbi ndikimin e secilit kriter, pikët e konkursit do të vlerësohen me 70 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj, ndërsa ato të mesatares së Maturës Shtetërore vlerësohen me 30 për qind të ndikimit. Klasifikimi i kandidatëve bëhet bazuar në sasinë e pikëve totale te grumbulluara nga të dy komponentët, të vendosur në rendin zbritës. Fitojnë kandidatët me numrin më të madh të pikëve të grumbulluara, sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin program studimesh.
Konkurrimi tek Sportet
- Datat e zhvillimit të konkursit të pranimit në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes janë 16 – 19 gusht 2023.
- Datat e zhvillimit të konkursit të pranimit në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit janë 20 – 22 gusht 2023.
- Regjistrimi do të jetë i hapur për Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes deri në orën 11:00 të datës 19 gusht 2023 dhe për Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit deri në orën 11:00 të datës 22 gusht 2023).
- Dokumentet që duhet te ketë kandidati për regjistrim për konkurset e pranimet do të jenë:2 fotografi dokumenti 4×6, fotokopje kartës së identitetit, mandat pagesa e tarifës së konkurrimit, si dhe kartela mjekësore.
p.k\DITA
