Rami Memushaj
Kur flitet për standardizimin e gjuhës shqipe, është bërë zakon të përmenden Konsulta e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit, si dy pika kulmore në përmbylljen e kësaj faze të dytë të planifikimit gjuhësor. Këto dy ngjarje janë vërtet të një rëndësie të veçantë për progresin e gjuhës shqipe, që, ashtu si gjuhët e popujve të qytetëruar, përfaqësohet me një variant mbidialektor me prestigj e shtrirje mbarëkombëtare. Por pajtohemi me mendimin e prof. Qemal Muratit se “sikur është heshtur ose është lënë anash se në këtë proces një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe planifikuesit gjuhësorë në Shkup.”
Edhe ne jemi plotësisht të bindur se Konsulta e Prishtinës nuk përbën hapin e parë në rrugën e njësimit të shqipes. Hapi i parë ishte hedhur në Maqedoni, kohë përpara Konsultës. Kur pas Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare të Federatës Jugosllave u lejua mësimi i gjuhës shqipe në shkollë, intelektualët shqiptarë të Maqedonisë në lëvrimin e gjuhës amtare patën si parim themelor “të ndiqet ajo ortografi dhe bile ajo gjuhë letrare që përdoret në vendin ëmë”. Që në fillimet e përdorimit të shqipes, aty u ec paralelisht “si me drejtshkrimin, ashtu edhe me gjuhën letrare të përdorur në vendin ëmë”, duke zbatuar variantet e ortografisë të botuara në Tiranë. Prof. Remzi Nesimi ka vënë në dukje se punonjësit e kulturës dhe arsimtarët në këtë Republikë “asnjëherë nuk i lejuan vetes që të mbyllen në një gegërishte të prerë, me veçori të të folmeve krahinore, siç ishte rasti në disa qendra të tjera”.
Kur flet për “disa qendra të tjera”, prof. R. Nesimi e ka fjalën për Kosovën, ku projektet e drejtshkrimit të vitit 1952 e sidomos ai i vitit 1957 synonin pikërisht mbylljen e gjuhës letrare “në një gegërishte të prerë”. Kështu, në “Rezolutën e Mbledhjes për caktimin e gjuhës së shkrimit të shqiptarve në RFPJ”, të datës 14-15 nëntor 1952, thuhet: “Me qenë se pakica kombtare shqiptare e RFPJ flet nji dialekt të gegënishtes, gjuha e shkrimit për né nuk mund të jetë veçse gegënishtja” dhe drejtshkrimi i saj “do të ishte një drejtshkrim i mbështetur në kosovarishten dhe dibranishten, i ndryshëm nga drejtshkrimi i gegërishtes në Republikën e Shqipërisë”. Kjo prirje për ndarje gjuhësore thellohet edhe më tej në projektin e ortografisë të vitit 1957. Në Rekomandimet e mbledhjes së këtij viti për ortografinë kërkohet që drejtshkrimi të ketë “përputhje të plotë me ortoepin”, duke synuar kështu që drejtshkrimi të ishte fonetik i pastër. Në ndjekjen e një orientimi të tillë që shpinte në ndarjen gjuhësore të shqiptarëve, ndikonin edhe dasitë ideologjike mes Tiranës dhe Beogradit, duke arritur deri aty sa toskërishten letrare e quanin «gjuhë zyrtare të kuqalashëve” të Tiranës. Pra, mbledhjet e 1952-shit dhe të 1957-ës po përdoreshin për qëllime kundërkombëtare”.
Po, ndërsa në Kosovë në vitet ’50 të shekullit të kaluar synohej një planifikim gjuhësor qendërikës, që do të shpinte në krijimin e dy gjuhëve letrare shqipe, në Maqedoni intelektualët shqiptarë ishin duke ndjekur një rrugët tjetër jo vetëm në praktikën e shkrimit të shqipes, po edhe në orientimin e tyre lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Siç e shpreh qartë prof. R. Nesimi, “punonjësit e arsimit dhe të kulturës në Maqedoni, kurdoherë kanë qenë ithtarë për një drejtshkrim të njësuar si edhe për një shqipe të njësishme letrare kombëtare”.
Në Kosovë vetëm ndonjë zë i vetmuar do të deklarohej hapur në shtyp për vijën konverguese në zgjidhjen e çështjes së drejtshkrimit. Ky ishte zëri i Idriz Ajetit, i cili pati kurajën të dilte kundër separatizmit gjuhësor të nxitur nga Beogradi, që do të çonte edhe në ndarje kombëtare. Në shkrimin “A ka ma punë në ortografínë e shqipes”, të botuar më 1958, ai do të shprehej se “rrugën e përcaktimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe te ne mund ta shkurtonte Ortografia e gjuhës shqipe e hartuar në Institutin e Tiranës”.
Në Maqedoni që nga fillimi i viteve ’50 kishin lindur mospajtime me palën kosovare “se në cilin dialekt duhet të botohen librat, në atë gegë…, apo në atë toskë”, që ishte “shpallur si gjuhë letrare në mbarë hapësirën e shtetit shqiptar”. Çështja e mospajtimeve me Kosovën për botimet e përbashkëta të librave shkollorë në gjuhën shqipe arriti deri te Komisioni për Pakicat Nacionale i Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, i cili në shtator 1955 i drejtohet Komisionit amë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në Beograd me pyetjen: “…a thua pakica këtë dialekt (nëndialektin verilindor të gegërishtes – R. M.) duhet ta formojë e ndërtojë si gjuhë të vetën letrare kombëtare, pa marrë parasysh atë se dialekti toskë në Shqipëri po formohet dhe konsiderohet si gjuhë letrare e kombit?”.
Ortografia e 1957-s e thelloi edhe më tej mospajtimin e intelektualëve shqiptarë të Maqedonisë me kolegët e tyre të Kosovës. Kjo bëri që çështja e gjuhës letrare për shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni të ngrihej përsëri në mbledhjen Këshillit Ekzekutiv të KQ të LKM-së të 19 nëntorit 1959.
Kërkuesi Qerim Lita shkruan se Komisioni për Pakica Nacionale i LKM-së kishte ngarkuar një grup ekspertësh, “me detyrë të hulumtojë çështjen e gjuhës letrare për shqiptarët e RSF të Jugosllavisë”. Këtij grupi të ekspertëve gjuhësorë, të përbërë nga dr. Petro Janura, Murteza Peza (të dy pjesëmarrës në mbledhjet e Prishtinës të viteve 1952 e 1957) dhe Krume Jakovski, iu vu si detyrë të përgatiste një raport për çështjen e gjuhës letrare të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Pas një pune disamujore grupi i ekspertëve i dorëzoi konferencës së LKM-së studimin me titull “Problemi i gjuhës së vetme letrare të kombësisë shqiptare në Jugosllavi”, si dhe një rezyme, në të cilën theksohet që “nëse do të futej gjuha e përbashkët letrare, do të ishte e një dobie shumë të madhe në radhë të parë për zhvillimin e vetë gjuhës” dhe se varianti gegë, i përdorur në shkollë nga ana e nxënësve dhe nga një pjesë e madhe e punëtorëve të arsimit e intelektualëve, “nuk është as letrare e as nëndialekti kosovar por nëndialekt me partikularizma lokale”. “Është koha – thuhet në këtë rezyme – që të gjithë shqiptarët në Jugosllavi të shfrytëzohen me gjuhën letrare – pa laramani.”
Raporti prej 63 faqesh me titull “Çështja e gjuhës së vetme letrare të pakicës shqiptare në Jugosllavi”, nuk ka datë, po vetëm emrat e autorëve, gjë që e bën të vështirë datimin e saktë të tij. Në procesverbalin e mbledhjes së 19 nëntorit 1959 të Këshillit Ekzekutiv të KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë thuhet: “U konkludua se çështja e gjuhës letrare shqipe duhet të zgjidhet në mënyrë parimore. Këtu ka luhatje midis gjuhës letrare shqiptare dhe gjuhës së Kosmetit. Kjo çështje do të duhet të shtrohet edhe para KQ të LKM-së dhe së bashku me shokët nga Kosmeti të zgjidhet. U shprehën mendime se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë.”
Kjo të bën të besosh se ky këshill ka arritur në konkluzionin e mësipërm duke u mbështetur pikërisht në këtë raport. Sido që të jetë e vërteta e datës së përfundimit të raportit, viti 1959 mbetet një gur udhërrëfyes që tregon se projekti i ortografisë i vitit 1957 nuk u mirëprit nga intelektualët shqiptarë të Maqedonisë, siç del dhe nga citimi i mësipërm, ku theksohet “se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë”. Po kjo devizë e intelektualëve shqiptarë të Maqedonisë duhej mbështetur me argumente gjuhësore dhe këtë gjë u ngarkuan ta bënin dr. Petro Janura, Murteza Peza e Krume Jakovski.
Studimi me titull “Çështja e gjuhës së vetme letrare e kombësisë shqiptare në Jugosllavi” është një analizë zhvillimit të shqipes nga autorët e vjetër e deri në vitin 1957. Përcaktori “së vetme” tregon që autorët duan të thonë se pakica shqiptare në Jugosllavi nuk mund të ketë një gjuhë letrare të ndryshme nga ajo e pjesës tjetër të kombit, pasi “zhvillimi shoqëror, kulturor dhe letrar i një populli kërkon gjuhë të përbashkët letrare”. Pas një paraqitjeje të shkurtër të historisë së gjuhës shqipe e të dialekteve e të nëndialekteve të saj, si dhe të situatës gjuhësore në Kosovë e Maqedoni në fundin e viteve ’50, autorët ndalen në punën që bëhej për planifikimin gjuhësor. Duke vlerësuar rezultatet e dy mbledhjeve gjuhësore të Prishtinës, ata e quajnë një gjë pozitive përpjekjen për një gjuhë të shkruar të përftuar nga përzierja e varianteve të Shkodrës, Elbasanit dhe Kosovës, “por megjithatë jo edhe zgjidhje më fatlume”. Prandaj ata shtrojnë pyetjen: “Vallë a është ajo zgjidhje logjike? Vallë a nuk duhet që të gjithë shqiptarët, kudo që të jenë të përdorin një gjuhë të përbashkët letrare?” Dhe përgjigjja e tyre është: “Gjuha letrare në Shqipëri, pavarësisht nga vija politike dhe marrëdhëniet tona të ndërsjella, duhet të jetë gjuhë edhe për shqiptarët e RPFJ.” (kursivet – R. M.).
Në mbyllje të kësaj analize, që është vlerësuar si një platformë “për rrugën që duhej të ndiqej në fillim të viteve ’60 për zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë parimore filologjike e politike”, autorët arrijnë në përfundimin se drejtshkrimi “po unifikohet edhe tek ne”, prandaj jemi në pozitë të themi “Habemus orthographiam”. Dhe, meqë drejtshkrimi dhe gjuha letrare janë të ndërvarura… themi edhe “Habemus communem linguam literarem” (Kemi gjuhë të unifikuar letrare).
Nuk mund të mos hamendësojmë se ka qenë trysnia e faktorit shqiptar të Maqedonisë, së bashku me grupin kosovar i cili ishte kundër planifikimit policentrik të shqipes, që u braktis projekti i 1957-s dhe më 1964 u botua në Prishtinë një ortografi e gegërishtes së përbashkët, më e afërt me gjuhën zyrtare të Shqipërisë.
Por faktori shqiptar i Maqedonisë nuk ishte i kënaqur edhe me këtë zgjidhje. Kështu, pa u mbushur as tre vjet nga botimi i Ortografisë së Prishtinës, në Maqedoni nisi të përdoret gjuha zyrtare e Shqipërisë. Më 12 janar 1967, gazeta “Flaka e vllaznimit”, që botohej në Shkup, doli me titullin “Flaka e vëllazërimit”. Në shkrimin e këtij numri me titull “Pse nisi ‘Flaka’ ta përdorë toskërishten” thuhet: “Fletorja jonë ‘Flaka e vëllazërimit’ prej disa muajsh në shtyllat e veta filloi ta përdorë atë gjuhë letrare shqipe, e cila ka për bazë toskërishten.” Redaksia e vlerëson këtë hap si “një kontribut i ynë i rëndësishëm e i çmuar për zhvillimin e kulturës e arësimit të popullit shqiptar në tërësi.”
Ky hap i “Flakës” u ndoq nga Konsulta e Prishtinës e prillit 1968, e cila u deklarua se “njeh, njëzëri, si gjuhë të vetën letrare gjuhën letrare të vendit ëmë” dhe autorizoi Institutin Albanologjik dhe Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe “ta njohtojnë Universitetin Shtetëror të Tiranës me konkluzat e tubimit…” dhe, nga ana tjetër, “t’u rekomandojnë institucioneve e enteve arësimore e pedagogjike, gazetare e botuese, shkencore e kulturale që të krijojnë mundësitë e zbatimit sa më të shpejtë të konkluzave të Konsultës …” Me këtë akt, gjuha zyrtare e shtetit shqiptar u ngrit de facto në statusin e gjuhës letrare të përbashkët për gjithë kombin, dmth. në gjuhë standarde, që ka si atribut kryesor të sajin karakterin gjithëkombëtar. Kongresi i Drejtshkrimit e sanksionoi de jure vendimin e marrë në Prishtinë, kurse shteti bëri detyrën që do të kishte bërë çdo shtet kombëtar – monarkik, fashist, komunist a demokratik – duke mbështetur vendimet e marra në këtë Kongres nga intelektualët atdhetarë brenda e jashtë kufijve.
Jemi të bindur se pa trysninë e faktorit shqiptar të Maqedonisë mbi Prishtinën dhe pa hapin e hedhur prej tyre për ta përdorur gjuhës zyrtare të Shqipërisë në botimet, nuk do të ishte hedhur ai hap në Prishtinë më 1968. Prandaj na duket i drejtë pohimi i prof. Q. Muratit se ky studim “ka po atë rëndësi që ka Konsulta Gjuhësore e Prishtinës”.
Këto na japin të drejtën që punën e intelektualëve shqiptarë të Maqedonisë në mbrojtje të një gjuhe letrare të përbashkët, Konsultën e Prishtinës dhe Kongresin e Drejtshkrimit t’i shohim si tri faza të procesit që përfundoi me krijimin e gjuhës standarde, e cila e nisi udhëtimin e vet nga Shkupi, u kurorëzua në Prishtinë dhe u ligjësua në Tiranë.
Edhe pas viteve ’90, kur zunë të shfaqen mendësi të kohës së pashallëqeve – pashallëku i Veriut dhe i Jugut, Republika e Dardanisë dhe Republika e Shqipërisë – faktori shqiptar i Maqedonisë ka luajtur një rol përbashkues. Këtë rol do të luajnë edhe në të ardhmen intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë të vetëdijshëm se vetëm nën ombrellën e gjuhës standarde është i sigurt jo vetëm zhvillimi i shqipes së kësaj dege të trungut kombëtar, po edhe ruajtja e identitetit të shqiptarëve të kësaj Republike.

Respekte per cdo shqiptar qe eshte munduar jashte trojeve te Shqiperise te ndihmoje ne gjuhen shqipe.