Kosova kremton sot me krenari 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj. Ceremonia ka nisur me ngritjen solemne të flamurit shtetëror përpara objektit të Qeverisë në Prishtinë.
Në këtë ngjarje morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu. Ky përvjetor shënon një moment historik të pjekurisë së shtetit më të ri të Evropës.
Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë. Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit.
“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit.
Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë.
Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se sakrifica e popullit të Kosovës për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.
“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së shtetit. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, që po hyn në moshë të pjekur. Sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore, në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ne ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për rrugën, kontributin dhe vizionin e presidentin historik Ibrahim Rugova, për sakrificën e familjes Jashari në krye me komandantin Adem Jashari dhe për mijëra dëshmor, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën dhe bën sakrificë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetit tonë”, tha presidentja Osmani.
j.l./ dita
