DR. JORGJI KOTE
Ashtu siç edhe pritej, ceremonia e inaugurimit të Këshillit Botëror të Paqes më 22 Janar në Davos ka krijuar rezerva, aludime dhe dyshime mbi të ardhmen e saj. Këto shqetësime dhe kundërshtime, duke filluar qysh nga Izraeli janë të kuptueshme; sepse parë nga këndvështrimi diplomatik, Këshilli i Paqes po i turbullon më shumë se sa po e qetëson ujrat gjeopolitike; se bëhet fjalë për procese që menaxhohen me mangësitë e tyre nga organizata të njohura me OKB-në në krye.
Përpara se të shprehim disa konsiderata diplomatike dhe për t‘ia lehtësuar punën lexuesit po bëjmë disa krahasime retrospektive midis Këshillit të Paqes dhe historikut të krijimit të 4 organizatave të mëposhtëme ndërkombëtare që janë të ngjashme në misionin, funksionin, traditat dhe në strukturat e tyre të shumta.
Duke filluar me OKB-në, ideja për krijimin e të cilës fillimisht u hodh më 12 Qershor 1941 në një takim në Londër. Ndërsa më 14 Gusht 1942, Presidenti Ruzvelt hodhi piketat e Kartës së famshme të Atlantikut mbi Paqen gjatë takimit me Çurçillin, e cila u shpall më 1 Janar1943; aty përmendet për herë të parë termi “Kombet e Bashkuara“ i krijuar nga Ruzvelti. Vendimtare këtu ishte Konferenca e zhvilluar më 29 Shtator – 7 Nëntor 1944 në të famshmin Dumbarton Oaks, Uashington. Më vonë puna vijoi në takimet e njohura historike të liderëve të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe BS-së, të cilët i shtruan këtë ide për diskutim fillimisht me 10 vende, pastaj me 26 dhe në fund më 50 vendet e para themeluese, nga 193 që janë sot.
Në përfundim të këtyre procedurave, më 25 Prill 1945 u hap në San Francisko Konferenca për krijimin e OKB-së. Mirëpo, u deshën plot dy muaj punë për draftimin e Kartës së saj me 128 faqe, 19 Kapituj dhe 111 Nene. ( Këshilli i Paqes ka 8 faqe Karta e OKB-së u ratifikua më 24 Tetor 1945, ndërsa sesioni i parë i OKB-së u zhvillua në Londër në Janar 1946. Më 1948, ajo u vendos në Nju Jork.
Rasti i dytë i referohet Këshillit të Europës ( KiE) si e para organizatë europiane për të drejtat dhe liritë njeriut. Edhe krijimi i saj ishte rezultante e demarsheve të shumta diplomatike mes 10 vendeve të para themeluese, të cilat muarën spunto nga fjalimi emblematik i Çurçillit më 19 Shtator 1946 mbi Europën e Bashkuar. Edhe pse vetëm europiane në përbërje, KiE-së iu deshën gati 3 vite përpjekje, konsultime dhe “stacione“ diplomatike deri në themelimin e saj më 5 Maj 1949 në Londër, mbi bazën e Traktatit të tij. Spikatin krijimi në Nëntor 1947 i Komitetit Koordinues dhe më 1948 Kongresi i Hagës me praninë e 700 delegatëve, ku u miratuan bazat dhe strukturat e KiE-së.
Pati shumë debate nëse KiE-ja duhej të ishte panel qeveritar apo tribunë parlamentare. Përfundimisht asaj ia dhanë të dyja atributet, me Komitetin e Ministrave të Jashtëm dhe me Asamblenë Parlamentare, ku përfaqësohen parlamentet e vendeve të saj anëtare. Pas viteve 90, KiE-ja u zgjerua në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore dhe sot ka 46 Shtete Anëtare.
Akoma dhe më interesant është historiku i krijimit të Konferencës së Bashkëpunimit dhe Sigurimit Europian ( KSBE) e cila në vitin 1995 u kthye në Organizatë me të njëjtin emër ( OSBE). Ajo ishte dhe mbeti forumi i parë dhe i vetëm Euro-Atlantik i dialogut midis Lindjes dhe Perëndimit të asaj kohe, të kryesuar nga SHBA-të me aleatët perendimorë dhe ish Bashkimi Sovjetik me të gjitha vendet e Europës Qendrore/Lindore, me përjashtim të Shqipërisë.
Bisedimet për krijimin e KSBE-së filluan në Nëntor 1972 midis SHBA-së, BS dhe vendeve të tjera në tre grupe të mëdha pune sipas tri tematikave madhore.
Përfundimisht, pas gati tre vite demarshesh diplomatike në të gjitha metropolet për “ta kopsitur“ dokumentin e saj themelor, KSBE-ja u inaugurua me një ceremoni të bujshme më 1 Gusht 1975 në Helsinki, me nënshkrimin nga kryetarët e Shtetit/Qeverive të 34 vendeve të Aktit të tij Përfundimtar me 400 faqe, ose “Dekalogu“ demokratik. Akti Final i Helsinkit konsiderohet “kryevepër diplomatike“
Ai përbëhet nga tri “shporta“ – demokracia dhe të drejtat e Njeriut, Bashkëpunimi ekonomiko/tregtar dhe siguria europiane. Selia e saj u vendos në Vjenë, ndërsa në Varshavë është Zyra për Institucione Demokratike ( ODIHR) e cila merret me monitorimin e proceseve zgjedhore; raportet e saj i marrin të gatshme BE-ja, KiE-ja dhe vendet anëtare. Sot OSBE-ja ka 57 shtete anëtare dhe 11 vende partnere.
Në pranverën e vitit 1973 i erdhi ftesa edhe vendit tonë për t’u bërë pjesë e KSBE-së, por rregjimi i asaj kohe e refuzoi, madje e etiketoi ”Konferenca e Mossigurimit Europian”. Nga fundi i viteve 80 punoja në Drejtorinë që mbulonte këtë fushë në MPJ; ndaj e di mirë se ç‘hoqëm për t‘u anëtarësuar në OSBE më 20 Qershor 1991.
Krahasimi i fundit domethënës që lidhet më direkt edhe me rajonin tonë është “Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore“ i cili, gjatë viteve 1999 – 2008 u bë kryefjala e politikës dhe termi më i dëgjuar sidomos në Ballkan. Qysh kur NATO po përgatitej për ndërhyrjen ushtarake kundër Serbisë në muajin Mars 1999, BE-ja, nëpërmjet Gjermanisë, e cila e kryesonte atë në gjashtëmujorin e parë të atij viti dhe me mbështetjen e SHBA-ve hartoi draftin e parë të atij që u pagëzua si “Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore“ Në fakt, drafti ishte “minikopje“ e Aktit të Helsinkit, vetëm se në vend të tri “shportave“, Pakti kishte “tri tryeza“ të njëjta.
Konsultimet mbi tekstin përfundimtar me mbi 30 vendet e interesuara, përfshi Japoninë vijuan me intensitet për gati 5 muaj rresht kryesisht në Bruksel. Si diplomat në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel i ngarkuar me këtë dosje pata fatin dhe rastin të isha aktiv në të gjitha takimet përgatitore të grupeve të punës.
Në vijim, më 10 Qershor në Bon u bë takimi i Zyrtarëve të Lartë dhe i Ministrave të Jashtëm të 35 vendeve pjesëmarrëse, ku iu dha dora e fundit dhe u siglua dokumenti i tij themelor. Por, për shkak të debateve të shumta për koncepte dhe çështje të ndryshme që lidheshin me kufizime, përcaktime, ndjeshmëri dhe përgjegjësi të vendeve pjesëmarrëse në atë Pakt mbaruam punë vetëm në të gdhirë.
Më pas, dokumentit iu bënë disa rregullime “kozmetike“ dhe më 31 Korrik 1999, Pakti i Stabilitetit u inaugurua në një ceremoni madhështore në Samitin e Sarajevës, me praninë e Presidentit Clinton dhe të mëdhenjve të tjerë nga bota. Tani mendoni, sa shumë përgatitje disa mujore për Paktin që prekte vetëm 6 vende!
Në vitin 2008, me qëllim që t’i jepnin një pronësi më të madhe rajonale, Paktin e kthyen në Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) me seli në Sarajevë. Gjatë viteve 2019 – 2024, RCC-në e drejtoi politikanja e mirënjohur shqiptare, Majlinda Bregu.
Pas këtyre krahasimeve retrospektive, natyrshëm dalin përfundimet e mëposhtëme mbi Këshillin e Paqes në aspektin politik, diplomatik, protokollar dhe atë praktik.
Së pari, krijimi i organizatave të lartpërmendura ndërkombëtare kishte karakter gjithëpërfshirës; ai nuk ishin rezultat dhe shfaqje përjashtimisht e një lideri të vetëm, ca më pak marrëveshje të tipit “lere ose merre“, siç po ndodh me Këshillin e Paqes, por produkt i një procesi të gjatë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe demarshesh nga ekipet diplomatike të vendeve pjesëmarrëse; me bindjen se ishin në pozita të barabarta me të gjithë të tjerët në çdo aspekt, proces dhe strukturë.
Së dyti, themelimi i tyre u bë pa ngut, pa trysni dhe pa improvizime, as brenda natës, javës dhe muajit; ai u filtrua në kanalet dhe institucionet e shteteve palë.
Së treti, krijimi i tyre u mbështet me transparencë në një bazë të qartë kushtetuese për çdo vend dhe të së drejtës ndërkombëtare, rezolutave të KS të OKB-së, legjislacionit të BE-së, vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, etj.
Ndërsa Këshilli i Paqes, vërtet ka një mandat nga KS i OKB-së, por ai është i përkohshëm dhe kufizohet të vendosja e paqes në Gazë dhe aq. Për pasojë, tejkalimi i mandatit, siç del edhe nga Karta e Këshillit të Paqes, që pa gjuhë ligjore më shumë ngjan si një trakt ose pamflet propagandistik përbën shkelje të të drejtës ndërkombëtare. Arsye e mjaftueshme kjo për ta refuzuar atë, siç po bën Italia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, etj edhe pa hyrë në aspekte të tjera.
Së katërti, OKB-ja me filialet e saj të mirënjohura u ka rezistuar sfidave të kohës në 80 vitet e fundit, madje duke e shtuar ndjeshëm anëtarësimin, misionin, strukturat dhe katalogun e e tyre; gjithmonë me konsensusin e vendeve pjesëmarrëse dhe jo me “shkopin e dirigjentit“.
Ndonëse objektivi themelor i OKB-së ishte paqebërja dhe paqeruajtja, me vonë ajo u angazhua konkretisht edhe në disa misione të tjera të njohura jetike dhe së fundi Zhvillimin e Qëndrueshëm me Objektivat e Mijëvjeçarit. Ndaj, ajo e ka zgjeruar vazhdimisht veprimtarinë e saj me mbi 10 filialet e saj të mëdha -Banka Botërore, FMN, PNUD, OBT, OBSH, UNESCO, FAO, UNCTAD, UNICEF, IAAE, etj bashkë me dhjetra komitete/nënkomitete, me seli në Washington, Paris, Vjenë, Romë, Gjenevë si edhe me mijra ushtarë “helmeta blu“ në pikat e nxehta të globit.
Sa për problemet dhe dështimet e OKB-së, kjo nuk përbën shkak për çmontimin, por për riparimin dhe reformimin e tyre. Ndryshe, kësaj i thonë “Rroftë sebepi“!
Së pesti, anëtarësia masive në këto grupime është diskutuar gjerësisht si element tejet i rëndësishëm i realizimit të misionit dhe sidomos besueshmërisë së tyre. Konkretisht, në vitin 1949, edhe pse bashkëthemeluese, Kina u përjashtua nga OKB-ja për shkak të qëndrimit të saj ndaj Tajvanit dhe u ripranua 22 vite më vonë. E kundërta po ngjet me Këshillin e Paqes, ku ftohet Rusia, e cila edhe pse Anëtare e Përhershme e KS të OKB-së ka sulmuar dhe është në luftë me Ukrainën! Edhe nëse duhej të ishte, kjo mund të lejohej, por me disa kushte dhe jo automatikisht.
Së gjashti, organizatat e lartpërmendura nuk ishin as paralele, as plotësuese dhe as mbivendosje e ndonjë grupimi tjetër të mëparshëm. E kundërta po ngjet me Këshillin e Paqes, për të cilin janë ngritur dyshime serioze, madje është krijuar menjëherë perceptimi i gjerë publik se nëpërmjet tij synohet sfidimi ose zëvendësimi i butë i rolit të OKB-së, e cila është “ Maja/Çatia“ më e lartë diplomatike e botës; madje deri në atë pikë sa ta konsiderojnë me tepërim Këshillin e Paqes si OKB private të Donald Trump! Mirëpo, vetë procedurat e ngutshme të krijimit të saj, pa konsultime paraprake me BE-në dhe me vendet që u ftuan të jenë pjesë e tij dhe njoftimi me urgjencë në ditët e fundit e përforcojnë këtë imazh negativ, i cili nuk ka ekzistuar për asnjë nga organizatat e lartpërmendura.
Ca më tepër kur diplomacia amerikane kishte kohën dhe mundësitë që të “tatonte pulsin“ e vendeve të tjera lidhur me këtë nismë përpara se ajo të kthehej brenda javës në një organizatë; dhe kur të gjithë mezi po pritnin që Bordi i Paqes t’i vinte shpatullat punës për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes në Gazë. Mandej, mbi bazën e sugjerimeve dhe reagimeve të tyre, mund edhe të bëhej përditësimi i Kartës së Këshillit, të merrej miratimi i duhur KS të OKB-së jashtë mandatit të Gazës dhe të bëhej lançimi i Këshillit. Kështu, edhe ceremonia inauguruese do të kishte më shumë solemnitet, jehonë politike dhe përfaqësim shumë më të madh gjeografik.
Në fakt, perceptimin negativ publik mbi Këshillin si anti-OKB e përforcoi edhe vetë Presidenti Trump kur disa javë më parë njoftoi largimin nga 66 organizata ndërkombëtare, 31 prej të cilave të OKB-së; dhe jo dosido, por të angazhuara në fusha me nevoja dhe ndjeshmëri të mëdha publike, si klima, shëndeti, fëmijtë, varfëria dhe ndihmat humanitare të cilat i shërbejnë paqes. Mirëpo, nga sa u pa më lart, OKB-ja edhe mund të çmontohet, por është e pamundur të zëvendësohet!
E fundit por jo më pak e rëndësishme, perceptimit dhe dyshimeve të mësipërme ia “vuri kapakun“ mandati i përjetshëm i kryesimit të tij, i vetos nga Presidenti Trump dhe mungesa e rregullave mbi rolin dhe përgjegjësitë e barabarta mes vendeve deri te kryesimi me rotacion, siç ndodh në OKB, BE, NATO, KiE, etj. Edhe pagesa unikale 1 miliard Dollarë dhe pa asnjë diferencim për një vend të përhershëm në Këshill i kundërvihet praktikave të organizatave të tjera ndërkombëtare, ku secili vend paguan një kuotë të caktuar në raport me popullsinë dhe nivelin ekonomik.
Në përfundim, nismëtarëve të Këshillit të Paqes tani u bie barra e rëndë dhe do t’u duhet të shpenzojnë shumë kohë, burime dhe energji të mëdha për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve vërtet “me spec“. Sepse vendosën “karrocën përpara kalit“! Dhe prapë nuk është se kanë garanci për sukses. Ndaj, fillimi nuk është premtues.
Gjithsesi të gjithë urojnë që Këshilli i Paqes të realizojë misionin për të cilin u krijua nga KS i OKB-së, realizimin e paqes së qëndrueshme dhe të shumëpritur në Gaza.
—
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
