Prof. Dr. Selman Sheme
- Relacionet funksionale qendër-periferi
Gjatë periudhës së tranzicionit, zhvillimet dhe transformimet ekonomike, ritmet e urbanizimit të popullsisë dhe ndërhyrjes së njeriut në mjedis janë shoqëruar me ristrukturimin e përgjithshëm të hapësirës gjeografike të vendit tonë. Lëvizjet migruese, përqendrimi i veprimtarive humane dhe lokalizimi i popullsisë në Ultësirën Pranë Adriatike, në boshtet lineare të rrjetit të komunikacionit apo luginat e lumenjve, po krijojnë një arkitekturë të re në marrëdhëniet midis qendrave kryesore urbane dhe territoreve-periferike gravituese të tyre.
Vlerësimi dhe shfrytëzimi kompleks i burimeve natyrore dhe humane në territoret periferike gjithnjë e më shumë po kushtëzohet nga kohezioni, ndërvartësia dhe frekuenca me qendrat kryesore urbane gravituese të tyre. Për rrjedhojë roli i faktorëve natyrorë gjeografik në hartimin e Reformës Administrativo-Tokësore duhet të konsiderohet në masën e relacioneve funksional qendror-periferi, shkallës së urbanizimit dhe humanizimit, zhvillimit dinamik e strukturor ekonomiko-industrial dhe infrastrukturor të gjeo-hapësirës.
Qytetet kryesore të vendit tonë si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Vlora, Korça etj., gjithnjë e më shumë po luajnë rolin e “poleve” të zhvillimit rajonal duke gjeneruar flukse dhe reflukse të qarkullimit të mallrave, kapitale, informacioneve, e janë shndërruar qendra të shërbimeve arsimore, shkencore e kulturore. Prezenca e qendrave universitare në këto qytete mundëson hartimin e projekteve per studimin e problematikave mjedisore, menaxhimin e baseneve lumore, zonave pyjore e kullosore, mbrojtjen e tokës nga erozioni, ruajtjen e ekuilibrave në ekosistemet natyrore, etj.
Ky realitet i ri mund dhe duhet të konsiderohet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës Administrativo-Territoriale. Ka ardhur koha që vendi të diferencohet sipas kriterit të kohezionit, ndërvartësisë e frekuencës, në rajone funksional.
Reforma administrativo-territoriale e vitit 2014, që e ndan vendin në 61 bashki dhe 12 qarqe, është një hap i rëndësishëm në tendencën e përgjithshme për pakësimin e njësive administrativo-territoriale, që vërehet edhe në vendet anëtare BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Analiza e zonave funksionale u inkuadrua brenda kufijve të qarqeve, megjithëse kishte territore ku tendencat e zhvillimit i kapërcenin ato. Zadrima p.sh. , është një njësi fiziko-gjeografike, ekonomike dhe etnokulturore homogjene, por ajo është ndarë në dy qarqe, në atë të Shkodrës dhe Lezhës. Po ashtu Myzeqeja është një njësi homogjenë fiziko-gjeografike dhe etnokulturore, por ajo edhe sot shtrihet në tre qarqe, atë të Fierit, Vlorës dhe Beratit.
Me ndarjen e re administrativo-territoriale ka bashki me më pak se 10.000 banorë (Bashkia e Pustecit, Këlcyrë, Delvinës etj), prandaj dhe logjika e funksionalitetit të këtyre njësive të reja vendore është e dobët.
Në rastin e krijimit të bashkisë së Konispolit nuk është mbajtur në konsideratë tradita historike dhe lidhjet organike etnokulturore. Fshatrat e Pandalejmonit e Sopikut që kanë lidhje historike, ekonomike, shoqërore e kulturore me Konispolin i janë aneksuar bashkisë së Finiqit që është formuar nga fshatrat e minoritetit grek.
Një fragmentizim më i ulët dhe një diversitet më i lartë i burimeve dhe llojeve të zhvillimit brenda një bashkie do të ofronte një konsolidim më të madh të territorit nga ky që është arritur me reformën e vitit 2014.
- Ristrukturimi i nivelit të dytë të qeverisjes vendore
Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe i ekuilibruar realizohet jo vetëm nëpërmjet konsolidimit më të madh të nivelit të parë të qeverisjes (bashkive) por edhe nëpërmjet rregullimit të qartë dhe përcaktimet shkencore të gjeohapësirës ku duhet të shtrihen njësitë e nivelit të dytë të qeverisjes (qarqet). Për nivelin e dytë të qeverisjes vendore ristrukturimi duhet të synojë në krijimin e njësive gjeohapësinore më të mëdha, me popullsi minimalisht 400 deri në 500 mijë banorësh. Këtë e rekomandon Bashkimi Europian dhe është kriter për krijimin e makrorajoneve.
Ristrukturimi i qarqeve është një domosdoshmëri imperative në kushtet e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.. Krijimi i makrorajoneve dhe ngritja e grupeve lokale të veprimit mundëson kurijimin e organizimin e platformave të bashkëpunimit dhe hartimin e projekteve përkatëse për absorbimin e fondeve të kredituara nga BE.
Një variant oportun i propozuar i organizimit të qarqeve mund të jetë ndarja e vendit në katër makrorajone administrativo-territorial.
- Rajoni Qendrorë me qendër gravituese qytetin e Tiranës.
(Qarku i Tiranës, Durrësit, Dibërës dhe Bashkia e Kurbinit)
- Rajoni Verior me qendër gravituese qytetin e Shkodrës
(Qarku i Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit)
- Rajoni Jug-lindor me qendër gravituese qytetin e Korçës
(Qarqet i Korçës, Elbasanit dhe Beratit).
- Rajoni Jug-Perendimor me qender gravituese qytetin eVlores
(Qarku i Fierit, Vlores dhe Gjirokastres)
Bazuar në këtë opsion në vijim do të argumentojmë avantazhet e ndarjes së re administrativo-territoriale në rastin e Rajonit Verior me qendër gravituese Shkodrën.

| Rajoni Verior |
| Rajoni Juglindor |
| Rajoni Jugperendimor |
| Rajoni Qendror |
- ShKODRA, kryeqendra URBANE E rajonIT verior
- Trashëgimia historike
Shkodra është qyteti më i madh i pjesës veriore të Republikës së Shqipërisë. I vendosur në skajin jugor të ultësirës së Mbishkodrës, në nyjen hidrogjeografike: Liqeni i Shkodrës, Lumi i Bunës e lumi i Drinit, vetëm 32 km larg detit Adriatik dhe në afërsi të Alpeve Perëndimore, ekosistemi urban i Shkodrës ka tipare unikale gjeografike me vlera polivalente si qendër gravitimi për gjithë gjeohapësirën e Shqipërisë së Veriut e më gjerë. Shkodra është qyteti i udhëkryeqeve për lidhjen e Shqipërisë me gadishullin e Ballkanit dhe Europën Qendrore, qendra e vjetër ekonomik e tregtar. Ajo aktualisht përbën portën kryesore hekurudhore për lidhjen e Shqipërisë me botën e jashtme.
Pozita gjeografike ka favorizuar ngritjen dhe zhvillimin e kësaj qendre urbane 2400 vjet më parë, me një dinamikë dhe vazhdimësi të jetës qytetare në të gjitha periudhat historike. Që në shek. XVII qyteti u bë qendra kryesore të Shqipërisë së Veriut dhe e sanxhakut me të njëjtin emër. Më vonë qyteti u bë qendër e Pashallëkut të Bushatlinjëve të famshëm (1757-1831) dhe e Vilajetit të Shkodrës (1864-1912).
Deri në shpalljen e pavarësisë, në sajë të nivelit të zhvillimit ekonomik e tregtar, Shkodra njihej si kryeqyteti politik, ekonomik e kulturor i Shqipërisë me një popullsi prej 60.000 banorësh (Viti 1870), në një kohë që Tiranë kishte 3000 banorë, Korça, 6000 banorë, Vlora 5000 banorë, Janina 28.000 banorë dhe Beogradi 15.000 banorë.
Në mesin e shek. XIX në qytet ushtronin arkitekturën 80 llojë zejesh dhe pazari i tij kishte 3000 dyqane. Shkodra importonte lëndë të para bujqësore-blegtorale nga Rrafshi i Dukagjinit dhe eksportonte produkte të përpunuara, armë, punime argjendarie e filigrami, etj. Shkodra ka qenë port mbi lumin e lundrueshëm të Bunës dhe liqenin e përbashkët me Malin e Zi. Avamposte tregtare detare të qytetit kanë qenë Tivari, Ulqini, Oboti dhe Shëngjini.
Krijimi i Rajonit Veriut në hapësirën e tre qarqeve (Shkodër, Lezhë e Kukës) ofron mundësinë që Shkodra të ridimensionoi rolin e saj tradicional si qendra më e madhe “polare” ekonomiko-tregtare e kulturore me rezonancë në të gjithë gjeohapësirën nga Ultësira Shkodrane e Alpet deri në Rrafshin e Dukagjinit e më gjerë. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të luaj në të ardhmen korridori “Adriadik-Alpe” apo “Lugina e Zhvillimit” e cila është projektuar të ndërtohet në aksin Shëngjin-Lugina e Drinit-Tropojë(Qafë-Morinë)-Gjakovë.
- Një avantazh i rëndësishëm i opsionit që ofrohet është detarizimi i Rajonit Verior me një dalje më të gjerë në detin Adriatik, nga grykëderdhja e Bunës në Kepin e Redonit. Në raport me sipërfaqen tokësore hapësirat detare janë të bollshme. Këto hapësira janë të pashfrytëzuara pasi historikisht shqiptarët i kanë kthyer shpinën detit. Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen resurset turistike, por deti është i pasur dhe mund të shfrytëzohet edhe për zhvillimin e ekonomisë së peshkimit, për transportin detar, për rezervat e hidrokarbureve, që potencialisht mbart shelfi kontinental etj.
Riaktivizimi i korridorit ujor, Deti Adriatik-Lumi i Bunës-Liqeni i Shkodrës – Virpazar (Mal i Zi), do të rivendoste lidhjet tradicionale ekonomiko-tregtare në këtë “bosht linear”.
Në humanizimin dhe prosperitetin ekonmomik të Shkodrës e Rajonit Verior në tërësi, një rol parësor në të ardhmen do të luajë ndërtimi i “Korridorit Blu” gjatë bregdetit turistik Trieste-bregdeti Dalmat-Shkodër-bregdeti shqiptar….., i cili do të nxisë veprimtaritë e biznesit dhe lëvizjes turistike në rajonin ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi e më gjerë.
- Një pjesë e konsiderueshme e gjeohapësirës së Shqipërisë kryesisht zonat malore e kodrinore dhe veçanërisht Rajoni Verior i Shkodrës janë në një proces shpopullimi. Këto hapësira janë të pasura me pyje apo edhe mund të pyllëzohen, janë të pasura në kullota, me minerale etj. Në këtë rajon ndodhen vendburimet më të rëndësishme të xeheroreve të bakrit (Mirditë, Shkodrës, Kukës, Pukë) që aktualisht, pjesë më e madhe e tyre, janë të konservuara. Sektori nuk është strategjik por potencialet mineralmbajtëse në rajon janë të konsiderueshme dhe të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale me burime të varfra jetese. Ka mekanizma ekonomik të njohur si: dhënia me qira, dhënia me koncesion apo dhe mbështetja dhe nxitja nga ana e shtetit për krijimin e distrikteve industrial për prodhimin, përpunimin, marketingun e produkteve bujqësore-blegtorale, lëndës drusore, minerare etj. Krijimi i një hapësire të gjerë prej 7355 km2të shtrirjes së Rajonit Verior të Shkodrës mundëson dimensionet vertikale (konvergjent), anësore dhe diagonale të Distrikteve Industriale.
Bazuar në potencialin e madh hidroenergjetik, me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, si rregullator i Kaskadës së Drinit, Rajoni Verior do të marrë fizioniminë e plotë të profilit të tij si qendra kryesore e prodhimit hidroenergjetik me vlerë kombëtare.
Në Europë dhe Ballkan ka një mori modelesh në vende të tilla si: “Tigri Zviceran”, “Celltiku Irlandez”, “Puma Çeke”, “Tatra Sllovake”, “Tigri Slloven” etj., të afërta me Shqipërinë për nga numri i popullsisë, ku zonat malore, pllajat dhe zonat e larta kodrinore përbëjnë hapësira të rëndësishme strategjike, ekonomike dhe turistike.
- Rajoni Verior i Shkodrës dallohet për pasuritë me vlera të mëdha të kulturës materiale, shpirtërore, shoqërore dhe artistike. Shpella prehistorike e Gajtanit, qytezat ilire të Marsheit, Shudhahut dhe Gajtanit, Kalaja e Rozafës, Kalaja e Lezhës, Kalaja Dalmacia në Koman, monumentet historike e të kultit, arkitektura urbane dhe rurale etj., përbëjnë një pasuri etnokulturore, e cila së bashku me monumente kulturore përbëjnë potenciale të konsiderueshme të resurseve turistike, që mund dhe duhet të menaxhohen në procesin e ngritjes dhe zhvillimit të Distriktit të Industrisë së Turizmit në rajon. Qendrat turistike në Velipojë, Shëngjin, Shirokë, Vermosh, Lëpushë, Razëm, Theth, Shishtavec etj., mund të organizohen në një strukturë ekonomike të integruar me sektorët e agro-industrisë, agro-turizmit, sektorin e shërbimeve etj., duke i dhënë Distriktit Industrial dimensionale konvergjente anësore dhe diagonale.
- Rajoni Verior i Shkodrës ka hapësira të mëdha të pashfrytëzuara që gjenden në zona kufitare. Ka shtet që zonat kufitare i kanë ndër rajonet më të zhvilluara dhe ato kanë shërbyer, si ura lidhëse me vendet e tjera si: Rajoni i Alsas-Lorenës (Francë-Gjermani), Rajoni i Sudeteve (Çeki-Gjermani), Rajoni i Tirolit (Itali-Austri), Rajoni i Flandres (Gjermani-Holandë), Rajoni i gjirit të Biskajës (Firence-Spanjë).
Meqenëse Shqipëria ka qenë e izoluar për 50 vite, zonat kufitare kanë mbetur të pazhvilluara. Ato u fortifikuan dhe u trajtuan si rajone gjeo-stragjik me instalimin e forcave ushtarake për mbrojtjen e vendit nga “agresioni imperialisto-revizionist”.
Me zhvillimet e reja dhe të favorshme gjeopolitike janë krijuar kushtet që kufijtë fizik në hapësirat shqiptare në Ballkanin Perëndimor të kthehen në kufij virtual duke mundësuar realizimin e projektit të “komunuelthit ekonomik shqiptar”, krijimit të eurorajoneve dhe bashkëpunimit subrajonal dhe ndërkufitar. Në këto kushte mundë dhe duhet të hartohen projekte për riaktivizimin e lidhjeve tradicionale ekonomike dhe kulturore të Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., me Shkodrën në një hapësirë ekonomike të lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitaleve. Në kushte të reja, kuksianët mund të punësohen në Prizren, hasianët në Gjakovë, tropojanët në Pejë etj., ndërkohë që Shkodra është një mjedis i favorshëm për thithjen e lëndëve të para bujqësoro-blegtorale dhe investimit të biznesit kosovar në projekte të zhvillimit të përbashkët.
Qasja e re teritorialo-administrative, duke pakësuar numrin e njësive vendore, mikro dhe makro rajonale është një domosdoshmëri që synon t’i shërbejë edhe barazisë së shanseve në aksesin ndaj fondeve publike apo burimeve të ndryshme financiare në nivel vendor. Në këtë mënyrë do të zbuten diferencat në zhvillimin ekonomik, midis makrorajeneve në nivelin e të gjithë vendit, por edhe mikrorajoneve brenda rajoneve të mëdha.
Ndarja e re territoriale administrative, duke fuqizuar ekonominë, do të fuqizojë komunitetet edhe në pikëpamjen sociale dhe do t’i krijojë shanse më të mëdha kutlurës së jetesës dhe bashkëjetesës në të gjithë vendin.

Shkruhet:“ aneksuar bashkisë së Finiqit që është formuar nga fshatrat e minoritetit grek.” Pse ky është kriteri, që të ndahet sipas etniciteteve?! Shqipëria do të futet në Europë dhe kufijtë bëhen simbolikë, ndërsa ju kërkoni të bëni mikrokufij artificialë, ndarës etnicitetesh! Po në Greqi e shohin në këtë mënyrë ndarjen e etniciteteve?! Apo, atje nuk ka minoritete?!
Urime prifesir Selmani. Një studim shkencor, me tregues që i përshtaten realitetit të rajoneve. Jeni njohës i rrallë i trojeve shqiptare, gjë që ndikon në shtrimin e problemeve në përputhje me karakteristikat klimatike, pasuritë natyrore, kulturat krahinore etj. Personalisht e vlerësoj pa dyshim një studim të mirëfilltë shkencir. Urime. Prifesor! Do doja të shtoja në këtë studim me vlera për t’u mbajtur parasysh nga konisionet përkatëse edhe një fakt tjetër, që jo vetëm unë por edhe ju dhe intelektualë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë e kemi ngritur sa herë është takuar rasti. Është fjala që rajonet, qarqet, komunat apo fshatrat etj të ndërrohen emrat sllavo-grek të vendosura gjatë dhe pas mesjetës. Të vendosen emrat duke u përshtatur në gjuhën shqipe. Ky moment është një mundësi reale për të ndrequr apo më saktë, për të pastruar vendin nga “çibanlt” e huaj. Respekte për studimin me vlera shumë dimensionale.
Ekspert ekonomie. Fahri Dahri. 30/08/2022.-