Nga Linda Rustemaj
Akademiku Luan Omari u nda nga jeta pak ditë më parë. Ishte njeri i dijes, një nga themeluesit e Universitetit të Tiranës dhe njohës i thellë i së drejtës ligjore.
Në një shkrim botuar këtu në DITA, diplomati dhe publicisti Piro Vito sjell në vëmendje jo vetëm portretin e një njeriu të dhënë pas punës, por edhe një rrëfim të rrallë.
Është një dëshmi e heshtur që vetë Luan Omari ia besoi Piros gjatë një nate shtatori në Bukuresht, ku u ndërthurën fati i tij personal, historia e lëvizjes komuniste dhe tragjedia e babait të tij.
Piro Vito sjell ndër mend vizitën e Luan Omarit në Bukuresht, për 125-vjetorin e Akademisë Rumune. Në mbrëmjen e asaj dite, teksa televizioni transmetonte pamjet e fundit tragjike të diktatorit rumun Çaushesku, profesor Luani do të ndalte frymën për një çast, duke thënë fjalë që do të linin gjurmë të pashlyeshme: “Këto pamje më tronditën, sepse më kujtojnë fundin tragjik të babait tim.”
Aty u hap dritarja e një bisede mbi Bahri Omarin, babain e Luanit – një figurë komplekse e historisë shqiptare. Bahri Omari kishte qenë një burrë serioz me qëndrim të spikatur atdhetar që në rininë e tij. Në Luftën e Parë Botërore, si nënprefekt i Himarës, kishte demaskuar politikën antishqiptare të qarqeve shoviniste greke dhe kishte mbështetur çetat që zmbrapsën andartët.
Më vonë, në SHBA, ai drejtoi gazetën Dielli, duke mbrojtur me pasion çështjen kombëtare, për t’u kthyer më pas në atdhe dhe për t’u rreshtuar në opozitën parlamentare.
Por udha e historisë do të merrte kthesa dramatike. Pas pushtimit fashist, rreshtimi i tij politik në krahun e Ballit Kombëtar dhe përfshirja në qeverinë e Rexhep Mitrovicës e çuan drejt përplasjes fatale me lëvizjen komuniste.
Profesor Luani i rrëfeu ish-studentit të tij se kishte qenë prezent kur i ati ishte grindur ashpër me Enver Hoxhën për qëndrimin ndaj Ballit Kombëtar, ndërsa veprimet e komunistëve të frontit Nacionalçlirimtar i quante “punë kalamajsh”. Më e rëndë u bë situata pas Mbledhjes së Mukjes, kur Bahri Omari u përfshi në qeveri, duke provokuar zemërimin e hapur të Enver Hoxhës.
Një detaj i njohur historik dhe familjar lidhur me këtë ngjarje ishte se Bahri Omari ishte kunati i Enver Hoxhës (i martuar me motrën e tij, Fahrijen), por pavarësisht lidhjeve familjare dhe ndihmave që Bahriu i kishte dhënë Enver Hoxhës në rini, ai u dënua dhe u ekzekutua me pushkatim.
Ai ishte ndër personalitetet e dënuara me vdekje nga Gjyqi Special i prillit 1945.
Fjalët e tij të fundit para skuadrës së pushkatimit mbetën si një thirrje për historinë: “Ktheni fytyrën nga pushkët. Vetëm tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjykatës i paanshëm.”
Kjo tragjedi la një hije të rëndë mbi familjen. Bashkëshortja e tij, e cila mbajti rrobat e zeza deri në fund të jetës, u tjetërsua nga dhimbja, duke mos e falur kurrë as vëllain e saj, Enver Hoxhën, për qëndrimin që mbajti.
—–
FOTO: Bahri Omari në gjyq. Shkrimin e Piro Vitos mund ta lexoni duke klikuar KËTU
