Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Kur e Majta tradhton vetveten, lind një e Majtë të re
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Kur e Majta tradhton vetveten, lind një e Majtë të re
Lajmi i funditopinion

Kur e Majta tradhton vetveten, lind një e Majtë të re

Published: November 19, 2026
Shpërndaje

Nga Fatos Tarifa

Europa po përjeton një nga paradokset më të mëdha të jetës së saj politike: në një kohë kur thellimi i pabarazive ekonomike e sociale, përqendrimi gjithnjë e më i madh i pasurisë dhe i pushtetit në duart e një pakice, pasiguria në rritje e punës dhe kriza e përfaqësimit demokratik do të duhej ta bënin të Majtën më të nevojshme se kurrë, ajo, në shumë vende europiane, po humbet terren politik, identitetin e ver ideologjik dhe besueshmërinë publike.

Ndërkohë, e djathta radikale dhe ekstreme po zgjeron ndikimin e saj politik, duke e kanalizuar pakënaqësinë sociale drejt një nacionalizmi përjashtues, duke e ushqyer ksenofobinë me pasigurinë dhe frikën nga e ardhmja, si dhe duke e shndërruar mosbesimin ndaj institucioneve në armiqësi ndaj vetë parimeve dhe vlerave të demokracisë liberale.

- Publicitet -

Zgjedhjet europiane të vitit 2024 e bënë edhe më të dukshme këtë prirje, ndonëse forcat proeuropiane arritën të ruanin shumicën në Parlamentin Europian. Megjithatë, ajo që po ndodh në Europë nuk mund të shpjegohet thjesht me rezultatet elektorale apo me zhvendosjet e ekuilibrave politikë. Problemi është më i thellë dhe më kompleks: ai shpreh një transformim historik të marrëdhënieve mes shoqërisë, politikës dhe pushtetit, si dhe të vetë mënyrës se si interesat shoqërore artikulohen, përfaqësohen dhe shndërrohen në vullnet politik.

Çfarë ndodh me demokracinë kur e Majta heq dorë nga misioni i saj historik emancipues dhe, në vend që të sfidojë strukturat e pushtetit e të luftojë për transformimin e shoqërisë, shndërrohet në një instrument të administrimit, legjitimimit dhe riprodhimit të vetë pushtetit?

Kjo pyetje, që sot shtrohet me një urgjencë të re në shumë vende europiane, merr një kuptim dhe rëndësi të veçantë në realitetin shqiptar. Ajo nuk është thjesht një pyetje teorike, por një çështje thelbësore për të tashmen dhe të ardhmen e demokracisë sonë. Ka ardhur koha të mendojmë një përgjigje për të.

1. Kur e majta humbet misionin e saj

E Majta europiane nuk lindi për të administruar rendin kapitalist, por për të sfiduar dhe transformuar marrëdhëniet shoqërore që prodhonin dhe riprodhonin shfrytëzimin, pabarazinë dhe dominimin. Në thelbin e saj, historia e së Majtës është historia e një përpjekjeje të gjatë për t’i dhënë lirisë një përmbajtje reale, përtej barazisë formale përpara ligjit; për ta shndërruar atë nga një e drejtë e njohur në parim në një mundësi konkrete për të gjithë, nga një premtim juridik në një realitet shoqëror.

Në këtë përpjekje historike, socialdemokracia europiane ka merita të pamohueshme: ndërtimin e shtetit të mirëqenies, institucionalizimin e mbrojtjes sociale, zgjerimin e të drejtave të punëmarrësve, garantimin e arsimit publik dhe demokratizimin e marrëdhënieve ekonomike. Kontributi i saj themelor ishte përpjekja për ta bërë lirinë jo thjesht një të drejtë që njihet, por një mundësi që ushtrohet; jo një privilegj të atyre që kanë, por një të drejtë reale edhe për ata që nuk kanë.

Por, gjatë dekadave të fundit, një pjesë e konsiderueshme e së Majtës europiane përqafoi gradualisht një model ekonomik që i jepte përparësi tregut, konkurrencës dhe efikasitetit ekonomik, duke relativizuar idealet e barazisë dhe të drejtësisë sociale.

Kjo zhvendosje ideologjike jo vetëm e zbehu dallimin tradicional ndërmjet së Majtës dhe së Djathtës, por dobësoi edhe aftësinë e së Majtës për të përfaqësuar interesat dhe aspiratat e atyre shtresave shoqërore që historikisht kishin përbërë bazën e saj politike.

Sidoqoftë, vetëm ky transformim ideologjik nuk mjafton për të shpjeguar krizën e së Majtës. Globalizimi ekonomik, deindustrializimi, fragmentimi i klasës punëtore, ndryshimet e thella demografike e kulturore, migracioni dhe revolucioni digjital, i përshpejtuar së fundmi nga zhvillimi i inteligjencës artificiale, kanë ndryshuar rrënjësisht strukturën shoqërore, marrëdhëniet e punës dhe format tradicionale të organizimit e të solidaritetit kolektiv. Këto transformime kanë krijuar realitete të reja shoqërore, kanë prodhuar forma të reja pabarazie dhe kanë ndryshuar përbërjen, interesat dhe aspiratat e shtresave që historikisht përbënin bazën shoqërore të së Majtës.

Ndërsa shoqëria ka ndryshuar, një pjesë e konsiderueshme e së Majtës europiane nuk ka arritur të ripërcaktojë misionin e saj historik, të artikulojë një vizion politik në përputhje me këto realitete dhe të krijojë forma të reja përfaqësimi për grupet shoqërore të dala prej tyre. Rrjedhimisht, krizës së identitetit ideologjik të së Majtës i është shtuar një krizë po aq e thellë e përfaqësimit të saj shoqëror.

Problemi thelbësor i së Majtës sot është ky: paaftësia e saj për t’i shndërruar pasiguritë individuale në shqetësime kolektive dhe këto të fundit në çështje të përfaqësimit e të veprimit politik, ka krijuar një vakum politik që mund të shfrytëzohet nga forca populiste dhe autoritariste, të cilat, në vend që të adresojnë shkaqet strukturore të pabarazisë dhe të pasigurisë sociale, e kanalizojnë pakënaqësinë e shtresave të gjera të popullsisë në drejtim të armiqve të imagjinuar duke fajësuar ata në vend që t’u ofrojnë zgjidhje problemeve të kohës.

Pikërisht këtu duhet kërkuar një nga burimet e zghwrimit dhe fuqizikit politik të populizmit autoritarist. Kur e Majta humbet aftësinë për ta shndërruar pakënaqësinë sociale në shpresë kolektive dhe shpresën në veprim politik, krijohet hapësirë që e djathta ekstreme ta shndërrojë pasigurinë në frikë, frikën në zemërim dhe zemërimin në mbështetje politike. Me fjalë të tjera, atje dhe atëherë kur e Majta nuk arrin të mobilizojë shpresën për ndryshim, e djathta ekstreme mund të mobilizojë frikën nga ndryshimi.

2. Rikthim te tradita e së Majtës së Re

Më 1960, sociologu i shquar amerikan C. Wright Mills botoi esenë e tij të njohur “Letter to the New Left”, një nga tekstet që hodhën themelet intelektuale të së Majtës së Re. Në të, Mills sfidonte njëherësh dogmatizmin ideologjik dhe autoritarizmin e komunizmit sovjetik, si dhe konformizmin intelektual e politik të liberalizmit dhe të socialdemokracisë perëndimore. Kritika e tij drejtohej kundër çdo forme të mendimit politik që, në emër të një doktrine apo të pragmatizmit qeverisës, hiqte dorë nga fryma kritike dhe nga ideali i emancipimit shoqëror.

Sipas tij, të jesh i majtë do të thotë, para së gjithash, të mbash një qëndrim kritik ndaj strukturave të shoqërisë, institucioneve dhe marrëdhënieve të pushtetit, të vësh në pikëpyetje format ekzistuese të dominimit dhe të angazhohesh për transformimin emancipues të shoqërisë, duke u udhëhequr nga tri ideale themelore të humanizmit modern: arsyeja, liria dhe drejtësia shoqërore.

Në veprën e tij të njohur The Sociological Imagination, Mills argumentonte se problemet personale të individëve nuk mund të kuptohen të shkëputura nga konteksti historik, strukturat shoqërore dhe institucionet brenda të cilave ata jetojnë. Papunësia, fjala vjen, nuk është thjesht një fatkeqësi individuale, as varfëria domosdoshmërisht pasojë e paaftësisë personale. Edhe emigracioni, sado që mund të përjetohet si një zgjedhje individuale, shpesh kushtëzohet nga rrethana ekonomike, shoqërore përtej vullnetit të individit.

Të gjitha këto dukuri, kur marrin përmasa të gjera shoqërore, nuk janë më thjesht probleme private, por çështje publike, rrënjët e të cilave duhen kërkuar në organizimin e shoqërisë dhe në marrëdhëniet e pushtetit, ndërsa zgjidhjet kërkojnë përgjegjësi institucionale.

Është pikërisht kjo imagjinatë sociologjike, aftësia për të lidhur përvojën individuale me proceset historike, problemet personale me strukturat shoqërore dhe fatin e individit me funksionimin e institucioneve, ajo që shpesh i mungon debatit politik shqiptar.

Antonio Gramsci na ndihmon të kuptojmë se pushteti nuk ushtrohet dhe nuk riprodhohet vetëm përmes autoritetit të shtetit dhe mekanizmave të tij shtrëngues, por edhe përmes hegjemonisë kulturore, formësimit të ndërgjegjes kolektive dhe krijimit të një konsensusi që i bën marrëdhëniet ekzistuese të dominimit të perceptohen si të natyrshme, legjitime dhe të pashmangshme.

Herbert Marcuse, nga ana e tij, argumentonte se shoqëritë moderne industriale mund të prodhojnë konformizëm dhe nënshtrim edhe pa ushtruar dhunë të drejtpërdrejtë, përmes manipulimit të nevojave, integrimit të individit në mekanizmat e konsumit dhe kufizimit të mendimit kritik.

Raymond Williams dhe E. P. Thompson i vunë kulturën, përvojën njerëzore dhe veprimin kolektiv në qendër të emancipimit, ndërsa André Gorz e kushtëzoi çlirimin e njerëzimit me kritikën ndaj shoqërisë së konsumit dhe nënshtrimit të jetës ndaj logjikës ekonomike.

Këta mendimtarë nuk na ofrojnë një doktrinë të gatshme, as një model politik që mund të zbatohet mekanikisht në realitetin e sotëm. Madje, disa prej pikëpamjeve dhe qëndrimeve të tyre politike mbeten të diskutueshme dhe meritojnë një vështrim kritik. Por, përtej dallimeve dhe kufizimeve të tyre, ata na kujtojnë një të vërtetë thelbësore: e Majta e humbet kuptimin e misionit të saj historik emancipues kur heq dorë nga kritika e strukturave ekzistuese të pushtetit dhe, në vend që të synojë transformimin e tyre, mjaftohet me administrimin dhe riprodhimin e tyre.

3. Rilindja dhe paradoksi i socializmit shqiptar

Ky reflektim teorik na sjell natyrshëm në realitetn politik shqiptar. Partia Socialiste e Shqipërisë mban një emër që, historikisht, lidhet me idealet e barazisë, solidaritetit dhe drejtësisë sociale. Por identiteti ideologjik i një partie nuk përcaktohet nga emri që ajo mban, as karakteri i saj demokratik nga parimet që shpall. Të dyja provohen në praktikë, në vlerat që ajo mbron, në interesat shoqërore që përfaqëson, në mënyrën se si e ushtron pushtetin dhe në marrëdhënien që ndërton me qytetarët.

Rilindja e Edi Ramës u prezantua si një projekt modernizimi, europianizimi dhe reformimi të shtetit e të shoqërisë shqiptare. Unë nuk bëj pjesë ndër ata që njerëz që mohojnë çdo përparim të vendit, qoftë në rrugën e integrimit europian, qoftë në reformimin e institucioneve dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore. Por njohja e arritjeve nuk nënkupton pranimin pa rezerva të mënyrës se si organizohet, përqendrohet dhe ushtrohet pushteti. Përkundrazi, pikërisht sepse reformat dhe përparimi kanë rëndësi për të ardhmen e vendit, ato nuk mund të shërbejnë si justifikim për t’iu shmangur një shqyrtimi kritik të praktikave të qeverisjes dhe të marrëdhënies së pushtetit me institucionet, shoqërinë dhe qytetarët.

Modernizimi i administratës shtetërore nuk është domosdoshmërisht demokratizim i qeverisjes. Rritja ekonomike nuk përkthehet vetvetiu në mirëqenie të përgjithshme dhe në drejtësi më të madhe sociale. Përparimi në procesin e integrimit europian nuk mund të zëvendësojë pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve në vendimmarrje. Dhe disiplina partiake, sado e nevojshme për funksionimin e një force politike, nuk duhet të shndërrohet në nënshtrim që pengon mendimin kritik, debatin e lirë dhe formimin e konsensusit demokratik.

Në vlerësimin tim, pikërisht këtu qëndron kontradikta themelore e Rilindjes: ndërsa pretendon të përfaqësojë idealet dhe vlerat e socializmit demokratik, mënyra se si ajo e koncepton, e organizon dhe e ushtron pushtetin ngre pikëpyetje serioze mbi demokracinë e brendshme të Partisë Socialiste, autonominë politike dhe intelektuale të përfaqësuesve të saj, si dhe mbi marrëdhëniet ndërmjet shtetit, partisë dhe interesave ekonomike.

Kjo kontradiktë nuk është thjesht organizative apo institucionale; ajo la të bëjë me vetë thelbin e identitetit politik dhe moral të një partie që pretendon të jetë e Majtë.

Kur mendimi ndryshe trajtohet si mungesë besnikërie, kur kritika ndaj kryetarit perceptohet si kërcënim ndaj autoritetit të tij dhe kur karriera politike kushtëzohet më shumë nga afërsia me udhëheqësin sesa nga aftësia, autoriteti intelektual dhe integriteti personal, demokracia e brendshme ia lë vendin konformizmit dhe servilizmit. Në këto kushte, partia nuk funksionon më si një bashkësi qytetarësh të lirë, të bashkuar nga bindje dhe ideale të përbashkëta, por rrezikon të shndërrohet në një strukturë hierarkike bindjeje e nënshtrimi, ku besnikëria ndaj individit merr përparësi ndaj besnikërisë ndaj parimeve.

Një model i tillë organizimi dhe ushtrimi të pushtetit nuk mbetet thjesht një problem i brendshëm partiak. Pasojat e tij shtrihen përtej kufijve të partisë, duke ndikuar në kulturën politike, në funksionimin e institucioneve dhe në cilësinë e demokracisë në të gjithë shoqërinë. Në fund të fundit, një parti që nuk e njeh dhe nuk e respekton lirinë e mendimit brenda radhëve të saj vështirë se mund ta garantojë këtë liri në shoqëri.

C. Wright Mills do të thoshte se çështja themelore nuk është thjesht se kush e zotëron dhe e ushtron pushtetin, por si është organizuar dhe si funksionon ai, përmes cilëve mekanizma kontrollohet dhe kufizohet, kujt i shërben dhe interesat e cilave grupe e shtresave shoqërore përfaqëson.

Gramsci argumentonte se rreziku për demokracinë vjen atëherë kur nënshtrimi ndaj pushtetit normalizohet e rutinizoher, kur bindja konsiderohet e njëjtë me konsensusin dhe kur marrëdhëniet e dominimit paraqiten si një domosdoshmëri e natyrshme e rendit politik.

Habermas, nga ana e tij, na fton të shtrojmë një pyetje po aq thelbësore: a shërben komunikimi politik për të mundësuar dialogun e lirë, argumentimin racional dhe mirëkuptimin ndërmjet qytetarëve, apo ai reduktohet në një instrument për të justifikuar dhe legjitimuar vendime të marra paraprakisht nga ata që ushtrojnë pushtetin?

Këto nuk janë thjesht çështje që lidhen me Edi Ramën apo me mënyrën e tij të qeverisjes. Ato kanë të bëjnë me themelet e kulturës sonë politike, marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe qytetarit, si dhe vetë cilësinë dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare.

4. Një e Majtë demokratike, jo një ekstremizëm i ri

Një e Majtë e Re nuk mund të konceptohet as si një rikthim nostalgjik në modelet e tejkaluara të socializmit shtetëror, as si një ringjallje e radikalizmit autoritarist që, në emër të emancipimit shoqëror, sakrifikon lirinë individuale dhe pluralizmin demokratik.

Përvoja historike e shekullit të 20-të ka dëshmuar se ideali i emancipimit njerëzor, sado fisnik në aspiratat e tij, mund të shndërrohet në të kundërtën e vet kur barazia kërkohet përmes mohimit të lirisë, kur pluralizmi politik dhe shteti i së drejtës sakrifikohen në emër të një ideologjie që pretendon monopolin e së vërtetës dhe kur çlirimi i individit përdoret si justifikim për nënshtrimin e tij ndaj pushtetit.

Një e Majtë bashkëkohore duhet të mbështetet në trashëgiminë më të vyer intelektuale, politike e morale të socializmit demokratik dhe të socialdemokracisë, duke ruajtur idealet e tyre emancipuese, por pa mbetur peng i kompromiseve historike, kufizimeve ideologjike dhe modeleve të tyre tradicionale të organizimit e të veprimit politik.

Ajo duhet ta pranojë ekonominë e tregut, por jo ta shohë tregun si një parim absolut të organizimit të shoqërisë; të njohë dhe të garantojë pronën private, por jo të lejojë që përqendrimi i pasurisë të shndërrohet në pushtet politik të pakontrolluar; të mbështesë sipërmarrjen dhe iniciativën e lirë, por jo privilegjet oligarkike dhe kapjen e institucioneve nga interesat private; të nxisë rritjen ekonomike, por jo ta konsiderojë pabarazinë sociale si çmimin e pashmangshëm të zhvillimit dhe të përparimit.

Në këtë kontekst, Karl Polanyi mbetet edhe sot aktual me idetë e tij: ekonomia duhet të mbështetet në marrëdhëniet shoqërore dhe t’u shërbejë nevojave njerëzore, në vend që shoqëria, institucionet dhe vetë jeta e individit t’i nënshtrohen logjikës së tregut. Norberto Bobbio, gjithashtu, na kujton se dallimi themelor ndërmjet së Majtës dhe së Djathtës nuk qëndron thjesht në programet ekonomike apo në mënyrat e ushtrimit të pushtetit, por, mbi të gjitha, në rëndësinë që secila i njeh idealit të barazisë dhe në qëndrimin ndaj pabarazive shoqërore.

Barazia nuk duhet ngatërruar me uniformitetin, as liria nuk mund të reduktohet në privilegj të atyre që zotërojnë pasurinë dhe burimet ekonomike. Një shoqëri nuk mund të konsiderohet vërtet e lirë për sa kohë që liria mbetet privilegj i disave dhe jo mundësi reale për të gjithë; as mund të konsiderohet vërtet e barabartë nëse barazia kërkohet përmes mohimit të individualitetit, pluralizmit dhe lirisë së zgjedhjes.

Liria dhe barazia nuk janë ideale që përjashtojnë njëra-tjetrën; ato janë dy anë të pandashme të emancipimit njerëzor: liria pa barazi rrezikon të shndërrohet në privilegj, ndërsa barazia pa liri në një formë tjetër nënshtrimi.

Pikërisht për këtë arsye, një e Majtë e Re duhet të jetë pa mëdyshje antifashiste dhe antiautoritariste, jo duke e banalizuar konceptin e fashizmit përmes përdorimit të tij si etiketë ndaj çdo kundërshtari politik, por duke njohur, kundërshtuar dhe sfiduar ato ideologji, praktika dhe forma të ushtrimit të pushtetit që kërcënojnë lirinë, pluralizmin, dinjitetin njerëzor dhe vetë themelet e demokracisë.

E Djathta demokratike është, gjithashtu, një faktor po aq legjitim dhe i domosdoshëm i pluralizmit politik sa edhe e Majta demokratike. Rreziku për demokracinë nuk buron nga dallimet ideologjike apo nga konkurrenca ndërmjet alternativave politike, por shfaqet kur nacionalizmi përjashtues, ksenofobia, kulti i udhëheqësit dhe delegjitimimi i institucioneve demokratike ngrihen në parime të organizimit dhe të ushtrimit të pushtetit.

Në këto kushte, kundërshtari politik rrezikon të mos shihet më si një rival legjitim, por si një armik që duhet përjashtuar, ndërsa pluralizmi, nga një vlerë themelore e demokracisë, të perceptohet si pengesë për pushtetin.

Në këtë kuptim, antifashizmi nuk është dhe nuk duhet të jetë monopol ideologjik i së Majtës, por një përgjegjësi historike, morale dhe politike e të gjitha forcave demokratike. Ai buron nga përvoja tragjike e Europës në shekullin e 20-të dhe nga vetëdija se liria, dinjiteti njerëzor dhe pluralizmi nuk janë të drejta të fituara njëherë e përgjithmonë, por vlera që kërkojnë mbrojtje dhe angazhim të vazhdueshëm.

Një e Majtë që aspiron ta mbrojë demokracinë nga kërcënimet e autoritarizmit të së Djathtës duhet, para së gjithash, të dëshmojë besnikëri ndaj parimeve demokratike brenda vetes, duke refuzuar çdo formë të autoritarizmit, çdo shfaqje të kultit të udhëheqësit dhe çdo praktikë që e zëvendëson mendimin e lirë me bindjen e verbër. Sepse nuk mund të jesh i besueshëm si mbtojtës i demokracisë në shoqëri, nëse nuk e respekton dhe nuk e praktikon demolracinë brenda radhëve të organizatës tënde politike.

5. Një projekt i ri emancipues

Shqipërisë nuk i duhet thjesht një parti tjetër që mban emrin socialist, as Europës një e Majtë që mbetet peng i formulave të vjetra ideologjike, ndërkohë që realitetet shoqërore, ekonomike dhe politike ndryshojnë rrënjësisht Ajo që nevojitet sot është një projekt i ri intelektual, moral dhe politik, që të mos mjaftohet me administrimin e së tashmes, por të ofrojë një vizion emancipues për të ardhmen.

Ky lipset të jetë një projekt që të harmonizojë drejtësinë sociale me lirinë individuale, zhvillimin ekonomik me dinjitetin njerëzor, demokracinë përfaqësuese me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe frymën kritike ndaj pushtetit me përgjegjësinë demokratike për ta ushtruar atë.

Ky lërkohet të jetë një projekt ta kuptojë politikën jo thjesht si artin e marrjes dhe të ruajtjes së pushtetit, por, mbi të gjitha, si përgjegjësi për transformimin demokratik të shoqërisë.

Një projekt i tillë nuk lind domosdoshmërisht brenda një partie politike dhe as mund të jetë monopol i saj. Ai mund të marrë jetë në mjediset universitare, të frymëzohet dhe të artikulohet nga intelektualë publikë të angazhuar, të gjejë mbështetje te sindikatat, lëvizjet qytetare dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe të marrë energji të reja nga brezat e rinj që kërkojnë jo thjesht një përfaqësim tjetër politik, por një mënyrë të re të të menduarit, të të bërit dhe të të jetuarit të politikës.

Mills argumentonte se transformimi shoqëror nuk mund të jetë vetëm fryt i ideve, sado të fuqishme e emancipuese të jenë ato; ai kërkon edhe forca shoqërore dhe aktorë historikë të aftë për t’i përvetësuar këto ide, për t’i shndërruar ato në vetëdije kolektive dhe përmes veprimit të organizuar, në një forcë reale për ndryshim.

Kjo mbetet një nga sfidat më të mëdha të çdo projekti të ri të së Majtës: të mos mjaftohet me interpretimin kritik të botës, por të identifikojë ato forca shoqërore, ata aktorë historikë dhe ata mekanizma institucionalë demokratikë që mund t’i shndërrojnë kritikën teorike në veprim kolektiv, idealet emancipuese në praktikë politike dhe aspiratën për ndryshim në një mundësi reale të transformimit të shoqërisë.

Një e Majtë e Re nuk duhet të premtojë parajsën në tokë. Historia na ka mësuar të jemi veçanërisht dyshues ndaj atyre që premtojnë ta ndërtojnë atë, sidomos kur, në emër të lumturisë së të gjithëve, kërkojnë pushtet të pakufizuar mbi jetën e gjithsecilit. Utopitë që kërkojnë të realizohen përmes mohimit të lirisë zakonisht shndërrohen në të kundërtën e idealeve nga të cilat ato janë frymëzuar.

Një e Majtë e Re duhet të premtojë diçka tokësore: një shoqëri më të drejtë, më të lirë, më solidare dhe më demokratike, ku dinjiteti njerëzor të mos jetë privilegj, liria të mos mbetet një premtim abstrakt, barazia të mos jetë thjesht një parim i shpallur dhe pushteti të mos konsiderohet pronë e një pakice, por përgjegjësi ndaj të gjithëve. Në fund të fundit, qëllimi i një politike emancipuese nuk është të premtojë një botë të përsosur, por të krijojë kushtet që njerëzit ta bëjnë botën në të cilën jetojnë gjithnjë e më të mirë.

Po kështu, e Majta nuk ka nevojë të shpëtohet nga e Djathta. Ajo duhet, para së gjithash, të çlirohet nga deformimet dhe kundërthëniet e veta. Sepse, kur heq dorë nga arsyeja kritike, nga ideali i drejtësisë sociale dhe nga guximi për të sfiduar pushtetin, përfshirë pushtetin që ushtron vetë, ajo nuk humbet vetëm identitetin e saj historik dhe besueshmërinë morale, por edhe forcën emancipuese dhe aftësinë për të frymëzuar shpresë.

Dhe kur politika e një partie nuk është më në gjendje ta shndërrojë pakënaqësinë shoqërore në vetëdije kritike, ndërsa shpresën në energji kolektive për ndryshim, ajo i lë vendin frikës. Dhe frika pushon së qeni thjesht një ndjenjë individuale; ajo shndërrohet në instrument politik, përmes të cilit pushteti kërkon të sigurojë bindjen ndaj tij, të imponojë heshtjen e kundërshtarëve të vet dhe të mbetet i parrezikuar.

Sa herë që politika nuk arrin të mobilizojë dhe të organizojë shpresën, pushteti përpiqet të organizojë frikën dhe të përfitojë prej saj.

DITA

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Shqiptarët e zemëruar, kemi qenë më mirë kur kemi qenë më keq?
  • Kur e Majta tradhton vetveten, lind një e Majtë të re
  • Vrasja te ‘Kodra e Diellit’, Prokuroria kërkon 47 vite për autorin
  • SPAK merr në hetim vjedhjen në Postën e Durrësit, dyshime për përfshirjen e deputetes së PS
  • Nga armët bërthamore te nafta, tri marrëveshjet mes Trump, Putin dhe Xi në “Jaltën e re”

Komentet e Fundit

  1. Vl on Shqipëria firmosi kontratën 6 miliardë dollarë, Kongresi i ri njofton hetime për korrupsion për ish-ambasadoren e SHBA në Greqi
  2. Lili on Kërkesa për transparencë e llogaridhënie nuk është “pabesi e poshtërsi”. Kundër investitorëve të huaj jo e jo (përkundrazi)
  3. Dajti on Refuzimi i shfuqizimit
  4. Lili on FOTO: Samiti në Kinë, Trump e quan Putinin “miku im”, kamerat fiksojnë oficerin rus me valixhen bërthamore
  5. ANA on Dënimi i dytë i Hashim Thaçit rikthen polemikat rreth Gjykatës së Hagës

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?