Nga Piro Vito
Vitet e fundit nga rradhët e intelektualëve shqiptarë janë ndarë nga jeta mjaft prej tyre që kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillim e gjithanshëm të vendit. Këtyre humbjeve iu shtua edhe një tjetër akoma më e ndjeshme, ajo e profesor Luan Omarit. Këtë e them me bindje të plotë. Është detyrë dhe nder i madh për mua të shkruaj për të sepse kam qenë student dhe për një periudhë asistent i tij në lëndën: Teoria e shtetit dhe e së drejtës.
Nuk është mosha që mbizotëron për vlerësimin e çdo personi që ndahet nga jeta, por ajo që ai lë pas. Nisur nga ky kriter, pa mëdyshje duhet thënë se profesor Luani do të mbetet në historinë e Shqipërisë një ndër intelektualët më të spikatur që la gjurmë të pashlyeshme në fushat që lëvroi dhe sektorët që drejtoi.
Njerëzit e sërës së tij kanë qenë dhe do mbeten pikë orientimi për brezat e ardhshëm të vendit tonë. I brumosur me cilësitë më të çmuara të moralit dhe dinjitetit njerëzor, i thjeshtë, i urtë, i ditur dhe i ndershëm gjer në palcë ai ia kushtoi gjithë jetën punës për përparimin e begatimin e atdheut, për konsolidimin e shoqërisë shqiptare. Nuk e teproj po të shprehem se për këto cilësi ai mund të krahasohej me veten.
Qysh në moshë të re, në vitet e Luftës së dytë Botërore, Luani u rreshtua në krahun e duhur, në mbrojtje të interesave të vendit. Pas fitores mbi nazi-fashistët ai u angazhua në punët e vështira për rindërtimin e Shqipërisë së shkatërruar, ngritjen e insitucioneve të shtetit të ri si dhe zhvillim e shpejtë të ekonomisë, arsimit e kulturës. Këtë punë të madhe ai e shoqëroi me përpjekjet për përfundimin e arsimit të lartë , zgjerimin e njohurive profesionale dhe njohjen e gjuhëve të huaja.
Luani ishte ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës. Në sajë të njohurive dhe aftësive të tij atij iu besua detyra e dekanit të fakultetir të drejtësisë. Fale intersimit të tij, në katedrat e atij fakulteti u tërhoqën dhe u angazhuan kuadro me integritet moral dhe aftësi profesionale në përbërje të stafik pedagogjik ose lektorë të jashtëm nga të gjitha krahinat dhe trevat shqiptare si Andrea Nathanaili, Vangjel Meksi, Kristo Çevi, Zenulla Ballaca, Ismet Elezi, Xhemil Çela, Jusuf Alibali, Haxhi Bardhi, Spiro Çipi, Dhimo Dhima, Zija Xholi, Nonda Papuli, Aranit Çela, Nazmi Peza, Feti Gjilani, Bujar Hoxha, Arben Puto, Alfred Uci, Ylvi Vehbiu, Tefik Çaushi, Hamit Beqja, Skënder dhe Ksanthipi Begeja, Gramoz Hysi etj.
Profesor Luanim do ta shihje përditë në sallën e studimit se bibliotekës kombëtare, krah kolegëve dhe miqve të tij Andon Kuqali e Koço Nova, baballarët e të cilëve ishin pushkatuar me akuzën e kolaborocionizmit apo për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.
Në sajë të punës së palodhur të ekipit të drejtuar nga prof. Luani u përgatitën breza të tërë që nuk duhet të mendonin ta shihnin teorinë si dogmë të dhënë njëherë e përgjithmonë, por në ndryshim të vazhdueshëm nëpërmjet gërshetimit të pikëpamjeve filozofike, morale e politike me principet juridike duke filluar nga mendimtarët e lashtësisë si Sokrati, Platoni, Aristoteli, Ciceroni, Justiniani etj duke vijuar me mendimet e shprehura në veprat dhe idetë e autorëve të kohëve të mëvonshme si Hugo Grocuius, Spinoza, Xhon Loku, Tomas Hobsi, Adam Smithi, Makiaveli, Kanti, Hegeli e Shopenhaueri e deri te Marksi, Lenin e Roza Luksenburgu.
I padiskutueshëm ishte roli i profesor Luan Omarit në ngritjen e Akademisë së Shkencave dhe institucioneve në varësi të saj çka mundësoi rritjen e nivelit të punës shkencore, vendosjen dhe zgjerimin e lidhjeve me institucionet e huaja, sideomos në kthimin e Tiranës në qendër të studimeve albanologjike. Në veçanti ai u angazhua në vendosjen e kontakteve dhe shkëmbimeve me institucionet analoge të Kosovës. Në rapote të tensionuara dhe tepër komplekse shqiptaro-jogosllave, ato shkëmbime i shërbyen forcimit të marrdhënieve midis pjesente ndara të kombit. Nëpërmjet kontakteve, intelektualët shqiptarë u njohën dhe shkëmbyem mendime se si në ato rrethana të përballohej presioni i egër i shovinistëve serb mbi Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të ndara nga padrejtësitë e kohës.
Profesor Luani ishte njohës i disa gjuhëve, përkthyes i librave me karakter juridik, historik e filozofik, pjesëmarrës në aktivitet shkencore ku përfaqësoi me dinjitet vendin tonë.
E paharruar do të mbetet për mua vizita e tij në Bukuresht, më 21 shtator të vitit 1991 për të marrë pjesë në 125-vjetorin e akademisë rumune. E pritëm me të gjithë shokët e ambasadës. Në mbrëmje të asaj dite televizioni rumun dha disa sekuenca nga ekzekutimi i çiftit Çaushesku. “Këto pamje më tronditën,- ndërhyri profesor Luani- sepse më kujtojnë fundin tragjik të babait tim”. U zura ngushtë kur dëgjova ato fjalë. Nuk më shkonte në mendje të prekja atë bisedë delikate, por kur vura re se ai vazhdoi të shprehej qëndrova në qetësi.
Fjalët e tij ishin e të sinqerta e të çiltra. E vlerësoi të atin si burrë serioz, në veçanti qëndrimin e tij atdhetar që mbajti pjesën më të madhe të jetës, rolin që luajti në vitet e Luftës së Parë Botërore kur e ardhmja e Shqipërisë ishte në pikëpyetje. Në atë kohë babai kryente detyrën e nënprefektit të Himarës dhe demaskoi politikën antishqiptare të qarqeve shoviniste greke, u bë frymëzues dhe mbështetës i çetave që zmbrapsën andartët grekë të cilët kryen krime të përbindshme në jug të Shqipërisë. Më pas ai shkoi në SHBA ku drejtoi gazetën Dielli, në faqet e së cilës mbrojti me pasion çështjen kombëtare. U kthye në atdhe, u rreshtua në krahun e opozitës parlamentare. Pas dështimit të revolucionit të qershorit në 1924, erdhi Ahmet Zogu me ndihmën e Pashiçit dhe rusëve të bardhë. Zogu ishte usta i mbaruar për likujdimin e kundërshtarëve politikë. Në ato rrethana u largua në vendet perëndimore. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste u kthye në atdhe, por u rreshtua në krahun e gabuar. Lufta i ndau njerëzit jo vetem brenda fisit, por edhe në rrethin e ngushtë familjar.
Në vijim profesor Luani theksoi se ai kishte qenë prezent kur babai u grind me Enver Hoxhën për qëndrimin ndaj Ballit Kombëtar:
Ai e quante manovër taktike e të përkohshme të imponuar nga rrethanat, ndërsa veprimet e komunistëve brenda frontit NÇL si punë kalamajsh. Akoma më ashpër e dënoi Enveri futjen e tij në qeverinë Mitrovica pas mbledhjes së Mukjes, të cilën e kundërshtoi me shprehjen që përdorej rëndom në Gjirokastër: “Dhëntë dhe dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres”. Domethënia e shprehjes në atë kontekst ishte e qartë: Luftën e bënte fronti i udhëhequr nga partia, kurse Balli Kombëtar dhe pasuesit e tij që ishin sehirxhinj donin pushtetin. Unë nuk ndërhyra në bisedë sepse babai ishte autoritar dhe do i merrte parasysh fjalët e mia, aq më tepër që për vete e kisha caktuar rrugën që do ndiqja. Ndërhyrja ime do të ishte njëlloj si t’i hidhje benzinë zjarrit.
Babai im u pushkatua në 13 prill 1945. Ishte një ngjarje që tronditi familjen, një plagë e rëndë që na dhembi tërë jetën. Të gjithë në familje ndjemë një fare ngushëllimi kur dëgjuam fjalët e fundit që shqiptoi para skuadrës së pushkatimit duke iu drejtuar shokëve: “Ktheni fytyrën nga pushkët. Vetëm tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjykatës i paanshëm.”
Ky ishte një ngushëllim i përkohshëm, sepse gjithë jetën mbetëm të dyzuar. Më tepër nga të tjerët këtë ngjarje e përjetoi, nëna që ishte një bashkëshorte e përkushtuar. Qysh atë ditë që mësoi çkishte ndodhur, ajo u tjetërsua, nuk e ngriti kokën derisa u shua. Rrobat e zeza nuk i hoqi nga trupi, nuk i qeshi me buza, por edhe vëllait, Enverit, nuk ja fali qëndrimin që mbajti.
Pas kësaj bisede të gjatë nuk isha në gjendje të analizoja shpjegimet e hollësishme të prof Luanit. Kishte kaluar mesi i natës kur e përcollëm në hotelin e quajtur Lido. Vite më vonë, më erdhën ndër mend duke reflektuar, vargjet e poetit të njohur Arben Duka botuar në Dita: “De mor Enver Hoxha, që të kishim hekur, o mos kishe lindur, o mos kishte vdekur.”
Ndryshimet që ndodhën në botë pas rënies së murit të Berlinit tërhoqën vëmendjen e prof Luanit. Ai ishte ndër të parët që mbështeti idenë e pluralizmit, por u pezmatua pa masë kur dëgjoi që gjatë zbatimit në praktikë të proceseve demokratike u kryen vandalizma që s’mund të imagjinoheshin, sic ishte shkatërrimi i qindra veprave industriale të cilat u ndërtuan me mundin dhe djersën e popullit, kur në jetën e vendit u shfaqen dukuri të shëmtuara shpërndarja e lëndëve narkotike, prostitucioni dhe kriminaliteti.
Ndarja nga jeta e profesorit ishte një ngjarje që i ka prekur të gjithë ata që e kanë njohur. Ai do të mbetet ikona e njeriut me cilësi të veçanta , që punoi si rrallë kush për vendin dhe kombin. Në mbyllje të këtij shkrimi që i kalon caqet e homazhit, në pamundesi të merrja pjesë në cermonine e përcjelljes i shpreh bashkëshortes Donika, vajzës Anila si dhe gjithë të afërmve, ngushëllime të sinqerta.
—–
Autori, gazetar, publicist dhe diplomat. ka shërbyer në detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Rumani (përfshirë periudhën e ngjarjeve të bujshme të dhjetorit 1991 dhe rënies së regjimit të Çausheskut), ndërsa më vonë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është autor i shkrimeve dhe kujtimeve historike e biografike mbi figura dhe ngjarje të historisë.
