Një familje siriane e cila jeton prej vitesh në Skoci është përballur me një ofertë të pazakontë nga autoritetet britanike, të cilat i kanë propozuar 3 mijë paund ndihmë financiare për të nisur një jetë të re në Shqipëri, pavarësisht se familja nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë.
Sipas gazetës skoceze “The Sunday National”, oferta është komunikuar përmes një letre zyrtare të Ministrisë së Brendshme britanike, Home Office. Dokumenti i është dërguar Fadi Alsakkës, 39 vjeç, i cili jeton në Glasgow me bashkëshorten Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe.
Në letër, autoritetet britanike i sugjerojnë familjes që ndihma financiare mund t’i shërbejë për të ndërtuar të ardhmen e saj në Shqipëri. Propozimi ka shkaktuar habi dhe shqetësim, pasi asnjë prej anëtarëve të familjes nuk ka lidhje familjare apo shoqërore me vendin.
Alsakka e ka cilësuar rastin si shqetësues, duke vënë në dukje se gabime të tilla mund të kenë pasoja serioze kur bëhet fjalë për vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te mënyra se si autoritetet britanike trajtojnë kërkesat për azil, në një kohë kur qeveria po përpiqet të përshpejtojë shqyrtimin e dosjeve të mbartura.
Familja ka ngritur dyshime se gabimi mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i inteligjencës artificiale në procedurat administrative. Gazeta thekson se inteligjenca artificiale nuk është përdorur në rastin e kësaj familjeje. Fadi Alsakka është duke ndjekur studimet për masterin e tij të dytë në Universitetin e St Andrews, ndërsa bashkëshortja e tij studion për master në inteligjencë artificiale në Universitetin e Glasgow.
Sipas Alsakkës, ky nuk është gabimi i parë administrativ që familja ka përjetuar. Autoritetet britanike janë detyruar t’i dërgojnë gjashtë herë kartat e identifikimit, pasi në pesë përpjekjet e para ishte vendosur gabimisht fotografia e djalit të tyre.
j.l./ dita
