Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike e vendit, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021. Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 më 2021. Rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. “Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj, deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%. Ekspertët bëjnë thirrje për paketë masash që të ulë kostot për rritjen e fëmijëve dhe të mbështesë familjet e reja
Rënia e popullsisë në moshat e reja është aq e fortë sa ka marrë përmasat e një orteku që tashmë nuk mund ta ndalë asgjë. Boshatisja e vendit nga të rinjtë për rreth tre dekada me radhë, po jep efektet kaskadë në rënien e numrit të lindjeve dhe normave të fertilitetit.
Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 fëmijë që lindën më 2021, rënia më e fortë që nga viti 2015 kur vendi u përfshi nga një valë e lartë e azilkërkuesve në vendet e BE-së. Në vitin 1990, në 100 gra kishin lindur 300 fëmijë.
Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021.
Të dhëna krahasuese nga Kombet e Bashkuara tregojnë se rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Por teksa shtetet e tjera i paraprinë situatës, duke ofruar paketa sociale për të ngadalësuar rënien, Shqipëria ende nuk e ka qartë të problemin.
Mungesa e të dhënave të sakta rreth popullsisë banuese në vend, sidomos në rajone, po i vështirëson të gjitha ndërhyrjet. Lëvizjet e shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe nga ana tjetër, shtyrja e Censit nga viti 2020 për këtë vit i bëri nul të gjithë treguesit e tjerë që lidhen me popullsinë dhe ekonominë, në një kohë që vendi ka parë valë të forta emigracioni që nga Censi i fundit 2011.
Demografët besojnë se norma e fertilitetit në Shqipëri e krahasuar me popullsinë banuese është më e lartë, por mungesa e të dhënave të sakta mbi popullsinë e bën të vështirë formulimin e mjeteve për ndërhyrje.
“Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj e deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%.
Përvojat e vendeve të Europës, që kanë pësuar rënien e lindjeve para Shqipërisë, kanë treguar se masat financiare që jepen vetëm një herë dhe kryesisht kur lind fëmija, nuk janë efikase. Duhen paketa sociale në ndihmë të familjeve dhe mbështetje e përhershme për disa kategori.
Shembull në këtë rast është Franca, e cila nëpërmjet Ministrisë së Familjes ka ofruar një paketë sociale shumë të favorshme që nxit normat e lindjes, duke e renditur këtë shtet me normën më të lartë të fertilitetit në Europë.
Ermira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet demografike, thotë se, mjeti më i mirë për të zbutur pasojat e tranzicionit demografik është zhvillimi ekonomik, i cili duhet të vijë nëpërmjet një reforme të thellë në arsim dhe modelin ekonomik të zhvillimit të vendit.
Shqipëria duhet të synojë integrimin e shpejtë në BE dhe në politikat e brendshme duhet të fokusohet për të krijuar mundësi për grupet e reja në moshë.
Aftësimi i të rinjve, tha ajo, duhet të nisë që në fazat e hershme të arsimit dhe nga ana tjetër, duhet që ekonomia të orientohet drejt degëve ku vendi është më konkurrues.
Sipas znj. Galanxhi, rritja e sektorit të turizmit është një moment i mirë për Shqipërinë dhe për të orientuar arsimin profesional drejt këtij sektori, në mënyrë që të frenohet ikja e të rinjve , për rrjedhojë, përmirësohen edhe treguesit e popullsisë.
Ekspertja thotë se, zhvillimi ekonomik duhet të jetë i shpërndarë drejt rajoneve, pasi lëvizjet e popullsisë nga periferia drejt qendrës janë bërë në raport të zhdrejtë me burimet ekonomike. Një zhvillimin i balancuar rajonal dhe një paketë politikash pro familjes, në një afat më të gjatë do të përmirësonte treguesit e fertilitetit.
Majlinda Nesturi, eksperte e demografisë, konsulente për çështjet gjinore në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, shprehet se kostot e larta të lidhura me rritjen e fëmijëve, si arsimi, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe kujdesi për fëmijët, mund të dekurajojnë çiftet që të kenë më shumë fëmijë.
Ajo këshillon politika nxitëse për familjen, stimuj financiarë për familjet e mëdha dhe mbështetje për balancën punë-jetë.
Një sugjerim të ngjashëm jep edhe sociologia Entela Binjaku, e cila thotë se, duhet të koordinohet një paketë masash që të ndihmojë të rinjtë që në fazën e studimeve dhe më pas, në krijimin e familjes së re.
30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht
Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 77% të bashkive në vitin 2021.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen, teksa mbyllja e shkollave është e sigurt. Në vitin 2021, në Bashkinë e Pustecit nuk lindi asnjë foshnjë. Në atë të Dropullit kanë lindur vetëm 4 bebe, ose 50% më pak se në vitin 2011.
Në të njëjtin vit, në Bashkinë e Libohovës kanë lindur vetëm 21 foshnja, me rënie 57% nga viti 2011. Rënia më e fortë ishte në Bashkinë e Finiqit, ku për vitin 2021 kanë lindur vetëm 23 bebe, ose 74% më pak se në vitin 2011.
Që nga Censi i vitit 2011, gjatë një dekade, në vendin tonë, numri i lindjeve në rang kombëtar ra me 20%, por në 35 bashki nga 62 gjithsej, rënia e lindjeve ishte nga 30-70%. Rënia më e madhe e lindjeve rezultoi në Bashkinë e Pustesit, e cila nuk pati asnjë lindje më 2021 nga rreth 23 të tilla në vitin 2011.
Bashkia e Tropojës u rendit e dyta për rënien e lindjeve gjatë dekadës, me 62%. Në qytetin verilindor lindën vetëm 115 foshnja, nga 303 në vitin 2011.
Pothuajse në të gjitha bashkitë, ritmet e lindshmërisë ranë me ritme dyshifrore, përveç Tiranës, e cila në vitin 2021 kishte 6.7% lindje më shumë se më 2011. Bashkitë e vendit po vuajnë emigracionin e dyfishtë që i ka zbrazur nga moshat riprodhuese.
Kjo është shumë e dukshme në bashkitë e vogla, ku të rinjtë ikin në emigracion, për studime, apo punë në Tiranë dhe nuk kthehen më.
Për shkak të normës së ulët të fertilitetit, në shumicën e bashkive në vend, shtesa natyrore e popullsisë është negative, ku vdekjet janë shumë më të larta se lindjet.
82% e bashkive, me shtesë natyrore negative
Pothuajse 82% e bashkive të vendit kishin shtesë natyrore negative në vitin 2021, pasi vdekjet ishin shumë më të larta se lindjet.
Të dhënat vitale të njësive vendore janë të disponueshme për vitin 2021, i cili ishte një vit jo i zakontë për nga mortaliteti që shkaktoi pandemia, ku vdekjet ishin gati 30% më të larta se mesatarja e viteve 2016-2019.
Vetëm 11 bashki ishin me shtesë natyrore pozitive, ku lindjet ishin më të larta se vdekjet dhe kryesisht janë të përqendruara në Veriun e vendit. Me kthimin në normalitet të mortalitetit në vitin 2023, tani kur pandemia ka kaluar, të dhënat mbi shtesën natyrore mbeten shqetësuese.
Në tremujorin e dytë 2023, pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Në tremujorin e dytë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 184 vdekje më shumë se sa lindje.
Rënia e popullsisë së grave trondit themelet e lindshmërisë
Përveç rënies së mprehtë të lindjeve në vitin 2022 u përkeqësuan edhe disa tregues në popullatën e femrave që janë baza e riprodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, lindën rreth 24.688 bebe, ose 9.3% më pak se në vitin 2021. Kjo ishte rënia vjetore më e fortë e lindshmërisë që nga viti 2000. Por teksa lindën më pak bebe, rënia për foshnjat femra ishte edhe më e fortë.
Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Kjo ka përkeqësuar riprodhimin në perspektivë.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, p.sh. sa femra lindin nga 100 gra në moshë riprodhimi. KRB mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes dhe ky tregues është përkeqësuar më tej.
Sipas të dhënave të detajuara, lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra 35-39 vjeç ka shënuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje ishte 29,5 vjeç.
Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2022, tregojnë se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.
Si na varfëron mungesa e të rinjve
Në vendet e zhvilluara, që kanë përjetuar para nesh rënie të popullsisë, kombinimi i emigrimit dhe rënies së lindjeve, që shkaktojnë rënie të popullsisë dhe ndryshim të strukturës së saj, mund të ketë efekte të dëmshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Në një popullsi në plakje, kompanitë investojnë më pak për të ardhmen, pasi punëtorët mbi të 50-tat priren të grumbullojnë kursime për të financuar pensionin e tyre.
Normat e interesit bien dhe rritja ekonomike frenohet. Shumë ekonomistë kanë vënë në dukje plakjen e shoqërive perëndimore, si një shpjegim kryesor për rritjen e ulët të produktivitetit dhe rënien e normave afatgjata të interesit.
Rasti më ilustrues është Japonia, ku cikli i saj i rritjes u frenua kur popullsia e saj në moshë pune filloi të tkurret. Një forcë pune më e plakur nuk është e aftë të jetë novatore në teknologji dhe novacion, por përkundrazi, kërkon një barrë të lartë shpenzimesh për shëndetin dhe pensionet.
Mungesa e të rinjve pengon orientimin e ekonomisë drejt sektorëve më produktivë dhe mungesa e produktivitetit mundëson më pak të ardhura për moshën e vjetër.
Efektet nisën në konsum
Gjendja në Shqipëri po përkeqësohet nga ikja e të rinjve. Që nga viti i kaluar e deri në maj të vitit 2023 u pa rënie e fortë e importeve të sheqerit dhe drithërave me nga 30-50% me baza vjetore.
Grosistët u shprehën të shqetësuar dhe pohuan se rënia u krijua nga një largim i madh i popullsisë në moshë së re. INSTAT raportoi se vitin e kaluar, emigracioni neto, diferenca ndërmjet personave që kanë emigruar dhe atyre që janë rikthyer, arriti në 32,400 persona.
E njëjta shifër rezultoi edhe në vitin 2021, ku shumica mbi 80% janë të rinj në moshë. Ikja e 60 mijë të rinjve në dy vite, gati me madhësinë e Qarkut të Kukësit, dha efekte zinxhir në të gjithë sektorët, që nga importi, prodhimi, tregtia.
Sipas të dhënave të migracionit neto nga viti 2011 deri në 2022 janë larguar nga vendi 246 mijë persona, por një metodë tjetër e INSTAT, që krahason dy të dhëna, popullsinë banuese dhe atë të regjistrit civil, nxori se numri i emigrantëve që jetojnë jashtë vendit u rrit me 600 mijë ndërmjet vitit 2011 dhe 2020.
Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e Përpunuesve të Miellit, një nga importuesit më të mëdhenj të miellit në vend, thotë se, konsumi i brumërave po bie nga viti në vit nga pakësimi i popullsisë në moshë së re.
Të rinjtë janë konsumatorë të mëdhenj të brumërave, sheqerit, pijeve alkoolike dhe ëmbëlsirave, ndaj ikja e fortë e tyre në dy vitet e fundit u ndie në konsum, i cili nisi të përmirësohet vetëm me ardhjen e turistëve në vend.
Të njëjtin shqetësim kanë pohuar edhe grosistët e sheqerit, të cilët raportuan se shitjet në zonat rurale kanë pësuar rënie të ndjeshme nga tkurrja e popullsisë. Paralelisht me rënien në konsum, kompanitë në të gjithë sektorët shpallën emergjencën për punonjës. Turizmi, ndërtimi dhe kompani në sektorin e prodhimit kanë nisur të furnizohen me punonjës të huaj.
Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, në mungesë të një popullsie në moshë të re, do të përkeqësohen.
Kriza e burimeve njerëzore fillimisht u shfaq në fabrikat e fasonit, por tani është përhapur me shpejtësi në të gjithë sektorët.
Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet thanë se aktualisht, numri i pasagjerëve që përdorin transportin urban në kryeqytet ra me 53% ndërmjet 2016 – 6-mujori i parë 2021 kur janë publikuar të dhënat e fundit.
Popullsia është zvogëluar, saqë edhe kompanitë e sigurimit, thonë se, aktiviteti i tyre po ndikohet jashtëzakonisht keq nga emigrimi.
Forcim Kola, Drejtor i Përgjithshëm i INSIG, thotë se, kompania po përballet me sfida të mëdha, që lidhen me kufizimet e stafit, vështirësitë për të kontaktuar klientët, ritmet e ulëta të tregut të sigurimeve, si pasojë e frenimit të veprimtarive individuale dhe të bizneseve.
Sektori i arsimit, në përgjysmim
Në vitin shkollor 2010-2011 ishin të regjistruar në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë 782 mijë nxënës dhe studentë, ndërsa në vitin akademik 2022-2023, ky numër u reduktua në 545,222 ose gati 30% më pak sipas të dhënave të INSTAT.
Reduktimi i numrit të nxënësve në dekadën në vijim ka rrezik të përgjysmohet, pasi numri i lindjeve në vitin 2022 ishte vetëm 24 mijë bebe, ose 30% më pak se më 2011.
Deri në vitin 2032, pritet që sektori i arsimit të reduktohet me rreth 40%. Për demografët dhe ekspertët e arsimit, kjo është koha për të rritur cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet.
Ekspertja e çështjeve demografike, Ermira Galanxhi, thotë se, arsimi cilësor përmirëson të gjithë treguesit e tjerë që nga ekonomia edhe demografia.
Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se ulja e numrit të nxënësve nuk duhet të sjellë reduktim të fondeve në sektorin e arsimit, por rritje të cilësisë, nëpërmjet investimeve në trupën pedagogjike, atë akademike, në infrastrukturën arsimore, programe dhe në kërkimin shkencor.
Një ofertë e mirë arsimore mund të frenojë emigracionin e të rinjve dhe të tërheqë studentët e huaj. Aktualisht, për sektorin e arsimit, investimet janë më pak se 3% e PBB, teksa kriteret e UNESCO kërkojnë financime jo më pak se 5%.
Rënia e raportit mësues për nxënës duhet të rrisë cilësinë, thotë zoti Tafaj, sipas të cilit duhet që mësuesit të përgatiten dhe të shkollohen për mësimdhënie më shumë se sa në një lëndë. Shembujt e vendeve të tjera, sidomos ato në Europën e Veriut kanë treguar se investimet afatgjata në arsim janë baza më e mirë për të përmirësuar mirëqenien.
Rënia e shpejtë e numrit të lindjeve dhe ikja e të rinjve që mund të lindin në 5 vitet e ardhshme po krijojnë një hendek të lartë në shkolla. Në vitin shkollor 2023-2024, më pak se 29 mijë fëmijë u regjistruan në klasat e para, në një kohë që 6 vite më parë kishin lindur 30 mijë e 800 foshnja.
Emigracioni me familje ka tkurrur ndjeshëm numrin e nxënësve në klasa në 5 vitet e fundit. Fenomeni ka qenë i dukshëm edhe në Tiranë, për të cilin anketat kanë treguar se kishte numrin më të lartë të emigrantëve të organizuar me familje gjatë 2011-2019, sipas një ankete të posaçme për emigracionin që u krye nga INSTAT.
Rritet varfëria ndër pensionistë
Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensioni mesatar ishte vetëm sa 25.5% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.
Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018.
Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar.
Me gjasa, hendeku do të zgjerohet në vitet në vijim, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore.
Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta.
Në fund të qershorit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 30% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 67,805 lekë. Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me zgjerim vetëm 6%
Diferenca ndërmjet pensionit dhe pagës mesatare është edhe më e thellë për fshatin. Në vitin 2022, pensioni mesatar në fshat ishte 10,349 lekë sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo shumë ishte vetëm sa 16.7% e pagës bruto në të njëjtën periudhë.
Diferenca ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit, pasi qeveria po rrit pagat për administratën publike, me qëllim dyfishimin e tyre në dy vitet në vijim, teksa për pensionet parashikohet vetëm indeksim.
Gjatë këtij viti, pensionet u indeksuan me 8.6%. Nga ana tjetër, numri i pensionistëve, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rritet me shpejtësi.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 50% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% më 2021.
Praktikat europiane, si mund të përmirësohet fertiliteti
Popullsia në shumë vende në Europën Lindore dhe Jugore tani është në rënie, për shkak të kombinimit të emigrimit dhe shkallës më të lartë të vdekjeve sesa lindshmërisë.
Për vendet e BE-së, që po e vuajnë këtë problem më herët se rajoni ynë, emigracioni është konsideruar si mënyra më e lehtë dhe më e dukshme për rritjen e popullsisë së saj.
Megjithatë, pak politikanë, veçanërisht në vendet ish-komuniste, do të pranonin këtë instrument në përmirësimin e treguesve demografikë.
Por, përveç emigracionit, disa qeveri konservatore në Europë kanë marrë masa për përmirësimin e lindjeve. Hungaria është e fundit që ka miratuar masa radikale në përpjekje për të trajtuar problemin.
Kryeministri Viktor Orban i ka shpallur klinikat e fertilitetit si një sektor strategjik. Familjeve të reja tashmë u ofrohet një kredi që nuk kanë nevojë ta kthejnë, nëse kanë një fëmijë të tretë. Gratë që kanë katër fëmijë do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat për gjithë jetën.
Qeveria konservatore e Polonisë prezantoi pagesa për të inkurajuar familjet më të mëdha. Programi i tij “Family 500+” shpërndan 500 zloty (118 €) në muaj për familjet me të ardhura të ulëta për fëmijën e tyre të parë dhe për çdo familje për fëmijët pasardhës.
Në fakt, masat më të suksesshme synojnë t’ua bëjnë jetën më të lehtë nënave që punojnë: zakonisht kur detyrohen të zgjedhin midis rritjes së fëmijëve ose karrierës, gratë kanë zgjedhur të punojnë.
Normat më të larta të lindshmërisë në Europë janë në Francën laike, falë shpenzimeve të saj bujare ndaj mirëqenies dhe kujdesit të lirë të fëmijëve.
Qeveritë e njëpasnjëshme kanë ofruar çerdhe në vend të klinikave të fertilitetit.
Suedia vjen e dyta, falë edhe politikave pro familjes, si dhe nxitjes për burrat që të kujdesen më shumë për fëmijët. Politika kanë treguar se është e mundur të ndryshohet tendenca e normave të ulëta të lindshmërisë.
Gjermania, ku masat për promovimin e lindshmërisë dikur ishin tabu, ka arritur të rrisë normën e lindjeve gjatë dekadës së fundit.
Pjesërisht kjo pasqyron fluksin e fundit të refugjatëve, sidomos sirianët priren për të pasur familje të mëdha. Gjermania bëri përpjekje për të lehtësuar jetën për gratë që punojnë.
Gjatë mandatit të saj si ministre e Familjes së Gjermanisë, Ursula Von Der Leyen prezantoi politika të suksesshme për kujdesin ndaj fëmijëve dhe lejen prindërore.
Reformat ndihmuan në rritjen e shkallës së lindshmërisë nga 1.33 fëmijë për grua në 2007 në 1.57 në 2017, sipas të dhënave të Eurostat.
Ndërkohë, normat globale të lindjeve vazhdojnë të bien më shpejt se sa pritej. Mesatarisht, njerëzit në mbarë botën duan rreth dy fëmijë.
Në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria situata është kontroverse. Në këto familje lindin më pak fëmijë, sesa do të dëshironin. Kjo ndodh në vendet ku shumica e familjeve gëzojnë një standard relativisht të lartë jetese.
Deri më tani, disa qeveri në Europë kanë shpallur në një “emergjencë kombëtare” nivelet e ulëta të lindjeve, ndërsa të tjera kanë mbyllur sytë. Sido që të jetë, politikëbërësit janë në një situatë të ndërlikuar: politikat e fertilitetit që funksiononin në shekullin XX mund të mos jenë më efektive.
Fatmirësisht ekziston tashmë një grup studimesh demografike dhe politikash familjare që tregojnë se cilat taktika ia vlen të ndiqen dhe cilat jo.
Studimet e fundit tregojnë se aspiratat për të pasur fëmijë nxiten nga besimi social dhe qëndrueshmëria individuale dhe dobësohen nga polarizimi politik dhe vuajtjet e tjera moderne, duke përfshirë edhe ndikimin e mediave sociale.
Monitor
j.l./ dita