Në adresën time të email-it, Dilaver Goxhaj më dërgoi “reagimin e Dritan Goxhajt” ndaj shkrimit tim “Logorreja dhe ‘kapsllëku’ i ideve konstruktive”, të publikuar në gazetën “Dita” më 19 shtator 2024.
Që në titull të reagimit shihet qartë, se për të qenë në përputhje të plotë me “llogjikën” sllave, artikullshkruesi më drejtohet me termin serb “druzhe” (shok) dhe vazhdon me jashtëqitjen nga goja të asaj që ka në bark! Meqenëse ai që ka shkruar këtë “reagim” pretendon se gjoja unë paskam “implikuar edhe familjen e Dritan Goxhajt në polemikë”, e shoh të udhës që, në fillim të këtij reagimi, t’i drejtohem publikisht kryefamiljarit të kësaj familjeje, me sa vijon:
– Përpara se të më dërgonte jashtëqitjen e fundit të të birit, Dilaver Goxhaj duhej t’i tregonte djalit të vet se sa herë më ka thirrur në telefon për të shprehur tmerrin që e kishte kapluar nga frika se mund ta ekstradonin në Hagë dhe se kë fajësonte për arrestimin e Dritanit. Unë nuk e kam fshehur përpara askujt qëndrimin tim publik kundër themelimit e gjykatës mbi bazën e sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë dhe, rrjedhimisht, edhe kundër arrestimit të Dritan Goxhajt. Mbetet në ndërgjegjen e Dilaverit, nëse dëshiron t’ia thotë të vërtetën djalit të vet!
– “Autori” i shkrimit pretendon se, si pasojë e asaj, që “fëmininë e ka kaluar mës sllavëve”, Bardhyl Mahmuti “duhet të ketë probleme edhe me kuptimin e gjuhës shqipe”. Dilaver Goxhaj, që shitet si mik i familjes sonë, është dashur t’i tregojë “autorit” të shkrimit se Tetova, ku kam lindur, dhe Prishtina, ku kam jetuar një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë sime, janë qytete historikisht dhe aktualisht të banuara me shumicë dërmuese shqiptare dhe vetëm të sëmurët mendorë ose ata që funksionojnë me “llogjikë” sllave mund të shpifin se shqiptarët na paskëshin jetuar “mës sllavëve”.
Mbetet në ndërgjegjen e Dilaverit arsyeja se përse nuk e ka vënë në dijeni “autorin” e shkrimit, djalin e tij, se as fëmijëria ime “mës sllavëve” dhe as shtatë vitet e rinisë që kam kaluar në burgje, në zemër të Serbisë (në burgun “Zabela” të qytetit Požarevac, vendlindja e Sllobodan Millosheviqit, në 2 burgje të qytetit Šabac dhe në burgun e qytetit Zaječar) nuk kanë mundur të më pengojnë që ta kuptoj, ta flas dhe ta shkruaj gjuhën shqipe më mirë se Dritani, Dilaveri dhe shumë Dallaverë të tjerë.
Në rast se Dilaveri “do ta informonte rrethin e vet”, artikullshkruesi nuk do të formulonte fjali paradoksale të natyrës “shqipfolësi patronazhist druzhe (shoku) Bardhyl Mahmuti”, “ish anëtar i atyre organizatave Marksiste-Leniniste në të cilat ka aderuar që nga rinia e tij e deri në pleqëri” dhe “si nostalgjik mban akoma në arkivat e tij Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”!
Dilaveri e di fare mirë, se ndaj shqiptarëve të pushtuar nga sllavët e jugut janë zbatuar kodet penale serbe, malazeze dhe maqedonase dhe, pavarësisht regjimit politik në Shqipëri, dashuria ndaj saj ka qenë penalisht e dënueshme. Të gjithë ata që i janë kundërvënë pushtimit jugosllav të trojeve tona dhe kanë shprehur dashurinë ndaj Shqipërisë, qoftë ajo edhe marksiste-leniniste, kanë përjetuar pasoja të tmerrshme. Në Shqipëri gjërat kanë qenë ndryshe: sa më “enverist-marksist-leninist” të kesh qenë ose të jesh shitur se je, aq më shumë privilegje të panumërta dhe ngritje profesionale në rrafshin e pushtetit politik apo të ushtrisë e policisë ke pasur, në kohën kur vazhdimisht spastrohej “politika, ushtria dhe policia nga armiqtë e brendshëm, poliagjentë”! Rrjedhimisht, “nostalgjik” për kodet penale të atij regjimi mund të jenë vetëm kuadrot partiake (politike, ushtarake, policore dhe të shërbimeve sekrete), që përfituan nga tragjeditë e shumta njerëzore të fushatave spastruese ideologjike dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Le t’i kthehemi logorresë së re kundër shkrimit tim. Jashtëqitja që mban emrin e Dritan Goxhajt nxori në pah sëmundjen e rëndë mendore që ka kapluar artikullshkruesin dhe zbatimin e “llogjikës” sllave gjatë manipulimit me të vërtetat!
Po fillojmë me pretendimin se gjoja unë, “druzhe Bardhyl Mahmuti, kam hapur internetin dhe, pasi paskësha shkruar ‘vula e Skënderbeut’, kam marrë foton e parë që ka dalë, pa i hyrë investigimit të lehtë”.
Nëse do të zbatoja “llogjikën” sllave allagoxhaj apo të kisha qenë i prekur, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, nga çrregullimi mendor i sindromit të Fregolit, që prapa çdo gjëje shohin fytyrën, dorën apo hijen e Edi Ramës, do të kisha zbuluar se “stema e parë, ajo me yllin e Davidit sipër kokave, stemë të cilën në 17 janar të vitin 2018, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, e ka ekspozuar Edi Rama duke e paraqitur si ‘Vulën e akteve shtetërore’ të Skënderbeut”, ndërkaq, vulën e dytë, “e cila ndodhet në muzeun e Kopenhagenit, në Danimarkë, e regjistruar atje si vula e Skënderbeut, dhe që edhe këtë vulë e solli në Shqipëri për ta ekspozuar Ilir Meta kur ishte president, si kundërpeshë të eskpozesë së vulës së Skenderbeut nga ana e Edi Ramës në janar të po atij viti, 2018”.
Për të manipuluar lexuesit që nuk e dinë të vërtetën, artikullshkruesi manipulon me emrin e dhe shkrimet e studiuesit të mirënjohur, Moikom Zeqo.
Fillimisht po u rikujtoj lexuesve që kanë ndjekur polemikën rreth kësaj çështjeje, se artikullshkruesi i logorresë së parë, të publikuar në emër të Dritan Goxhajt, pretendonte se “në asnjë version origjinal, mburoja e Skënderbeut nuk mbante yllin gjashtëcepësh mbi kokat e shqiponjës” dhe se prezantimi i tij në shtatoren e realizuar nga Gëzim Muriqi, “cënon jo pa qëllim flamurin tonë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut”.
Duke zbatuar “llogjikën” e historianëve serbë, që shkëpusin thelbin nga citate të caktuara, për ta interpretuar ndryshe realitetin, artikullshkruesi i logorresë së dytë kundër meje, shkëput nga citatet e Moikom Zeqos thelbin e asaj, për të cilën lindën divergjencat.
Kështu, në funksion të manipulimit të lexuesit, nga studimi i Moikom Zeqos që citohet nga artikullshkruesi i logorresë së dytë, janë prerë si me gërshërë pjesët që kanë të bëjnë me çështjen e vulave që ka përdorur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në shkrimin e titulluar “Heraldika e Gjergj Kastriot Skënderbeut”, Moikom Zeqo saktëson:
“Skënderbeu ka përdorur dy vula në kancelarinë e tij. Njëra vulë, e quajtur vula e madhe (Sigilla Majus) me rafigurimin e saj u zbulua, më 1961 në dorëshkrimet e shkencëtarit sllovak, Pavel Jozef Safariku (1795-1861). Skënderbeu kish përdorur këtë vulë rreth vitit 1466. Vula është e rrumbullakët, ka në mes shqiponjën dykokëshe, mbi krahët e shqiponjës germat latine D.Al.(dominus albaniae). Rreth e qark vulës lexohen fjalët Georgius Castriotus Scendarbigo. Në mbarimin e fjalës së fundit, është një yll 8 cepësh. Kurse midis dy kokave të shqiponjës është një tjetër yll 6-cepësh. Në krahun e majtë të kornizës dekorative me gravura të faqes së parë të librit të Barletit për Skënderbeun është gravura e një shqiponje dykokëshe, që i atribuohet Heroit”.
Në përputhje të plotë me “llogjikën” sllave, artikullshkruesi i prekur nga çrregullimi mendor i sindromit të Fregolit fsheh faktin se vula e madhe e Skënderbeut, ku shihet ylli 6-cepësh mbi kokat e shqiponjës, ishte zbuluar disa vite përpara se të lindte Edi Rama dhe, rrjedhimisht, nuk kishte se si të sajonte një vulë të tillë përpara se të lindte. Mirëpo për të sëmurët mendorë nuk përjashtohet mundësia që, edhe këtë fakt, t’ia atribuojnë Edi Ramës, si “të mishëruar gjatë periudhave të ndryshme historike”!
Çdo njeri që ka bërë një “investigim të lehtë” rreth yllit 6-cepësh në mburojën e Skënderbeut, e di se, për hir të Kuvendit të Lezhës, mbajtur më 2 mars 1444, më 17 janar 1962 (ende pa lindur Edi Rama), në sheshin “Besëlidhja” në Lezhë u përurua vepra monumentale “Obelisku”. Mbi pllakën e mermerit të bardhë të kësaj vepre monumentale është vendosur mburoja e bronztë e Skënderbeut, me shqiponjën dykrenore dhe mbi kokat e shqiponjës, ylli 6-cepësh, ndërsa në pjesën e sipërme të mburojës është përkrenarja e Skënderbeut.
Sa i përket vulës së dytë, ku shihet figura e ujkut të strukur nën kthetrat e shqiponjës, që është në pronësi të Muzeut Kombëtar të Danimarkës, për të cilën artikullshkruesi thotë se “e solli në Shqipëri për ta ekspozuar Ilir Meta kur ishte president, si kundërpeshë të eskpozesë së vulës së Skënderbeut nga ana e Edi Ramës në janar të po atij viti, 2018”, realiteti është ndryshe. Më 30 maj të vitit 2003, pra 15 vjet përpara pretendimit të lartpërmendur, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë dhe ambasada shqiptare në Kopenhagen organizuan ekspozitën e kësaj vule në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë.
Videon për këtë çështje mund ta ndiqni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=6PsQU8azVEQ
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Moikom Zeqo, në atë kohë drejtor i Muzeut Kombëtar, sepse bëhej fjalë për një vulë autentike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Le t’i kthehemi pretendimit, se gjoja “ylli gjashtëcepësh mbi kokat e shqiponjës” në shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të realizuar nga Gëzim Muriqi, “cënon jo pa qëllim flamurin tonë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut”, do t’i referohem intelektualit të mirënjohur Moikom Zeqo, për arsye se ishte përzgjedhja e artikullshkruesit.
Në paragrafin e parë të shkrimit të titulluar “Flamuri i Skënderbeut, kuqezi apo verdh e kuq? A e ka pasur Yllin e Davidit?”, të botuar në gazetën “Dita” më 21 tetor 2023, Moikom Zeqo sqaron:
“Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë. Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar. Megjithatë, ne kemi patur një përfytyrim për flamurin e Skënderbeut, bazuar tek stema e tij, që paraqet shqiponjën dykrerëshe, pa kurorë mbretërore mbi kokat, që ka sipër yllin gjashtëcepësh si dhe inicialet latine D.AL. d.m.th. ‚Dominus Albaniae‘ (Zoti i Shqipërisë)”
Në përputhje të plotë me “llogjikën” serbe të manipulimit me faktet, artikullshkruesi citon vetëm dy fjalitë e para të shkrimit në fjalë (“Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë. Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar”) dhe e pret me gërshërë konstatimin e Moikom Zeqos, të nënvijëzuar në citatin e mësipërm, se përfytyrimet tona kombëtare për flamurin e Skënderbeut janë bazuar te stema e tij, që paraqet shqiponjën dykrerëshe, pa kurorë mbretërore mbi kokat, që ka sipër yllin gjashtëcepësh.
Nëse një manipulim i tillë i mendimit të Moikom Zeqos do të bëhej nga ndonjë intelektual për motive të tjera, do ta quanim të pacipë. Por këtu kemi artikullshkrues me të meta mendore të sindromit të Fregolit, që kanë gjetur të përshtatshme “llogjikën” serbe të manipulimit me faktet, për t’u akomoduar në paranojën e tyre! Pikërisht këto gjëra duhet të kemi parasysh kur shohim shkëputjet e citateve të Moikom Zeqos edhe për Anonimin e Tivarit, Marin Barletin dhe Shyqyri Nimanin, lidhur me flamurin e Skënderbeut.
Në shkrimet e lartpërmendura, të publikuara në gazetën “Dita”, Moikom Zeqo vë theksin në dy zbulime lidhur me flamurin e Skënderbeut:
Zbulimi i para ka të bëjë me një hartë të vitit 1456, ndërsa zbulimi i dytë ka të bëjë me faktin se “në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Skënderbeut është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe”.
Të dashur lexues,
Kërkoj ndjesë që më duhet të citoj një pjesë të madhe të shkrimit të intelektualit të mirënjohur Moikom Zeqo, sepse dëshiroj të shmang shkëputjet e tekstit, që mund të dëmtojnë tërësinë e fakteve që është munduar të fshehë artikullshkruesi i logorresë së dytë.
Moikom Zeqo e ka fjalën!
“Para disa kohësh, në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar, erdhi dijetari dhe piktori i njohur nga Kosova, prof. Shyqri Nimani. Në vitin 1996, Nimani, kish botuar librin album në Prishtinë, me titull “Trojet shqiptare në harta dhe stema”. Këtë botim, unë e kam patur prej kohësh në duar, por u desh ta rilexoj tani më me vëmendje, për t’u befasuar dhe entuziazmuar nga zbulimi i jashtëzakonshëm. Autorësia e këtij zbulimi i takon padyshim mikut tim të nderuar, prof. Shyqri Nimani.
Në botimin e tij Nimani tregon se, gjatë vitit 1980, gjatë një udhëtimi në SHBA, pa ekspozitën e madhe «ART & CARTOGRAPHY» në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library, ku qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme.
Aty qe ekspozuar edhe «Harta Portollane e Mesdheut» e vitit 1456, një manuscript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3.
Harta ka shënimin: «Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI».
Kjo hartë portollane është pikturuar me dorë, sipas traditës së navigatorëve, që e kanë përdorur këtë teknikë, të paktën, që nga fillimi i shek. XIV. Siç shihet harta e Rosellit, mban vitin 1456, kur Skënderbeu ishte në kulmin e famës së tij, krejt i gjallë, sepse ai vdiq 12 vjet më vonë, më 1468.
Harta nuk është e dimensionit të madh, ajo përqendrohet në Detin e Mesdheut dhe në Detin e Zi, tregon bregdetin evropian nga Danimarka, ishujt britanikë deri tek Skotlanda Jugore, bregun veriperëndimor të Afrikës, ishujt Kanare, Medeeirën dhe ishujt Azore në Oqeanin Atlantik.
Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492.
Harta në fjalë ka një saktësi të madhe të parametrave gjeografikë, sidomos të kontinentit evropian, por informacioni i hartës është shumë më i madh, aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456.
E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut.
Flamuri shqiptar i Kastriotëve ka kështu një njohje ndërkombëtare, është njësoj si në OKB-në e sotme.Gjëja e parë është vendosja figurative e të gjithë flamurëve të shteteve të njohur dhe pjesëmarrëse të OKB.Të tillë vlerë juridike, ndërkombëtare ka dhe vendosja dhe rafigurimi i flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456 në faqen 55, tabela 14.
Flamuri është në formë katërkëndëshe, i vendosur në një shtizë vertikale, mbi figurën qëndrore të Shqipërisë, d.m.th. mbi qytetin e Krujës. Katërkëndëshi i fushës së flamurit është krejt i hapur në krahun e majtë për shikuesit. Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit. Nimani, që e ka parë me sytë e tij këtë fakt, tregon se fusha e flamurit qe e verdhë (e artë), kurse shqiponja dykrerëshe e kuqe.
Pse vallë kjo shqiponjë titullare e flamurit jepet e kuqe dhe jo e zezë?
Mos vallë dëshmia e Marin Barletit, në librin e tij për Skënderbeun, që e botoi gati 40 pas vdekjes së Skënderbeut duhet marrë me rezervë?
Ku qëndron e vërteta?
Pse në kohën kur ishte vetë gjallë Skënderbeu, flamuri i tij i njohur ndërkombëtarisht jepet në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjë të kuqe dykrerëshe?
Për çdo shkencëtar serioz, këtu ka një pikëpyetje shqetësuese, që kërkon një përgjigje të vërtetë dhe të argumentuar.
Aq më tepër që substanca e kësaj pyetjeje bëhet më e fortë kur dimë tashmë se në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Skënderbeut është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe. Afresku i kuq i shqiponjës dykrerëshe të Rodonit është bërë përpara vdekjes së Skënderbeut më 1468.Kjo shqiponjë nuk është bërë rastësisht e kuqe. Pra shqiponja e Skënderbeut nuk është e zezë.
Shqiponjën e kuqe të Rodonit, Skënderbeu e ka parë me sytë e tij, askush nuk do mundte dot, ta bënte ngjyrën e shqiponjës ndryshe, nga ç’ishte ngjyra e vërtetë e saj, sepse këtu kemi të bëjmë me autoritetin shtetëror të vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut. Problemi shkencor lidhet me dy përmasa: përmasa e parë ka të bëjë me dy fakte historikisht autentike, që në të gjallë të Skënderbeut, me faktin e hartës së vitit 1456 dhe me faktin e afreskut të kuq të shqiponjës dykrenore të Rodonit, gjithashtu, autentike. Përmasa e dytë ka të bëjë me një dokument shkrimor të përpiluar nga Barleti 40 vjet më vonë, pasi kish vdekur vetë Skënderbeu.
Të gjithë, pa përjashtim, kanë besuar dëshminë shkrimore të Marin Barletit, pra, kanë besuar se shqiponja dykrerëshe është e zezë, në një fushë të kuqe. Faktet që paraqesim në këtë shkrim tregojnë një ndryshim të rëndësishëm, del qartë se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka qenë aspak e zezë, por ka qenë e kuqe. Ta zëmë për një moment se piktori i hartës së 1456-ës, Roselli, ka përdorur në mënyrë të lirë rafigurimin e flamurit të Skënderbeut dhe për ta bërë më të lexueshëm këtë flamur e ka bërë shqiponjën dykrerëshe të kuqe në një fushë të verdhë (e artë). Por, nëse ky fakt, do të qe i vetmuar, mund ta përdornim si një alibi figurative.
Por, është pikërisht zbulimi në afresk i shqiponjës dykrerëshe të kuqe të Kepit të Rodonit, që nuk na lejon më, të flasim për një alibi të piktorit hartograf, apo për një rastësi vetmitare. Për shkak të akribisë shkencore dhe të kriticizmit shkencor, jam i detyruar të shpreh publikisht tezën, se përfytyrimi i flamurit të Skënderbeut duhet të ketë qenë ndryshe në realitet, pra, shqiponja dykrerëshe për shkak të fakteve të mësipërme, do të ketë qenë e kuqe. Dëshmia e Barletit nuk është ajo e një dëshmitari okular, por është një dëshmi e metomorfizuar, gati një shekull e gjysëm më vonë. Mendoj, që Barleti duhet shikuar me rezervë,jo me absolutizem në këtë pikë kryesore. Pse?
Harta e Petro Rosellit e vitit 1456, është si të thuash një njohje ndërkombëtare, për paraqitjen figurative të flamurit të Skënderbeut. Afresku i shqiponjës dykrerëshe të kuqe i Rodonit, vërteton diçka të brendshme, pikërisht brenda kështjellës rezidenciale të vetë Gjergj Kastriotit.
Është tjetër gjë të themi se për shkak të traditës mbi 5 shekullore ne tashmë kemi botërisht flamurin kombëtar me fushën e kuqe dhe shqiponjën dykrerëshe të zezë. Askush nuk ka ndërmend që ta ndryshojë tashmë këtë gjë, sepse dhe tradita duhet respektuar, qoftë dhe si konvencionalitet. Por, askush nuk i heq të drejtën e dyshimit dhe saktësimit shkencor dijetarëve, që kanë kult vetëm të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Dy dëshmitë autentikë, që trajtuam në këtë shkrim tregojnë pa mëdyshje se flamuri i Skënderbeut ka qenë ndryshe, pra në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjën dykrerëshe të kuqe. Duke thënë këtë, mendojmë se nuk bëjmë një blasfemi, por bëjmë një saktësim. Megjithatë e drejta e debatit shkencor është një e drejtë e hapur për të gjithë dhe unë do të pranoja me dëshirë dhe me ndërgjegje çdo kundërshtim të arsyeshëm, por ama me argumente autentikë”.
Të dashur lexues,
Ju lutem, shihni deri në çfarë mase akomodimi në “llogjikën” serbe nuk i lë artikullshkruesit paranojakë të kuptojnë domethënien e vërtetë të konstatimit të Moikom Zeqos në gjuhën shqipe, duke deformuar mendimin e tij:
“Dhe po në kujtimet e tij Moikom Zeqo thotë: ‘Rafigurimi i shqiponjës dykrerëshe me Yllin e Davidit në vulën e madhe nuk është autentik me flamurin’. Fjala vjen, Barleti nuk e përmend asnjëherë faktin, se mbi shqiponjën dykrerëshe është Ylli i Davidit. Një fakt tjetër substancial është se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka patur asnjëherë kurora mbretërore, sepse dihet, që Skënderbeu nuk e pati asnjëherë titullin e Mbretit të Shqipërisë.
Ndërsa Prof. Shyqyri Nimani, në librin e tij të botuar në vitin 1996 me titull “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, shkruan: “Gjatë një udhëtimi në SHBA, në ekspozitën e madhe «ART & CARTOGRAPHY» në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library, qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme.
Aty qe ekspozuar edhe «Harta Portollane e Mesdheut» e vitit 1456, një manuskript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3. Dhe harta ka shënimin: «Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI».
Dhe më tej z Nimani vazhdon: ‘Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492. Aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456. E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut’.
Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456, në faqen 55. Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të, figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit.
Ndaj edhe Moikom Zeqo në shënimet e tij thotë: ‘Dihet që edhe vetë stema e Kastriotëve është ndryshuar, është mbingarkuar me kurorat mbretërore, se trashëgimtarët e familjes së Kastriotëve, për shkak të titujve që kanë marrë më vonë, i kanë shtuar atribute të tjera stemës së thjeshtë, civile, dhe autentike të Gjergj Kastriot Skënderbeut’”.
Në përfundim po rikujtoj lexuesit, se reagimi i dytë kundër meje fillon me fjalët: “Është me të vërtetë për të ardhur keq kur sheh se si, dhe sa poshtë ka përfunduar mendja njerëzore, morali dhe etika njerëzore” dhe përfundon me fjalinë: “Zoti të ruajt shëndetin, se mendja ka kohë që të ka lënë”! Mjerim i vërtetë ku janë katandisur këta njerëz të gjorë, të cilët shëndetin mendor nuk e konsiderojnë shëndet, por të qenit shëndoshë e kufizojnë në aspektin fizik: të kenë fulqinjtë e fortë për të bluar dhe për të mbushur stomakun me rezerva për logorrenë e ardhshme!
U ardhshin mendtë!
P.S.
E konsideroj të pështirë t’u jap llogari mercenarëve që na kanë thinjur leshin e kokës me kërkesat e vazhdueshme për të marrë rroga të përjetshme për kontributin e madh kombëtar që na paskëshin dhënë! Bashkëveprimtarët e mi e dinë kur kam hyrë dhe kur kam dalë nga Kosova dhe ku kam qenë në kohën kur isha shef i Grupit Diplomatik të UÇK-së.