Të gjithë qytetarët që janë të interesuar për të siguruar një vizë emigrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet Lotarisë Amerikane për pranimet e reja të vitit 2024, do të kenë mundësi që të bëhen pjesë e këtij programi me regjistrimet që do të zhvillohen gjatë muajit tetor. Tashmë është shpallur edhe afati zyrtar se kur duhet të nisni me plotësimin e formularit të regjistrimit online.
Do të jetë pikërisht data 5 tetor që do të shënojë nisjen e aplikimeve të reja për pranimet e 2024-ës. Sipas njoftimit të bërë publik, “Periudha e regjistrimit në internet për Programin DV-2024 fillon të mërkurën e datës 5 tetor në orën 12:00 të mesditës, Koha Lindore Ditore (EDT) (GMT-4) dhe përfundon të martën, më 8 nëntor 2022, po në orën 12:00 të mesditës, me orën standarde lindore (EST) (GMT-5)”.
Të gjithë të interesuarit do të duhet që plotësojnë formularin e regjistrimit online brenda këtij afati të përcaktuar. Regjistrimet për programin e lotarisë për kuotat e 2024 do të mund të kryhen vetëm në mënyrë elektronike në adresën: https://dvprogram.state.gov/ , duke nisur nga mesdita e datës pesë tetor. Sikundër ka ndodhur edhe me aplikimet e viteve të shkuara, autoritetet këshillojnë se për të pasur një regjistrim sa më të sukseshëm, duhet që të mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit për të përfunduar aplikimin tuaj, pasi kërkesat e shumta që shfaqen për këtë program mund të shkaktojnë mbingarkesё të faqes së internetit, e për rrjedhojë regjistrimi juaj mund të mos jetë i vlefshëm. Sipas rregullave të shpallura, nuk do të pranohen në asnjë rast aplikimet me letër ose aplikimet e vonuara.
Një tjetër rregull i rëndësishëm që duhet të zbatohet është edhe plotësimi vetëm i një aplikimi. Rregullroja lejon vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së përcaktuar për aplikimet. Për të shmangur këtë gjë, Departamenti i Shtetit Amerikan përdor teknologji të sofistikuar për t’u vënë në dijeni të regjistrimeve të shumëfishta, dhe për individët që kanë aplikuar më shumë se një herë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen. Regjistrimet e papërfunduara nuk do të pranohen. Aplikimi për lotarinë në çdo rast është falas.
Gjithashtu, rekomandohet që të plotësoni vetë formularin e regjistrimit, pa ndihmën e një “këshilluesi për viza”, “agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më tё saktё, të merrni fletёn e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online, i cili do t’ju informojë mbi statusin e regjistrimit tuaj. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë fletёn tuaj të konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit. Ju gjithashtu duhet të keni akses te posta elektronike që keni vendosur tek regjistrimi juaj në E-DV”.
Pasi të keni dorёzuar elektronikisht regjistrimin e plotë, juve do t’ju shaqet një faqe konfirmimi, e cila përmban emrin tuaj dhe numrin tuaj unik të konfirmimit. Ju duhet të printoni këtë faqe dhe ta ruani, pasi nëpërmjet këtij kodi do të bëni të mundur verifikimin nëse jeni përzgjedhur për të vijuar më tej procedurat e sigurimit të vizës. “Kontrolli i Statusit të tё Regjistuarit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë DV-2024 dhe, në rast se jeni përzgjedhur, mund të lexoni udhëzime se si të vazhdoni mё tej me aplikimin tuaj.
Për të mos u përjashtuar nga programi i përzgjedhjes, aplikuesit i duhet një pasaportë e paskaduar për udhëtim jashtë shtetit, numri i pasaportës, shteti i lëshimit të pasaportës dhe data e skadimit. Kjo kërkesë aplikohet vetëm për aplikuesin kryesor, dhe jo për vartësit e tij. Ndaj gjatë plotësimit të aplikimit online ju duhet te vendosni një pasaportë të vlefshme valide për udhëtime ndërkombëtare përveç nëse jeni pa shtetësi, ose i përkisni një kombësie të shteteve të kontrolluara nga komunizmi dhe për këtë nuk mund të merrni një pasaportë të atij shteti, ose jeni përfitues i përjashtimit individual të miratuar nga Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Sekretari i Shtetit. Në rast se nuk fusni informacionin e një pasaporte të vlefshme, nuk do të jeni të ligjshëm për një lotari (DV).
Duhet të bëni kujdes edhe me foton që do të ngarkoni në formularin e regjistrimit. Për të bërë një regjistrim të sukseshëm duhet të ngarkoni gjatë plotësimit të formularit fotografi personale pa syze, të nxjerrë gjatë muajve të fundit, për ju si aplikant kryesor, të bashkëshortit/es, si dhe të të gjithë fëmijëve të përfshirë në regjistrim. Fotografitë në grup nuk do të pranohen; duhet të paraqisni nga një fotografi për çdo individ. Regjistrimi juaj mund të skualifikohet ose viza juaj të refuzohet nëse fotografitë tuaja nuk janë të kohëve të fundit, janë të manipuluara në një formë apo në tjetrën, ose nuk respektojnë specifikimet e mëposhtme. Nëse përfshini fotografi që e kishit përdorur në regjistrimin e vitit të kaluar, ju do të skualifikoni automatikisht, ndaj përdorni fotografi të nxjerrë kohët e fundit.
Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlefshëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme. Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të SHBA. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë. Ndërsa diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, shkollat e natës ose me korrespondencë nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
Specifikat se si duhet të jetë fotografia që do të ngarkoni gjatë regjistrimit:
- Me ngjyra.
- Në fokus. Personi që fotografohet duhet të jetë me fytyrë drejt aparatit.
- Lartësia e kokës ose përmasa e fytyrës (matur nga maja e kokës duke përfshirë edhe flokët deri tek pjesa e poshtme e mjekrrës) duhet të jetë ndërmjet 22 mm dhe 35 mm ose nga 50% deri 69% të lartësisë totale të fotografisë.
- Të jetë nxjerrë brenda 6 muajve të fundit dhe të tregojë pamjen tuaj aktuale.
- Të jetë nxjerrë me një sfond të bardhë e të ndriçuar.
- Të jetë nxjerrë me fytyrën që shikon drejtpërdrejt kamerën. Koka e personit nuk duhet të jetë pozicionuar lart, poshtë ose anash.
- Me një shprehje neutrale të fytyrës dhe me sytë të hapur.
- Me rroba që vishni si zakonisht çdo ditë
- Nuk duhen veshur uniforma, përveç veshjeve fetare që vishen çdo ditë.
- Jo shami apo kapele që pengon flokët, përveç veshjeve fetare që vishen çdo ditë. Fytyra juaj duhet të jetë e dukshme dhe shamia e kokës nuk duhet të krijojë ndonjë hije në fytyrën tuaj.
- Kufjet, pajisjet ëireless, apo të ngjashme janë të papranueshme në fotografinë tuaj.
- Hiqini syzet kur të dilni në fotografi.
- Nëse ju mbani një pajisje dëgjimi çdo ditë, ju mund ta mbani atë edhe kur të dilni në fotografi.
Fotografia digjitale duhet të jetë: në formatin JPEG (.jpg), baras ose më pak se 240 KB si madhësi, teksa dimensioni i fotos duhet të jetë 600×600 pikselë.

Faleminderit nga ana juaj rrespekte
Pershendetje desha te nji kerkes per viz pune ne Amerik
Per nji jet me te mir