Përfundoi dje regjistrimi i fituesve të rinj në radhët e maturantëve që u shpallën fitues për kuotat e lira të pranimeve të raundit të tretë. Në shumë programe studimi, jo vetëm të universiteteve në kryeqytet por edhe në rrethe vijon të ketë ende shumë kuota të lira. Nëpërmjet një udhëzimi të shpërndarë tashmë pranë fakulteteve përkatëse, Universiteti i Tiranës ka përcaktuar edhe rrugën që do të ndiqet për plotësimin e këtyre kuotave të lira, duke u dhënë kështu edhe një tjetër mundësi maturantëve që janë në listat e pritjes për të konkurruar për vijimin e studimeve të larta përgjatë këtij viti akademik.
Dy janë rrugët që do të ndiqen për plotësimin e këtyre kuotave. Në udhëzimin e miratuar nga Rektorati i Universitetit të Tiranës në datën 25 tetor, përcaktohet se do të ketë fillimisht një fazë të katërt regjistrimi, ku do të garojnë maturantët që kanë aplikuar në raundin e tretë po që nuk janë shpallur fitues, apo që nuk janë regjistruar në asnjë program studimi deri në përfundim të këtij raundi. Nëse në vijim do të ketë sërish kuota të lira do të mund të përfshihen në garë edhe kandidatët e raundeve të mëparshme.
Të gjithë aplikantët që kanë aplikuar në raundin e tretë në programet e ciklit të parë “Bachelor” mund të njihen me kuotat e lira për çdo program studimi nëpërmjet portalit “u-albania”. Sipas udhëzimit të UT-së, kandidatët që kanë aplikuar në raundin e tretë dhe nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, kanë të drejtë të bëjnë një kërkesë përgjatë gjithë ditës së sotme. Këtë kërkesë mund ta plotësojnë pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës dhe programit të studimit që raportohet të ketë kuota të lira. “Këta kandidatë kanë të drejtë që të aplikojnë në ato programe studimi që kanë aplikuar edhe në raundin e tretë. Do të jenë njësitë kryesore për çdo program studimi që në varësi të kërkesave të mbledhura do të publikojnë edhe listat e kandidatëve fitues në mjediset e fakultetit përgjatë ditës së nesërme (4 nëntor). Procesi i regjistrimit të këtyre fituesve do të zhvillohet në data 5 dhe 6 nëntor pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës.
Po sipas këtij udhëzimi, nëse edhe pas realizimit të procedurës së regjistrimit sipas fazës së katërt do të ketë sërish kuota të lira, të cilat do të shpallen në datën 6 nëntor, do të vijohet me garën duke përfshirë në konkurrim edhe kandidatët e raundeve të mëparshme. Në këto kushte, kandidatët që janë pjesë e portalit “u-Albania” dhe që rezultojnë të paregjistruar në një program studimi në këtë fazë mund të sigurojnë të drejtën e regjistrimit në programe studimi ku ka kuota të paplotësuara. Kjo pavarësisht aplikimeve të bëra prej tyre në raundet e mëparshme. Këta kandidatë mund të aplikojnë pranë sekretarisë mësimore përkatëse në datën 7 nëntor. Kandidatët fitues përzgjidhen sipas kritereve të pranimit për secilin program. Njësitë kryesore për çdo program studimi publikojnë listat e kandidatëve fitues në mjediset e fakultetit dhe në faqen e fakultetit përkatës gjatë orëve të pasdites po në këtë datë, ndërsa regjistrimi i tyre si fitues do të bëhet një ditë më pas, përkatësisht në datën 8 nëntor. Kjo do të jetë edhe faza e fundit e pranimeve për këtë vit akademik, i cili ka nisur prej dy javësh, por që po zhvillohet nëpërmjet mësimit dhe bojkotit për shkak të protestës së nisur nga stafet e pedagogëve për rishikimin e nivelit të rritjes së pagave të tyre, si dhe përmirësimin e infrastrukturës së zhvillimit të kërkimit shkencor në universitete.
Më herët dikasteri i Arsimit ka përcaktuar nëpërmjet një udhëzimi edhe detyrimet që studentët e rinj dhe ata ekzistues duhet të përmbushin në ndjekjen e procesit mësimor sa i takon frekuentimit të orëve të seminareve, leksioneve dhe punëve të laboratorit, sipas llojit të veprimtarive mësimore në programet e studimeve me karakter profesional, programet e ciklit të parë “Bachelor”, ciklit të dytë “Master”, si dhe ciklit të tretë të studimeve. Konkretisht llojet e veprimtarive mësimore që do të zhvillohen në auditore për secilin cikël do të jenë leksionet, seminaret dhe ushtrimet, punët e laboratorit, si dhe praktikat profesionale klinike dhe kërkimore-shkencore.
Për secilën prej tyre është përcaktuar edhe detyrimi i orëve që duhet të frekuentohen nga ana e studentëve. Sipas autoriteteve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit frekuentimi i procesit mësimor përcaktohet nga rregulloret e çdo programi studimi. Në këto kushte për ndjekjen e leksioneve bëhet e ditur se si rregull frekuentimi i tyre është fakultativ, por vetë institucionet e arsimit të lartë mund të përcaktojnë në aktet e tyre të brendshme rregullatorë mbi frekuentimin për lëndë apo grup-lëndësh të veçanta.
Për programet e studimeve me karakter profesional, programet e ciklit të parë “Bachelor”, të ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master i shkencave”, apo “Master i Arteve”, si dhe programet e studimit të ciklit të tretë “Master ekzekutiv”, frekuentimi i orëve të mësimit për seminaret do të jetë i detyrueshëm në masën 75 për qind. Detyrimi në këtë masë do të jetë i vlefshëm edhe për ndjekjen e orëve të mësimit për punët e laboratorit, si dhe ato të zhvillimit të praktikave klinike.
Ndërsa për programet e studimit të ciklit të tretë që mbulojnë “Specializimet afatgjata të ciklit të tretë”, si dhe programet e “Doktoratës”, që përmbajnë si pjesë të tij lëndë të formimit teorik, ndjekja e procesit mësimor për seminaret dhe ushtrimet do të jetë e detyrueshme deri në masën 50 për qind, për orët e laboratorit deri në masën 75 për qind, si dhe për aktivitetet profesionale, klinike, apo kërkimore shkencore ndjekja e orëve të mësimit do të duhet të jetë deri në 75 për qind të totalit të miratuar.
Organizimi i studimeve “Bachelor”
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.
Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer nga studenti.
Programet e ciklit të dytë të studimeve:
Cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i shkencave”, “Master i arteve” dhe “Master profesional”, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Të gjitha kriteret dhe modalitetet e fitimit të diplomave “Master i arteve” janë të njëjta me ato për fitimin e diplomës “Master i shkencave”, me ndryshimin që diploma “Master i arteve” lëshohet nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë formime në fushën e arteve.
Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike, si dhe në programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Këshilli i Ministrave përcakton fusha të tjera, në të cilat mund të ofrohen programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer
Programet e studimit me karakter profesional:
Institucionet e arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi me karakter profesional, pas arsimit të mesëm, me 60 ose 120 kredite formimi, referuar nivelit 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Kohëzgjatja e tyre normale është një ose dy vite akademike dhe në përfundim lëshohet respektivisht “Certifikatë profesionale” ose “Diplomë profesionale” në fushën e arsimimit të kryer. Kreditet e grumbulluara gjatë studimeve profesionale të larta mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, që referohet në nivelin 6 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, sipas kritereve të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.

Po nuk pagove nuk merr degen qe ti ke zgjedhur. Ky stil ka shume vite qe po ndiqet.