“Shtypi është një armë e fuqishme… arrin atje ku pushka dhe topi s’arrin e s’qëllon dot”.
Mihal Grameno,
gazeta “Koha”, 28 janar 1915, f.2
Prof. Hamit Boriçi
Mihal Grameno, emigrant në koloninë shqiptare të Rumanisë ishte 31 vjeç kur, përveç veprimtarit politik, orator i çështjes kombtare, u shfaq botërisht si njeri i penës, shkrimtar dhe publicist. Ishte gazeta “Drita” e ngulimeve shqiptare në Bullgari që i dha zë me publikimin e vargjeve-hymn, “Marsh i Shqipërisë”. ( Gazeta “Drita”, Sofje, 25 tetor 1902 ).
Krijimtarinë letrare Grameno e vazhdoi edhe në vitet 1907-1908, i kthyer në atdhe, luftoi i përfshirë në çetën e së Çerçiz Topullit.
Më 1904 dhe më pas shkroi e botoi novelat Oxhaku (1904-1905), komedinë me tre akte në vargje Mallkimi i gjuhës shqipe ( 1905) dhe dramën me katër akte Vdekja e Pirros (1906), të dyja shkruar në vargje. Më 1907 publikoi hymnin tjetër të kryengritjes ,,Për mëmëdhenë’’ dhe disa këngë patriotike si ,,Ardhi dita’’, ,,Lamtumirë’’, “Vratë për liri’’ e …
Jehonë kanë bërë “Varr i pagëzimit” (1909) dhe “E puthura” (1909). Shumë prej kijimeve në vargje Grameno i botoi në prag të shpalljes së Pavarësisë, në vëllimin “Plagët”.
Robert Elsie e vlerësonte: “Ai personifikon shkrimtarin-hero kombëtar” dhe shtonte “Megjithë gamen e gjinive letrare që trajtoi, vendi i Gramenos në letërsinë shqiptare është kryesisht si publicist e pamfletist i jetës politike”. ( Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Tiranë-Pejë, 1997, f.259
Një çerekshekulli veprimtari publicistike
Shtrihet në në katër kohë: e para në vitet 1905-1912, e dyta në vitet 1913-1920, e treta në vitet 1921-1924 dhe e katërta në vitet 1925-1930.
E para zë fill me artikullin “Një aktor shqiptar” botuar më 4 mars 1905 në gazetën “Drita” të Sofjes. (Shih- Thanas. Gjika- Mihal Gramenoja-publicist demokrat”, T. 1980, f. 22), njihet edhe si kohështrirja e sprovës. Ajo rrok vitet 1905-1912, pra deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ku për 4 muaj, gusht-tetor 1913, ishte redaktor i gazetës së parë të Qeverisë së Vlorës, “Përlindj’e Shqipënisë”. (Shënim: (Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Mihal Grameno u lidh me Ismail Qemalin, qi, siç do të shkruante kreu i qeverisë së parë, Mihal Grameno ishte “një nga të parët që hyri nën hijën e flamurit kombëtar”. (Gazeta “Koha”, 24 dhjetor 1917)
Në ato vite Grameno ngjiti shkallët e provës me disa artikuj të suksesshëm në gazeta kombëtare. Në analizën “Çështja e abesë” ai shpreh qartë mendimin dhe qëndrimin atdhetar për çështjet objekt pasqyrimi. Diskutohej për mësimin e gjuhës shqipe dhe alfabetin që duhej përdorur. Grameno ishte për alfabetin e Stambollit, si alfabeti i vetëm i shqipes, ndaj u drejtohej lexuesve dhe atyre që ishin të interesuar: “…ky është “Vullneti i popullit – zëri i Perendisë…Për këtë shkak jam anëtar i shkronjave të Stambollit dhe jo si fetar fanatik”. (Gazeta “Shpnesa e Shqypëniës”, 22 maj 1907 ) Ai shkroi pareshtur prej vitit 1908. Fillimisht në gazetën “Lirija”, që, Lumo Skendo (Mit-hat Frashëri) nxori në Selanik më 14 korrik 1908, po ashtu edhe në të përkohshmen “Korça” të Sami Pojanit.Tematika kryesore e trajtuar në ato kohë nga Mihal Grameno ishte, siç e kosnideronte ai, lufta kundër grekomanizmit në krahinën e Korçës, problem kyç “i rrojtjes a vdekjes së çështjes shqipe”. (Gazeta “Korça”, 15 dhjetor 1908 ).
E dyta kohështrirje ( 1913-1920 ) është periudha më e rëndësishme e veprimtarisë publicistike të Mihal Gramenos. Përveçse në faqet e dy gazetave që ai themeloi e drejtoi, (“Lidhja Orthodhokse” dhe “Koha”) e ushtroi misionin e tij si publicist atdhetar edhe në të përkohshme si “Drita” e Shahin Kolonjës, “Albania” e Faik Konicës, “Kombi” e Sotir Pecit, “Korça” e Sami Pojanit, “Përlindj’e Shqypënisë”, në revistën “Yll’i Mëngjezit” të Parashqevi Qiriazit, “Gazeta e Korçës” etj.
E treta (1921-1924) është peridha e rritjes së publicistikës së Gramenos në nivele të larta ideopolitike e mjeshtërore që kulmon në pasqyrimin e zhvillimeve të revolucinit të qershorit 1924.
E katërta (1925-1930) që njihet si periudha e rënies së përshkallëzuar ideopolitike e shoqërore edhe të veprimtarisë publicistike për shkaqe historike dhe gjëndje shëndetësore.
Dy tryezat kryesore të mendimit gramenian
Gazeta “Lidhja Orthodhokse”
( Korçë 1909-1910 )
E përdyjavshme. Botohej në qytetin e Korçës gjatë viteve 1909 -1910, gazetë politike, fetare dhe letrare; dilte në gjuhën shqipe me alfabet të Stambollit, pjesërisht edhe në greqisht. Numri i parë qarkulloi më 10 korrik 1909.
Gazeta “Koha”
( Korçë 1911-1914 dhe 1920-1926, Jamestown (ShBA, 1915-1917 )
E përjavshme politike e letrare, shoqërore e kulturore me moto “Mpron të drejtat e popullit”. Botohej në gjuhën shqipe me alfabet të Stambollit, pjesërisht frëngjisht e anglisht. Në vitet 1911-1914 në Korçë. Numri i parë qarkulloi më 1 shkurt 1911. Nga data 22 janar 1915 botohet në Jamestown të ShBA për t’u rikthyer në Korçë më 10 korrik 1920.
Politika editoriale
Dy ishin orientimet problemore të “Lidhjes orthodhokse”: i pari kundër propagandës së shtypit grek, shkollave greke e shoqatave kulturore greke, misionare të antishqiptarizmës jo vetëm në rajonin e Korçës; i dyti lufta kundër politikave të Portës së Lartë Osmane, kryesisht në plan kulturor, ekonomik dhe shoqëror.
Fletorja “Koha” dhe drejtori i saj ndjekin e pasqyrojnë zhvillimet dhe organizimet për kryengritjen e përgjithshme të armatosur për çlirimin e Shqipërisë nga zaptuesit turq. Ajo u bën jehonë kërkesave shqiptare në rrethana të caktuara, kur shkruan: “Me që Turqit e rinj nuk i mbushnë ato që iu zotuan shqiptarve, të gjithë patriotët shqiptarë duhet të ngrihen për kërkesat në kuvende kombëtare për një “qeveri autonome nën Urdhërat e Mbretërisë Osmane”; për “bashkimin e të katër vilajeteve: Shkodër, Shkup, Manastir dhe Janinë nën një pashallëk të qeverisur nga kryetar shqiptar”; për një “ Parllament të veçantë dhe si dhe shërbim ushtëriak [në vend]”; por edhe “ nëpunësit e qeverisë të jenë të tërë shqiptarë”. (Gazeta “Koha”, 26 maj 1911 ) Ajo i bënte të ditur edhe Stambollit se lëvizja shqiptare “nuk ishte një lëvizje e kufizuar në një territor të ngushtë, por lëvizje e gjërë, çlirimtare, që po shtrihej në tërë vilajetet shqiptare, lëvizje që nuk mund ta shuante as demagogjia, as armët. (Gazeta “Koha”, 10 korrik, 1911 )
Grameno ishte skeptik ndaj propagandave dhe qëndrimeve të shteteve të huaj, prandaj në publicistikën e tij të viteve 1913-1920 mbizotëron tema e luftës kundër politikës së Italisë, të Austrisë, ashtu si edhe fqinjëve ballkanikë. Pas pushtimit italian të Vlorës (1914) sulmet ndaj pabesisë së qeverisë italiane bëhen më të shpeshtë. Gazeta “Koha” sqaronte popullin e Vlorës që mos të mashtrohej nga justifikimet e politikat italiane, sepse në të vërtetë Italia dëshironte një Shqipëri që “ të jetë e ndarë midis Prenk Dodës, Esatit dhe Myfitit, me një fjalë çifligje me ixhar të Italisë”. (Artikulli ”Politika italiane në Shqipëri” – Gazeta “Koha”, 6 shtator 1915 )
Larmi formash, gjinitë gazetareske
Grameno mjeshtër i penës, krahas shkrimeve analitike, lëvroi edhe zhanret (gjnitë) e publicistikës: reportazh, përshkrim. skicë, portret letrar, fejton dhe pamflet.
Një varg shkrimesh janë reportazhe e pëshkrime, që ai i emërtonte: “Kujtime udhëtimi”, (“Kalendari “Korça”, Vëll. IV, f. 236 ), “Përshtypjet e Poradecit”, (Gazeta “Përlindja e Shqipënisë”, Vlorë, 30 nëntor 1913) “Përshtypje udhëtimi nëpër Shqipëri”, (Gazeta “Korça”, 13 mars 1914 )
Një nga reportazhet më të arrirë mjeshtërisht është “Mitingu i shkronjave”, një ngjarje e shënuar në historinë tonë kombëtare, festa e gjuhës shqipe, organizuar në shkurt te vitit 1910 me pjesëmarrje masive të popullit nga të gjithë krahinat e Korçës.
Skica e portrete të Gramenos, botuar në vitet 1909 -1910 në të përkohshmet “Lidhja Orthodokse”, “Kalendari Kombiar” e “Koha” ruajmë e përcjellim edhe sot në auditorët e gazetarisë si modele të shkrimeve të atyre kohëve. Disa skica a portrete të figurave të shquara të kombit, botuar në rubrikën “Kujtime nga malet”, i emërton “Rrëfenja”, pra, tregime, përshkrime. Kështu janë konceptuar shkrimet “Hajredin Tremishti (Gazeta “Lidhja Orthosokse”) dhe “Zeman Mashkullora” ( “Kalendari Kombiar”, Sofje, Vëll. XV, f. 79-82 ).
Plaku Sali Butka paraqitet me karakterin burrëror e të papërkulshëm, të pamposhtshëm nga rebeshet që përballoi. Këtej autori përgjithëson: “Gjëma…gjëma dhe gjëma të mëdha e të panumëruara kanë ndjekur shumë kombëtarë, por ata kanë mbetur të patundur (Gazeta “Koha”, 28 shtator 1916 ) Portreti “Kapitani” është ndërtuar mbi një fakt të thjeshtë, por shumë domethënës. “U falem nderjes zotërinj-përgjigjet plaku luftëtar Kajo Babieni, – kur zyrtarët e Korçës i propozuan t’i ndërtonin një shtëpi me ndihmat e mbledhura nga populli –po unë nuk kam nevojë për shtëpi, por për një Shqipëri të lirë”. (Gazeta “Koha”, 1917, 11 tetor 1917 )
Nga pena Mihal Gramenos njihemi me personalitete si Hajredin Tremishti, Abaz Nivica, Myftar Axhem Gjirokastra, Zeman Mashkullora, Themistokli Gërmeni, Isa Boletini, Spiro Bellkameni, Menduh Zavalani etj. Janë këtaportrete e vizatime hartuar me vërtetësi, me frymëzim dhe emocione.
Fejtonet dhe pamfletet dy gjini të publicistikës letrare…
Mihal Gramenoja, si publicist me prirje krijuese letrare, u shqua për lëvrimin e dy formave të pasqyrimit publicistik, fejtonin dhe pamfletin. Shkrimet e kësaj natyre krijuese perbëjnë fondin kryesor te gazetarisë së tij, jo vetëm në të së përkohshme “Koha”,
publikuar në mënyrë sistematike në rubrikën “Shtylla letrare”.
Fejtoni i jep dorë autorit që të krijojë fabulla e “ngjarje” të trilluara, bazuar në fakte e të dhëna të veriifikuara, duke kritikuar anët negative të një shoqërije, të një klase ose shtresë shoqërore, veprimtari që vjen në kudërshtim me interesat e shoqërisë. I kësaj natyre ishte edhe fejtoni Xhuxhmajmunët e Misirit. (Gazeta “Shkopi”, Kairo, 30 maj 190 )
Në fejtonet e Gramenos janë bërë objekt kritike humoristike e përtalljeje kryesisht tipa të shoqërisë së kalbur, feudale e borgjeze të asaj kohe, zyyrtarë të lartë e politikanë që bënin çmos për t’u shërbyer sa më mirë e me devotshmëri të huajve, pa çka se çirreshin për atdhetarizmë, për besnikëri ndaj kombit e vatanit. Ai ka në qendër të fejtoneve “Baballarët e Kombit”, të cilët e kalojnë gjithë kohën klubeve e kafeneve nëpër Shqipëri e nepër Evropë; ata mytebeterë “të frymëzuar“ në mbledhjet e parlamentit, bënin premtime, rrihnin gjoksin për zhvillimin e përparimin e Shqipërisë.
Përmes fejtoneve të mirëthurur, Grameno na jep me realizëm tipat si “Xinxif Pasha”, i cili çuditërisht e mrekullisht nga njënëpunës gjyqi na u bë Pasha. Kështu ai ka krijuar galerinë e vet me “personalitet” si “kafeoxhakët”, ministrat, që shumicën e kohës në zyra e kalonin duke pirë kafe dhe biseduar shoqërisht e miqësisht. (Gazeta “Koha”, 8 prill 1915 )
Fejtonet si “Shemendëferi”, “Xhinxift Pasha”, ”Tretetorja e mademeve” karakterizohen nga refleksione krijuese. Shkrimet e këtij lloji kanë ngarkesë ideomocionale, patos patriotik, mishëruar në humorin e mprehtë dhe ironinë therëse.
Mjeshtër i trilleve, i sajimeve të subjekteve humoristike, nisur qoftë edhe nga një fakt i vetëm si në fejtonin “Shëmendeferi”. Deputeti Eshref Frashëri, si njeri i ditur, paraqet në parlament nje projekt utopik sipas të cilit, për tre vjet, Shqipëria do të bëhej me udhë të hekurt (!). Grameno stis një fabul, një udhëtim imagjinar nëpër Shqipëri “me trenin luksoz të inxhinier Eshrefit””.
Trillin artistik Grameno e shfrytëzon për të skicuar tipa, karaktere shoqërore, bazuar në qënien, indvidualitetet dhe veprimet e “heronjve” si zoti Çanakthati, zoti Brushtullniku, prof. Kokështegu. Ai kësisoj në procesin krijues “ia atribuon publicistikës” shumë elementë të pasqyrimit të figurshëm, si meditimi, digresioni, dialogu e monologu.
Objekt përqeshjeje e stigmatizimi është Dr. Mihal Turtulli, ministër i arsimit.Ky përfaqësues i Qeverisë së Durrësit, kur delegatët e Korçës propozuan patriotin Sotir Peci për drejtor të arsimit në Korçë, ishte përgjigjur: “Eh, mor jahu, këta janë gjëra që nuk kuptoni yve”…Peci është shumë i ndershëm edhe shumë i mësuar ndaj e nderonj. Po ç’mund t’i bënj unë kur natyra e bëri të jetë syfetsëz (të shëmtuar)”. Grameno në fejton “ i sugjeron” ministrit Turtulli se mos gjente në Athinë “ndonjë kallogjer të bukur e të dukur, po s’ka gjësendi të mos dijë shqipen…nuk prish punë gjuha, po syfeti”. (Fejtoni “Syfetzezët” Gazeta “Koha”,1915, 5 gusht 1915 )
Kështu vihet në lojë edhe Kuvendi i “Vatrës” së shqiptarve të Amerikës, që deklaronte: “…besojmë që vetëm neve e kemi në dorë të përfaqësojmë gjithë kombin shqiptar dhe qysh të duam neve mund të rregullojmë organizimin e Shqipërisë”. ( Fejtoni “ Mebusët”- Gazeta “Koha”, 23 gusht 1918 )
* * *
Publicistika e Gramenos, që nga fillimet e saj është me permbajtje të kombëtare dhe vlera profesionale. Nga viti ne vit ai erdhi duke e përfeksionuar punën e tij, duke e ngritur nivelin e artikujve, aftësinë komunikuese me lexuesin. Shkruante me inicialet M.G. si dhe pseudonimet Nomegra, Plasaraku (ose Ps), Fshikull e Dhjakos dhe “Shkel e shko”.
Ai ishte gazetar kritik realist. Ky tipar i publicistikës së tij del në pah qartësisht në orientimin dhe përmbajtjen politike të shkrimeve për gjendjen arsimore, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë së vitit 1912. Shkollimin në gjuhën greke e shikonte, jo vetëm si rrezik për shkombëtarizimin e rinisë shqiptare, por edhe si ngerç për zhvillimin e përparimin e vendit. Pareshtur vlerësonte, nxiste e frymëzonte përpjekjet e atdhetarve për të afirmuar të drejtën për arsimin në gjuhën amtare, shqipe. Kohë pas kohe “ i hiqte vërejtje qeverisë që të marrë masa për të lehtësuar rrojtjen…”, shtrejtësinë që sa “vjen e hipën”. (Gazeta “Koha”, 1911, 23 qershor 1911 )
Gjatë zgjedhjeve parlamentare u drejtohej votuesve të mos gënjehen nga “paria”, pasi votën e meritojnë “ata që përpiqen dhe e ndihmojnë popullin dhe kombin në nevojat që ka, “andaj të hapim sytë mirë”. (Gazeta “Koha”, 30 shkurt 1912 )
Tek njoftonte për betejen turko-italiane në Tripoli, arsyetonte: “Kjo luftë na dha të kuptojmë që shpresat tona duhet t’i varim në vehten tënë, jo në drejtësi të Europës, anëtare e të fortit dhe jo e të drejtit”. (Gazeta “Koha”, 4 dhjetor 1911 ) Ndërsa për deklaratat e diplomatëve të Rusisë dhe të Austro-Hungarisë për paqë e drejtësi, Mihal Gramento në një vështrim politik shprehej: “… këto fjalë nuk duhet të na bindin, se fjalët e tyre për dipllomacinë kanë shumë të vërtitura”. (Gazeta “Koha”, 5 maj 1912 )
Studimi i krijimtarisë letraro-publicistike të Mihal Gramenos e ka çuar shkrimtarin Sterjo Spasse në përcaktimin e disa tipareve, si ideshmëria, mendimi përparimtar, dhënë në sintezë, shpirti sulmues e fryma luftarake. Për formën e pasqyrimit Spasse shkruan: “ Grameno përdor një konstruksion të tillë frazash, ku fjalët rrokullisen ortiqe-ortiqe, që marrin përpara e shtypin çdo pengesë”. (Gazeta “Drita”, Tiranë, 4 shkurt 1961 )
Pa hyrë e kërkuar mangësi e dobësi në veprimtarinë e këtij autori, sidomos gjatë viteve 1926-1930, kur ka nje rënie të dukëshme edhe në format e publicistikës letrare, mendojmë se shkrimet e sipërpërmendur dëshmojnë pjekurinë mjeshtërore të publicistikës së Mihal Gramenos, hyrjen e tij në një periudhë kulminante të krijimtarise se tij ne këtë fushë.
Mihal Grameno publicist dhe gazetat e tij “Lidhjes orthodhokse” e “Koha” u shquan për frymë atdhetare në gazetarinë shqiptare të atyre viteve. Tematika dhe problematika ishte komplekse. Edhe pas 13 nëntorit 1920 vijon polemika me klerikët, që nuk reshtin së propaganduari helenizimin e shqiptarve orotodoksë.

Keto jane krenaria e shqiperise dhe jo bajgat si Sali Berisha apo Ilir Meta.