Filip Rrumbullaku*
Aty nga java e fundit e muajit qershor 2002, në një bisedë me disa nga protagonistët e jetës politike shqiptare, Presidenti i zgjedhur Alfred Moisiu u shpreh në mirëbesim se “unë nuk i ndërhyj askujt në punën e tij, dhe nuk do të lejoj që të më ndërhyjnë”. E thënë ashtu si rastësisht, kjo shprehje u “kap” nga njeri prej pjesëmarrësve në bisedë, që u shpreh shkurt: “e morëm mesazhin”.
Ndoshta Presidenti nuk dëshironte të jepte ndonjë mesazh qysh atë ditë të parë pas zgjedhjes së tij. Kjo do të dukej pak si e tepërt. Por në një takim tjetër me një diplomat të OSBE pas tre ditësh, kur u pyet se si i erdhi kur i propozuan për president, ai u përgjigj se nuk e priste, por e pranoi dhe u “shpreha dakordësinë dy forcave kryesore politike, duke u thënë se ju kini të drejtat tuaja, unë kam të drejtat e mia”.
Edhe më vonë, vetë Presidenti do të shprehte një lloj habie se si e kishte artikuluar këtë shprehje, që do të përbënte thelbin e përplasjeve institucionale gjatë mandatit të tij. Kjo habi nuk do të zbehej edhe për shkak të interesimit të medias. Ishte një gazetare e re televizioni, e cila në një intervistë me Presidentin e zgjedhur para se të fillonte nga detyra, diku nga mesi i muajit korrik 2002, e pyeti pikërisht për kompetencat. Zoti Alfred Moisiu iu përgjigj: “…unë kam një ligj të pashkruar, të trashëguar nga familja e nga profesioni: unë nuk i ndërhyj të tjerëve në kompetenca, por nuk lejoj asnjeri të hyjë në kompetencat e mia”.
Tema e kompetencave ishte si një patate e nxehtë në fillim të viteve 2000. Rreth saj kishte jo thjesht diskutime, por luftë të ashpër politike. Një pjesë e mirë e politikës dhe e medias e quanin Presidentin, rastësisht apo jo “konsensual”, duke ngatërruar mënyrën konsensuale të zgjedhjes së tij me qëndrimet konsensuale që, sipas tyre, ai duhej të mbante. Por z. Alfred Moisiu nuk u zgjodh President që të priste të ishte “konsensual” apo i pëlqyeshëm nga të dy palët. Përgjigja që ai i dha gazetares ishte e hapur, korrekte, ndonëse unë do të doja që ai me finesë t’i shmangej një pyetjeje të tillë. E them këtë sepse në komunikimet me publikun është e këshillueshme që në disa raste përgjigjet të mos jenë edhe aq të hapura, të lihet diçka për t’u thënë në një moment tjetër të dytë, pra, të fitonte sa më shumë kohë të qetë.
Ajo që në fillim dukej si diçka e shprehur rastësisht, në të vërtetë ishte rrjedhojë e një qëndrimi dhe respekti të konsoliduar ndaj shtetit, pushtetit, kompetencave, hierarkisë dhe e një sjelljeje institucionale, e cila te Presidenti i zgjedhur ishte bërë pjesë organike e formimit dhe karakterit të tij shumë vite më parë se ai të zgjidhej president.
E përsëritur në disa takime gjatë atyre ditëve, Presidenti i sapozgjedhur pa dashur po sillte në vëmendje një koncept bashkëkohor mbi ndërtimin e marrëdhënieve institucionale, sipas të cilit çdo institucion ka vendin e vet, ka detyrimet dhe përgjegjësitë e veta, ose, me fjalë të tjera ka nga “pak pushtet” i cili, për të plotësuar “pazëllin” e shtetit duhet përdorur në bashkëveprim me “pak pushtetet” apo “shumë pushtetet” që gëzojnë institucionet e tjera.
Intuita politike e Kryetarit të ri të Shtetit e shprehur në një bisedë të zakonshme u vërtetua nga zhvillimet e marrëdhënieve institucionale gjatë pesë viteve të mandatit të tij. Është pak të thuash se ata që e zgjodhën, donin ta privonin nga liria që ia siguronte dhe garantonte kushtetuta e vendit. Ata e kuptuan shumë shpejt se ai e konceptonte postin e lartë që i propozuan jo si një qoshe të ngrohtë për të qëndruar rehat, për të bërë pazar e për të siguruar disa përfitime. Postin e Kryetarit të Shtetit ai e vlerësoi si një mundësi për demokracinë, sundimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Ushtari i vjetër Moisi e kuptonte se edhe mund të detyrohej t’i hynte një beteje jo të lehtë, madje të ecte në një fushë të minuar. Kjo përbënte një sfidë. Por edhe ai ishte një Gjeneral. Pesë vitet në postin më të lartë të piramidës shtetërore konfirmuan plotësisht integritetin e sjelljes së tij prej ushtaraku madhor, certifikuan gjeneralitetin e tij si ushtar i vjetër i shtetit, duke fituar respektin e shqiptarëve brenda e jashtë vendit.
Libri që jam duke përfunduar ka dy pjesë. Pjesa e parë përmban disa nga shënimet e mia të mbajtura gjatë punës me Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu. Natyrisht, në këto shënime nuk përfshihen tema të ndryshme, që kanë qenë objekt i punës së këshilltarëve të tjerë apo ku autori i këtyre radhëve nuk ka qenë i pranishëm. Çdonjeri prej tyre, që mbulonte apo përgjigjej për drejtime të tjera ka “historinë” e vet në ato pesë vite bashkëpunimi.
Krahas shënimeve në pak raste kam përdorur edhe ekstrakte nga memo a informacione që i drejtoja Presidentit për probleme të ndryshme apo detyra të dhëna nga ai; në raste të tjera janë bërë sqarime a shtesa për zhvillime të mëpasme lidhur me to; sikurse janë bërë edhe shkurtime, kur nuk ka qenë e nevojshme të bëhen të njohura momente që sot pas afro 15 vjetësh nuk paraqesin interes. Por në tërësi shënimet përmbajnë substancën e marrëdhënieve të Presidentit me stafin, vënien në lëvizje të potencialeve të tij, rrahjen e mendimeve dhe mbajtjen e qëndrimeve të nevojshme për çështjet e ndryshme me interes për opinionin publik. Gjithsesi, aq sa paraqiten, ato mund të shërbejnë si një kamera që vëzhgon “nga brenda”, e mund të plotësojnë atë kureshtje pozitive që ka opinioni publik për punën e një presidenti që do të mbahet mend gjatë, kureshtje që, sikurse thotë Ismail Kadareja, është “pjesë e kulturës që çon përpara emancipimin e një shoqërie”.
Pjesa e dytë përmban disa refleksione mbi figurën e Presidentit Moisiu, shqetësimet dhe qasjen e tij ndaj shtetit, përpjekjet për ndërtimin e forcimin e tij, domosdoshmërinë e bashkëpunimit institucional në nivelet e larta të piramidës shtetërore, vendosmërinë e tij në luftën ndaj shfaqjeve të protagonizmit në politikën shqiptare dhe ndaj pengesave të shumta për ta kufizuar në kompetencat e tij. Gjatë pesë viteve të mandatit të tij Presidenti Alfred Moisiu dëshmoi një model korrektësie në sjelljen ndaj shtetit, në respektin ndaj institucioneve dhe pavarësisë së tyre, në vlerësimin e maxhorancës dhe të opozitës si dy grupime parlamentare të rëndësishme që duhet të bashkëpunojnë me përgjegjësi të lartë për trajtimin e prioriteteve të zhvillimit kurdoherë në favor të interesit publik.
PRITJA E PRESIDENTIT XHORXH BUSH DHE PERPJEKJET PËR TË EKLIPSUAR PRESIDENTIN MOISIU
…Ushtrimi i presionit për ta kufizuar në realizimin e përgjegjësive të tij kushtetuese u shoqërua me një sërë vendimesh qeverie e udhëzime ministrore për t’ia bërë të vështirë kryerjen e detyrave. Helikopteri qeveritar që quhej formalisht “i presidentit” kaloi në vartësi të ministrisë së brendshme dhe, më vonë, në vartësi të zyrës së protokollit të kryeministrit. Presidenca duhej të merrte leje nga kjo zyrë për të përdorur helikopterin. Synimi ishte që presidenti të mbetej mënjanë në programet e ceremonive zyrtare e të vizitave shtetërore e, në raport me kryeministrin, të paraqitej si një figurë e dytë. Kjo u vu re sidomos gjatë vizitës së presidentit Bush, ku u bënë përpjekje nga më të ndryshme që publiku të informohej se presidenti thjesht do të jepte një dekoratë, duke lënë mënjanë takimin kokë më kokë mes dy presidentëve, takimin mes dy delegacioneve, me kontingjentin e ushtarakëve, ceremoninë e dekorimit të zotit Bush etj. Pati orvatje të ndryshme gjithashtu për ta bërë të vështirë transmetimin televiziv nga Pallati i Brigadave.
Këto përpjekje e detyruan ekipin e presidentit t’i kushtonte vëmendjen maksimale komunikimit me ekipin amerikan, për të dakordësuar çdo detaj e për të mos lejuar të krijohej asnjë lloj keqkuptimi. Presidenti ishte në mbarim të mandatit dhe dëshironte që pritja e Presidentit Bush të ishte në nivelin më të lartë të mundshëm e me të gjitha nderimet përkatëse. Për këtë arsye ai kërkonte informacion, njihej personalisht me të gjitha problemet që dilnin nga takimet me ekipin amerikan, udhëzonte për të dëgjuar me vëmendje çdo propozim të tyre, këmbëngulte gjithashtu në zbatimin e normave që parashikohen në protokollin tonë të shtetit.
17 maj 2007. – Presidenti i drejtoi një sërë pyetjesh protokollit të shtetit: “Kush do të jetë në Pallatin e Brigadave, në pritje, gjatë dekorimit, nga stafi, personalitete? Janë parashikuar të shtëna me artileri? Gjatë kohës së ekzekutimit të dy hymneve duhet të ketë 21 të shtëna. Protokolli nuk e ka, por Amerika zë një vend të veçantë”.
Presidentin këmbëngul për t’u programuar një takim kokë më kokë me Presidentin Bush. “Pas takimit bilateral kemi për të dalë para shtypit. Në qoftë se te kryeministri është parashikuar konferencë shtypi, këtu, në Pallatin e Brigadave do të ketë deklaratë shtypi. Unë do të jem edhe në takimin me ushtarakët… Për dhuratat? …Le të shkëmbehen me protokollin”.
“Dekorimi do të bëhet. E kam vendosur… Ekipit amerikan t’i thuhet “… Presidenti ka marrë vendim”. “Për anën protokollare vetëm i vëmë në dijeni. Duhet të mësohemi të respektojmë veten…”.
1 qershor 2007. Sot në MJ, ora 11.00 u zhvillua takimi me ekipin amerikan për vizitën e zotit Bush. Qysh dy tri javë më parë ekipi i presidentit kishte paraqitur detajet e programit. Por, ashtu si në një takim të pardjeshëm, edhe sot, takimi nuk ishte i frytshëm… ekipi amerikan dukej sikur nuk njihej me propozimet tona rreth programit…
E hënë, 4 qershor 2007.Të shtunën e të dielën u morëm me sigurimin e librave të Kadaresë në anglisht botuar në vende të tjera të botës, për t’i përgatitur si dhurata nga znj. Mirela për znj. Bush. Presidenti e pa dekoratën e Urdhrit të Flamurit dhe e pëlqeu.
5 qershor 2007. Mbrëmë, pasi pa dhuratat dhe u informua se pala amerikane nuk i donte të shtënat e artilerisë gjatë hymneve, presidenti nuk e mirëpriti dhe mori në telefon drejtorin e protokollit Arben Cici… “Ç’janë këto, i tha, të tjerë do të na thonë se kur do të jenë salvet e artilerisë? Pse jeni ju?”, dhe i mbylli telefonin…
Sot në ora 13.00 mori në telefon z. Cici dhe më tha se të shtënat me artileri do të jenë gjatë kohës së ekzekutimit të dy hymneve, siç porositi presidenti.
9 qershor 2007. Petrit Beci më telefonoi sot disa herë lidhur me “pengesat” që po i krijohen RTSH dhe po të vazhdohet kështu, tha, ai do të dalë në RTSH e të thotë se shteti po e pengon që RTSH të transmetojë “live”, sepse sipas tij, nuk i japin energji elektrike në Pallatin e Brigadave; nuk lejon pala amerikane (!); se është dërguar një letër nga KESH për të mos lejuar ngarkesë të tepërt në rrjet etj. Sipas P. Becit këto pengesa krijohen nga TV private. Më duket se z. Beci po bën lojën e ekzekutivit…
Më në fund, nga ora 15.00 mora në telefon drejtorin e përgjithshëm të RTSH P. Beci. I përsërita se do detyrohem të komunikoj me median, se pas sebepeve teknike të paraqitura prej tij qëndrojnë shkaqe të tjera, të cilat synojnë që Presidenti të paraqitet në plan të dytë e jo si kryetar shteti.
Presidenca kishte një përvojë jo të mirë nga veprimet dhe mosveprimet e protokollit të shtetit në disa vizita të mëparshme. Hezitimet dhe pavendosmëria e vetë drejtorit të protokollit me justifikimin se “nuk i pranon pala amerikane”, nuk e lëkundën presidentin Moisiu për të urdhëruar zbatimin me rigorozitet të protokollit shtetëror dhe pritja e presidentit amerikan nga presidenti shqiptar të realizohej me dinjitetin e nevojshëm.
Sa herë lexoj shënimet e mësipërme, sidomos atë paragraf ku komunikoj me drejtorin e përgjithshëm të RTSH më dalin parasysh orvatjet edhe nga ky institucion për ta paraqitur teknikisht të vështirë transmetimin e asaj pjese të programit që zhvillohej në Pallatin e Brigadave, me justifikimin se nuk ka kapacitete rrjeti elektrik i saj, apo nuk kemi mundësi teknike për të bërë transmetim live etj., në një kohë që, televizioni shqiptar kishte në dispozicion një autobuz për transmetim live me gjenerator silencioz. Këmbëngulja e stafit të Presidentit nuk lejoi thjeshtimin e disa detajeve të domosdoshme të parashikuara në program nga Presidenti Moisiu. Megjithatë këto pengesa ia arritën të ndikonin që disa veprimtari të mos pasqyronin në përmasat e duhura mesazhet politike që përmbanin. Mund të përmendet takimi mes dy delegacioneve, ku Presidenti Bush, pas falenderimit për pritjen e ngrohtë që iu rezervua dhe akordimin e dekoratës së lartë të Flamurit Kombëtar, pasi vlerësoi arritjet e Shqipërisë në forcimin e punës së institucioneve dhe rolin e Presidentit Moisiu në këtë drejtim, i bëri thirrje klasës politike shqiptare:
“Mesazhi im është: lërini mënjanë politikat e egra dhe punoni për të ardhmen. Anëtarësimi në NATO nuk është një dhuratë, në këtë drejtim duhet të punoni shumë. E ardhmja e këtij vendi është e sigurtë. Por, kërkohen standarde. Unë do të dëshiroja shumë t’u shikoja në NATO dhe keni mbështetjen time për këtë. Por nuk mund të bëheni anëtarë të NATO-s pa arritur disa standarde dhe kërkesa, si lufta ndaj korrupsionit, forcimi i institucioneve, realizimi i reformave etj”.
Mesazhi i Presidentit amerikan drejtuar klasës politike shqiptare ishte shumë i qartë . “Lini mënjanë politikat e egra”. Për koincidencë, të njejtën gjë Presidenti Moisiu ia kishte kërkuar klasës politike – largimin nga politikat e egra – qysh ditën e parë të votimit e të zgjedhjes së tij në Parlament.
Ky mesazh nuk kishte nevojë për asnjë koment.
Presidenti u krijoi mundësinë të gjithë drejtuesve të institucioneve shtetërore shqiptare të ishin të pranishëm në ceremoninë e dekorimit të Presidentit amerikan. Kjo ishte një sjellje prej xhentëlmeni. Presidenti Moisiu nuk vuante nga protagonizmi, nuk mund të priste presidentin amerikan i vetëm, ai e nderonte më tepër atë duke e pritur së bashku me lidershipin politik shqiptar. Duke marrë nga Presidenti Moisiu dekoratën e lartë “Urdhri i Flamurit”, një variant i ri, mbështetur në dizajnin e një dekoratë të lartë të monarkisë së mbretit Zog, Presidenti Bush u befasua jo pak dhe, duke e parë me kureshtje shprehu kënaqësinë me një fjalë: “Nice”.
***
*Ish Sekretar i përgjithshëm i Presidencës Moisiu. Pjesë nga libri “Shënime nga një kronikë presidenciale 2002-2007”, në përfundim e sipër.
1. Thenia e presidentit Moisiu:
“Mos me nderhyni ne punet e mija dhe une nuk do nderhyre ne punet e juaja”, kerkon nje interpretim.
2. “Punet e Presidentit” dhe “Punet e Kryeministrit”, i sherbejne interesave te Shqiperise.
3. Kjo kerkon qe te dyja palet te komunikojne dhe sugjerojne njera tjetrës idete e tyre, kur ta paraqese nevoja.
4. Thenia e Presidentit nenkupton se, Ai, nuk donte qe ti japin urdhera. Kjo eshte e kuptushme. Po te jete keshtu; pse duhet nje President?
Pas shume vitesh Z. Moisiu, mund te kete nje model te permiresuar te rolit te presidentit ne krahasim me vizionin fillestar. Do ishte shume pozitive qe ai te shkruente nje artikull qe pasqyron vizionin e sotshem qe ai ka per rolin e presidentit.
nuk eshte mire te flitet per te vdekurit, por djali i moisiut transportonte droge me makinen e punes (gardes), dhe dhori sollaku e kishte lidhur me dosje, kesisoj moisiu firmoste cdo gje qe i paraqiste per firme sollaku (kryeprokurori) me syte mbyllur.
ai neni qe lejonte opgj te ndryshonin provat e ngjarjeve, nen qe eshte epik ne llojin e tij, ka liruar me dhjetra vrases e trafikante, dhe eshte baza e pasurise dhjetra milion euroshe te dhori sollakut.
ky ishte sollaku o shoke.