Festa e Boca Juniors për fitimin e një tjetër trofeu u shoqërua me momente të frikshme për Leandro Paredes.
Ngjarja ndodhi në Barranquilla të Kolumbisë, ku Boca Juniors triumfoi 2-0 ndaj Atletico Mineiros, duke siguruar trofeun e Copa Sudamericana. Paredes, 32 vjeç, ishte zëvendësuar gjatë pjesës së dytë, pasi kishte shfaqur probleme fizike për shkak të temperaturave të larta dhe lagështisë. Pamjet televizive treguan momentin kur mesfushori u rrëzua papritur, ndërsa gazetari që po e intervistonte u përpoq ta mbante për të shmangur përplasjen me tokën.
Pas marrjes së ndihmës së nevojshme, Paredes arriti të rikuperohej, të ecte drejt dhomave të zhveshjes dhe më pas iu bashkua shokëve të skuadrës në festimet për trofeun. Përmes një postimi në Instagram, futbollisti qetësoi tifozët: “Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Ishte thjesht një marramendje”.
Problemet e tij ishin vënë re edhe nga trajneri Rodolfo Arruabarrena, i cili tregoi se Paredes kishte ndjerë marramendje drejt fundit të pjesës së parë. Pavarësisht përmirësimit gjatë pushimit, pas rreth 10 minutash në fraksionin e dytë, vështirësitë ishin bërë sërish të dukshme.
Temperaturat në Barranquilla parashikohej të arrinin deri në 32 gradë Celsius, me lagështi rreth 80%. Ndërkohë, fitorja kishte një rëndësi të veçantë për Boca Juniors. Klubi argjentinas i dha fund një pritjeje 18-vjeçare për një tjetër trofe ndërkombëtar dhe, me kupën e 19-të në këtë kategori, kaloi rivalin vendas Independiente, që numëron 18 trofe të tillë që prej vitit 1960.
🚨Leandro Paredes collapsed during an interview and had to receive medical attention https://t.co/rX9k9luHH0
— Polymarket Sports (@PolymarketSport) November 22, 2026
j.l./ dita
