Masa “arrest shtëpie” dhe “pezullimi nga detyra” nuk kanë qenë ‘rrufe në qiell të hapur” për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Më 18 shtator, vetëm 4 ditë para se t’i komunikohej masa, Hyseni ishte pyetur në Prokurorinë e Posaçme si person në dijeni për lidhjet me Ergys Agasin, biznesmenin e arrestuar më 26 gusht për aferën e AKSHI-t.
Në dorën e SPAK kishin rënë informacione të forta që e zinin ngushtë drejtuesen e SHISH. Faqe me dokumente sekrete shtetërore dhe qindra komunikime të Hysenit me Agasin, janë gjetur.në makinën e tij gjatë kontrollit të 22 korrikut në “Equos Resort”.
Vetë Hyseni i pranoi në SPAK kontaktet me Agasi , por tha se qëllimi ka qenë për shkak të detyrës Pra, sipas Vlora Hysenit, Ergys Agasin e kishte bërë bashkëpunëtor të Shërbimit Informativ, ndërsa komunikimet thotë se i kishte vetëm në distancë pa e takuar asnjëherë fizikisht.
Por nga të dhënat e siguruara, SPAK paraqet një panoramë krejtësisht tjetër nga ajo që Hyseni e konsideron si alibi. Prokuroria e Posaçme thotë se ishte Agasi ai që kërkonte informacione dhe i diktonte ato që i duheshin, dhe jo Hyseni. Vetë Agasi e pranoi se dokumentet sekrete i kishte lënë me qëllim në makinën e tij, në mënyrë që SPAK t’i gjente kur të shkonte për kontrolle, siç dhe ndodhi.
Kreu i SHISH kur u pyet në mes të shtatorit, nuk e kishte një shpjegim për këto materiale të dala jashtë institucionit, duke thënë se do të kthente një përgjigje konfidenciale me shkrim.
Nga ana tjetër SPAK ka gjetur mbi 500 komunikime në celular të Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, nga fundi i qershorit deri më 26 gusht kur ai u arrestua në Durrës. Bisedat sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Bledar Maksuti tregojnë një lidhje shumë më të afërt sesa, siç me një “bashkëpunëtor”.
I shumëkërkuari në atë kohë Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni, kishin komunikim të vazhdueshëm, të përditshëm, të tejzgjatur në kohë, sipas prokurorëve të posaçëm, duke përfshirë qindra telefonata me videocall apo mesazhe ku shkëmbenin foto dhe video.
Madje Hyseni sipas SPAK e identifikonte situatën e Agasit dhe problemet e tij me drejtësinë, me të vetat. Në një mesazh 4 ditë para arrestimit, Vlora Hyseni i shkruante Ergys Agasit:
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha”.
Ndërsa vetëm pak para se Agasi të prangosej, Hyseni i shkruante: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne do përfundojmë keq, shpirt”.
Një moment i veçantë në komunikime është një mesazh i dërguar nga Hyseni për Agasin me tekst të përafërt si “Krejt këta që na kanë bërë këtë dua që të paguajnë”. Për Prokurorinë e Posaçme, mesazhe të tilla tregojnë qëndrim kundër organeve të drejtësisë që tashmë kishte nisur hetimet.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në kundërshtim flagrant me detyrën, Vlora Hyseni i jepte informacione dhe detaje Agasit edhe për aktivitetin e saj si kreu i SHISH. Bëhet fjalë për takimet me Kryeministrin Rama në zyrë apo edhe takime të tjera sensitive. Për të gjitha këto kontakte evidenton SPAK, Hyseni nuk ka njoftuar asnjë institucion, jashtë apo brenda SHISH, edhe pse pretendon se e kishte ‘rekrutuar’ Agasi si informator të shërbimit.
Hyseni po hetohet tashmë për dy vepra të rënda penale si “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit” pasi dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Në hetimi për ata që kanë ndihmuar arratinë e Agasit, si fraksion i dosjes së AKSHI, prokurorët e SPAK, Dumani dhe Maksuti, kanë ekzekutuar edhe dy masa të tjera sigurie: arrestimin e Fatjon Kallucit, shef.sektori në Policinë Shkencore për nxjerrje të sekretit hetimor dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në restorantin pranë vilave qeveritare në Durrës pasi dyshohet se ‘ka dhënë ndihmë autorit të krimit”.
Përveç masave të sigurisë, në orar të njëkohshëm në mëngjes herët, agjentë të BKH dhe forca policie, u gjenden në disa ambiente për të cilat kishin siguruar urdhra kontrolli. Forca RENEA dhe ato Speciale u panë në Shkozet të Durrësit për disa orë në vilat që njihen si “baza e Visit të Pojës”, një prej personazheve më të njohur të krimit në Durrës.
Nën kontroll u vendos edhe banesa e ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda, për të cilin ende nuk ka detaje për rolin që ka në këtë hetim. Ish-kryepolici njihet për marrëdhënien e ngushtë me ish-drejtuesin në polici Uljan Shpatarakun, i cili u prangos si shofer i Ergys Agasit, në operacionin e një muaji më parë.
