Prof. Xhelal Gjeçovi
Plagjiatura, përvetësimi i pronës së tjetrit,në këtë rast asaj intelektuale, një plagë e rëndë shoqërore tentoi të shfaqej vrullshëm sidomos në vitet 90-të, me ndërrimin e sistemit, kur njerëz mendjelehtë menduan se kishte ardhur momenti që duke shfrytëzuar amullinë dhe çoroditjen e përkohshme, të arrihen synimet për një jetë më të mirë, pa punë e mundime, duke rrëmbyer e përvetësuar punët e pronën e tjerëve, për t`u bërë apo shfaqur dikushi, që,sipas tyre do të çonte automatikisht dhe në rritjen e kuotave të vlerësimit e të besimit në shoqëri.
- Publicitet -
Tek ne ky fenomen ka veçoritë dhe problematikat e veta dhe njëri ndër to është, se në rrjetën e kësaj plage bien shpesh dhe figura publike të njohura. Para ca kohe, për plagjiaturë u përfolën dy emra të tillë, njëra M. Kryemadhi, politikane, që në këtë rrugë thuhej se kishte marrë gradën “doktore e shkencave” dhe tjetri A. Tufa, pedagog titullin “Profesor”, bashkë me beneficet që u bashkëngjiten, si dhe të tjerë, të ngjashëm, që kërkonin e besonin se në këtë rrugë do të arrinin të bënin karrierë, sidomos duke u futur në ombrellën e partive politike. Nuk ka dyshim se prurjet në këtë rrugë, nga këto kontingjente karrieristësh, të pa shkollë e të pa skrupull janë njëri ndër shkaqet e gjendjes që përjetojnë sot forcat politike dhe vendi.
Para ca kohe isha në Tiranë e po punoja në bibliotekën kombëtare dhe në atë të Akademisë, për kërkimin dhe mbledhjen e punimeve të mia të botuara në vite, në harkun e më shumë se gjysmë shekulli në organe të ndryshme, për t`i riparë me synim botimin në një shtëpi botuese, që kishte shfaqur interes. Në punë e sipër do të ndeshesha me dy raste plagjiature, kësaj here të lidhur me mua, që u bënë dhe sebep e nxitje për këtë shkrim. Në fillim më ra në sy një titull shkrimi, i njëjtë me titullin e një kumtesë time, “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vendi i saj në historinë e Shqipërisë”, e përgatitur dhe e referuar në një konferencë shkencore, të organizuar nga Instituti i Historisë, në një përvjetor çlirimi, më 27 nëntor 1999, më shumë se dy dekada më parë. Pas një muaji u botua në revistën “Studime Historike”, Nr.1-2, 2000, organ shkencor i Institutit e më pas u përfshi dhe në veprën “Çështje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, botuar më 2014 nga Akademia e Shkencave. Në njërin nga këto botime ishte rrëmbyer nga i interesuari. Klikova, pa e menduar se do të dilte shkrimi i im, por për të parë se çfarë është shkruar, një interes që ka çdo studiues kur ndesh në një temë të trajtuar dhe nga ai, që mund të shërbejë për t’iu rikthyer e riparë atë që ke botuar dikur. Por, në këtë rast, interesi do të shfaqej përtej kësaj, pasi do të dilte ajo që s`e prisja. Punimi ishte i imi dhe ishte rrëmbyer nga një kuadër i njohur, që e kishte botuar në Portalin “Durrësi.al” ( Shih:”Durrësi Lajm” datë 8 maj 2018), pa asnjë ndryshim. I vetmi ndryshim ishte fshirja e emrit tim dhe vënia e emrit të vet, N. Zejnati. Kol. R.
Klikova në këtë indikacion, pasi mendova se mos është pseudonim. Nuk doja t`u besoja syve kur pashë që në rrjetën e plagjiaturës kishte rënë një emër i njohur, ushtarak rezervë, me gradë të lartë. Meqenëse s`e njihja, por gjykuar nga të dhënat në faqen e internetit dhe në opinionin e një të afërmi tim, që e njihte, më rezultonte se kisha përpara një njeri serioz e jo të pa ditur, që kish në bilancin e vet dhe ndonjë shkrim me temë historike, për periudhën para lufte. Ndërsa po mendoja se ç’duhej bërë, që prona e bashkë me të dhe dinjiteti im, të viheshin në vend dhe atij t’i jepja një mësim, por pa e bërë dhe tabelë qitjeje, pasi kisha parasysh të kaluarën e tij, vendosa ta mbyllë këtë çështje, me një takim në redaksinë e portalit ku ishte botuar shkrimi, ku të kërkoja që të bëhej korrigjimi, duke hequr emrin e tij dhe vënë emrin tim, të shoqëruar dhe me një pendesë të autorit të plagjiaturës. Aty do t`i thosha, se nuk është kjo rruga për të bërë prokopi, sidomos në një fushë që s`është e jotja, e profesionit dhe e detyrave që ke patur, që një ditë pa tjetër do të zbulohej, duke e futur veten në telashe, pa qenë nevoja.
Ndërkohë vazhdoja kërkimin e nisur të shkrimeve të mia, kur pa pritur u ndesha me një tjetër rast plagjiature, po me shkrimet e mia, kësaj here nga një farë B. Halimi në Kosovë, i arsimuar në fakultetin e bujqësisë në Prishtinë e tani punonjës në Ministrinë e Mjedisit, (sipas shënimeve në internet). Rasti i dytë, më ndryshoi mendim. Durimi ishte sosur. Vendosa të shkruaj. Duhej ngritur mbi sentimentalizmin dhe të mbaja qëndrimin e duhur, që t`u vlente atyre dhe lexuesit të gjërë. Nga një vëmendje e tillë, do të njihesha me fakte, që tregonin se si z. Halimi kishte rënë në kthetrat e kësaj sëmundjeje, si i ishte qasur një kumtese time, që do ta gllabëronte e do ta botonte, për të plotësuar egon e tij të sëmurë.
Para dy-tre vjetësh, në vitin 2020,Akademia e Shkencave vuri në qarkullim punimin tim të fundit “Kosova në relacionet shqiptaro-jugosllave në vitet e Luftës së Dytë Botërore”. Punimit i bashkëngjiteshin dhe disa dokumente të lidhura me temën, për të ndihmuar lexuesin në kuptimin e problemeve të trajtuara, ndër to dhe një kumtesë, e përgatitur dhe e referuar, më shumë se dy dekada më parë, në nëntor 2001 në njëzet vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, në një simpozium të organizuar enkas nga institutet e historisë së Kosovës e të Shqipërisë. Këtë e bëja, jo rastësisht e jo pa qëllim, nisur nga vlerat aktuale e ngjashmëria e problematikave me zhvillimet e sotme në Kosovë dhe qëndrimet e Shqipërisë. Por, çuditërisht, pa menduar gjatë, z.Halimi do ta gjuante, do ta rrëmbente, sikur të ishte mall pa zot dhe do ta botonte në gazetën prestigjioze “Lëvizja” , më 14 nëntor 2022. Ndryshe nga rasti i parë, kësaj here jo vetëm ishte fshirë emrin im dhe vendosi të tijin, por ishte ndryshuar dhe titulli, nga “demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe qëndrimi i shtetit shqiptar”, siç e kisha vënë unë, në “Shteti i Enver Hoxhës ishte në çdo situatë mbështetje e Kosovës Shqiptare”. Siç shihet, një titull që kostumit të tij mund t`i konvenonte e t`i rrinte mirë, por jo një pedagogu e studiuesi të vjetër, që mat çdo germë e çdo fjalë. Këtë s`mund e s`duhet ta bënte, se nuk ishte i tij. Atë që ai kish parapëlqyer ta thoshte që në titull, lexuesi e gjente brenda në faqet e librit. Prandaj, duke qenë i pa nevojshëm, krijonte dyshimin e bazuar se ishte bërë për të fshehur gjurmët e një veprimi të shëmtuar.
Megjithatë, si i ngjashmi në Durrës, edhe ky në Prishtinë, shkrimit të paktën nuk i kishte ndryshuar asgjë, as pikë e as presje, siç thuhet, por siç ishte në librin tim, ishte botuar, pa harruar të fshijë emrin tim e vendosë të tijin, të shoqëruar dhe me një foto goxha të madhe, që tregonte se ishte në delir, natyrisht pa arsye e para kohe, pa menduar se “dardha, e ka bishtin mbrapa”. Për momentin, s`më mbetej tjetër veçse të ngushëllohesha duke sjellë në vëmendje një shprehje të njohur të Jezusit, “fali o zot, se nuk dinë ç`bëjnë”.
Siç shihet, në të dy rastet kemi të bëjmë me njerëz që, nga ambicia e dëshira për t’u dukur dikushi, zgjedhin rrugën më të dëmshme, për vete e për shoqërinë, duke përvetësuar gjënë e tjetrit, që në gjuhën popullore dhe ne atë të jurisprudencës, quhet vjedhje dhe trajtohet si e tillë. Nuk është kjo rruga, për të lënë gjurmë dhe emër të mirë në asnjë fushë të aktivitetit shoqëror, politik apo dhe shkencor. Shkallët e dijes e të karrierës ngjitën një e nga një, me punë e me kualifikime, jo në rrugë të tilla spekulative që ushqejnë dembelizmin e parazitizmin, prirjen për të rrëmbyer çdo gjë që u del përpara, sikur të jetë mall pa zot, kur dihet që çdo krijim, letrar apo historik e ka një autor, është pronë e dikujt, që nuk mund të preket e të vidhet, por vetëm të studiohet e të shfrytëzohet sipas rregullave. Shkenca historike është e hapur, që do të thotë, nëse të nevojitet për qëllime studimi mund të merret ndonjë mendim apo përfundim, në pak rreshta,pa e tepruar, në asnjë mënyrë i gjithi. Por në çdo rast je i detyruar të vësh indikacionin, ku e ke marrë, në ç’vepër dhe autorin. Respektimi i kësaj kërkese është absolutisht i domosdoshëm, i detyruar, vija e kuqe që ndan studiuesit seriozë nga abuzuesit, që rrëmbejnë pronën e tjetrit, si pa të keq, pa iu bërë përshtypje, pa menduar se do t`u kthehet në bumerang, në mallkim e ndëshkim.
Në këto rrethana redaksitë e organeve përkatëse ku u botuan dy punimet e mia, të cilave u ra në hise të merren me këtë çështje, jo për fajin e tyre, duhet të bëjnë menjëherë korrigjimin, duke fshirë emrat e dy të përmendurve dhe të vënë emrin e autorit të vërtetë, bashkë me këtë shënim: “Korrigjimi bëhet me kërkesën e autorit, prof. Xhelal Gjeçovit, të cilit i kërkojmë ndjesë për shqetësimin”. Kjo do të ishte minimumi që kërkohet, për të shmangur rrugët ligjore.