Transformimi i Abules nga emigrant dhe i dënuar në Belgjikë në përfitues të kontratave publike dhe lejeve zhvillimore në ndërtim dhe energji. Lidhjet me struktura të pushtetit dhe individë të përfshirë në hetime penale.
Me një profil të ulët publik, pak fotografi, thuajse asnjë llogari në rrjetet sociale Elman Abule ia doli që për një periudhë 9 vjeçare të shndërrohet, nga një i dënuar në burgjet belge në një biznesmen i suksesshëm duke përfituar kontrata publike që nisin nga zhvillimi i sektorit energjetik, ai i ndërtimit, përpunimit të metalit e deri tek eksport-importet.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se lejet zhvillimore janë dhënë nga autoritet pavarësisht se organet ligj-zbatuese e kishin në vëzhgim, ndërkohë që hetimet e Prokurorisë së Tiranës dhe të SPAK tregojnë lidhjet e biznesmenit jo vetëm me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj por dhe me persona të botës së krimit, si Denis Matoshi (alias Eldi Dizdari), edhe pse lidhjet me këtë të fundit i ka mohuar.
Një rrjet kompanish të lidhura me Abulen dhe bashkëshorten e tij, Marisa Nito, dyshohet se qarkullonin shuma të mëdha parash përmes faturave për “shërbime konsulence” me vlerë të dyshimtë. Një pjesë e këtyre fondeve përfundonin në zyrën ligjore të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, përmes faturave të rregulluara paraprakisht, pa dokumentacion mbështetës real.
SPAK ka identifikuar këtë mekanizëm si një formë të pastrimit të parave të përfituara nga veprimtari korruptive, për të cilat Abule është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Kulla që zbuloi Abulen
Në rrugën “Llambi Bonata”, në zemër të lagjes në Kombinat, një copë toke e vogël, e përmbytur nga mbeturinat dhe e njohur nga banorët si “lulishte”, është e vetmja hapësirë ku banorët e pallateve parafabrikate mund të dalin për të marrë ajër. Hapësirat e gjelbërta në këtë zonë janë zhdukur një nga një, duke lënë vend për ndërtesa të reja shumëkatëshe.
Në pranverën e vitit 2024, banorët panë të vendosej në një cep të kësaj lulishteje një tabelë ndërtimi që paralajmëronte nisjen e punimeve për një pallat të ri. Tabela, që më shumë se një njoftim, për ta ishte një ogur i keq.
“Jam rritur në këtë lulishte. Ishte e vetmja hapësirë që kishim dhe nuk mund ta linim të na e merrnin” – kujton Meteo Kopo, një 25-vjeçar që studion për mjekësi. Ai dhe disa banorë të tjerë u përpoqën të ndalnin punimet dhe të takonin investitorin.
“Aty dëgjova për herë të parë emrin e Elman Abules. Ai na tha qartë: ndërtimi do të bëhet. Madje, situata u tensionua aq shumë sa u desh edhe ndërhyrja e policisë” – rrëfen Meteo.
Kevin Golaj, një tjetër banor, kujton se ishte një detaj në tabelën e lejes së ndërtimit. Aty shkruhej se Bashkia e Tiranës kishte miratuar lejen për godinën në rrugën “Sabaudin Gabrani” dhe jo “Llambi Bonata”, ku u tentua të nisnin punimet.
“Kjo ishte pika e parë që na bëri të dyshojmë. Pastaj nisa të kërkoj dhe i bëra kallëzim penal kompanisë ‘Fidalba’ dhe Bashkisë së Tiranës. Nuk di ende çfarë është bërë me atë kallëzim”, thotë i riu.
Sipas tij, ky nuk ishte rasti i parë kur dikush përpiqej të ndërtonte në atë lulishte, por këtë herë gjithçka po shkonte shumë më tej.
Trualli mbi të cilin parashikohej ndërtimi rezulton në pronësi të dy të rinjve, studentë jashtë vendit. Keid Kalaja, djali i anëtarit të Gjykatës së Lartë Artur Kalaja, dhe Brugen Strati, djali i përmbaruesit gjyqësor Gentian Strati.
“Ne e kemi blerë tokën në mënyrë të ligjshme. Elman Abule na u ofrua si ndërtues dhe firmosëm një kontratë sipërmarrjeje me të” – tha Strati për “shteg.org”.
Kalaja, nga ana tjetër, rezulton ta ketë deklaruar pronësinë mbi truallin në formularin e interesave private për vitin 2023, për shkak të funksionit të të atit si gjyqtar. Ai gjithashtu ka raportuar të ardhura nga Bashkia e Tiranës, por nuk ishte i arritshëm për koment.
Pas publikimit të lidhjeve të dyshimta të Abules dhe nisjes së hetimeve nga SPAK, të rinjtë vendosën të tërhiqen nga marrëveshja.
“Nuk e paragjykoj njeriun, por më mirë të mos zhvillohet prona, sesa ta ndërtojë një person që është me probleme. Kontrata me “Fidalba” është prishur” – sqaroi Gentian Strati për “shteg.org”.
Zona ku parashikohej ndërtimi ka një histori të errët që lidhet me shembjen e një pallati parafabrikat pranë lulishtes, po me vendim që mban firmën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“Ngjitur me sheshin ku është dhënë leja e ndërtimit për kompaninë “Fidalba” shpk, ishte një pallat. Leja nuk mund të jepej nëse nuk shembej pallati ekzistues. Pallati u prish për shkak se u konsiderua i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 2019”, thotë avokati Erjon Syziu.
Avokati Syziu ngre dyshime se përmes manovrave ligjore dhe akt-ekspertizave të diskutueshme pallatet u shkatërruan e më pas hapësirat iu dhanë për ndërtim privatëve. “Ka vepruar një grup i strukturuar nga baza deri në majë!” – shprehet Syziu. Kallëzimet e tij janë në Prokurorinë e Tiranës, por edhe pas tre vitesh nuk ka një përgjigje.
Dokumentet tregojnë se lejen e ndërtimit firmosur personalisht nga kryebashkiaku Erion Veliaj, ishte dhënë për kompaninë “Fidalba shpk”, në pronësi Abules, një sipërmarrës që, për pjesën më të madhe të jetës së tij afariste, kishte qëndruar në hije.
Leja e ndërtimit u tha dhe pse kompania nuk kishte rekorde në ndërtim apo aktivitet të madh ekonomik. Megjithatë, dokumentet tregojnë se ai kishte një lidhje shumë të rëndësishme: miqësinë personale me Erion Veliajn.
Kryebashkiaku ka mohuar çdo konflikt interesi, duke thënë se “lejet e ndërtimit janë të drejtë ligjore për këdo që ka pronë dhe respekton rregullat urbanistike”. Por pas kësaj “të drejte” fshihet një histori e mbushur me dyshime, lidhje të errëta dhe transaksione ende nën hetim.
Në gusht të vitit 2024, në një postim në Facebook, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tregonte për një vizitë zyrtare të tij në Kiev, gjatë së cilës kishte zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë, Vitali Klitçko, ish-kampion i botës në boks.
“Më vjen mirë që Kievi po i rikthehet normalitetit pas sulmeve të ashpra të Rusisë, teksa lufta vazhdon..”, shkruante Veliaj.
Por ajo që nuk përmendej në publikim ishte se në këtë udhëtim, që nisi nga Rinasi me një avion charter drejt Ukrainës, kreu i Bashkisë Tiranë shoqërohej nga biznesmeni Elman Abule.
“Veliaj do të zhvillonte një takim me kryetarin e Bashkisë së Kievit dhe unë shkova për qejf. Kemi qëndruar në të njëjtin hotel. Shpenzimet i mia i kam mbuluar vetë, për Erionin nuk kam dijeni, pasi ai ishte me vizitë zyrtare.” – i tha biznesmeni prokurorëve.
Ky nuk ishte një rast i vetëm që Veliaj dhe Abule kanë udhëtuar sëbashku. Sipas dokumenteve të siguruara nga “shteg.org”, ata kanë fluturuar në Tokio, Itali, Holandë, Angli dhe vende të tjera, në disa raste të shoqëruar edhe nga bashkëshortet.
“Në Tokio kemi qëndruar 4-5 ditë, bashkë me gratë tona,” kujton Abule.
Megjithatë, përballë prokurorëve më 30 prill 2024, Veliaj e minimizoi këtë marrëdhënie, duke përcaktuar si “të largët”.
“Marrëdhënia ime me Elman Abulen është një marrëdhënie në distancë … e njoh sepse bashkëshortja ime është mikeshë me bashkëshorten e tij.” – i tha ai hetuesve.
Por faktet flasin ndryshe. Vetëm pak muaj para udhëtimit në Ukrainë, në janar 2024, kompania e Abules mori një leje ndërtimi në zonën e Kombinatit, të firmosur personalisht nga Veliaj, në një lulishte të vogël, të vetmen hapësirë mes pallateve parafabrikate, që banorët përpiqeshin ta ruanin prej vitesh.
Dokumentet tregojnë se në atë kohë, Abule ndodhej nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, i dyshuar për veprën penale të pastrimit të parave. Prokuroria e Tiranës dyshon se Abule ka krijuar një skemë të qarkullimit dhe justifikimit të të ardhurave nga krimi.
“Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të K.B [Kristian Boçit], apo V.A [Vladimir Avramit], kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”, tha prokuroria në një njoftim për shtyp.
Me biznese në fushën e energjetikës ata kanë siguruar kontrata për zhvillimin e dy hidrocentraleve në Mirditë dhe një turbinë për energji nga era në Pukë.
Për ndërtimin e hidrocentraleve në vitin 2020 Abule ka dalë garant për marrjen e një kredie prej 1 milion eurosh nga një bankë e nivelit të dytë.
Prokuroria theksoi se “huamarrja në shuma të mëdha nga bankat e nivelit të dytë” ka qenë një prej skemave që ka përdorur grupi për të justifikuar qarkullimet e parave. Sidoqoftë, prokuroria nuk e specifikoi këtë dyshim me raste konkrete.
Ndër veprimet e tjera të dyshimta, prokuroria përmendi kontrabandën, blerjen e hidrocentraleve me vlera të konsiderueshme “pa përligjur burimin e të ardhurave”, shitblerjen fiktive me vlera të mëdha të makinave, krijimin dhe drejtimin e kompanive pa aktivitet për të cilat “deklarohet rritje kapitali”.
Autoritetet dyshojnë se Abule përfshiu në skemë dhe bashkëshorten Marisa Nito. Ngjashëm dyshohen të kenë vepruar edhe Kristian e Ender Boçi.
Nisur nga këto dyshime gjykata vendosi të sekuestrojë asetet e 16 kompanive që lidhen me grupin dhe partnerët teksa u bllokoi edhe llogaritë bankare.
Organi i akuzës së kryeqytetit po zhvillon një betejë të gjatë në gjykatë për të mbajtur nën sekuestro pasuritë e tij, ndërsa prokuroria e Posaçme dyshon se Abule ka ndihmuar edhe bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, të pastrojë rreth 300 mijë euro përmes një skeme të ndërlikuar financiare.
Abule po hetohet në të njëjtën çështje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 5 biznesmenë të tjerë.
Biznesmeni Abule i kontaktuar nga “shteg.org” refuzoi të bënte komente lidhur me hetimet që po kryejnë ndaj tij prokuroria e Posaçme dhe ajo e Tiranës.
“Nuk jam person publik dhe nuk kam asnjë koment lidhur me këto çështje”, tha ABule, ndërsa vuri theksin te fakti se do të vazhdojë përballjen me drejtësinë.
