Sefer Pasha
Prej datës 2 gusht deri në 16 gusht në malin e Shenjtë të Pashtrikut mblidhen mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe bota. Është festa pagane më popullore. Kam ardhur me miqtë e mi. Rruga për t’u ngjitur në majë është e vështirë. Por unë nuk e ndjej. Se di se kush ma lehtëson ngjitjen e mundimshme. Ndofta zanat e Pashtrikut. Pranë Varrit të Shenjtë ulem mbi një gur të murrmë. Fryn erë dhe nuk ndihet vapa përvëluese. Hedh krahëve një xhaketë. Ndihem mirë. Dhe recitoj vargjet e një kënge të hershme: /Sulejman Vokshi ka hypur në thep/ /Bash si zanat po pisket/ /Po pisket si zanë Pashtriki//Unë Gjakovën se koriti/. Më japin dorën shumë vizitorë. Disa djem të rinj janë futur në shpellat e Pashtrikut dhe nxjerrin prej andej copëra akulli. Ata më tregojnë se thellë nëpër shpella ka borë dhe copëra akulli në formën e shkëmbinjve. Mali është pa ujë dhe njerëzit nëpër mote u janë drejtuar shpellave. Në këtë periudhë të nxjerrin sytë ushtritë e korbave. Edhe ato zhyten thellë nëpër guva dhe kur dalin që andej kullojnë ujin e ftohtë. Të duket sikur bie shi. Disa korba janë gjysmë të ngrira. Në të gjithë malin është vetëm një burim i vogël në rrugën që të çon për në Cahan të Krumës. Quhet Burimi i Dragovotit. Ky emër sllav për dreq ende përdoret nga vendasit.
Djemtë e rinj që kanë nxjerrë copa akulli më hedhin në vedrën time me dhallë disa copëra akulli si bajoneta. Dhe dhalla shndërrohet në mjaltë. I rrethuar nga disa prizrenas bisedat vërtitet tek Varri i shenjtë. Tregimet janë të pafundme. Por mua më tërheq vëmendjen njëra nga këto rrëfenja. Gjatë luftës për çlirimin e Kosovës avionët e Millosheviçit tentuan në shumë raste që të bombardojnë në majën e malit. Ata kishin informacion se trupat e UÇK -së strehoheshin në guvat shkëmbore. Dhe kjo ishte e vërtetë. Por aviatorët serbë po tmerroheshin. Nuk i afroheshin majës së malit. Bombardonin dhe asnjë predhë nuk e prekte majën e malit. Predhat rrëzoheshin nëpër humnera. Disa aviatorë u rrezikuan. Komanda e aviacionit u lidh me Beogradin. Asnjë përgjigje. Enigmë. Disa gjeneral në Prizren kishin pyetur romët turq. Ata u kishin thënë se në majën e malit është një Varr i Shenjtë. Zoti që është varrosur atje i kthen pilotët nga agresioni. Nuk bombardojnë dot. Fryjnë erëra të forta dhe jeta e aviatorëve është në rrezik. Dhe komanda e aviacionit nuk urdhëroi më që të bombardohej në majën e malit. Dhe në fakt asnjë predhë gjatë luftës me trupat e Millosheviçit nuk e preku jo vetëm majën e malit, por as shpatet e Pashtrikut.
***
Miqtë që na kanë pritur shtrojnë sofrën afër Varrit të Shenjtë me të gjitha të mirat e festës tradicionale të Pashtrikut. Por unë nuk jam i qetë. Edhe pse e trokas gotën më miqtë, me mend i bëj një kompozim sofrës. Dhe hap tre vende. Një për Sulejman Vokshin që populli e ka përjetësuar në këngë, dhe pjesëtoj tre vende të tjera. Vendet imagjinare janë për Hashim Thaçin, Luan Haradinajt dhe Ukshin Hotin. Rreth 500 metra më poshtë Hashim Thaçi erdhi nga Rahoveci. Ai ka ngrënë darkë në qafën e malit, që vjen nga fshati Plan i Kosovës dhe ka vazhduar rrugën për në Has e mandej për në Rambuje. Si mallakastriot që jam e ngre një dolli për Hashim Thaçin dhe ngrihem në këmbë. Të na kthehet shëndoshë për në Kosovë!, them me zë të lartë. Miqtë me falënderojnë. Një kosovar nga fshati Plan rrëfen se kur Hashim Thaçi e kaloi Qafën e Mullarit mori një pendë shqiponje, që e gjeti mbi shkëmb. Të vetmen gjë që e kaloi “kontrabandë” për në Rambuje ishte penda e shqiponjës e malit të Pashtrikut. Të gjithë vështrojmë tutje Shpellës së Pëllumbave. Në horizont është Haga, ku mbahet në burg Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi. Të gjithë shpresojnë se legjenda e Kosovës do të fitojë pafajësinë. Jo vetëm ai, por dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe heronjtë e tjerë.
Sofra pranë Varrit të Shenjtë është reale. Dhe miqtë e mi gjithashtu janë realë. Por unë jam i trishtuar. U kushtoj vëmendje personazheve që lidhen me malin e Pashtrikut. Një vend në sofër e kam hapur për vëllain e Rramush Haradinajt, Luanin. Atë e vrau UDB -ja po në atë shteg të malit, ku kaloi Hashim Thaçi për në Rambuje. Qafa e Mullarëve quhet shtegu, ku u vra gjenerali i UÇK -së Luan Haradinaj. Udha e trimave ishte Vlahna e Hasit, Qafa e Mullarit, Hasi i Lubizhdës, Hasi i Kabashit, Karshengjergji, Romaja, Kusha e vazhdonte më tutje për në Rahovec e Gjakovë. Gjenerali u varros nga i vëllai dhe trimat e tjerë në Arën e Muhadërve në fshatin Vlahën të Hasit. U zhvarros pas çlirimit të Kosovës. I dëgjoj bisedat rreth sofrës dhe njërën prej tyre e fiksoi. Luan Haradinaj po kalonte në një va mbi Drinin e Bardhë. Në mes të lumit ndaloi. Përse ndalove i thanë luftëtarët? Dhe Luan Haradinaj ka treguar. Një palë krushq kishin marrë një nuse në fshatin Rogovë. Udhës i zë një ciklon i madh. Drini i Bardhë doli nga shtrati. Ishte e pamundur që të kalohej lumi që sillte trarë e lisa të shkulur në Bjeshkët e Istogut. Më në fund krushqit ngelën në breg të lumit. Sipas zakonit nusja duhej çuar gjallë a vdekur në Krushën e Madhe, ku zhvillohej dasma e dhëndrit. Krushqit nuk dinin se çfarë të bënin? Papritur ndodhi çudia. Kali me nusen mbi shalë fluturoi mbi dallgët e egra të lumit. Krushqit nuk donin që t’u besonin syve. Kali nisi luftën duke notuar mbi dallgët të larta si shkëmbinjtë e Pashtrikut. Dhe më në fund nusen e nxjerr në bregun tjetër. Krushqit i jepnin forcë kalit të çmendur duke qëlluar me armë. Kali me të dalë në breg, sikur ta mësonte njeri, bëhet veri për në Krushën e Madhe, ku pritej të vinte nusja dhe krushqit. Me të mbërritur në familjen e dhëndrit kali ulet sheshazi sa zbret nusja. Dhe menjëherë i vetmuar kthehet sërish për në bregun e Drinit të Bardhë. Në krahun e përtej Drinit ishin krushqit, që kishin mbetur pa nuse. Kur krushqit e panë kalin fillikat mbetën pa mend. Vazhdonin të qëllonin me pushkë dhe nuk ia ndanin sytë kalit të çuditshëm. Nuk vonoi dhe kali këtë radhë pa nuse u hodh mbi dallgët e Drinit të Bardhë. Nisi të notoj për të marrë krushqit që kishin mbetur në krahun tjetër. Por kali nuk doli i gjallë. U mbyt. E mbytëm ne me sytë tanë thanë krushqit. E hëngrëm me sy. Edhe unë do të vritem u ka thënë luftëtarëve Luan Haradinaj. Më kanë marrë në sy në Junik. Në qitje me topin 75 -milimetra pa zmbrapsje dola më i miri. Të gjitha predhat i dërgova në objektiv. Një bjeshkëtar që më ndoqi në qitje më tha që të ruhem. Ke marrë sy të madh i kishte thënë ai. Kaq ka thënë atje mbi vaun e Drinit të Bardhë Luan Hardainaj. Dhe me të vërtetë kështu ndodhi. Atë e vranë serbët.
***
Sofra e shtruar me mish të pjekur e djathëra të luginës së Drinit të Bardhë më ngjan me gostitë e perëndive. E megjithatë shpirti im pikon vrer. Rrotull varrit të Shenjtë në lartësinë 2000, ku dikur ka qenë piramida C/5 e kufirit, shoh shumë njerëz. O zot! Po ata nuk janë njerëz normalë. Disa i kanë të dyja këmbët e prera. E të tjerë me nga një këmbë e nga një krah e më tutje të tjerë pa këmbë e pa duar. Edhe më keq. Njerëz pa të dy sytë e ballit. Të gjithë këta të gjymtuar falen tek Varri i Shenjtë. Janë sakatuar në luftën për Çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Dhe për turp të botës këta të gjymtuar e kanë komandantin e tyre Hashim Thaçin në burgun e Hagës. E ngre instinktivisht kokën mbi sofër. Më duket sikur Hashim Thaçi po ngjitet nga kreshtat e malit 500 metra mbi Qafën e Mullarit. Sa e padrejtë që më duket kjo botë. Tragjeditë i shkaktoi ushtria e Millosheviçit. Mijëra të vrarë e mijëra të tjerë të zhdukur pa një gjurmë. Nuk kam lënë pëllëmbë të tokës së Kosovës pa shkelur, sidomos në luginën e Drinit të Bardhë. Nga lëndët helmuese luftarake që ka hedhur ushtria e Millosheviçit sot në fushat dhe bjeshkët e Kosovës as nuk mbillet dhe as nuk korret. Bombat e mbjella shpërthejnë si të jenë kokrra të breshrit. Nëpër qytete e fshatra lindin fëmijë leuçemik e me defekte nga helmet e bombave të hedhura me tonë. Në një televizion të Beogradit Millosheviçi do të deklaronte se kufirin me Shqipërinë për 100 vjet ma mbrojnë bombat. Pak më tej shtegut ku Hashim Thaçi kaloi për në Rambuje ndodhet Shpella e Pëllumbave, ku strehohej Azem Galica me Shotën. Kjo shpellë si nga kosovarët dhe nga hasianët është e njohur për guvat, ku kanë pasur foletë pëllumbat e egër. Por gjatë luftës avionët e Beogradit zbrazën një çisternë me helme. Dhe pëllumbat u larguan. Ata edhe pse i ndërtuan foletë deri në malin e Çiçavicës vijnë shpesh mbi Shpellën e Pëllumbave. Por nuk ulen dot. Nuk i lënë helmet e Millosheviçit. Ka dhe drama më të tmerrshme. Gjatë luftës çetnikët e Arkanit përdhunuan gra dhe vajza kosovare. Megjithë dështimet e shumta kanë lindur dhe fëmijë me gjak serbi. Po këtyre si do t’ju vejë halli? Do të bëhen zotër shtëpie në tokat e kosovarëve. Nuk vazhdoj dot më tutje. As Sheksipiri nuk do t’i shkruante dot këto drama.
***
Edhe pse i ndjek bisedat e miqve në sofrën me dru lisi nuk i ndaj sytë nga Varri i Shenjtë. Prej këtij varri e kam një kujtim të trishtuar. Në vitet e socializmit, në postën kufitare të Cahanit, më 16 mars të vitit 1986, një kufitar që quhej Bujar Xhelollari nga Opari i Korçës mori rrugën për t’u arratisur. Kishte rënë pak dëborë. U gjetën dhe gjurmët, ku kufitari kishte kaluar vijën e kufirit tek piramida C/5. Por me të kaluar nja 50 metra në thellësi të kufirit që mbrohej nga serbët Bujar Xhelollari thërret: – “O nëna ime ku po të lë!” Dhe u kthye mbrapsht. Kur mbërriti në postën kufitare të Cahanit ai u thotë shokëve se atë e kishte kthyer nga rruga e tradhtisë Zoti në Varrin e Shenjtë në majën e Pashtrikut. Për çudi ministri i Brendshëm Hekuran Isai nuk e futi në burg. E vlerësoi pendimin e tij.
Në sofrën bujare biseda nisi të vërtitet rreth mitit të Kosovës, Ukshin Hotit. Të tjera legjenda dëgjova gjatë rrugës e të tjera dëgjoj rrotull sofrës. Hamendësohet se është gjallë. Por ka dhe nga ata që thonë se kufoma e Ukshin Hotit mundet të jetë në guvat me akull të malit të Pashtrikut. Krushasit që kanë ardhur për festë më thonë se në mes të akullit shekullor kufoma e njeriut nuk dekompozohet. Të gjitha janë legjenda. Të vërtetën e dinë udbashët e Beogradit, të cilët e rrëmbyen më 16 maj të vitit 1999 dhe e zhdukën pa lënë gjurmë. Unë e ngre një shëndet për kujtimin e Ukshin Hotit me raki Rahoveci. Tregimet rreth figurës së tij ma ngacmuan fantazinë në pikën time më të dobët. Në minutat që udbashët e rrëmbyen Ukshin Hotin para burgut të Istogut ai ka pasur me vete tre qese të zeza me madhësinë e valixheve. Të burgosurit e qelisë tregojnë se në ato qese Ukshin Hoti pati sistemuar të gjitha blloqet me shënime si dhe disa fotografi, të cilat ia kishte bërë një i burgosur serb, që kishte qenë oficer dhe gruan e kishte nga Peja. I pyes miqtë në sofër se ku mund të jenë qeset me blloqet e Ukshin Hotit. Filozofi nuk ka asnjë fotografi nga burgu i Istogut. E meraqet nuk kanë të sosur. E motra e Ukshin Hotit, Myrvete Kasumi më ka thënë se të vëllain e ndiqte UDB -ja këmba – këmbës. Nuk është afruar fare në kufi. Ja se çfarë shkruan filozofi. “U linda në një fshat që ndodhet nja 15 kilometra larg kufirit të Shqipërisë. Aty jetojnë prindërit dhe vëllezërit e mi, e tani, përsëri, edhe unë. Nuk jemi të ardhur nga Shqipëria. Jetonim këtu edhe gjatë kohës së Dardanëve, gjë që e flasin tubat[varret]”.
***
Atmosfera është e ndezur për rreth Varrit të Shenjtë. Unë di një sekret për historinë e varrit dhe e tregoj. Kur u ndanë kufijtë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913 Anëtarët e Komisionit e lanë varrin brenda kufirit të Shqipërisë. Aty i bënin ritet fetare vizitorët e kohës. Por me prishjen e marrëdhënieve më Titon lindi një problem. Varri i Shenjtë mbeti në pjesën e Shqipërisë. Por në Shqipëri u ndalua feja me ligj. Dhe në festën e gushtit nuk shkonte asnjeri për të festuar. Qindra kosovarë ngjiteshin në majë të malit, por varri ishte në anën tjetër. Ata i hidhnin tufat me lule që nga distanca. U krijuan disa incidente. Oficerët më të moshuar të Drejtorisë së kufirit ma kanë treguar se kjo çështje i vajti në vesh Enver Hoxhës. Dhe ai dha urdhër që Varri i Shenjtë të spostohet një gjysmë metri në tokën kosovare. Dhe kështu u bë. Me marrëveshje me palën jugosllave varri u zhvendos në tokën kosovare. Oficerët e kufirit që e hapën varrin rrëfyen se nuk gjetën asnjë skelet. Por ata morën me vete gur të vegjël, që i gjetën brenda varrit. Dhe i çuan në vendlindjet e tyre. Pas përmbysjes së socializmit dhe çlirimit të Kosovës pelegrinët falen tek varri i vjetër, tek ai i qëmotshmi. Rreth e rreth Varrit të Shenjtë, ku bëhen kurbanët vizitorët shohin çudira. Një besimtar bën operacione në kokë. Të gjithë ata që vuajnë nga tensioni i lartë shkojnë tek “kirurgu”. Ai me një brisk të mprehtë u gërvish një damar në sheshin e kokës. Kullon pakëz gjak. Dhe njeriu me tension të lartë lehtësohet dhe nuk ka nevojë për ilaçe. Ulet tensioni. Radha është e gjatë. Tek i vështroj “pacientët” sjell në mendje një tregim të Cvajgut. Ai tregon për një fenomen që u ndodh kuajve. Kur kuajt e mirë ushqyer e ndjejnë se u vlon gjaku në damarë, ata kafshojnë me dhëmbë një nga damarët e këmbës. Shpërthen gjaku dhe kali shpëton nga ngordhja.
Në sofrën e festës së Pashtrikut gjëmojnë tregimet si stuhitë. Debate ka për Pjetër Bogdanin. Nuk ishte nga Guri i Hasit siç shkruhet nëpër fjalorët e të dy kohëve, thonë ata. Askush nuk e di se ku bie Guri i Hasit? Poeti i madh ishte nga fshati Kishaj në rrëzë të malit të Pashrikut, ballë për ballë me malin e Pikëllimës. Por tregohen dhe ngjarje të çuditshme, që tregimtarët i lidhin me realitetin e kohës tonë. Një malësor nga Hasi kishte parë para shumë motesh një tufë me ujqër. Ishte kope e madhe. Tufën e udhëhiqte një ujk i bardhë trup madh. Të tjerët, që ishin 50 a 60 copë, e ndiqnin nga pas. Barinjtë ishin lart në majë të shkëmbit. Qentë ndiqnin një egërsirë tjetër. Qindra krerë me dhi kullosnin në bjeshkë. Tufa e ujqërve u fut në mes të dhive. Dhitë u trembën. Por asnjë ujk nuk u nda nga rreshti. Nuk hëngrën asnjë kec. Ndiqnin ujkun e bardhë që i printe. U futën në pyll pa bërë asnjë dëm. Tregimi i habiti që të gjithë. U fol për hajdutët e kohës tonë. Dhe fenomenet i krahasonin me atë kopenë e ujqërve. Të gjithë ujqërit vraponin pas “Komandantit”. Le të ishin të uritur. Qenë të disiplinuar. Ujqërit merren vesh. Njerëzit jo.
Ngrihem në këmbë. I hedh sytë nga mali i Sharrit. Naim Frashëri ka shkruar për malin e Sharrit. Meditoj. Po në muajin gusht tutje në malin e Tomorrit festojnë bektashinjtë. Atje denbabaden shkojnë mallakastriotët. Në bibliotekën time kam një studim të pabotuar të Razi Brahimit. Ai kishte hulumtuar një jetë dhe as që e diskutonte se Naim Frashëri ishte ngjitur në majën e malit të Tomorrit. Aty e kishte marrë lëndën e librit “Qerbelaja”. Nuk qëndroj gjatë në këmbë. Tregimtarët të lënë pa gojë. Në vitet e kooperativës bujqësore në mëhallën e Muhadrit, ku u varros Luan Haradinaj, një nuse e re ishte duke dështuar. Shoferi i “Zisit” e çon urgjent në spitalin e Krumës dhe nusja shpëton. U ndodha atë mëngjes tek klubi para spitalit. Po festohej. Dollitë ngriheshin për shoferin që e shpëtoi nusen e re dhe ajo nuk dështoi. Lindi djalë. Për të këndohej një këngë me çifteli. Në fshatin Vlahën nuk kishte asnjë vdekje fëmijësh.
Prizren, gusht 2022