Ilirian Ballaj
Të udhëtosh në rrugën e re automobilistikë Vlorë-Qeparo, që është si një gjerdan i artë i shtuar asaj treve, është një kënaqësi e veçantë, është një përjetim emocional, i bukur sa më s’ka. Një rrugë bashkëkohore, që ngjan me ato: të Vermoshin apo të Llogorasë sonë turistike, të botës. Ajo rrugë buzë Lumit Shushicë është një mrekulli, është një komoditet për njerëzit që lëvizin në të, është në të njëjtën kohë edhe një kënaqësi, kursim kohe, është edhe leverdi. Ajo është shtrirë në një terren të ashpër kryesisht, me dy korsi, me vepra arti sikurse thuhet për urat, murëmbajtëset, kanalizimet, e pajisur me gjithë sinjalistikën e nevojshme bashkëkohore. I gjithë konfiguracioni që shpërfaqet në anët e saj është tepër piktoresk. Tani ajo luginë duket më e gjerë, me më shumë frymëmarrje, malet duken jo aq shtrënguar e që të rrinin thikë mbi kokë. Natyrisht malet, kodrat, bregoret, buzëlumet aty ku ishin janë, se nuk kanë lëvizur vendit, por ne kështu na duket, kështu e perceptuam, kështu e përjetuam. Ajo rrugë gjarpëron jo aq pranë lumit, që të dukej më parë sikur do të rrokulliseshe në të, me më shumë dritë e hapësirë, patjetër.Vjeshta e zverdhulluar që po afron ka nisur këmbë-këmbë të vijë, me atë ngjyrimin gjysmë të artë të përzier me klorofilën gjithëvjetore të shkurreve e të ullinjve që kanë qenë e që janë mbjellë rishtas.
Në një ditë të ngrohtë gushti, që ne ngrohtësi e quajmë edhe kur jemi bashkë, ose më saktë më trembëdhjetë të tij, u ndodhëm në vendlindjen tonë, në Gjormin tonë të dashur, banorë, bij e bija të tij, nipër e mbesa të ardhur edhe nga emigrimi. Gjormi i Vlorës i pati bijtë e vetë në gjirin e tij, ngado që ishin. E nga nuk kishin ardhur, aty pranë vëllezërve të tyre: nga rrethinat, nga Vlora, Tirana, Elbasani, nga Evropa e deri Amerika e ndonjëri edhe i porsaardhur nga Kanadaja e largët. U bënë bashkë si bleta rreth matkës, vendlindjes, aty te të parët e tyre, te fëmijëria, te rinia e tyre, te puna, te mundi e djersa që kanë bërë ata njërëz të mirë për të mbijetuar e jetuar. U takuam, u shmallëm, gëzuam, festuam, u hodhën valle e u këndua, përcollëm ndjesitë tona, kujtuam ata që s’janë por që rrojnë në kujtesën tonë, pamë njëri-tjetrin, thamë njëri-tjetrit ato që s’i dinim, ato që na kishin munguar, kryesisht fjalën Gjorm, pamë vendlindjen e përtërirë. Të gjitha këto bashkëshoqëroheshin me një mall përvëlues, që digjte më shumë se vapa e gushtit.
Ishte një takim brezash, që ishte bërë edhe tjetër herë, por kësaj radhe pjesmarrja ishte tejet e lartë. Zotëronte rinia, por edhe të moshuarit e kishin marrë mundimin dhe erdhën, ashtu qetë qetë e disa edhe me bastun. Aty ishin edhe relativisht të moshuarit Lato Shena, Faik Shena, Rustem Kajo, Xheto Hysi e Metlli Abazi. Ajo festë nisi me një inaugurim. U përurua në qendër të fshatit një njësi shërbimi, një bisnes, i Izetit i thoshin dikur atij objekti, por që tash Izeti i urtë e gjithnjë i qeshur nuk ishte më, ishin djemtë e vajzat e tij, nipër e mbesa që e bënë. Ai lokal dikur kishte qenë e vetmja kafene e fshatit, aty pinin kafe por edhe ndonjë liqer që u dukej edhe pije alkolike edhe ëmbëlsirë, aty pleqtë loznin edhe ndonjë dorë letra që rrallëherë ziheshin pse më dhe fandin maç, aty bënin shaka e të rinjtë ia merrnin edhe ndonjë kënge pasdite. E sot aty janë disa të tillë klube të përmbushur me njerëz, edhe pse janë larguar, janë arsye e rrethana të tjera, që edhe dihen. Por mjedisi i ri i tregtisë ishte tjetër, një investim bashkëkohor, shumë i tillë. E hapi atë lokal djali i Izetit, Saliko Godaj me punën e tij, me bisnesin e tij, me kursimet e tij, me mundin e vet e të familjes edhe në emigracion si gjithë të tjerët. Një investim dinjitoz, shumë bashkëkohor, shumë pranë rrugës së re automobilistikë të Lumit të Vlorës, e që të dyja, edhe rruga edhe bisnesi i ri, shkonin në rezonancë me njëri-tjetrin, rruga bashkëkohore, një perlë e kohës, klubi një mrekulli më vete, një aset i çmuar edhe për fshatin, edhe për kalimtarët, por kryesisht për turistët. Ai ngjante me një dallëndyshe, që sapo e kishte ngritur folenë e, që pas tij, do të vinë edhe të tjera. E unë e barabita atë kompozim me ato që kisha parë edhe në Kanadanë e largët, në Toronto, aq interesant dhe i këndshëm ishte ai investim.
Pjesa themelore qe vetë festa në qendër të fshatit, pranë Shkollës së Mesme “Hamdi Rrapi”, emri i një dëshmori të luftës për liri, emri i një antifashisti të orëve të para, që u përlesh me okupatorin në barikadat e Tiranës, duke qenë atje profesor i inxhinierisë aplikuese, që e demaskoi fashizmin në sallën e gjyqit, plot kurajo, që u rrëmbye nga bisha nazizte në prag të vdekjes së saj e shumë pranë çlirimit të vendit dhe që u internua në kampin e Prishtinës dhe u pushkatua një pasdite tetori me shi dhe u mbulua me dhe si edhe të tjerët, gjysmë i gjallë, numëri i tij në atë listë të zezë që e lexoi një fric gjerman i kollarisur dhe i hekurosur, është 84. Ajo shkollë ka një histori të vjetër, është themeluar në vitin 1914 ku kanë shërbyer mesues Halil Jakup Kajo, Thanas Nano, Muço Delo, kanë iniciuar nxënës që janë bërë kuadro më tej, me qindra qysh prej fillimit, ka arsimuar popullin e Gjormit, ka nxjerrë mjekë, profesorë, mësues, agronomë, ekonomistë, dhe nuk është e rastit që dy vite më parë, në një olimpiadë matematike, ajo shkollë e mesme zuri vendin e 23 nga katërqind të tilla shkallë vendi. Diku në një libër kujtimesh veterani Muço Delo, që kishte qenë mësues në Gjorm në vitet 1932-1933, shënon se “djemtë e Gjormë ishin matematikanë të çuditshëm”, e këtë e kishte thënë edhe Dhimitraq Sava, në Brataj më vonë, mësues i matematikës në shkollën e mesme, por e kishte thënë edhe Myrteza Starova, ish pedagog i mamematikës në Universitetin e Tiranës e që ishte dërguar në Gjorm mësues tetëvjeçareje në vitet ‘70 nga që nuk plotësonte kriteret biografike të kohës. Jo rastësisht sot janë pesë pedagogë matematike në Universitetet tona, dhe dy po matematicienë në Shoqërinë Europiane Aeronautike “Luftanca” si monitorues, dy djem të Ballaj, dhe një i Sinaj është doctor i shkencave. Madje Muço Delo kujton se “nxënësit më shëmbullorë në Gjorm në ato vite ishin Neki Imeri, Xhafo Sihati, Hysën Sinani dhe Bego Kuqe” (Libri:” Netë vere me Muço Delon.”
Komisioni organizator e kishte pregatitur në mënyrën më dinjitoze atë festë, atë punë e kishte bërë me merak mësuesi i përkushtuar i historisë, Gilo Halili, që u shkollua deri në Universitetin e Tiranës e duke e kaluar zinxhirin e arsimimit të tij vetëm shkëlqyeshëm, që punoi aty për dyzetë vite, u bë nga kryetari i shoqatës së fshatit, juristi i talentuar me dy universitete, Sokol Zotaj, si dhe nga drejtoresha e shkollës po me arsim të lartë, Haire Glluçaj dhe nga ekonomisti i lartë Aleks Seferaj e bisnesmeni Iliaz Delaj, dhe të tjerë. Ajo festë ishte sponsorizuar nga djem të gjormit, brenda vendit dhe në emigrim.
Gjormi është dhe ka qenë një fshat i madh, fshat që ka përballuar shumë luftëra, që nga invazioni bizantin i shekullit XIV, invazorë me trupa speciale mercenare persë ose skuadrone vdekjeje, që morën Beratin, dogjën Kaninën dhe iu vërsulën Lumit të Bardhë (Shushicës) dhe e shkretuan, e në Krevolk (kryeujq sot) u ndeshën me vendasit,” edhe lumi u skuq, edhe dielli u nxi nga shkabonjat e kërmës” shkruajnë kronikat e kohës. Edhe sot në atë sistem kodrinor nuk shkon dot nga eshtrat e të vrarëve të varreve që rrënohen. Në Gjorm u bënë dy prita gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në vitin 1942, njëra tek Ura e Lumit kundër autokolonës fashiste ku bijtë e asaj treve i zunë robër, u dogjën makinat, por nuk i vranë, një rast unikal ky, i lanë të iknin të lemerisur rrugë pa rrugë, zbathur e të leckosur si për t’u thënë:” Më sytë të mos ju shikojmë këndej” dhe tjetra pritë kundër mercenarëve të Halil Alisë nën komandën e kolonelit Italian Klementis, që e mori qeveria kuislinge nga Shkodra për të vënë në udut Lumin e Vlorës, ku ra dëshmor edhe Bako Tafili. Aty u vra Kolonel Klementis nga luftëtari Lulo Shaipi, thuhet. Por në Gjorm u formua edhe celula e parë Partizane, %eta Plakë e Vlorës me një pjesmarrje të madhe vendas, por edhe përreth e me komandant birin e Gjormit, Neki Imeri. Atë ditë u bë shpallja dëshmor e luftëtarit Shuaip Lulo, i lënë në harrësë, mbase padrejtësisht.
Pra Gjormi ka hyrë në histori si Gjormi i pritave kundër invadorit edhe më parë, edhe më vonë gjatë luftës për çlirim. Gjormi është bërë një Termopilie e vërtetë ose një Skilë e një Haridbë e mitologjisë greke. Ai, më vonë, u bë djepi i kulturës, sportit dhe i punës, një qytet a një qytezë, që nuk e tepërojmë, kur pranë tij është edhe një toponim Maja e qytetit, edhe një tumul, edhe një qeramikë e lashtë,edhe një varr i stërlashtë njerëzish të mëdhenj të kohës, tip cist, sarkofag i veshur në qeramikë, si ai i gjeneralit spanjoll Lapard, në Lapardha.
Por nuk ishin vetëm këto që na mblodhën. Apo që ishin edhe këto. Ishte malli për njëri-tjetrin dhe krenaria për vendlindjen. Një popull që nuk njeh të kaluarën është si pema pa rrënjë. Sekush i ka rrënjët e veta e Gjormiotët e kanë rrënjën e tyre, që është vendlindja e tyre, Gjormi, që është dashuria e tyre, është krenaria e tyre, malli i tyre, prandaj u mblodhën aq shumë këtë herë.
Takimet janë shumë të domosdoshme, jo thjeshtë se njerëzit kthehen, takohen, shmallen, por aty promovojnë njohje të reja brezash, mes të të larguarve e jo të tillëve, të rinjtët e fëmijët njihen me njëri-tjetrin, atyre që vijnë e kanë lindur e jetojnë jashtë u nxitet dashuria për vendlindjen, e njohin atë, kanë ç’kujtojnë, kanë ç’tregojnë, shkëmbejnë njohje, kultura me shokët e tyre edhe jashtë vendit, bëjnë të njohur vendin e tyre, origjinën e tyre. Por promovojmë edhe kulturën tonë të këngës, të valles, të vjershërimit, njohim normat dhe zakonet tona që na kanë rritur e na mbajnë gjallë, pa kujtojmë edhe ata që s’janë, kujtojmë ata që kanë bërë për fshatin e kanë ndikuar në zhvillimin e tij, kujtojmë njërëzit e mirë e punëtorë, sepse kështu nxitet më tej dashuria për vendin. Njohja, thotë një filozof i lashtë, nis nga pragu, aty njeh botën që të rrethon, aty njeh edhe njerëzit e tu, e pastaj më tej.
E krahas madhështisë së atij takimi, do të thosha se është e nevojshme që në të ardhmen të mblidhemi të gjithë, dhe më shumë, të sjellim edhe fëmijët e këtë duhet ta bëjmë me shumë merak, sepse Gjormi është vend i madh, është fshat i madh, aty ka vend për të gjithë, “pa edhe në s’fjetshim mirë”, sikurse tha një plak, “do të hamë atë që këmi e do të shohim njëri-tjetrin”. Në pak fjalë që tha Rustem Kajo, një tetëdhjetëvjeçar, bëri edhe një vargëzim:
Djem e vajza kudo shkoni
Atdheun mos e harroni
Mblidhuni në gjirin tënë
Se na ka bërë një nënë!
Matematicieni Nuro Lula recitoi një këngë të vjetër që e kishte thurur një i gjakut të tij, që e kishte kënduar në qendër të fshatit atë ditë që do të nisej nizam në Turqi, tutje shkretëtirave të Azisë, në Siri a në Jemen;
Pa do të na marrë malli
Për të dalë lart nga stani
Nga Ploçicat e nga Qarri
Amandre e Hijexhani
Askogjin verim behari.
Aty ndoqëm këngët labe të grupit të Gjormit që ishte nderuar në takimin polifonik bërë në Vlorë disa ditë më parë, dëgjuam zërin e ëmbël e kumbues të Hydai Shenaj, marrës, sikurse kishim dëgjuar dikur në festivalet kombëtare në Gjirokastër të atin e tij, Laton. Dëgjuam melodinë që ekzekutoi me fyell virtuozi Hair Alia, një instrumentist që imitoi gjithë meloditë baritore të dikurshme të fshatit, gjithë vajtimet e dhimbshme që bënin nënat tona dikur. Por ka për të më mbetur në kujtesë një vajtim shumë i veçantë autokton, vendas i fshatit tonë, që e kisha dëgjuar kur isha i vogël dhe që të jem i sinqertë, u rrëqetha. Skenën e ndezi, kur u ngjit në të si një flutur, një vajzë e vogël veshur në të bardha e që ngjalli optimizëm pas asaj që dëgjuam në fyell, me mbiemrin Glluçaj, që në fund, me një sfilatë të këndshme, si një dallëndyshe, na uroi të gjithëve e na gëzoi pa masë.
Rruga e re, lokali i ri, i gjithë populli i Gjormit, e sidomos rinia, u bënë bashkë atë ditë e si një ansambël, si një trini e shenjtë e këndshme, i dhanë kuptim të madh asaj feste, atij takimi brezash, të cilin duhet ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, me kujtesën, që herë tjetër, kujdes: “të kemi edhe nipat e mbesat me vete”, që të njohin njëri-tjetrin, të njohin rrënjën që kanë, Gjormin e tyre të dashur, që kurrë nuk është lëvduar, kurrë nuk është ankuar, kurrë nuk ka kërkuar, që shumë ka dhënë e pak ka marrë.
Shkruar bukur dhe me ndjenje dashurie per vendlindjen; gjormiotet, njerez te mencur, te ditur e bujar, si gjithe treva e Laberise.
E lexova te tere , edhe pse jam i Dukat ,me pelqeu dhe me mallengjeu, se ne te laberise na duket sikur te gjithe kemi pire ne nje sise.Komplimente atij qe e ka pershkruar kaq bukur, por jane per tu pershendetur te tere ata qe kane marre pjese, por ne vecanti une do te pergezoja shokun Tim te shkolles se mesme Durres Z. Saliko Godaj i cili fale dhembshurise per rrenjet ka bere te mundur riperteritjen e lokalit te te pareve,. Edhe nje here Urime tere Gjormjoteve .