Nga Sefer Pasha
Vitet kanë rrjedhur si Vjosa e si copra prozash. Me motet ka fluturuar dhe jeta e vyeshme. Gjithsesi në kapërcyellin e viteve tregimet mbeten. Rrëfehen dhe përçojnë energji pozitive. Në fshatin tim në Kremenar të Mallakastrës bashkë me nënën time, Dekon, punonte në kooperativë edhe një grua e heshtur e cila quhej Xhevo. Nëna tregonte se Xhevua ishte nga Krahësi i Tepelenës dhe ajo qe martuar me Ferik Murataj nga Mëhalla e Poshtëme e fshatit tonë. Xhevua ishte uratë. Vishej gjithmonë me të zeza. Ajo qe shumë e edukuar. Njihej për ndjeshmërinë origjinale dhe nuk nxirrte një fjalë të keqe nga goja. As kafshët nuk i mallkonte. Si të gjitha gratë e fshatit dhe Xhevua punonte në farishtet e duhanit, prashiste misër, korrte grurë, mblidhte ullinj, bënte qilizëm me bel, shkundëte bajame e milte tufën me dhi.
Deri këtu nuk ka asgjë interesante. Kështu ishte koha. Nënë Xhevua nuk qe ndonjë punëtore e madhe. Qe e imët nga trupi. Por në ato mote ajo mbahej mend për ato që tregonte nën hijen e manit, ku gratë shkonin me fëndyell duhanin. Tregimet e saj si gratë dhe burrat i dëgjonin me vëmendje. Unë atëherë isha i vogël dhe nuk e kuptoja se ç’ishin këto tregime që njerëzit i dëgjonin me gojë hapur.
Tregimet dinamike të nënë Xhevos mes fshatarëve përqendroheshin tek ati i saj Ibrahim Selimi. Ai ishte arsimuar jashtë vendit dhe kishte hapur shkollën e parë shqipe në fshatin Krahës. Por kishte dhënë mësim dhe në fshatin Koshtan. Për të në të gjithë Tepelenën flitej se Ibrahim Selimi me shumë trima nga Krahësi kishte marrë pjesë në luftën e Vlorës në shkurt të vitit 1920. Por ajo që ishte e pabesueshmja bënte fjalë për Ibrahim Selimin, i cili kishte marrë pjesë në varrimin e Xha Selamit në Babicë të Vlorës së bashku me Qazim Koculin e shumë trima të tjerë. E bija e tij nënë Xhevua ruante dhe një fotografi, ku paraqitej Ibrahim Selimi në varrimin e Xha Selamit. Gjithashtu krahësiotët tregonin se pas vrasjes së Selam Musait ata kishin parë në arat e Odës së Hasan Beut kalin fillikat të xha Selamit. Heroi para se të shkonte në Vlorë kishte pirë kafe tek Oda e Hasan Beut.
Gratë e Muratajve në Mëhallën e Poshtëme ndonjëherë çuditeshin me një zakon të nënë Xhevos Ajo çdo të diel merrte nga dollapi i rrobave një valixhe të gdhendur me dru arre. Valixhen e kishte sjell me pajën e saj kur erdhi nuse në Kremenar. Dhe një ditë nuset e Dano Shemes e pyetën se çfarë kishte në atë valixhe? Mos ndofta babai i saj Ibrahim Selimi i njohur në zonën e Tepelenës, të Mallakastrës dhe të Vlorës i kishte lënë të bijës ndonjë lekë. Ibrahim Selmi kishte udhëtuar dhe jashtë vendit. Dhe nënë Xhevua u është përgjigjur se në atë valixhe nuk kishte para. Edhe burri i saj Feriku jetonte si gjithë të tjerët me djersën e ballit. Nënë Xhevua u tregonte nuseve e plakave të mëhallës se në valixhen e drunjtë ajo ruante librat e të atit Ibrahim Selimit. Ishin libra të Naimit, abetaret që mësonte nxënësit, fletoret e vizatimit, gomat e fshirjes në dërrasën e zezë dhe një çantë të lëkurtë, që ai e mbante me vete. Në atë çantë nëna e saj i hidhte të shoqit bukën kur ai shkonte në fshatin e largët Koshtan, ku jepte mësim.
Jeta e nënë Xhevos në fshatin Kremenar nuk ishte e lehtë. Vetë punonte në kooperativë, kurse i shoqi Feriku qe një kasap i mirë. Gjithsesi të ardhurat qenë të pakta. Dhe për ta ndihmuar ekonominë e familjes në mbrëmje pas bukës ajo i mblidhte kalamajt dhe ata nën dritën e kandilit qëronin dafinat, të cilat i mblidhnin në koriet me dafinë të fshatit Drizar. Kur nënë Xhevua e shikonte se fëmijëve u vinte për gjumë u tregonte një përrallë me Qerosin. Ishin qindra seri. Pyetjet e fëmijëve për çudirat e Qerosit nuk kishin të sosur. Dhe tregimet e Qerosit e trëmbnin gjumin. Përgatiteshin më shumë thasë me dafina të qëruara. Ato do t’i çonte ati i tyre në magazinat e dafinave në Fratar të Mallakastrës. Sa më shumë dafina të shiteshin aq më shumë do të fitoheshin para e do të bliheshin libra e fletore për në shkollë e ndonjë palë këpucë të reja. Në shkollën e fshatit mësuesi i rreptë Nuredin Jaupi u fliste për opingat e Lulit të Vocërr të Migjenit. Dy djemtë më të rritur Flamuri dhe Tetemi kishin pasur fatin të takonin në shkollë shkrimtarin Petro Marko. Ai kishte ardhur i dërguar nga gazeta “Drita” për pasojat e tërmetit. Babai i mësuesit Baki Jaupi e kishte marrë për darkë Petro Markon dhe i kishte therur atij një cjap. Dhe Petro Marko gjatë darkës ja kishte marë këngës “Dhija mish dhe cjapi tavë”. Në gazetën “Drita” të kohës shkrimtari kishte botuar dhe një reportazh nga Kremenari për Baki Jaupin, që i kishte therur një cjap. Xha Bakinë e kishte krahasuar me shkëmbinjtë e Përrallit të Zi në majën e Goricës.
Për nënë Xhevon edhe sot rrëfehen ato që ajo tregonte kur shkonte vergje duhani, zhvishte misrin, bënte pekmezin dhe rehaninë me lëng rrushi e u shtronte sofrat me bukë qiraxhinjve, që vinin për të shirë grurë që nga Korça. Kur ishte e vogël dëgjonte të atin Ibrahim Selimin kur ai kthehej nga pazari në qendrën e Krahësit. Ai i gëzuar tregonte se kishte pirë raki me Kanan Mazen. Dhe rrëfimi i tij bëhej më ngjethës tek u shpjegonte fëmijëve se kur Kanan Mazja këndonte nofulla e poshtëme i lëvizte sa majtas – djathtas. Ishte plagosur me plumb në mes të dy nofullave në luftën e Vlorës të vitit 1920. Ibrahim Selimi e kishte mësuar vajzën e tij Xhevon që ajo të këndonte këngën e Kanan Mazes: -Të xhumanë më saba/U vra Kanan Mazeja/E mori në nofulla/Kanan tu prish bukuria/Le të rrojë Shqipëria/Shqipëria le të rrojë/Paçka se mbeta unë pa gojë.
Nënë Xhevua u nda nga jeta mes dhimbjesh të forta. Por ajo la si trashëgim kujtimet e të atit Ibrahim Selmi. La gjithashtu këngët, vallet, baladat, përrallat, bejtet, rapsoditë, humorin, gjë a gjëzat dhe fjalët e urta. Sa qe gjallë nënë Xhevua këndonte në festa e në dasma një këngë të njohur: Ç’u ngrenë o shokë, ç’u ngrenë/Që në Krahës e Bolenë/Treqind niviciot levendë/Progonat derë më derë/Lekdush ata që qenë/Kërcyen në Tepelenë/Djemtë tanë nizam s’venë.
Njëri nga djemtë e nënë Xhevos, Bujar Murataj, po mbledh nektarin e kujtimeve për nënën e paharruar Xhevon. Ditët e fundit më tregoj se ai kishte qenë tek varri i gjyshit të tij Ibrahim Selimi. Në Krahës kishte takuar më të moçmit, ata që në rini kishin qenë nxënës të Ibrahim Selimit për të cilin Bardhosh Gaçe ka shkruar librin: “Mësuesi atdhetar Ibrahim Selimi”. Vet Bujar Murataj po qëmton lulet e kujtimeve në Krahës dhe Mallakastër. Shpreson që të botoj një libër për nënën e mirë Xhevo Selmi[Murataj].
Është dimër dhe mbi varrin e nënë Xhevos fryjnë erërat e grykës së Povlës. Ata që shkojnë në varreza i kthejnë sytë dhe nga varri ku në mermer është dhe fotografia e nënë Xhevos. Nëna sikur i përshëndet. Në foto të bie në sy shamija e zezë që mbulon gjysmën e ballit. Të dy bishtat e shamisë janë të lidhura pikërisht në mesin e ballit dhe formojnë një trëndafil të zi. Shamia është qefini i grave në Krahës të Tepelenës dhe në Kremenar të Mallakastrës. Është “moda” e zisë e lashtë sa bota.
