Matura Shtetërore 2023 nis zyrtarisht ditën e nesërme me dhënien e provimit të parë të detyruar në lëndën e gjuhës së huaj.
Ekspertët e ngujuar në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit kanë hartuar tashmë përmbajtjen finale të tezës së provimit të gjuhës së huaj që do të zhvillohet në anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, si dhe turqisht (sipas gjuhës që maturantët kanë ndjekur gjatë studimeve të shkollës së mesme).
Autoritetet e QSHA-së u kërkojnë maturantëve që të tregojnë kujdes në ditën e provimit, veçanërisht ndaj zbatimit të rregullave të përcaktuara sa i takon orës së paraqitjes në testim, hyrjes në ambientet e provimit, respektimi të rregullave gjatë plotësimit të testit, si dhe më kryesorja, vëmendja që duhet të tregojnë në verifikimin e testit të marrë nga administruesit e provimit.
Kështu, sapo të merrni testin duhet të verifikoni me kujdes përmbajtjen e tij. “Maturanti dhe kandidati pasi merr testin kontrollon gjendjen e tij fizike (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe, etj), si dhe nëse është i llojit që ka kërkuar në formularin A1 dhe A1Z. Nëse vërehen parregullsi duhet të kërkoni menjëherë një test tjetër nga administratori i provimit, për të cilën duhet të plotësoni dhe firmosni një deklaratë për marrjen e testit të ri”, bëjnë me dije ekspertët e MAS. Është shumë e rëndësishme që ky verifikim të bëhet pa nisur me plotësimin e tezës së provimit.
Lidhur me rregullat e tjera që duhet të zbatoni, specialistët sqarojnë se sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve maturanti duhet të paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara orarit zyrtar të përcaktuar për zhvillimin e testimit. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në 12:30. Me vete duhet të keni detyrimisht mjetin e identifikimit, pa të cilin nuk do të mund të hyni në ambientet e provimit, si dhe stilolapsin e lejuar për plotësimin e testit. Gjatë plotësimit të testit duhet të përdorni stilolaps blu ose të zi. Duhet të mbushni me stilolaps për secilën pyetje rrethin që përfaqëson alternativën që e mendoni të saktë.
Përmbajtja e testit të gjuhës së huaj është hartuar në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor që nxënësi ka ndjekur është trajtuar si gjuhë e huaj e parë dhe niveli i njohurive synohet të jetë B2 sipas “Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët”. Aftësitë gjuhësore që do të vlerësohen në test janë të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar pyetjet e të cilës do të zënë rreth 50 për qind të përmbajtjes së testit, pyetjet rreth përdorimit të drejtë të gjuhës (gramatikës dhe leksikut) që do të zënë rreth 25 për qind të përmbajtjes së testit, si dhe pyetjet rreth të shkruarit që do të përbëjnë 25 për qind të përmbajtjes së tezës së provimit.
Sa i takon skemës së vlerësimit bëhet e ditur se nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Po sipas skemës së përcaktuar në rregulloren e MAS, nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësoheni me 0 pikë. Nuk duhet të përdoret korrektor për ndryshimin e përgjigjeve, pasi këto pyetje do të jenë të palexueshme nga sistemi digjital.
Provimet e Maturës edhe për këtë vit do të zhvillohen vetëm me shkrim. Maturanti/kandidati konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 përqind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.
Ndryshimet e bëra për 2023
Në ndryshim nga maturat e viteve të shkuara, për të pasur një mbarëvajtje sa më të mirë të provimeve për 2023, si dhe për të shmangur abuzimet që mund të bëhen me procesin e administrimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që këtë vit provimet nuk do të zhvillohen me nëpër klasa dhe ambiente të vogla. Për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023, si ambiente provimi janë zgjedhur sallat e mëdha. Mbi 7800 mësues janë angazhuar për të monitoruar provimet e Maturës Shtetërore të cilat këtë vit do të zhvillohen kryesisht në palestra dhe në korridoret e shkollave.
Për provimet e këtij viti është vendosur që të hiqet fleta e përgjigjeve. Kështu maturantët do të mund të plotësojnë përgjigjet e sakta direkt në tezën e provimit dhe jo më në fletën e përgjigjeve, sikundër ka ndodhur deri në maturën e vitit të shkuar. Sipas ekspertëve, është vlerësuar se plotësimi edhe i kësaj flete merr më shumë kohë për maturantët, ndërkohë që shton riskun për më shumë gabime. Duke hequr plotësimin e kësaj flete, maturanti ka më shumë kohë në dispozicion për të bërë plotësimin e duhur të përgjigjes direkt në test.
Për të gjitha provimet, ato të detyruara dhe lëndën me zgjedhje, maturantët do të kenë mundësi që jo vetëm të kërkojnë kopjen e korrigjuar të testit, por edhe të bëjnë rivlerësimin e tij, në rastet kur do të jenë të pakënaqur me notat e marra. Ministria e Arsimit ka vendosur se gjatë Maturës Shtetërore 2023, do të ketë edhe rivlerësim të testeve në rast se maturantët do të konfirmojnë pasaktësi në këtë proces.
Rregullorja 2023\Detyrat dhe të drejtat e maturantit/kandidatit
- Maturanti/kandidati paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit dhe duhet të ketë dokumentin e identifikimit, si dhe mjetet e nevojshme: stilolaps, vizore, kompas, makinë llogaritëse të thjeshtë.
- Maturanti/kandidati pasi merr testin nga AP, kontrollon gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe etj.), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z. Nëse vërehen parregullsi kërkon test tjetër nga AP, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit.
- Maturanti/kandidati plotëson testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu). Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidati rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse maturanti/kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë.
- Maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore vendosen nga QSHA-ja në një mjedis, për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe.
- Maturantëve/kandidatëve me aftësi të kufizuar, vërtetuar me dokumentin përkatës me kërkesën e prindit ose të përfaqësuesit ligjor, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, PAP-i autorizon një prej AP-së, jo të profilit, për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti/kandidati.
- Maturantëve/kandidatëve të paraburgosur u janë siguruar kushtet për zhvillimin normal të provimeve, në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë, pa uniformë dhe pa armë.
- Maturantët/kandidatët, kur e dorëzojnë testin, nënshkruajnë për dorëzimin e tij në listën që disponon AP-ja.
- Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë.
- Maturanti/kandidati, i cili paraqitet në qendrën e provimit dhe/ose konstatohet gjatë provimit me celular përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës.
Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi, kur:
- Paraqitet në qendrën e provimit dhe/ose konstatohet gjatë provimit me celular.
- Ndryshon vendin që i është caktuar.
- Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë.
- Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.
- Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.
Maturantit/kandidatit nuk i njihet rezultati:
- Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si ato të përcaktuara në nenin 26 të kësaj rregulloreje, ose përdor më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit.
- Nëse ka dëmtuar testin (e ka palosur, e ka zhubrosur, e ka grisur, i ka vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuar në procesverbal.
- Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-ja.
- Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
- Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisionet përkatëse, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
