Lista e Studentëve në Serbi ka prezantuar një sërë propozimesh në fushën e punës dhe çështjeve sociale, me synimin për të përmirësuar kushtet e punëtorëve dhe për të forcuar mbrojtjen financiare të pensionistëve, veçanërisht të atyre me të ardhura të ulëta. Ndër propozimet kryesore janë rritja dhe përshtatja më e shpeshtë e pensioneve, vendosja e një pensioni social për personat mbi 65 vjeç që nuk kanë përfituar pension, si dhe ndryshime në orarin e punës dhe pagesën e orëve shtesë.
Sipas programit të prezantuar, pensionet do të përshtateshin dy herë në vit, në mënyrë që rritja e tyre të reflektojë më mirë ndryshimet e çmimeve dhe të të ardhurave. Për pensionistët që marrin pensione të ulëta parashikohet edhe një rritje shtesë prej 5 për qind. Një tjetër masë e propozuar është vendosja e pensionit social për qytetarët mbi 65 vjeç, të cilët nuk kanë përvojë të mjaftueshme pune ose nuk kanë arritur të fitojnë të drejtën për pension.
Programi parashikon gjithashtu që pensionet familjare që janë nën minimumin e përcaktuar me ligj të plotësohen deri në këtë nivel. Për personat që kanë humbur bashkëshortin ose bashkëshorten propozohet një shtesë deri në 15 për qind të pensionit që merrte partneri i ndjerë. Për pensionistët në gjendje të vështirë ekonomike do të ofrohej edhe ndihmë e veçantë financiare nga buxheti i shtetit.
Lehtësime për pensionistët e parakohshëm
Lista e Studentëve propozon edhe ndryshime në sistemin e pensionimit të parakohshëm, duke synuar lehtësimin e penalizimeve për personat me shumë vite përvojë pune. Sipas propozimit, pensionistët që kanë të paktën 42 vite përvojë pune do të përjashtoheshin plotësisht nga penalizimet pasi të mbushnin moshën 65-vjeçare.
Ndërsa personave me 40 deri në më pak se 42 vite përvojë pune do tu përgjysmohej penalizimi pas moshës 65 vjeç, ndërsa ai do të hiqej plotësisht pas moshës 70 vjeç. Në program përfshihen edhe masa për prindërit dhe kujdestarët që përkujdesen për fëmijë ose anëtarë të rritur të familjes që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Për ta parashikohet mundësia e pagesës së kontributeve nga buxheti i shtetit dhe njohja e deri në pesë viteve të stazhit të punës gjatë karrierës.
Javë pune katërditore dhe kufizim i kontratave me afat
Në fushën e të drejtave të punëtorëve, Lista e Studentëve propozon mundësinë e vendosjes së javës katërditore të punës, me gjithsej 32 orë në javë dhe ruajtjen e pagës së plotë në sektorë të caktuar. Megjithatë, kjo nuk do të ishte një detyrim për të gjithë punëdhënësit, por një mundësi për ata që dëshirojnë ta zbatojnë këtë model.
Një tjetër propozim është kufizimi në 12 muaj i kohëzgjatjes së punësimit me kontratë me afat të caktuar. Pas kësaj periudhe, punëdhënësi do të duhej t’i ofronte punonjësit kontratë pa afat. Programi parashikon gjithashtu rritjen e pagesës për orët shtesë, punën gjatë natës dhe punën të dielave, si dhe ndryshime në rregullat për pushimin mjekësor, të drejtat prindërore dhe mbrojtjen sociale.
Duke komentuar këto propozime për Euronews Serbia, Dragan Todorović, kryetar i Shoqatës së Sindikatave të Pavarura të Beogradit, tha se ato përbëjnë një bazë të mirë për përmirësimin e pozitës së punëtorëve, por kërkojnë diskutime të mëtejshme me sindikatat dhe punëdhënësit. Sipas tij, shumica e masave janë në përputhje me kërkesat që sindikatat i kanë parashtruar prej vitesh.
Todorović sqaroi se propozimi për javën katërditore nuk nënkupton detyrimin e kompanive për të shkurtuar orarin e punës, por krijon mundësinë që punëdhënësit ta zbatojnë këtë model nëse e vlerësojnë të përshtatshëm. Ai theksoi se punonjësit në Serbi punojnë mesatarisht rreth 42 orë në javë, ndërsa në Gjermani kjo mesatare, sipas tij, është 36 deri në 37 orë.
Një problem tjetër, sipas tij, është moszbatimi i rregullave ekzistuese të punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe në disa shërbime. Ai vlerëson se punëdhënësit që shkelin ligjin shpesh nuk përballen me pasoja të mjaftueshme, ndërsa kompanitë që respektojnë rregullat gjenden në një pozitë të pafavorshme.
Todorović mbështet edhe propozimin për kufizimin e kontratave me afat të caktuar në 12 muaj. Sipas tij, kjo do të ulte pasigurinë e punonjësve dhe do t’u ofronte atyre më shumë siguri në punësim. Sa i përket rritjes së pagesave për punën jashtë orarit, gjatë natës dhe të dielave, ai theksoi se këto ndryshime duhet të shoqërohen me kontrolle më të forta nga inspektoratet e punës.
Sipas tij, është e nevojshme të rritet numri dhe efikasiteti i inspektorëve, si dhe të ashpërsohen gjobat për punëdhënësit që shkelin ligjin. Ai argumentoi se një gjobë e lartë do t’i detyronte punëdhënësit të mendoheshin më shumë përpara se të shkelnin rregullat, ndërsa përdorimi i teknologjisë mund të ndihmonte në monitorimin më efektiv të zbatimit të ligjit. Po ashtu, Todorović vlerësoi se përmirësimi i kushteve të punës dhe mbrojtja e pensionistëve kërkojnë një marrëveshje më të gjerë shoqërore, ku të përfshihen shteti, punëdhënësit, punëtorët, qytetarët dhe pensionistët.
j.l./ dita
