Kosova kremtoi mbrëmë 18-vjetorin e Pavarësisë së saj, edhe në Romë, në një mjedis tepër të ngrohtë e të përzgjedhur më së miri nga Ambasada e Republikës së Kosovës, për nga eleganca, rëndësia dhe hijeshia. Në fakt, në Grand Hotel Parco dei Principi, ku u organizua mbrëmja, u mblodhën përfaqësues, zyrtarë e diplomatë të institucioneve më të rëndësishme nga e gjithë bota, si dhe anëtarë të komunitetit kosovar e miq të shumtë të vendit.
Mes autoriteteve në sallë ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Tilman J. Fertitta dhe Presidenti i Gjykatës Kushtetuese italiane Giovanni Amoroso, Ambasadori i BE-së pranë Selisë së Shenjtë dhe FAO-s, Sh.T. Martin Selmayr; Kreu i Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Itali, Sh.T. Claudio Casini; Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Sh.S. Majlinda Frangaj dhe shumë personalitete të tjera nga Trupi Diplomatik, të cilët përfaqësonin shtetet mike dhe partnere të Kosovës, ndër të cilat Maltën, San Marinon, Japoninë, Republikën Domenikane, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi etj.
Kosova e re, në praninë e këtyre figurave, që konfirmuan edhe njëherë rëndësinë diplomatike të nismës, si edhe cilësinë e marrëdhënieve të ndërtuara në Itali nga vendi ballkanik, nuk dukej aq e vogël, por përkundrazi, vend i denjë në një Europë të bashkuar.
Pjesa më domethënë e mbrëmjes ishte fjala e Ambasadores Nita Shala, e cila, me pak fjalë, bëri epopenë e vuajtjeve, të sakrificave dhe, më në fund, të shpresave për një të ardhme të begatë, të një populli që ka luftuar deri në pikë të fundit të gjakut për lirinë e mohuar. Sot, ky popull, po punon me përkushtim për ndërtimin e një vendi të zhvilluar, të drejtë e të barabartë për qytetarët e vet.
Performancat muzikore të artistëve kosovarë i dhanë ngohtësi shtëpie mbrëmjes, ndërsa bufeja, e pasur me gatime tipike dhe verëra tradicionale, u ofroi të ftuarve një shije autentike të kulturës gastronomike të vendit.
Më poshtë po japim fjalimin e plotë të Ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, Nita Shala:
Të nderuar të ftuar,
I nderuar President i Gjykatës Kushtetuese, Prof. Giovanni Amoroso,
Përfaqësues të nderuar të institucioneve italiane,
Shkëlqesi, miq të Kosovës, bashkatdhetarë të dashur,
Mirëmbrëma dhe mirë se vini…
Sonte jeni ftuar në festën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe jemi të lumtur të festojmë së bashku lindjen e njërit prej shteteve më të reja në botë. Ka kaluar pak kohë nga ai 17 shkurt i bekuar i vitit 2008 dhe neve, ky vend i ri, që pa dyshim po rritet dhe nuk i ngjan askujt tjetër, na pëlqen shumë. Siç duket, është rasti të themi: “secili me fatin e vet”.
Unë dhe grupi im i punës, jemi krenarë që përfaqësojmë këtë vend të vogël, i cili ndodhet në zemër të Gadishullit Ballkanik. Prania juaj këtu na mbush me gëzim dhe na dëshmon se kemi arritur t’i përballojmë sakrificat dhe sfidat e papërshkrueshme të së kaluarës, falë mbështetjes dhe ndihmës së 121 vendeve mike që e njohin Kosovën si shtet sovran dhe të cilave do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Natyrisht, falënderimet më të përzemërta i shkojnë vendit që po na mirëpret, Italisë, ndihma e së cilës ka qenë vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Italia, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten aleatët tanë më të afërt dhe shpresojmë të jetë sot e mot kështu.
Për ne, Kosova nuk është vetëm “një grusht dheu dhe dy gurë”, por shumë më tepër: është e gjithë jeta jonë dhe e fëmijëve tanë, që sot kanë fatin të lindin dhe të rriten në liri. Është jeta e mohuar e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, vlera e të cilëve është e paçmueshme, sepse u sakrifikuan deri në atë kufi të skajshëm, ku, fjalët, të mposhtura nga dhimbja, nuk arrijnë dot ta përshkruajnë.
Kosova për ne është dinjiteti i munguar i një populli të tërë deri para pak kohësh. Është gjuha e të parëve tanë, e ndaluar dhe e censuruar për shekuj me radhë. Është toka e një populli të guximshëm që nuk ka reshtur së luftuari dhe vazhdon të luftojë për mirëqenien e merituar. Për atë të drejtë që në kohët moderne e marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë — lirinë — duke e menduar si një të mirë të përbashkët.
Por nuk është aspak kështu. Historia na kujton se, në disa raste, liria është një synim që duhet fituar me çdo kusht dhe kur bëhet e vështirë ose pothuajse e pamundur, bëhet më e çmuar se vetë jeta.
Tani po festojmë përvjetorin tonë të tetëmbëdhjetë, me një Kosovë që garanton barazi të të drejtave për të gjithë qytetarët e saj dhe që synon të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian. Pikërisht këto ditë kemi zgjedhur qeverinë e re të Kryeministrit Albin Kurti dhe kjo na garanton një tjetër hap drejt stabilitetit dhe normalitetit të vendit. Punohet vazhdimisht për forcimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Me vendosmëri dhe largpamësi po luftojmë korrupsionin, po promovojmë lirinë e shtypit dhe të mediave dhe kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se zhvillimi ekonomik i vendit po rritet çdo vit e më shumë.
Që nga mesi i vitit 2024, kur modestisht jam ngarkuar të përfaqësoj Republikën e Kosovës në Itali, mund të them me bindje se jam angazhuar për përmirësimin e marrëdhënieve me këtë vend. Italinë e konsiderojmë një nga aleatët tanë më të rëndësishëm. Këtu jetojnë aktualisht rreth 40.000 kosovarë që janë krenaria jonë, sepse me përkushtimin e tyre japin një kontribut të çmuar për shoqërinë në Itali.
Këtu jetojnë edhe Arbëreshët, historia dhe gjaku ynë i përbashkët, me të cilët do të organizojmë Festivalin e Filmit Kosovar në Arbëri, shpresojmë në pranverë… dua të them, shpresojmë në mot të mirë, por nëse kemi arritur të formojmë qeverinë, me siguri do të arrijmë të ndalim edhe shiun.
Me shumë gëzim, po ju njoftoj se, edhe këtë vit, do të përfaqësohemi në Bienalen e Venecias me pavijonin tonë, ku arti, tradita dhe talenti bashkohen, duke shpresuar të përfaqësojmë dhe të afirmojmë artistët tanë bashkëkohorë në arenën ndërkombëtare.
Mund të theksoj gjithashtu marrëveshjen në fushën e administratës publike, marrëveshjen në fushën e drejtësisë, marrëveshjen në bujqësi, në kulturë dhe Paktin e Miqësisë mes dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Romës, për të cilat vazhdojmë të punojmë dhe që do të jenë përparësi e Ambasadës sonë.
Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen e patentave mes dy vendeve tona dheasaj për heqjen e tatimit të dyfishtë, mund të themi më në fund se nevoja për bashkëpunim ekonomik është gjithnjë në rritje.
Prandaj jemi gati të presim me shumë besim ardhjen e sipërmarrësve italianë në Prishtinë dhe gjithashtu rikthimin tonë në Rajonin e Friuli Venezia Giulia, ngjarje për të cilat jam angazhuar personalisht.
Në fund, ju ftoj të vizitoni Kosovën, që shkëlqen me medalje ari në xhudo, dhe të shihni bukurinë natyrore që ofron vendi ynë i vogël, por me një ndjenjë të madhe mikpritjeje.
Duke filluar nga shtatori, falë bashkëpunimit me Aeroportin e Romës, do të jetë edhe më e lehtë, sepse do të nisin fluturimet direkte nga Roma në Prishtinë dhe anasjelltas.
Ju ftoj tani të ngremë të gjithë së bashku një dolli për Republikën e Kosovës.
Rroftë Kosova — dhe rroftë miqësia mes Kosovës dhe Italisë.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S. Znj. Nita Shala
Romë, 17 shkurt 2026
