Hajredin Isufi
Fundi i Luftës së Parë Botërore, trajtimi dhe sanksionimi i rikonfigurimit të hartës së re politike të Europës nga ana e Konferencës së Paqes së Parisit, risolli sërish përpara shqiptarëve ankthet dhe dilemat e mëdha se ç’do të bëhej me të ardhmen e tyre politike. Si shprehëse e mendimit të gjerë publik dhe e grupeve përparimtare shqiptare, gazeta Populli, shkruante në atë kohe se ndërsa qarqet zyrtare shoviniste jugosllave e greke do të donin t’i hiqnin ndonjë këmbë ose dorë Shqipërisë, Italia imperialiste “do që ta marrim në shpinë”. (G. Shpuza. Pikëpamjet politike e shoqërore të gazetës «Populli» (1919-1920) në: Kongresi i Lushnjës e Lufta e Vlorës, Tiranë, 1974, f. 65.)
Lëvizjes dhe kundërshtimit brenda vendit, të cilëve iu bashkuan edhe komunitetet e tyre jashtë. Në drejtim të Konferencës së Paqes dhe qeverive të Fuqive të Mëdha niseshin kërkesa, protesta, letra, telegrame etj. Paralelisht në Paris kishin mbërritur delegacionet zyrtare nga Shqipëria si dhe delegacione të kolonive shqiptare nga SHBA, Rumania, Turqia etj. Ndodheshin dhe vepronin me aq sa mundnin Imzot Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Turhan Pasha, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Lef Nosi, Mehmet Konica, Dhimitër Berati etj. Gazeta “Albania” e dates 6 shkurt 1919, njoftonte se prej 24 janarit 1919, ishte në Paris edhe një delegacion në përbërjen e të cilit bënin pjesë disa nga figurat e njohura çame në SHBA, si Beqo Izet Kushi nga Spatari i Filatit, Isuf Hyseni nga Gumenica, Omer Bako nga Paramithia e të tjerë. Në listen e pjesëmarrësve të Konferencës së Paqes nuk figuronte asnjë prej tyre.
Delegacioni i qeverisë së Lushnjës theksonte se pavarësia e Shqipërisë, e njohur nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, nuk mund të vihej në diskutim. Territoret e shkëputura me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Ambasadorëve të Londrës duheshin rikthyer.
Përfaqësuesit çamë i drejtuan një telegram, baronit Sonino, kryetarit të delegacionit japonez Saionji Kinmochi, kryetarit të Konferencës së Paqes Klemansonit dhe kryeministrit britanik Lloyd Xhorxhi, nëpërmjet të cilit shprehnin dëshirën e palëkundur të bashkimit të Çamërisë me Shqipërinë. Kërkonin gjithashtu dëmshpërblim për fshatrat e djegura nga grekët në Shqipërinë e jugut.
Në ato kohë shihej qartë se në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme rol me rëndësi do të kishte qëndrimi i Uashingtonit. Prandaj aty fokusoheshin më së shumti edhe përpjekjet e shqiptarëve, të cilat duket se patën ndikimin e vet. E pohon këtë historiani italian Pietro Pastoreli, një ndër njohësit e mirë të kësaj periudhe. Ai shkruan se “Shtetet e Bashkuara ishin të parët, që e kuptuan se në këtë vend diçka kishte ndryshuar”.(P. Pastoreli, L’Albania nella politica estera itatiana 1914-1920, Napoli, 1970, p. f. 259.)
Për sensibilizimin e qarqeve më të larta të politikës ndërkombëtare delegacioni i qeverisë së Durrësit, në gushtin e vitit 1919, i kërkoi kryetarit të Senatit të SHBA dhe senatorëve Lodge dhe Hitchcock, mbështetje për të drejtat e popullit shqiptar, për vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e kufijve të tij. Delegacioni thoshte se “britma fatkeqe e popullit shqiptar është mbytur nga imperializmi i fuqishëm i fqinjëve të saj. Shqiptarët i kanë ngulur sytë tek Amerika dhe shpresojnë se sërish ajo do t’i shpëtojë. Të gjithë shqiptarët pëlqejnë mbështetjen amerikane që t’i orientojë në jetën e tyre politike. Në emër të popullit martir, delegacioni shqiptar iu lutet të ngrini zërin tuaj që të shpëtoni vendin nga katastrofa dhe të siguroni pavarësinë e saj”. Interesant ishte largpamësia për ta hedhur vështrimin drejt Amerikës për mbështetje politike. Disa nga qarqet politike shqiptare, shpëtimin e vendit e gjenin te zyrtarizimi juridiko-ndërkombëtar i një pranie permanente amerikane në Shqipëri, nëpërmjet vendosjes së saj nën mandatin e ShBA, me anën e organizimit të një plebishiti. Do të shmangej kështu mandati i Italisë që konsiderohej si sundim i mirëfilltë. Preferohej për shkak se gjeografikisht ndodhej shumë larg, nuk paraqiste rreziqe dhe konsiderohej fuqi e madhe prestigjioze, që ishte prezantuar si dashamirëse e shqiptarëve. Kërkesa ju paraqit Uillsonit nga Turhan Pasha, në 7 mars 1919. (Muin Çami, “Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar 1918-1920”,vëll.I, – Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2020, f 129-130).
Interesimi, përpjekjet dhe lufta e vendosur e patriotëve shqiptarë drejtoheshin në çdo skaj të mundësive, mjafton që të dallohej një reze shprese se do të shpëtohej atdheu. Është shkruar për takime ose përcjellje mesazhesh në drejtim të Uudrou Uillsonit, presidentit amerikan të asaj kohe. Midis tyre është folur gjatë për takimin e Fan Nolit me të shoqen e Uillsonit dhe me vetë presidentin. I takoi më 4 korrik 1918, në bordin e jahtit presidencial Myflower, duke lundruar nëpër lumin Potomac. Takimin e përshkruan vetë Noli, i cili thotë se ka shkëmbyer bisedën e mëposhtme: “Zonjë, Shqiptarët më kanë porositur që t’ju lutem të kujtoni Shqipërinë, një vënt aq i varfër, pa miq dhe pa nonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj.” “Po, më thotë. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjika e të tjerat.” “Situata jonë zonjë, i thashë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar.” Noli, vazhdon duke thënë se Presidenti Wilson, i cili po fjalosej me një dipllomat afër neve, u kthye dhe më thotë: “Me të vërtetë është shumë e koklavitur.” Atëherë unë mora kuxim dhe i thashë: “E vetmja shpresë për Shqiptarët është Amerika dhe ju, z. President.” “Unë, u-përgjegj ay, do të kem vetëm një zë në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.” (Noli, vepra 6, 1996, f.154,287; Studime historike, nr 2, 1984, fq 92. Nasho Jorgaqi, Fan S. Noli, Ndriçim Kulla,- Noli-Wilson, takimi historik për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, KultPlus.com 4 korrik, 2021).
Një tjetër figure e shquar e kohës ishte Kristo Dakua, i cili në emër të Partisë Politike, u ndodh në Paris, në fundin e vitit 1918. (A.Q.SH, Fondi Stefan Qirjako, v.1918, d.10 f 28). Në tetor ai u takua me ekipin që do të shoqëronte presidentin Uillson në Paris dhe përfitoi për të evidentuar padrejtësitë historike që i ishin bërë shqiptarëve dhe veçanërisht popullit të Kosovës dhe Çamërisë. Kërkoi që parimi i vetëvendosjes, i shpallur nga presidenti Willson, të gjente zbatim edhe për tokat dhe popullsitë shqiptare që ishin lënë jashtë kufijve të shtetit amë.
Shqiptarët vërenin me shqetësim se po zinin vend shpifjet dhe të pavërtetat e përhapura nga ana e delegacionit grek në mjediset e ndryshme të Konferencës. Ai këmbëngulte që të pranohej teza se të gjithë ortodoksët shqiptarë në Shqipërinë e jugut ishin grekë me ndergjegje greke, kurse shqiptarët myslimanë kishin ndërgjegje turke. Venezellosi, në fjelën e tij mbajtur në Konferencë më 3 shkurt 1919, deklaroi se për të as raca, as gjuha, as kafka nuk percaktonin kombësinë por vetëm ndërgjegjja kombëtare. (Greece at the Paris Peace Conference (1919)/ N. Petsalis-Diomidis. Thessaloniki, Greece: Institute for Balkan Studies, 1978, f. 136).
Delegacioni shqiptar vërente me keqardhje se Konferenca e Paqes nuk po merrte parasysh asnjë kërkesë të rretheve patriotike të Çamërisë dhe të delegacionit shqiptar. Në këto rrethana, Rasih Dino, fëmija i tretë i Abedin Pashë Dinos, nga një derë e madhe e Çamërisë, i caktuar si përfaqësues i shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, i Federatës Ndërshqiptare “Vatra” dhe i shoqërisë “Çamëria” ne SH.B.A. i dërgoi nga Gjeneva Këshillit të Ministrave të Italisë një telegram, në të cilën kërkonte që qeveria Italiane të hiqte dorë prej lakmive të saj për Vlorën dhe të ndihmonte në rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në kthimin e krahinës së Çamërisë dhe Kosovës. Shoqëria “Çamëria” në Amerikë e caktoi si përfaqësues të popullsisë çame në Konferencën e Paqës në Paris.
Rasih Bej Dino ishte arsimuar në universitetet më të dëgjuara të kohës. Përveç gjuhës amtare, gjuhës shqipe, ai njihte edhe gjuhët turqisht, greqisht dhe frengjisht. Dallohej me karakterin e tij të fortë për mirësjellje dhe bujari. U nderua prej qeverisë perandorake dhe shumë shpejt u bë antar i këshillit të doganave. Njihte mjaft mirë problemet e Çamërisë. Kishte dhënë kontribute të mëdha nëpërmjet investimeve për hapjen e shkollave shqipe e zhvillimit të arsimit të arsimit kombëtar në Çamëri në vitet 1908-1910. Rasih Dino spikati edhe si diplomat i shquar. Në janarin e vitit 1913, Ismail Qemali, e bëri pjesë dhe kryetar të delegacionit shqiptar të Qeverisë së Vlorës, të mandatuar për të udhëtuar drejt Londrës, që të mbronte të drejtat e nëpërkëmbura të Shqipërisë së saposhpallur shtet i pavarur.
Misioni i Rasih Bej Dinos për të shkuar si përfaqësues i Çamërisë në Paris u pengua, çka krijoi reagime e protesta të forta të shoqatës Çamëria. Drejtuesi i saj Velup Demi (????), kryetar i shoqatës çame dhe Jasin Isufi sekretar i tij nga qyteti i Filatit iu drejtuan kryeministrit italian duke i kërkuar që Rasih Bej Dino të mos pengohej nga Roma për të shkuar drejt kryeqytetit të Francës, në Paris (gazeta Albania, 7 gusht 1919). Jo vetëm Italia, por edhe Fuqitë e tjera nuk ishin të interesuara për të lejuar Dinon të shkonte në Paris për të shtruar në Konferencën e Paqes problemin çam.
Lejla Rasih Dino lindi në Stamboll në vitin 1893 dhe vdiq në vendlindjen e saj 1963. Ishte fëmija i tretë i Rasih Dinos, sipas informacioneve që kemi Qemal Ataturku e respektonte shumë. Në vitin 1919 ajo themeloi në Gjenevë “Këshillin e Grave” shqiptare ne diasporë dhe u zgjodh kryetare e shoqatës së grave.
Kishte një kulturë të gjerë, njohëse e disa gjuhëve dhe kishte krijuar lidhje me gratë personalitete të kohës.
Ishte me martuar me mikun më të ngushtë të Qemal Ataturkut, me Zuhubi Nuri Bej Ileri dhe në vitin 1920 u lindi i biri në Gjenevë, Rahsi Nuri Iler.
Ai u bë një prej shkrimtarëve e politikanët mjaft të njohur të periudhës së tij.
Lejla Dino (Ileri) 1893-1966, i drejtohet Uillsonit, kësaj figure qendrore të politikës botërore dhe i kërkon mbrojtjën e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë në veçanti.
Është shkruar edhe më pare për demarshin e saj, (Shih, Ja çfarë i shkruante zonja nga Çamëria, Presidentit Wilson – Illyria, https://tetovanews.info 2018/02)
Ajo shfrytëzoi njohjen me Edith (Galt) Willson, gruan e dytë të presidentit, Woodrow Willson, zonjën e parë tëe Shteteve të Bashkuara, nga viti 1915 deri në 1921. Nëpërmjet një letre, i parashtron kërkesat e popullit shqiptar të mohuara prej grabitqarëve. Për t’i dhënë pa ndërhyrje, komente ose interpretime, idetë e letrës, po e japim të plotë, siç e kemi gjetur në gazetën “Albania”, Worcester 20 nëntor 1919.
Lejla Rahsi Dino (1893-1963)
“Zonjë,
Mund të më jepet leje t’u drejtonj këtë thirrje në emër të Komitetit Kombëtar të zonjave shqiptarka, i të cilit kam nderin të jem Kryetare. Nga ana e Komitetit të përmendur u lutem të përdorni fuqitë tuaj të mëdha, në lutje të Z.Wilson, shoqit tuaj të nderuar, për të përdorur infiuencën e tij në interesin e atdheut tonë të dashur Shqipërisë. Të Shqipërisë, e cila ndihmoi për të penguar invadimin Turk në Europë dhe të ruajë interesat e Krishtërimit.
Hidhërimet e tmershme dhe mizoria që mëmat shqiptarka, gratë dhe bijat duruan, duke parë gjakun e të dhëmshurve të tyre të rrëkëllehet nënë zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë, natyrisht, për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t’na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur.
Ne këtë çast shtetet fqinjë të Shqipërisë duan të aneksojnë disa troje të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh independencën tone politike, p0 jemi të sigurtë se lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj këto giëra nuk do të bëhen dot, dhe se do te kemi per se afermi independencen tone të plote, me anen e se ciles do të marrin fund vuajtjet tona.
Qindra mijera prej punëtorëve shqiptarë, të cilat u shtrënguan të lenë shtepitë e tyre dhe të refugohen në Amerikën tuaj të lirë, shpresojnë nxehtësisht se atdheu i parë i tyre, provincat e Kosovës e të Çamërisë, të cilat u ndanë pa drejtësisht nga Shqipëria më 1913 në Konferencën e
Londrës dhe për të cilat qytetarë Amerikanë të ndershim kanë dëshmuar që janë vënde shqipëtare të pa kundērshtuara, do të lirohen me ndihmën tuaj prej pushtimit Greko-Serbe dhe do të ribashkohen me atdheun tyre. Si e vetëmja shkollare e një kolegji Amerikan, ndjehem e bindur se
Amerika e lirë dhe independente, nukë do të pranojë kurrë, që kombi ynë trim, i cili ka kaqë etje për liri, të mbetet nënë zgjedhë të huajë dhe t’i mohohet e drejta e independencës së tij.
(Nenëshkruar)
Zonjëza Leila Dino
Kryetare e Komitetit Shqiptar të Grave.
Në këto çaste, shtetet fqinjë të Shqipërisë duan t’i aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike. Por jemi të sigurtë se Lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj këto gjëra nuk do të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi indipendencën tonë me anën e së cilës do të marrin fund vuajtjet tona….
Qindra, mijëra prej punëtoreve shqiptarë, të cilët u shtrënguan të lënë shtëpitë e tyre dhe të refugohen në Ameriken tuaj të lire, shpresojnë nxehtësisht se Atdheu i parë i tyre, provincat e Kosovës dhe e Çamerisë, të cilët u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria me 1913…do të lirohen…” (Publikuar ne Albania, 1 Janar 1919)
Lajlaja iu drejtua Presidentit Wilson nëpërmjet të shoqes së tij, sepse kur ai ishte në Europe, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua papritmas. Prandaj, me sa duket nuk pati një reagim a një përgjigje zyrtare.
Ndërkohë, Edith u angazhua me përkushtim ndaj të shoqit, duke marrë përsipër e duke përmbushur edhe detyra presidenciale, sa që e kanë konsideruar një presidente të pashpallur, që vepronte në prapaskenë. Ajo e ndihmonte fuqimisht të shoqin, për të përmbushur idetë dhe dëshirën e tij për krijimin e një organizate politike ndërkombëtare, e cila do të garantonte ruajtjen e Paqës në Botë dhe që u quajt Lidhja e Kombeve.
lavdi revolucionit të tetorit dhe leninit që bënë publik traktatin e fsheht të londrës dhe shpëtuan shqipërin nga copëtimi i sigurtë.
poshtë imperializmi amerikan i cili shtiret sikur wilsoni donte të mbronte shqipërin kur TFL ishte bër publik me koh nga lenini dhe aq von pastaj, kur e kuptoi që ishte shum von, bëri sikur mbrojti shqipërin dhe tani të tër budallenjt pseudointelektualët i mbajn ison amerikës se gjoja shpëtoi shqipërin.
pse , ju mendoni se usa nuk e dinte për TFL?