Nga Ksenofon KRISAFI
Më 17 qershor 1924, niseshin nga Tirana në drejtim të Parisit, Londrës, Romës, Beogradit dhe Athinës 5 telegrame disi të veçantë. Iu drejtoheshin kryeministrave Herio, Makdonald, Musolin, Pashiç dhe Papanastasiu. Dërgues ishte Fan Noli, i cili iu bënte të ditur se Këshilli i Lartë i Regjencës shqiptare, e kishte ngarkuar të formonte “qeverinë e re liberale”. Ajo, konkludonte ai, do t’i jepte Shqipërisë një administratë moderne e demokratike.
Dy ditë më vonë i njëjti iu përcoll edhe Sekretarit të Lidhjes së Kombeve, Erich Drymond si dhe qeverive të tjera. Nuk ishin njoftime të thjeshta. Ishin gjithashtu kërkesë për njohjen zyrtare të një qeverie që kishte ardhur në fuqi pak ditë më parë, nëpërmjet një ngjarjeje që ka hyrë në historinë shqiptare me emrin, Revolucioni i Qershorit.
Në krye ishte Fan Noli, një nga personalitetet më të shquara të Botës shqiptare. Me profilin e vet të spikatur si atdhetar, me shkëlqimin si politikan e diplomat, si personalitet poliedrik me horizont të gjerë, me koncepte dhe sjellje të konsoliduara demokratike, bëri epokë dhe i dha emrin e vet kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Ai drejtohej kundër shtypjes feudale vendase dhe ndërhyrjes së kapitalit të huaj, kërkonte mbrojtjen e interesave kombëtare, ekonomike, shoqërore, kulturore etj si dhe për demokratizimin e shoqërisë shqiptare etj.
***
Përse Noli, ndryshe nga pararendësit e tij në krye të qeverive shqiptare, shtronte çështjen e njohjes ndërkombëtare? Nga ana tjetër përse duhej që shtetet dhe qeveritë e tjera të shpreheshin, të jepnin ose jo pëlqimin për çka ndodhte në Shqipëri?
Shpjegimin e jep doktrina juridiko-ndërkombëtare, ku argumentohet se kërkimi i njohjes është nder veprimet e para të politikës së jashtme të çdo shteti të shfaqur rishtaz dhe të çdo qeverie të tij të parë ose të qeverive që alternohen nëpërmjet ndryshimeve jo kushtetuese, siç mund të jenë revolucioni, kryengritja, grushti i shtetit, puçi ushtarak etj.
Në varësi të disa faktorëve, si fjala vjen rrethanat me të cilat shoqërohen ndryshimet, numri i shteteve që shprehen, koha kur ndërmerret akti i njohjes etj, ka njohje de facto dhe de jure, individuale dhe kolektive, të përshpejtur dhe të vonuar, të kushtëzuar dhe të pakushtëzuar, të shprehur dhe të nënkuptuar etj. Një pjesë e tyre janë zbatuar edhe gjatë ndryshimeve politiko-institucionale të realizuara në trojet shqiptare gjatë një periudhe gati 110 vjeçare.
Në qershorin e 1924, rrotacioni politik u bë me revolucion dhe bashkësia ndërkombëtare ishte e interesuar, sepse në Shqipëri mund të kishte shtetas dhe kapitale të huaja, të cilat mund të rrezikoheshin nga politikat që do të ndiqnin ata që kishin ardhur në pushtet. Qeveria do ta merrte njohjen nëse tek të huajt do të krijohej bindja se përfaqësonte vullnetin e shumicës së popullit, kishte gatishmëri dhe jepte garanci për të respekuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, jepte shpresë se do të arrinte ta shtrinte pushtetin në të gjithë ose së paku në shumicën e territorit të vendit etj.
Për legjitimitetin e saj do të kishte rëndësi sidomos pranimi nga faktori i jashtëm. Nëse nuk do të njihej do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, të vazhdonte ekzistencën normale dhe të hynte në marrëdhënie me qeveritë e shteteve të tjerë, të përmbushte detyrimet ndërkombëtare që të gëzonte të drejtat respektive.
Ajo ishte qeveria e dytë, ndër 12 që ishin ndërruar në Shqipëri, në më pak se 4 vjet e gjysmë, prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore, e cila mund të vepronte vetëm nëse merrte njohjen ndërkombëtare. E para ishte ajo që u formua nga Kongresi i Lushnjës.
**”
Siç u tha, Noli e shtroi vetë çështjen e njohjes, me anë të përçapjeve zyrtare që bëri pranë qeverive të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve fqinje. Këtë e shoqëroi edhe me furnizimin e provave dhe argumenteve për t’iu mbushur mëndjen të tjerëve se qeveria e tij dhe Shqipëria që ajo përfaqësonte, meritonin të merreshin në konsideratë. Por, siç ndodh rëndom, në këto raste prevalojnë simpatitë ose antipatitë politike.
Sjelljet e të huajve ndaj qeverisë shqiptare të 1924, u karakterizuan nga qëndrime politike, përgjithësisht nihiliste dhe antishqiptare. Një nga pretekstet e përdorura ishte se qeveria shqiptare punonte për llogari të të tjerëve, kundër interesave të fqinjëve. Përkundër tyre, Noli deklaronte se “qeveria e sotme shqiptare nuk do të punonte për llogari të tjerëve, por vetëm të popullit të vet”. “Shqipëria si një vend i vogël që është as që mund të ketë qëllime agresive kundrejt fqinjëve të saj. Ajo është edhe moralisht (shpirtërisht) edhe materialisht e çarmatosur. Asaj i duhet vetëm qetësi”.
Për të afirmuar dëshirën për fqinjësi të mirë ai përsëriste projektin e themelimit të një Konfederate Ballkanike, ose të një “entente cordiale” në Ballkan, nën shembullin e Antantës Kordiale të LPB. Për këtë propozonte një takim të kryeministrave të gadishullit, ku të vendosej heqja dorë nga lufta. Shqiptarët, thoshte Noli, do të “bashkëpunojnë për qetësinë dhe përparimin e të gjithë shteteve ballkanike”. Dëshirën e Shqipërisë për të bashkëpunuar me fqinjët, e argumentonte ndër të tjera edhe me ekzistencën e minoriteteve si një element përbashkues.
Shqipëria kishte të tilla në të gjitha shtetet fqinjë. Kishte minoritete të huaja edhe në territorin e saj. Noli bënte thirrje për t’i parë dhe trajtuar ato si ura për marrëveshje. Me këtë rast kujtonte se Shqipëria ishte ndër ato vende që ishte detyruar t’iu nënshtrohej vendimeve të Fuqive, që lanë “më tepër shqiptarë jashtë sesa brenda kufijve të Shqipërisë”.
E trajtonte këtë çështje për të krijuar bindje te fqinjët se njohja e qeverisë së tij nuk iu duhej vetëm shqiptarëve, por edhe fqinjëve, paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan.
Pavarësisht qëndrimeve refuzuese ose edhe armiqësore të qeverive të tjera, Noli nuk pushoi asnjëherë që të insistonte pranë pothuajse të gjitha qeverive fqinje ose të fuqive të mëdha.
***
Qëndrimet ndaj qeverisë së Nolit në fillim u karakterizuan nga njëlloj konfuzioni, ku u dallua se pothuajse të gjitha qeveritë, të cilave ai iu drejtua, thanë ose lanë të kuptohej se e kishin njohur qeverinë e tij. Por këto pohime, të formuluara me zbehtësinë tipike të fshehjes të së vërtetës, iu drejtoheshin vetëm përfaqësuesve shqiptarë, kurse me vetveten dhe me njëri tjetrin ata shpreheshin me formulime që nënkuptonin mosnjohjen.
Atë çka ishte projektuar dhe pritej të ndodhte në raportet e të tjerëve me qeverinë e Nolit, e jep në mënyrë koncize, ministri amerikan në Tiranë, Grant-Smith, në njoftimin për Departamentin e shtetit, të 19 qershorit 1924. Thotë shprehimisht se “italianët dëshirojnë që regjimi aktual të mbështetet, nëse legjitimohet, ministri Britanik…, është shprehur hapur kundër njohjes, kolegu francez pranon me vështirësi legalitetin e regjimit dhe shpreh dyshime për stabilitetin e tij, ndërsa serbët e grekët presin rrëzimin e regjimit, por jo hapur”.
Kapakun gjithëçkaje ia vë kur Nolin e cilëson si “kryeministër të shpallur” dhe “regjimin akual një minorance në Parlament, që ka fituar pushtetin me forcën e armëve dhe nuk vlerësohet si qeveri e ligjshme deri sa të marrë votbesimin e Asamblesë Kombetare apo deri sa të bëhen zgjedhje të reja politike”.
***
E para nga fqinjët me të cilën Noli nisi përçapjet fillestare, vinte Italia, sepse në atë kohë midis dy vendeve nuk kishte probleme emergjente konkrete, të pazgjidhura. Megjithëse, dihet mirë se qëndrimi tradicional i Italisë përkundrejt Shqipërisë ka qenë kushtëzuar nga fakti që ajo shihej si quinta sponda. Lakmohej për pozitën gjeostrategjike, pasuritë e shumta të mbi e nëntokës dhe si kryeurë për depërtim në Ballkan e më tej. Musolini kërkonte të zyrtarizonte me një akt bilateral pozitën e veçantë të njëlloj protektori, që i ishte njohur Italisë, nëpërmjet vendimit të 9 nëntorit 1921, të Konferencës së Ambasadorëve të Parisit.
Ai inistonte që “Italia (të) lidhej me Shqipërinë me një pakt të veçantë miqësie”, çka nuk u pranua nga Noli, i cili ishte një shtetar atdhetar i pakorruptueshëm. Prandaj, nuk iu dha njohja nga Italia.
I njëjtë do të ishte edhe qëndrimi i Greqisë edhe pse ministri amerikan në Tiranë, Grant-Smith, në raportin e 2 korrikut 1924, drejtuar Uashingtonit, shkruante se “Greqia ishte vendi i vetem qe e kishte njohur pa asnje kusht qeverine e Fan Nolit”. Megjithë premtimet dhe interpretimet e deklarimeve greke, në fund të fundit Noli nuk e mori dot njohjen e Athinës.
Qëndrimi i Beogradit ishte i kompromentuar dhe i paracaktuar që në fillim.
Në Jugosllavi, ku kishte gjetur strehë, kundërshtari i tij, Zogu, u përgatit komploti ndërkombëtar që çoi më së fundi, në dhjetor 1924, në rrëzimin e qeverisë demokratike. Është për këtë arsye që, në fillim heshturazi, dhe pastaj gjithmonë e më hapur, ajo refuzoi njohjen e qeverisë së re shqiptare.
Një qëndrim gati identik me atë të vendeve të tjerë adoptoi edhe Franca, megjithëse të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Paris, në fund të qershorit 1924, Ke d’Orsej, i tha se çështja e njohjes duhet të konsiderohej e zgjidhur pozitivisht nga telegrami i Heriosë për Nolin, qëndrim që u përsërit edhe në një takim të Mehmet Konicës në Ministrinë e Jashtme, në fillim të gushtit. Por, gjykuar nga mendime të shkëmbyera më vonë, rezultonte se edhe Franca nuk e kishte njohur në thelb Nolin.
Britania e Madhe e kishte ndërtuar strategjinë e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe doemos edhe me Nolin, mbi bazën e marrjes së koncensionit të shfrytëzimit të naftës e gazit shqiptar si dhe të pasurive të tjera minerale shqiptare. Por, krejt ndryshe nga sa pritej, konkretizimi i kësaj mundësie po vinte në pikëpyetje ecurinë e marrëdhënieve shqiptaro-britanike. Jehona dhe gjurmët e padurimit britanik dhe ndikimet e tensionit bënë që të përfundonin pa sukses përpjekjet e Nolit për zhvillime pozitive me Britaninë e Madhe, përfshirë edhe takimin e tij me kryeministrin britanik, Makdonald, në Gjenevë.
Në këtë rrugë kishin ecur edhe demarshet për marrëdhëniet me SHBA. Nisur nga perspektiva e mungesës së garancive për jetëgjatësinë e qeverisjes, në infomacionin që Smith i dërgonte Departamentit, më 10 tetor 1924, vlerësonte se “nuk ka ndonjë përmirësim në situatën e dobët të pozitës së kreut të qeverisë e kabinetit qeveritar të Shqipërisë.” I deziluzionuar nga tabloja problematike shqiptare, entusiazmi i tij i mëparshëm, shprehur në kërkesën për të vazhduar kontaktetet me qeverisjen e re të Imzot Nolit, kalon në anën tjetër, sugjeronte se: “Nuk besoj që i shërben interesave amerikane të mbahen marrëdhënie zyrtare me regjimin…”.
E vetmja që iu përgjigj pozitivisht Nolit, ishte qeveria sovjetike, me të cilën u zhvilluan kontakte në distance dhe nga afër dhe që çuan në njohjen e qeverisë, madje edhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Por ky hap, i ndërmarrë më shumë si përpjekje për të çarë izolimin diplomatik, në vend që të shërbente për mirë, bëri të kundërtën. U bë shkak i një zhurme të madhe kundër qeverisë, e cila u akuzua si bolshevike, e kuqe, që po e shndërronte Shqipërinë në një vatër të rrezikshme komuniste në Ballkan. E vërteta është se kontaktet për njohje kishin nisur nga qeveri e Zogut, në fundin e 1922 dhe fillimin e 1923.
***
Noli nuk ishte dhe nuk mund të ishte kundër bashkëpunimit ndërkombëtar. Sepse e dinte shumë mirë që ai iu shërbente mbrojtjes së interesave kombëtare, zhvillimit racional të pasurive të vendit, prosperitetit ekonomik, shoqëror, kulturor etj. E kishte të qartë dhe e vlerësonte rolin e faktorit të jashtëm, por ndryshe nga të tjerët ai ishte tërësisht i çliruar nga ambicjet e mbajtjes së pushtetit me çmimin e sakrifikimit të interesave të vendit, nëpërmjet cedimeve territoriale apo dhënies së koncensioneve për shfrytëzimin e pasurive të vendit në dëm të shqiptarëve.
Prandaj, iu kushtoi vëmendje të veçantë politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por mbi bazën e respektimit të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe jo pazareve të paprincipta. Noli arriti për herë të parë ta prezantonte Shqipërinë me një politikë të jashtme të pavarur, me një origjinalitet dhe individualitet që e dallonte nga qeveritë e mëparshme.
***
Ka disa shkaqe se përse Noli nuk e mori njohjen ndërkombëtare të qeverisë së kryesuar prej tij.
Disa prej tyre lidhen me personalitetin e tij. Për ta kuptuar duhet zbritur së paku 4 vjet më parë, atëhere, kur ai, në krye të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, sipas porosive ose orientimeve të qeverisë, iu bëri të qartë të gjithëve, se shqiptarët rivendikonin me të drejtë vendin e tyre të merituar në bashkësinë e shteteve, si shtet sovran e i pavarur. Kundërshtoi me argumente kërkesën e fqinjëve dhe të disa prej Fuqive të Mëdha të kohës që insistonin për t’iu rikthyer shqyrtimit nga e para të çështjes shqiptare, sepse dallonte që synimi ishte zhdukja e Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe cedimi i territoreve te fqinjët. Ajo për shqiptarët konsiderohej e zgjidhur rreth 10 vjet më parë edhe pse në mënyrë të padrejtë edhe pse Shqipëria kishte dalë nga lufta botërore e ngarkuar me hipoteka të rënda për të ardhmen e saj.
Ato i ishin vendosur nga faktori ndërkombëtar me insistimin e fqinjëve, Italisë, Greqisë dhe Serbisë. Për fqinjët kjo çështje figuronte ende në rendin e ditës.
Ata që ishin në krye të fqinjëve nuk besonin se Noli, që ishte treguar veçanërisht parimor dhe atdhetar i flaktë dhe kishte hedhur poshtë me vendosmëri gjithë pretendimet e fqinjëve, do të kishte ndryshuar dhe do të pranonte të vihej në shërbim të tyre. U duk në bisedimet e tij me kreun e qeverisë italiane, Musolinin, i cili u tërhoq nga fjala e dhënë për njohjen e qeverisë shqiptare, kur vuri re intransigjencën e Nolit për të mos pranuar kërkesat e tij. Nuk shpresonin asgjë të mirë prej tij as Greqia dhe Serbia, përfaqësuesit e të cilave ishin ndeshur dhëmb për dhëmb me të në organet e Lidhjes së Kombeve, gjatë shqyrtimit të çështjes së kufijve shqiptaro-grekë dhe shqiptaro-serbë e shqiptaro-malazezë. Pra, çështja nuk kishte të bënte vetëm me Nolin, por me aspiratat e tyre për ndarjen e Shqipërisë midis tyre.
Ky ishte motivi determinues që nuk i hapi dyert e Athinës, Romës, Beogradit dhe Cetnjës për Nolin.
Për fat të keq ky qëndrim u adoptua edhe nga fuqitë e mëdha, të cilat, gjithashtu, qëndruan pothuajse refraktare ndaj kërkesave për njohje nga ana e qeverisë revolucionare shqiptare të Nolit. Nuk përjashtohet që përveç arsyeve që lidheshin me interesat e tyre individuale ekonomike, politike, gjeostrategjike etj, të ketë ndikuar edhe frika e shndërrimit të shembullit shqiptar në një precedent revolucionar. Mund të mos përjashtohet gjithashtu edhe ndikimi i tratativave të nisura midis qeverisë së tij dhe asaj sovjetike për njohje reciproke, arsye për të cilat Nolit i kishin shtuar epitetet “i kuq”, bolshevik, komunist etj. Por, siç u tha, ato nuk kishin të bënin me Nolin, kishin nisur pothuajse dy vjet më parë.
Është renditur gjithashtu si pretekst formal kontestimi i legjitimitetit të qeverisë, Noli shihej si një “kryeministër i shpallur”, që e kishte fituar pushtetin me forcën e armëve.
Ky opinion, i vështruar në optikën e të drejtës ndërkombëtare dhe praktikës së deriatëhershme, nuk gjente mbështetje. Sepse ka pasur jo pak raste ndryshimesh qeveritare jo kushtetuese, që janë pranuar dhe qeveritë e ardhura prej tyre janë njohur. Njëra ishte qeveria bullgare, që kishte ardhur në fuqi, një vit para qeverisë së Nolit, në qershor 1923, pas grushtit të shtetit që shkaktoi disa mijëra viktima. Dhe megjithatë u njoh 5 ditë pas masakrës, ku u vra edhe vetë kryeministri. Në Shqipëri “revolucioni i qershorit 1924”, nuk u shoqërua me viktima.
***
Gjatë periudhës gjashtëmujore të qëndrimit të Nolit në krye të qeverisë, ai, “bëri mjaft, por arriti pak”, siç ka thënë prof. A. Puto, në monografinë e tij të shkëlqyer për “Demokracinë e rrethuar” të Nolit. Pavarësisht nga përfundimi që pati, Revolucioni i qershorit, konkludon ai, mbetet një etapë e rëndësishme e lëvizjes së emancipimit demokratik social në Shqipëri, me një trashëgimi të spikatur historike, me Nolin si figurë mbizotëruese.
I përfshirë në politikë dhe në diplomaci nga rrethanat e veçanta të kohës, nga dëshira për t’i shërbyer çështjes kombëtare shqiptare, por edhe nga pasioni dhe prirja e tij e gjithanshme, Noli zuri një vend nderi, plotësisht të merituar në historinë shqiptare. Ai u prezantua si protogonist, aktor e negociator i shkëlqyer.
Anglezi Swire do ta përkufizonte si “një diplomat i përkryer, me dijeni të gjëra mbi botën dhe politikën ndërkombëtare, një negociator i gatshëm dhe i shquar… ”
Por, humbjen më të madhe ajo e pati pikërisht në fushën e politikës së jashtme, pikërisht atje, ku Noli mund të pretendonte se ishte në habitatin e vet. Me sa duket idealist deri në eufori, nuk kuptoi sa duhet se demokratizimi si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, nuk arrihet lehtë edhe pse është një proces i pandalshëm dhe i pashmangshëm.
E rrethuar nga armiqësi dhe kundërshtarë të betuar qeveria e tij u rrëzua me ndërhyrje nga jashtë. “Ndonëse nuk e çoi dot popullin e vet në “tokën e premtuar”, shprehet prof. Qosja, “Moisiu” i qershorit ushtroi një ndikim të fuqishëm në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, duke qenë një pikë referimi e përhershme dhe një udhëheqës shpirtëror i njohur përgjithësisht i qarqeve përparimtare në gjithë botën shqiptare.”
—-
Botuar në DITA. Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore Revolucioni i qershorit: në jubileun e 100-vjetorit, organizuar në Tiranë, më 24 qershor 2024, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Universitetin e Korçës Fan Noli dhe Fondacionin Fan Noli.
