Nga Fatos TARIFA
Kujt t’ia vësh gishtin në PS, si njeriu që mund të marrë përsipër drejtimin e kësaj partie dhe barrën e rëndë të përgjegjësisë që vjen me të? Peleshit? Mos, o zot! Ballës? Mos e thuaj. Por ja që këta njerëz ka zgjedhur kryeministri i vendit për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë dhe grupin parlamentar të PS-së në atë kuvend, si “kuadrot” më të lartë të kësaj partie. Kujt tjetër?
E shihni se në çfarë gjendjeje e ka katandisur PS-në kryetari i saj, kryeministër i vendit? Në një trup pa kokë, pa mendje e pa shqisa. Në një trup pa shpirt. Ka vrarë thuajse çdo gjë të gjallë në atë parti, sidomos mendimin racional e kritik, ka “hequr qafe” çdo rival (real apo të imagjinuar), ka mbajtur vetëm një mijë a dy mijë duartrokitës në kongres, por edhe këta nuk brohorasin më emrin e tij. Ka lënë jashtë socialistët e vërtetë, ka futur brenda ata që as kanë qenë, as u bënë ndonjëherë socialistë.
Shihni grupin parlamentar të PS-së sot, ata që do të duhej të përfaqësonin votuesit socialistë në atë kuvend. Sa njihni prej tyre? Sa prej tyre i çmoni dhe i respektoni? Hiq disa, që mund të numërohen me gishtat e të dy duarve (dhe ato apo ata vetë e dinë për cilët e kam fjalën), të tjerët janë anonimë; shume prej tyre puppets. Në Kuvend, PS ka sot fytyrën, mendjen dhe gojën e atyre që vunë në listat mbyllura e të hapura të asaj partie kryeministri dhe zëvendëskryeministrja. Moikomi (ju prehtë shpirti në paqe), Dokle, Dade, Leskaj, Ruka dhe të ngjashmit e tyre socialistë nuk janë më.
PS jo vetëm nuk është sot një parti që drejton vendin me një program të qartë, por as nuk është një parti parlamentare e vërtetë. Vendin e drejton një njeri i vetëm dhe parlamenti është një teatër që e dirigjon po ai njeri, kryeministri. Ai nuk zgjedh vetëm anëtarët e kabinetit qeveritar, por edhe anëtarët e grupit socialist në parlament, edhe zëvendësit gojëkyçur e sehirxhinj të ministrave, edhe drejtorët më të rëndësishëm të administratës e të ndërmarrjeve shtetërore, madje edhe vetë kreun e shtetit, Presidentin e Republikës. Prej tij e kishim peshqesh Metën si president dhe, po prej tij, kemi peshqesh edhe presidentin aktual. Të parin, që kryeministri të mos e kishte rival më politikë; te dytin, që të mos kishte një kundërshtar, a një drejtues të pabindur në krye të shtetit.
Të gjithë këta janë nomenklatura e kryeministrit dhe republika jonë është një republikë parlamentare vetëm në emër. Në fakt, ky shtet që kemi, kështu siç është katandisur, është një Nomenklaturë Kryeministrore. Kryeministri është gjithçka, partia e votuar nga shumica e shqiptarëve për të drejtuar vendin asgjë, Kuvendi asgjë dhe, po njëlloj, kreu i shtetit.
Paradoksi qëndron në faktin se, duke votuar PS-në, deri më sot kemi votuar këtë kryeministër që kemi, i cili, vetë ai, nuk mbahet mend sa vite ka që nuk votohet nga partia e tij.
Me këtë nuk them se duhet votuar PD, ose ndonjë prej partive të reja. PD ka provuar se nuk ka ditur të qeverisë dhe, në gjendjen që është sot, do të ishte një parti edhe më e keqe në pushtet. Partitë e reja, këto që janë sot, ka më shumë të ngjarë të tkurren, se sa të rriten.
Që të mbahej mend për ato punë të mira që ka bërë në të shkuarën, kryeministri i sotëm do të ishte dashur të ndahej me pushtetin në ditët më të mira të ushtrimit të tij. Por pushteti të rrit oreksin për më shumë pushtet, të bën të pangopur, të lidh këmbët ndërsa të zgjat duart, të ngjit të ndenjurat pas karriges, madje të krijon iluzionin delirant se pushteti je vetë ti, se askush tjetër veç teje nuk meriton dhe nuk di ta ushtrojë atë.
Duhet të jesh një lider i vërtetë dhe i guximshëm që të shkëputesh prej pushtetit, prej forcës dhe privilegjeve që të jep ai. Çdo president amerikan, qysh nga i pari, George Washington, deri te Harry Truman në fillim të viteve 1950, qëndroi në krye të Shtëpinë e Bardhë vetëm dy mandate, ose një, kur mund të kishin qëndruar pa asnjë kufizim, nëse zgjidheshin nga populli i tyre.
Mandela e transformoi Afrikën e Jugut në vetëm pesë vite, si president i saj dhe, pas vetëm një mandati historik, që e nxori kombin e tij nga aparteidi, vendosi të mos rikandidonte më.
Edhe mbretërit, që janë lindur princër (jo si ai që kemi pasur ne, një mbret i vetëshpallur) dhe që mund të vdesin mbretër, abdikojnë nga froni. Mbretëresha Beatrix e Hollandës abdikoi 12 vite më parë, kur ishte 76 vjeç, një moshë e re për një monark në fron, por ja që ajo, kreu i një prej monarkive më të pasura të globit, gjykoi se ishte koha për ta lënë “përgjegjësinë për vendin në duart e një brezi të ri” (time to place the responsibility for the country in the hands of a new generation) – fjalët e Madhërisë së Saj.
Kjo kohë, për këtë “monarki kryeministrore” tonën, ka ardhur ku e ku më parë. Sot, ndoshta, edhe nëse do të donte ta linte me dëshirë e tij pushtetin që mban, kryeministri do e kishte të vështirë, ose të pamundur të bënte këtë zgjedhje. Nëse deri dje kishte nevojë për PS-në, si strehën politike të tij, sot është pushteti ai që i duhet më shumë. Sepse pushteti mendohet se është një bunker që të mbron.
Por, nga duhet të mbrohet kryeministri dhe pse? Ç’ka bërë?
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
