Nga Jorgji Kote
Botuar në DITA
Kjo thënie e urtë të rivjen ndërmend kur përballesh me katalogun e sfidave madhore gjeopolitike të Kosovës në ditët e sotme; ku spikatin demarshet intensive diplomatike për anëtarësim në BE, KiE, OSBE, NATO, UNESCO, INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkohë, që është aktive në shumë nisma rajonale, në Procesin e Berlinit dhe tani së fundi në Paktin e Rritjes së BE-së. Procese dhe objektiva këto të vështira dhe për vende me kapacitete dhe tradita të vjetra diplomatike, e jo më për një shtet të ri plot halle e telashe si Kosova.
Veç kujdes, se duam, s’duam dy përparësitë më urgjente dhe djegëse për cilëndo qeveri në Prishtinë janë: përshpejtimi dhe përfundimi i dialogut me Beogradin me njohjen e ndërsjellë dhe krijimi i asociacionit te komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë që viti ku sapo kemi hyrë është plot zgjedhje të reja vendimtare për diplomacinë europiane, amerikane, ruse, britanike, austriake, etj. Ndaj praktikisht nuk shpresohet për ndonjë arritje, ca më pak të madhe, veç rutinës diplomatike, sipas motos ” tërhiq e mos e këput”. Ja pse aforizma ”Pak e sak dhe jo shumë e për lumë” dmth përqëndrimi vetëm në dy dosjet e lartpërmendura nuk është më luks apo komoditet, por domosdoshmëri “ulëritëse“ për diplomacinë e Kosovës.
Për këto arsye, është momenti që Prishtina zyrtare ta spostojë pothuajse gjithë vëmendjen dhe veprimtarinë e saj diplomatike të niveleve të larta nga jashtë brenda vendit. Duke e forcuar ndjeshëm veprimin e saj diplomatik në këto dy çështje përparësore strategjike, pa u hallakatur gjithandej, ca më pak me objektiva maksimaliste por realisht të paarritshme në një të ardhme të parashikueshme.
Më konkretisht, në krye të axhendës dhe më urgjentja është që qeveria dhe diplomacia e Kosovës, pa hequr dorë nga fushat e tjera dhe duke bërë përgatitjet përkatëse për çdo rast por pa zhurmë, “të përveshë llërët“ për të zgjidhur nyjet gordiane, dmth përfundimin e dialogut me Serbinë dhe çështjen e asociacionit. Këto tashmë janë vulosur në çdo platformë dhe program të institucioneve Euro-Atlatike; ndaj çfarëdo që të bëjë e ngado të sillet, Prishtina nuk ka si t’u shmanget.
Mirëpo nga pikpamja realpolitike kjo kërkon që lidershipî i Kosovës të veprojë në simfoni të plotë me SHBA-të dhe BE-në. Kosova nuk e ka as shkakun dhe as luksin si Beogradi të sfidojë Perendimin në asnjë rast. Natyrisht sugjerime dhe vërejtje mund të bëjë, por në kanale diplomatike, jo në publik, jo me vend dhe pa vend, jo ” copë” sikurse bën gabimisht në ndonjë rast.
Ndaj në vend të gërvëreve diplomatike dhe kërkesave për sekuencim me veprimet e Serbisë, edhe pse të drejta, Prishtina të forcojë bashkëpunimin me aleatët, të veprojë në përputhje me sugjerimet e tyre gjeopolitike dhe t’i futet punës konkretisht, duke filluar nga formulimi përfundimtar i tekstit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa dyshim mbi bazën e parimeve të saj kushtetuese. Asgjë nuk e pengon të ngrej një grup ekspertësh për të punuar mbi tekste konkrete, të cilat t’u nështrohen debateve dhe diskutimeve të gjera parlamentare dhe publike, përpara se punët të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të ishte shumë më me vend se qëndrimet diplomatike pa bukë ” hidh e prit” apo ” majë më majë” me aleatët; me to ashtu si dhe prononcimet e forta në forume ndërkombëtare mund të fitosh ca pikë zgjedhore, mund ta shtysh në kohë një problem, por ama do vonosh dhe vështirësosh zgjidhjet e vërteta dhe të qëndrueshme të problemeve në fjalë.
Po, kështu do vepruar shpejt dhe për masat e njohura për shtensionimin e gjendjes në veri e sidomos zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, ku diplomacia e Kosovës shpenzoi shumë kohë, energji dhe burime të panevojshme, por ”korri” furtunë me aleatët tanë, pasojat e të cilave Kosova vazhdon t’i vuajë ende.
Duke hedhur hapa konkretë e të prekshëm në këto dy fusha vendimtare, diplomacia e Prishtinës do të ” vrasë jo dy, por 3-4 zogj” gjeopolitikë. Kështu ajo do të ndihmojë që aleatët perendimorë të heqin dorë nga politika qetësuese dhe përkëdhelëse dhe të shtojnë, siç kanë filluar trysninë ndaj Beogradit. Kësisoj, Prishtina do të ketë më shumë shans dhe shkak t’u kërkojë 5 vendeve të BE-së, por dhe të tjerëve njohjen e bllokuar për shkak të ngecjes në vend të së dialogut.
Rrjedhimisht, kjo do të lehtësonte dhe përpjekjet e mëtejshme diplomatike për anëtarësimin në BE, NATO, OSBE, KiE, UNESCO, Interpol e të tjera.
Shumë e rëndësishme, hapat e lartpërmendur dhe suksesi me zgjedhjet në veri dhe asociacionin do të bëjë që BE-ja të heqë masat ndëshkuese, çka do të ketë ndikim pozitiv në imazhin e cënuar të Kosovës, rifillimin dhe nxitjen e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Pa përparim në dialog dhe me asociacionin, është ”si të rrahësh ujë në havan” ose shkurt mision i pamundur. Mund të shkosh në dyert e kancelarive të vendeve të ndryshme, të bësh lobingje, të shtosh ambasadat, madje të dëgjosh dhe fjalë, vlerësime dhe premtime të bukura, sidomos në forume ndërkombëtare; por ato do të mbeten ” fjalë të mira dhe gurë në trastë” nëse ti nuk kryen këto ” detyra shtëpie”. Sepse ato do të hapin dosjet e lartpërmendura, duke të rikujtuar me finesën e rastit Asociacionin, Veriun, Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit…. Aq e vërtetë është kjo sa dhe anëtarësimi në KiE, që mendohej i lehtë, mbasi kërkon vetëm 2/3 e votave po vihet në dyshim për të njëjtat shkaqe që përmendëm dhe më lart.
Ndërkohë, sikur të mos mjaftonin këto dhe të tjera tematika shpërthyese që presin zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, javët e fundit, në Prishtinë, duket se po konfirmohet edhe pse ashtu ”nën zë” ideja e ngritjes së një padie gjyqësore për genocid ndaj Serbisë, e cila përbën një sfidë tejet komplekse dhe serioze.
Së pari, pavarësisht nga puna e bërë deri tani, suksesi i saj kërkon më shumë përgatitje paraprake, mbledhje aktesh/faktesh dhe të dhëna të dokumentuara, konsulta me ekspertë vendas e të huaj, të praktikave të mëparshme të ngjashme, pluset dhe minuset dhe në përfundim shanset për sukses. Kështu veprohet në zinxhirin vendimmarrës të një shteti serioz kur vjen puna për një padi të tillë ndaj një shteti fqinj. Nga ana tjetër, nëse këtej flet dhe bën dialog por nga ana tjetër bashkëbiseduesin e padit për genocid, kjo nuk i shërben klimës dhe terrenit të duhur për një dialog të sukseshëm dhe të shpejtë, sado të drejtë të kesh për momentin. Se lind pyetja, zotëri a do dialog apo gjyq? Se në diplomaci të dyja nuk shkojnë. Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, kur kërkon afrim nuk mund të bësh veprime të tjera jashtë axhendës politike ndërkombëtare që i kundërvihen kësaj fryme, sidomos me një vend si Serbia me tematika të njohura.
Veç kësaj, me rëndësi vendimtare, sidomos në këtë çështje, është konsultimi me aleatët tanë strategjikë. Aq më tepër kur dihet se ata kanë një axhendë tejet të mbingarkuar dhe përvëluese gjeo-politike me interesa të mëdha strategjike, sidomos mbas agresionit rus ndaj Ukrainës, përshkallëzimit të gjendjes në Lindjen e Mesme, etj. Madje aleatët jo vetëm duhet të njoftoheshin më parë për aksh veprim, por detyrimisht do matur pulsi i tyre, duke ua marrë paraprakisht mendimin në kanalet e duhura dhe jo mbasi i ke nxjerrë të gjitha në publik.
Ca më tepër, tani për tani, për SHBA/BE-në, dosja më e rëndësishme dhe urgjente është Dialogu Prishtinë – Beograd dhe më konkretisht krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtu kujdes, se ti nuk mund të detyrosh aleatët e mëdhenj të ndjekin axhendën tënde, sado të drejtë të kesh në parim; apo të ndërmarrin ushtrime diplomatike për të cilat nuk është momenti i duhur, kur nuk ka siguri për sukses dhe kur nuk përputhen me synimet e tyre më të gjëra gjeo-politike. Mirëpo, pa mbështetjen e tyre politike, padia në fjalë mund të sillte “ pak qar dhe shumë zarar“ për Kosovën, e cila nuk i ka këllqet e duhura diplomatike dhe juridike për këtë mision tejet të ndërlikuar; ndaj nuk mund të bëjë asnjë hap pa ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së.
Ndërkohë, ky konsultim paraprak duhet të bëhet dhe me Shqipërinë, madje bashkë me të, nëse do vërtet që të përfshihet dhe ajo në këtë qerthull jo të lehtë. Madje kjo është përcaktuar dhe në marrëveshjet tona për bashkërendimin e veprimit diplomatik. Nëse përgjigja është pozitive, atëhere mund të kërkosh ndihmën e saj. Por, kur me të drejtë, nisur nga faktet e mësipërme, ajo të thotë jo, kjo nuk shkon kështu, se nuk të mbështet njeri, atëhere ti nuk ke të drejtë të qortosh, por të nxjerrësh mësime dhe të tërhiqesh sa nuk është vonë.
Sa i takon aspektit praktik, shihni, disa vende më të mëdha se Kosova, vetëm pse e kanë konsideruar politikisht dhe jo ligjërisht genocidin otoman në Armeni mbi 100 vite më parë “i ka gjetur belaja“ me Ankaranë, le më ta kishin paditur!!
Më konkretisht, a ia vlen barra qeranë që diplomacia e Kosovës, tejet inferiore në burime, mjete dhe kapacitete të gozhdohet me padinë, duke lenë jashtë vëmendjes aspektet e tjera tejet të rëndësishme që i përmendem dhe më lart?
Së fundi dhe më e rëndësishmja, nisur nga kompleksiteti i termit “Genocid“ do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur ta çosh deri në fund padinë në fjalë. Mirë, nëse fiton, po në rast se humbet kjo padi, a nuk do të nënkuptonte kjo se Serbia ka fituar, duke na thënë “Boll, më, qepeni tani“ Si do të përballohet ajo disfatë e mundshme, duke akuzuar sërish drejtësinë ndërkombëtare?
Por dhe sikur të fitohet gjyqi, nuk dihet se sa do t‘ia vlente, krahasuar me kohën, mundin, energjitë, burimet financiare dhe kapacitetet e shpenzuara dhe kur raporti i kostove/përfitimeve do të anojë nga e para. Mirëpo, politika e jashtme, siç thotë i mirënjohuri Fareed Zaharia “nuk është teologji, por raport i kosto – përfitimeve!“
Për të gjitha këto arsye, diplomacia e Kosovës duhet të ngulet fort brenda vendit, me këmbë në tokë, duke filluar me krijimin dhe forcimin e kohezionit të nevojshëm mes forcave kryesore politike dhe opinonit të gjerë publik dhe diplomatik për këto çështje madhore; duke bërë gjithçka për një unifikim sa me të madh të pozicioneve lidhur me politikën e jashtme. Këtu përfshihen shumë aktorë institucionalë, si Kuvendi, Komisioni i Punëve të Jashtme, partitë, media, think tanket, ekspertët dhe opinioni publik. Për të shembur muret, gardhet, bunkerët dhe llogoret partiake në fushën diplomatike, të cilët përbëjnë rrezik të përhershëm për politikën e jashtme të Kosovës, po aq, në mos dhe më shumë se faktorë të jashtëm armiqësorë. Veç kur themi të ngulet brenda vendit, kemi parasysh trajtimin dhe zgjidhjen e sfidave të lartpërmendura dhe pa krijuar probleme të tjera, siç është njoftimi ditët e fundit mbi përjashtimin e dinarit serb nga BKQ-ja. Një akt jo produktiv, që vetëm se i ndërlikon gjërat; ndaj ka hasur në kundërshtime nga BE-ja dhe SHBA-të, të cilat po i kërkojnë kujdes Kosovës, duke i ritheksuar fort nevojën e Asociacionit.
Në përfundim, le të theksojmë se vetëm mbasi të ketë kryer misionin e saj të jashtëm brenda vendit, diplomacia e Kosovës mund të dalë në botë me zë të lartë për kërkesat e tjera madhore që u përmendën në fillim të shkrimit. Sepse, siç thoshte ish Kryeministri emblematik britanik Wilian E. Gladstone ” parimi i parë i politikës së jashtme është suksesi nga brenda”
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016