Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Prej shumë kohe, institucionet e sigurisë në Perëndim kishin sinjalizuar se në Serbi po stërviten më shumë se 200 vetë për t’u futur në Kosovë dhe të fillonin atë që mund të quhet tani kryengritja e organizuar e strukturave ushtarake terroriste serbe.
Një grup prej tyre, më shumë se 30 vetë, me 24 shtator, duke sulmuar befasisht, në orët e para të mëngjesit dhanë sinjalin e parë të një konflikti të armatosur, që, përmes të tjerave, synonte nisjen e një lëvizje terroriste, të furishme, brenda në Kosovë, në zonat e banuara nga një popullsi me shumicë serbe, dhe, për më tepër, pranë një objekti fetar, në kohën kur brenda tij kishte edhe pelegrinë.
Nuk do të jetë rastësi pjesëmarrja e këtyre të fundit, pasi, si ndodh rëndom, në projektin e përgatitur me kujdes, është synuar që kundër goditja e forcave policore apo të ndërhyrjes së shpejtë të Kosovës, të revoltuar nga vrasja e kolegut të tyre, Afrim Bunjaku, do të qëllonin pa dallim, jo vetëm grupin terrorist, por edhe qytetarët e zakonshëm me kombësi serbe, mes tyre edhe pelegrinët e ardhur, çka e kishin bërë edhe në pranverën e vitit 2004, kur, në ditën e dytë të përplasjeve mes shqiptarëve të revoltuar nga mbytja e fëmijëve në lumin Ibër, pasi vunë re se asnjë objekt fetar nuk ishte dëmtuar, nisën të djegin dhe të shkatërrojnë godinat fetare, për të fajësuar shqiptarët, çka edhe ndodhi.
Jo rastësisht, edhe tani, grupi komando i terroristëve serbë synonte të kapte pikën jugore të lumit Ibër, të vendoste njerëzit e tij në pritat ndaj policisë serbe, të shkaktonte përleshje të armatosura dhe të shpallte autonominë e komunave me shumicë serbe.
Janë disa gjëra themelore që përcjell përpjekja për kryengritje apo rebelim të armatosur, si parathënie e një përleshje të re.
Në fakt, kjo që ndodhi, është ngjarja më de rëndë që pas përfundimit të luftës dhe sinjali i dhënë prej kohe se, politika evropiane e përkëdheljes së Vuçiçit dhe regjimit të tij, ishte e dështuar, e gabuar, dhe tani, e fajshme. Përfaqësuesit politikë të BE-së duhen lëvizur nga ai vend dhe zoti Lajçak nuk duhet të kthehet më në Kosovë. Çdo përpjekje për të minimizuar rolin e tij destruktiv dhe për të rritur vlerat bashkuese do të jetë e kotë, e pabesueshme dhe, për më tepër, e dëmshme.
Si dihet, në orët e para të 24 shtatorit, grupi diversionist dhe para prirës i një bande më të gjërë se 30 veta, të pajisur me armë, automjete të blinduar, të uniformuar, nën një komandë të vetme, sulmoi patrullën policore të Kosovës, duke e goditur me armë zjarri, nga disa drejtime. U vra rreshteri Afrim Bunjaku, u plagosën dy kolegë të tij.
Ndryshe nga viti 2011, kur bandat serbe kishin vrarë një polic të Kosovës dhe ishin tërhequr në thellësi të territorit serb, kësaj here ndodhi ndryshe. Banda u rrethua dhe ajo që u zhvillua më tej, tashmë është e njohur.
Por të panjohurat qëndrojnë.
Megjithëse qëndrimi i presidentit të Serbisë e paraqiti të gjithë këtë si një “revoltë e banorëve serbë të Kosovës ndaj regjimit brutal të Kurtit”, në fakt kjo ishte shumë më tepër.
Aksioni fillestar ishte planifikuar nga një strukturë e veçantë pranë presidencës serbe, e ngritur si institucion në vete në vitin 2004, ku bëjnë pjesë ushtarakë, ish njerëz të shërbimit sekret serb, psikologë, njohës të Kosovës, veçorive të saj, studiues, deri gjeologë dhe specialistë të bujqësisë, të cilët përgatitin projekte dhe angazhojnë pastaj struktura ushtarake apo të shërbimit informativ serb.
Është gjetur si i përshtatshëm momenti i goditjes, kur Kosova ndodhet nën sanksione dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin dukeshin të plasaritura. Shtetit serb i interesonte që në këtë moment, kur po vendoset për krijimin e Asosacionit në komunat me shumicë serbe, të kishte një goditje të atyre pikave, të cilat i quan të shenjta, siç janë objektet fetare.
Zona e përcaktuar, në thellësi të Zveçanit, ku në bjeshkët dhe malet e zonës mund të fshihen dhjetëra diversionistë apo terroristë, është e lidhur edhe me manastirin e fshatit Banjskë, me mendimin se, pas vrasjes së policit shqiptar, njësitë e Kosovës do të vepronin ashpërsisht, dhe do të kishte civilë serbë të vrarë, çka e shpinte më tej planin e tyre për shpalljen e autonomisë së komunave me shumicë serbe.
Sidoqoftë, policia e Kosovës i ndërroi proceset politike në Kosovë. Pas këtij akti autoriteti i saj është rritur shumë dhe vetë qeveria Kurti ka dalë nga nokdauni ku mendohej se do të qëndronte gjatë. Pikërisht struktura që vetë shefi i qeverisë e kishte sulmuar më së shumti, dhe me të cilën ishte përleshur, ia zbardhi faqen qeverisë. Tani e tutje policia e Kosovës nuk duhet trajtuar politikisht, por ashtu si është përgatitur në vite të tëra, strukturë në dobi dhe në shërbim të vendit të vet, pa marrë parasysh se kush qeveris.
Thënë këtë, nuk do të jetë e largët dita, kur do të shtohen disa pyetje: Të parat do të jenë për njësitë e Shërbimit Informativ të Kosovës. Si është e mundur që një grup i madh komandosh, i furnizuar me armë moderne, arsenal armësh, me autoblinda, të strukturuar, kanë lëvizur kaq lirisht në një pjesë të Kosovës, e cila, sidomos kohët e fundit duhet të ishte qendra e monitorimit të shërbimit informativ?
Si është e mundur që, në një zonë ku është mbi zotërues kontrolli i KFOR-it dhe EULEX-it është krijuar një strukturë e tillë bandite, plot terroristë dhe janë grumbulluar armë të rënda dhe të lehta për rreth 200 vetë? Kjo i rëndon ata. Duam apo jo, ky është dështim për dy institucione të rëndësisë së veçantë.
Disa nga mjetet e përdorura nga terroristët serbë, vendas dhe të ardhur nga Serbia, mes të cilëve ka pasur edhe mercenarë rusë, ishin krejt të njëjtë me mjetet motorike që përdor KFOR, për më tepër me logot e tyre. Njëjtë me metodat e përdorura nga njësitë qeveritare serbe, që në vitet e luftës kamufloheshin si njësi të UÇK-së, me logot dhe uniformat e tyre.
Si kanë hyrë në Kosovë mjete të njëjta me ato që përdor KFOR-i, si është lejuar qarkullimi i tyre, si kanë kaluar ata para policisë së Kosovës dhe të KFOR-it me gjithë armatim dhe mjete lufte?!
E nesërmja sjell edhe disa çështje të tjera të vështira. Së pari, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, tani për tani është i pamundur. Bëhet edhe më i pamundur nëse do të jenë të njëjtët ndërmjetës, dështimi i të cilëve është i dukshëm dhe roli i tyre ka qenë i dëmshëm.
Dëshira e Perëndimit për të gjetur përmes dialogut një zgjidhje paqësore nuk është reale, as në kohën e duhur. Koha e bisedimeve nuk është tani dhe nuk mund të jetë më pa u vendosur disa themele, mbi të gjitha njohja e shtetit të Kosovës nga vendet e BE që ende nuk e kanë njohur, pranimi i saj në disa organizma politike , financiarë dhe të sigurisë; dënimi i rolit agresiv i qeverisë dhe presidencës serbe.
Këmbëngulja, si e mushkës, se në fillim Asosacioni e pastaj të tjerat, trimëroi qeverinë serbe, rriti rolin e presidentit të tyre, dhe synoi të krijonte besimin se tani kemi të bëjmë me një figurë politike të ndryshme nga ish-ministri i propagandës në qeverinë e Millosheviçit.

Kjo tezë ka rënë përfundimisht. Përbetimet e Vuçiçit se, mund të humbim jetën të gjithë, por nuk do e njohim shtetin e Kosovës e kthen bashkësinë ndërkombëtare në vitin 1998, dhe faji është i tyre. Tani, për fat të keq, arnimi i gjërave, sipas metodës tërhiq e mos këput ka rënë. Policia e Kosovës e preu këtë fill. Atë që nuk e bëri dot politika, e bënë disa burra që dëshmuan aftësi.
Përmes “bisedimeve” Beogradi ka mashtruar. Do të vazhdojë të mashtrojë, për më tepër, ata që duan të jenë të mashtruar.
Për shtetin shqiptar tashmë është e qartë se nisma e Ballkanit të Hapur ishte utopi, madje një gabim i madh që përbën edhe faj historik. Një ndër gabimet më të ndjeshme në politikën e jashtme të diplomacisë shqiptare, nën flamurin e shefit të qeverisë. Sepse Ballkani i Hapur nxiti më tej oreksin politik dhe gjeografik të presidentit serb, krijoi imazhin e rremë se me të mund të bisedohet, ose, edhe më tej, me të mund të zgjidhen problemet e nxehta të rajonit.
Ditët e fundit të shtatorit tregojnë se edhe konferenca e re ndërkombëtare, propozuar nga shefi i qeverisë, është në vazhdën e mendësisë së Ballkanit të Hapur, por në një formë të zbutur, nën petkun ndërkombëtar. Asgjë nuk sjell një konferencë e tillë. Nuk është më shkurti i vitit 1999, kur duhej një konferencë, nuk është më qershori i vitit 1999, kur duhej një marrëveshje, si ajo në Kumanovë.
Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga më shumë se 100 shtete – për fat të keq në vitet e qeverisë Kurti nuk kemi asnjë njohje të re – Kosova ka institucionet e saj, ka marrëdhënie normale me të gjithë rreth e rrotull – pavarësisht ftohjes mes dy pjesëve të kombit – apo futjes në lojë me faktorët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, çka përbën një faj politik të diplomacisë Kurti. Sidoqoftë, konferenca ndërkombëtare është e panevojshme, e parakohshme, e dëmshme.
Tri ditët e zisë që shpalli qeveria serbe janë perceptimi i saj për të ardhmen, dëshmia se vetë ajo dhe presidenca qëndrojnë pas bandave dhe terroristëve serbë.
Përballë kësaj, shteti shqiptar duhet të jetë më racional, më i kohës dhe me depërtues në diskursin e tij politik dhe diplomatik. Shqipëria duhet të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, të kërkojë pranë qeverisë serbe kthimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë që fshihen në territorin e saj.
Asnjë iluzion nuk mund të ketë më për demokratizimin e shpejtë të Serbisë. Perdet kanë rënë. 24 shtatori është dita e së vërtetës. Është ndarja nga besimi i rremë se Vuçiç mund të kthejë politikën serbe drejt Perëndimit, e, po ashtu, qartësia se politika serbe është hibrid i zgjatur i politikës ruse.
Ndarja nga politika e mashtrimit serb është ndihmesë për vetë popullin e saj, aq më tepër për minoritetin serb në Kosovë që mbetet peng i nacionalizmit të shfrenuar të qeverisë dhe presidencës serbe.
Qeveria Kurti, drejtuesi i saj duhet ta ketë të qartë se megalomania dhe shpërfillja e faktorit determinues ndërkombëtar ishte lojë e rrezikshme dhe e dëmshme për vetë Kosovën. Ky është momenti i kthesës së diplomacisë së Kosovës, i qëndrimit të qeverisë së saj, për të konceptuar më realisht përballimet gjeostrategjike dhe vendosur urat e duhura të komunikimit me aleatët strategjikë.
Faktori ndërkombëtar, që në vitet e fundit e dënoi Kosovën si shpresë për të kthyer Serbinë përmes përkëdheljeve në rrugën evropiane dështoi, e disa herë me dashje. Zoti Lajçak nuk mund të jetë më njeriu fuqiplotë i BE në Kosovë.
24 shtatori do të jetë dita e politikës së re dhe e mbusha mendjes së politikanëve shqiptarë drejt njësimit të mendimit politik kombëtar.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
