Një përleshje mes dy të burgosurve në burgun e Durrësit ka përfunduar me plagosjen me thikë të Ilir Bibës. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) ka arrestuar në flagrancë Muharrem Bugjishën, të dyshuar si autor të plagosjes.
Bugjisha ka goditur Ilir Bibën gjatë një konflikti brenda ambienteve të burgut. Autoritetet nuk kanë sqaruar ende motivet e përplasjes dhe mënyrën se si i dyshuari ka siguruar mjetin prerës.
Pas arrestimit, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit. Bugjisha dyshohet për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, sipas neneve 89 dhe 324/a të Kodit Penal.
Por ngjarja ka hapur edhe çështjen e kontrolleve të sigurisë brenda burgut. Si ka arritur një i burgosur të sigurojë dhe të përdorë një mjet prerës në një institucion ku sendet e ndaluara duhet të kontrollohen?
Për këtë arsye, AMSEVP ka nisur verifikimet edhe ndaj punonjësve të burgut të Durrësit, për të përcaktuar nëse kanë kryer shkelje ligjore apo kanë pasur përfshirje në ngjarje.
j.l./ dita
